Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, iniciativa më e re e qeverisë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, beri bashkë përfaqësues të institucioneve shtetërore, Bankës së Shqipërisë, sistemit bankar, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit të biznesit diskutuan mbi mekanizmat e financimit të sipërmarrjes dhe forcimin e partneritetit publik–privat.
Në fokus të diskutimeve ishte zgjerimi i aksesit të biznesit në financim, si një instrument për nxitjen e investimeve, rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Edi Rama teksa mori pjesë në një nga panelet, theksoi se programi është rezultat i një procesi bashkëpunimi ndërinstitucional mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synimin për të krijuar një mekanizëm të ri dhe të qëndrueshëm financimi për sipërmarrjen.
Gjatë diskutimit u theksua se instrumenti i ri do të orientohet drejt sektorëve me potencial të lartë zhvillimi, duke krijuar kushte më të favorshme për investime, rritje të konkurrueshmërisë dhe forcim të ekonomisë prodhuese.
***
Kryeministri Edi Rama: Unë dua ta nis pikërisht nga sinergjia e krijuar për të arritur në formësimin e këtij produkti të ri në dispozicion të sipërmarrjes, sepse ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë që për hir të vërtetës, të paktën me fjalë, na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre ashtu si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse e vërteta është që bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshëm, ndërkohë që të gjithë të tjerët luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar dhe jo vetëm kaq, po fitojnë goxha. Gjë që nuk natyrisht na bën xheloz, por na bën më kërkues ndaj bankave, pasi e vërteta është, kryetari i shoqatës tha me humbje, po nuk dalin me humbje as nga ky program, po nuk dalin dhe me ndonjë fitim si fitimet që bëjnë për shembull, për banesat që i ka nga 6-7% duke ndenjur në ajër të kondicionuar. Ndërkohë që këtu do rrinë në ajër të kondicionuar dhe do shlyejnë të gjitha kostot dhe do kenë një fitim modest, por fitimi në afat të mesëm dhe në afat të gjatë edhe për bankat, do jetë i konsiderueshëm, sepse ajo që ne synojmë me këtë program, është që t’i japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen, pra ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të rriten dhe të bëhen të mesme.
Është shumë e rëndësishme që kjo frymë bashkëpunimi që kemi pasur deri tani dhe dua ta falenderoj specifikisht Guvernatorin, pasi ka qenë kyç në këtë në këtë projekt dhe natyrisht duke e falënderuar, dua të them që do të kisha shumë dëshirë që ta falenderoja prapë pas 6 muajsh për suksesin e këtij projekti dhe suksesi i këtij projekti varet edhe nga presingu që do t’u bëjë Guvernatori i cili kur ka qenë i vogël ka luajtur dhe basketboll edhe pse jo në nivelin e lIlir Trebickës që është këtu në sallë, presingu që do t’i bëjë bankave të nivelit të dytë për t’i nxjerrë nga zona e komfortit.
Nga ana tjetër, duke qenë se bankat kanë një manual të tërë justifikimesh që e përdorin me efiçiencë të lartë dhe një nga këto justifikime është që planet e biznesit të ndërmarrjeve të vogla, të mesme nuk janë mjaftueshmërisht të arrira dhe mjaftueshmërisht bindëse, ne kemi angazhuar një forcë tjetër në këtë proces që nuk e kemi patur deri tani, një forcë me një ekspertizë absolutisht të padiskutueshme që është UNDP-ja, zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, përmes të cilës ne do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë dhe do të kemi një grup të gatshëm për të asistuar bizneset të cilat kanë ide interesante, të cilat kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankat dhe ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjitha bizneseve, ndërkohë që patjetër, Ministria e Ekonomisë do të luajë rolin e vet për të garantuar koordinimin midis subjekteve të biznesit edhe grupit të ekspertëve.
Po ashtu ne kemi vënë në dispozicion përmes Ministrisë së Ekonomisë një website, një faqe online në të cilën ka edhe një mundësi për t’u adresuar drejtpërdrejt Ministria nga biznesi dhe ka edhe një ‘’chat box’’ që kthen përgjigje pyetjeve që lidhen me programin, që lidhen me elementë të programit për të cilat subjektet mund të kërkojnë sqarime. “Website” është i menduar si një mekanizëm komunikimi dhe ndërveprimi të shpejtë, por edhe si një urë që do të na lehtësojë shikimin e gjithë pasqyrës së lëvizjes së këtij programi.
Një tjetër element që dua ta theksoj është, që janw planifikuar edhe një edhe cikël takimesh në territor për të kontaktuar bizneset e interesuara dhe njëkohësisht edhe për të nxitur biznese të caktuara që të përfshihen në këtë program, por nuk është vetëm Ministria e Ekonomisë. Këtu është një skuadër e cila ka objektiva të përbashkët, por edhe ka objektiva të ndara sipas pjesëve të kësaj skuadre.
Për këtë arsye, pa diskutim Ministria e Financave ka qenë kyçe dhe dua ta falenderoj dhe ministrin se më thonë nganjëherë ‘’po pse i falenderon ti këta? Këta detyrën bëjnë’’. Po detyrën bëjnë të gjithë në këtë botë. Problemi është kush e bën më mirë dhe kush e bën më keq se detyrën bëjnë ose kur thonë që ‘’po pse bëni ju sikur çfarë po bëni se me lekët tona po i bëni’’. Po për lekët tona është qeveria. Po ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që me lekët tona s’bëjnë asnjë punë dhe ka pasur dhe qeveri që me lekët tona kanë bërë dhe punë të këqija. Kështu që dua ta falenderoj ministrin për kontributin dhe prapë edhe ministrin njësoj si guvernatorin, dua ta falenderoj dhe pas gjashtë muajsh për suksesin e projektit sepse Ministria e Financave është kyçe edhe në ndërveprimin me bankat pasi i kujtoj bankave që guvernatori ka në dorë shumë gjëra por dhe Ministria e Financave nuk është pa gjë në dorë fare, në rast se bankat nuk do na shoqërojnë në këtë proçes me të gjithë vullnetin e nevojshëm sepse këtu bëhet fjalë për diçka, që ta shpjegoj në fund, që është shumë më e rëndësishme për t’u kuptuar sesa thjesht një program kredish. Po ashtu Ministri i Bujqësisë dhe Ministria e Bujqësisë janë të rëndësishëm për projektin në dy aspekte. Ne kemi këtë projekt në dispozicion të drejtpërdrejtë subjekteve private dhe natyrisht kur vjen puna tek zhvillimi rural, ka një prioritet qeveria të këtij mandati për të nxitur sa më shumë agropërpunimin, sepse tek agroturizmi gjërat janë futur në ‘’shtratin’’ e tyre mund të them, por tek agropërpunimi kemi shumë potencial dhe kemi shumë hapësirë të pazhvilluar dhe nga ana tjetër, një element i ri i programit është mbështetja e shoqërive të përbashkëta. Shoqërive të përbashkëta në fshat midis subjekteve private, fermerëve, sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm të fshatit dhe bashkive.
Ndërkohë që kemi dhe Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit që ka pjesën e vet të procesit në stimulimin e sipërmarrjeve që lidhen me turizmin, po gjithmonë dhe dua ta theksoj, kjo kredi, ky program, kjo linjë kredia është menduar për të vegjlit dhe për të mesmit, jo për të mëdhenjtë. Sipërmarrjet e mëdha nuk do kenë mundësi që të kenë akses në këtë program edhe sikur të bëjnë nga ato truket që për fat të mirë kemi disa që vijnë nga sektori privat në qeveri dhe i kanë bërë vetë përpara. Kështu që na kanë paralajmëruar se ku mund të na futen të mëdhenjtë, kështu që ua kemi mbyllur të gjitha shtigjet. Dhe ministri i të gjitha Pushteteve Vendore, zoti Demo, i cili ka barrën e koordinimit të bashkive me programin në drejtim të shoqërive të përbashkëta dhe patjetër ka edhe barrën e koordinimit për ‘’Paketën e Maleve’’ që është një program tjetër ku mund të ketë edhe konvergjencë me linjën e kredisë.
Për të qenë të qartë, linjat e financimit janë të parashikuara të stimulojnë produktivitetin, gjë që është një nga sfidat kryesore të ekonomisë tonë sot dhe për këtë arsye përveç, siç thashë, agropërpunimit, një tjetër linjë është industria përpunuese në tërësi, pastaj transporti dhe logjistika, pastaj teknologjia dhe ekonomia dighitale. Kemi shumë tani realitete që me financim mund të kalojnë në një nivel tjetër. Për shembull, po ju sjell thjesht jo juve që jeni këtu se juve jeni të qartë, por mbase ata që na ndjekin kanë nevojë të kenë dhe ndonjë shembull konkret për të kuptuar horizontin e programit. Ka një realitet për shembull të jashtëzakonshëm, në jugun e thellë të vendit tonë ku një emigrant, një djalë i kthyer nga emigracioni, ka krijuar një shoqëri të çobanëve të rinj.
Dihet shumë mirë se sa i kërkuar është ky zanat dhe se sa pak janë ata që kanë qenë dhe janë ende të disponueshëm për të mbështetur rritjen e sektorit të blegtorisë që është një nga sektorët më me risk dhe në ndërkohë, surpriza e këtij realiteti është se është krijuar një kompani me një numër jo të vogël të rinjsh, të gjithë nën 30 vjeç që bëjnë çobanin dhe që faktikisht vijnë nga realitete të ndryshme, por tek kjo kompani kanë gjetur mundësinë për të bërë para dhe kur unë e pyeta djalin se deri ku e shihte horizontin e kompanisë nga pikëpamja e numrit të krerëve, ai tha ‘’edhe 100.000 krerë, por natyrisht duhet financimi’’- tha.
Tani nw këtë rast është rasti tipik, kur një realiteti të tillë i jep një injeksion që e çon menjëherë ne një nivel tjetër pasi në atë realitet nuk mungon dija, nuk mungon vullneti, nuk mungojnë forcat, pra kapitali njerëzor, por mungon financa.
Një tjetër realitet shumë interesant është një realitet në një tjetër zonë të Shqipërisë, në qarkun e Fierit, në zonën e Lushnjës ku ka një industri shumë të vogël, një ndërmarrje të vogël që merret me prodhime kozmetike. Prodhime kozmetike të çertifikuara ndërkombëtarisht, por që ka një volum te vogël. E njëjta përgjigje e pyetjes ku është horizonti dhe i njëjti problem; financimi dhe kështu ka ndërmarrje, ka bërthama po themi, ndërmarrjesh të vogla në fushën e teknologjisë të cilat, një pjesë vijnë nga programi ‘’Startup Albania’’, kanë hyrë në treg, por kanë nevojë për një financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar, për t’u shumëfishuar dhe në fund fare, dua të them që programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është një shumë e konsiderueshme dhe do të ketë të gjithë mbështetjen tonë dhe të gjithë vëmendjen tonë në mënyrë sistematike.
Për këtë arsye ne do të ngremë dhe një Task-Forcë e cila do të jetë e përbërë nga përfaqësues të qeverisë, të UNDP-së edhe të Shoqatës së Bankave. Kryetari i shoqatës, për shembull, do ishte shumë i mirëpritur të ishte pjesë e kësaj Task- Force për të analizuar në mënyrë periodike rezultatet dhe për të parë ku programi ka nevojë për ndërhyrje dhe ku ngec dhe për të parë pastaj, se për cilën bankë duhet t’i drejtohemi guvernatorit që të ‘’përdorë shkopin’’, sepse ’karrotën’’ e di vetë dhe e përdor rregullisht në banka.
E fundit që kam, është që shifrat janë të gjitha shumë pozitive, por shifrat në këtë kohë dhe në këtë fazë të zhvillimit tonë kanë një problem shumë të madh. Shifrat sa më pozitive të jenë, aq më shumë i acarojnë njerëzit. Sa më shumë, sa herë të përsërisësh që ekonomia është rritur në mënyrë të qëndrueshme me mesatarisht 4% që është diçka vërtetë shumë e mirë, do të prodhosh tension dhe acarim. Sa herë të thuash që bizneset janë shtuar, do përballesh vetëm me të kundërtën e efektit që bën një lajm i mirë.
Tani, unë për veten time kam krijuar bindjen që kjo është një shenjë shumë domethënëse e një faze të re të zhvillimit ku kemi hyrë. Kjo nuk është një shenjë e një shoqërie që nuk e kupton progresin apo nuk e sheh progresin, por është një shenjë e njw shoqërie që do shumë më tepër progres, e do shumë më shpejt, mundësisht sot dhe nuk do t’ia dijë se nga vjen. Koha dhe brezat që e vlerësonin shumë rrugën për të nxjerrë konkluzione për pozicionin dhe për të projektuar vazhdimin e rrugës, ka ndryshuar totalisht sepse gjithmonë më pak njerëzve u intereson se ku kemi qenë. Gjithmonë e më pak njerëzve u intereson se çfarë ka pasur rruga vështirësi dhe si kemi ardhur nga këtu -këtu nga këtu- këtu , gjithmonë e më pak madje-madje, them gjithmonë më pak, për të mos thënë që gjithmonë e më shumë referimi tek rruga e bërë, i acaron sepse suksesi i tw tjerëve është një arsye për të kërkuar suksesin dhe për vete dhe çdo lloj dallimi me të tjerët, është një arsye për t’u acaruar kur rruga thotë: duhet bërë durim. Dhe për këtë arsye ky program është shumë i rëndësishëm si edhe në aspektin psikologjik për sipërmarrjen.
Njerëzit meritojnë të kenë mundësi të reja për të sprovuar veten e tyre dhe për të bërë sukses më shumë dhe më shpejt dhe natyrisht që këto mundësi të reja nuk kanë asnjë arsye pse mos t’i kërkojnë nga qeveria. Kështu që jemi në një fazë të re të zhvillimit kur tanimë, raportin e besimit me institucionet, raportin e besimit me shoqërinë, raportin e besimit me vendin, e krijojnë pritshmëritë, nuk e krijojnë arritjet. Arritjet janë diçka tjetër, janë patjetër shumë të rëndësishme, por janë tërësisht të pamjaftueshme, sepse pritshmëritë diktojnë të përditshmen e njerëzve, diktojnë të përditshmen e kujtdo dhe natyrisht që ne nuk kemi mundësi që t’i adresojmë pritshmëritë në ajër, por pritshmëritë në në terrenin e punës, pritshmëritë në terrenin e përpjekjeve për t’u rritur përmes punës, pritshmëritë në terrenin e sipërmarrjes që është motori i padiskutueshëm i zhvillimit ekonomik të një vendi demokratik dhe që nuk mund të zëvendësohet me formula haluçinante, ne kemi detyrë që t’i adresojmë me më shumë instrumente dhe ky është një instrument i drejtpërdrejtë për të adresuar pritshmërinë dhe dua ta theksoj dhe një gjë tjetër, se guvernatori e ka për detyrë që të jetë i përmbajtur, për më tepër pastaj që guvernatori është një institucion që, në situatën laike, barazohet me Papën, kështu që askush nuk shkon të bëjë protestë përpara Vatikanit.
Por unë dua t’u them sipërmarrësve që ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. Kemi filluar me 250 milionë. Natyrisht që guvernatori ka të drejtë kur thotë që magnituda e suksesit të këtij blloku të parë fondesh do të përcaktojë edhe zhvillimin e mëtejshëm të programit dhe, natyrisht, nëse do të duhen, thotë guvernatori, ne do të shtojmë më shumë fonde, por ne jemi gati që të shkojmë deri në 1 miliard, 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që vijnë nga mbështetja e qeverisë, në mënyrë që askush të mos thotë: “S’kam mbështetje financiare për të bërë planin tim”. Ama duhet të ketë një plan dhe planin duhet t’ia miratojë banka.
Këto nuk janë para që do të jenë te sporteli i Bankës së Shqipërisë dhe do të shkojnë t’i marrin të gjithë me zarf. Këto janë njësoj si paratë e Bashkimit Europian, për të cilat ne na thonë që: “Ja ku i keni”, por ama, për t’i marrë, duhet të bëjmë një sërë gjërash që pastaj të kemi akses normal.
Kështu që, për gjithë ata që kanë një plan, ne kemi edhe asistencën që planet të bëhen të atilla që bankat t’u besojnë. Kështu që askush nuk ka asnjë arsye që të thotë: “Unë nuk kam mbështetje, s’më sheh njeri, s’më bën njeri”. Jo! Dhe, pikërisht që të mos ketë njerëz të painformuar, do të bëjmë një fushatë të tërë informimi. Ministrat do të jenë, sipas sektorëve, në territoret e tyre të përgjegjësisë, për të shpjeguar programin, për të nxitur biznesin. Nga ana tjetër, edhe në rrjetet sociale, edhe në media, edhe nëpër rrugë, njerëzit do të shikojnë që ka një ftesë për të dyfishuar sipërmarrjen.
Kështu që, kush ka një ide dhe një plan, të ulet, ta shkruajë, të aplikojë dhe të marrë deri në 2 milionë euro, me 70% kolateral të garantuar nga qeveria dhe me 2 deri në 3% normë interesi. 2 deri në 3% normë interesi, diçka që është qartësisht, qartësisht një burim oksigjeni, për çdo kompani që do të marrë frymë më shumë, që të vrapojë më shpejt.
***
-Atëherë, kjo si paketë është shumë e mirë, mund të them se është produkti më i mirë që ka nxjerrë qeveria, sepse ka disa shtesa për sa u përket imobiliareve, ka disa shtesa që janë shumë të mira. Por ka dy handikape të mëdha. Një biznes që ka 250 punëtorë, një që ka 251 nuk e përfiton, që është e para dhe handikapi më i madh është që nuk mund të përdoret për kapital qarkullues dhe për lëndët e para, që, për transformimin që ne kemi folur me vite, ky është një handikap i madh, sepse nuk na ndihmon. Atëherë, nëse kjo do të ishte një situatë normale, normalisht që është një mekanizëm fantastik, por, duke pasur parasysh situatën që është manifaktura, kur rënia është me dy shifra, muajin e kaluar ishte 14%, e vë në vështirësi shumë biznesin që t’i shkojë mendja të shkojë të investojë. Kjo ka veç një faktor që, mua më mbetët qejfi se jemi të gjithë bashkë këtu, si me guvernatorin, me ministren, ka veç një emërues të përbashkët: është euro. Ne kemi një rënie nga tre vitet e fundit gati 33%. Sipas të dhënave të bankës, janë 5 miliardë euro jashtë kontrollit të bankave dhe mund të shkosh në çdo pikë, në çdo market, ti shkon të blesh euro dhe të thonë: “Ne e marrim me kaq”. Unë mendoj që këto ndikojnë. Kështu që ne kemi nevojë për ndihmë konkrete, ashtu siç po i shihni me një sy pozitiv dhe është për t’u përgëzuar, siç po i shihni startup-et, ku nga 3 milionë euro e çuat 6 milionë euro dhe ku flasim këtu për biznese që punësojnë një deri në tre veta, sepse një fotograf, një, po themi, një parukier, këto janë bizneset, pjesa më e madhe e startup-eve. Kurse, kur vjen puna për sektorin tonë, i cili punëson 60 mijë veta, na thoni: “Shkoni merrni kredi”. Kështu që unë mendoj që qeveria duhet të injektojë para, të cilat, të themi të drejtën, edhe i ka përfituar nga rënia e euros, sepse borxhi i jashtëm nga 78%, ka rënë në 52%, dhe ky është një avantazh për qeverinë. Kështu që një pjesë të atyre parave që qeveria, meqë jemi ortakë, meqë qeveria ka përfituar nga kjo rënie e borxhit të jashtëm…
Kryeministri Edi Rama: Dëgjova, se ne kërkuam pyetje. Megjithatë, e dëgjova, sepse edhe kjo është një fjalë që e kam dëgjuar ka vite. Për fat të mirë, tani nuk jemi më në të njëjtën fazë, sepse për fat të mirë, tani, në atë që ti e quajte manifakturë, por në fakt nuk është ekzaktësisht termi i duhur, kemi dy panorama, nuk kemi më një. Kemi fasonet që janë kthyer në manifakturë dhe fasonet që kanë mbetur fason, janë dy.
Tani, të kërkosh që të ndalësh kohën me subvencione dhe me injeksione, të cilat janë vetëm për të zgjatur agoninë, është legjitime ta bësh, por nuk është absolutisht e bëshme kjo për qeverinë. Qeveria nuk mund të ndihmojë ndaljen e kohës dhe nuk mund të harxhojë asnjë qindarkë nga taksat e qytetarëve për realitete që koha i ka lënë mbrapa. Dhe e thashë që në fillim që, kur këtë gjë e thosha në momentet e para, kur ky fakt filloi të bëhej i dukshëm, ndeshesha me shumë reagime negative, sepse akoma nuk ishte bërë ndarja, ndërkohë që sot ne e kemi ndarjen. Kemi fasone që janë kthyer në manifakturë dhe që nuk kanë më probleme të tilla. Koha kur krahu i lirë i punës ishte avantazh konkurrues ka vdekur, miku im. Ka kohë që ka vdekur dhe sa më shumë të bashkëjetoni me të vdekurin, duke ushqyer veten me iluzionin që do të ngjallet, aq më shumë koha do t’ju lërë mbrapa.
Nuk e kam për ty personalisht. Flas për atë pjesë të sektorit që i referohet në mënyrë të vazhdueshme: “Euro, euro, euro, euro”, duke pasur gjithmonë në “background”-in e mendjes edhe gjithë ekonomistët popullorë që forcimin e lekut, e lidhin me “narko-regjimin”. Një banalitet absolut, që nuk e mbështet dot në asnjë lloj teorie reale ekonomike. Forcimi i lekut është sukses i ekonomisë shqiptare. Nuk është absolutisht diçka për të vënë kujën, është sukses. Është një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë dhe nuk ka të bëjë fare me atë shpjegimin popullor të atyre që i thonë vetes analistë e që i thonë vetes katalistë, edhe që nuk dinë çfarë flasin. Sepse, në një vend ku miliarda e miliarda hyjnë çdo vit. Miliarda e miliarda hyjnë çdo vit nga ekonomia reale, 8.5 miliardë, po të kemi parasysh kombinimin e turizmit me investimet e huaja. Të flasësh tani për narko e për gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh shumë veshë që kanë nevojë vetëm për lajme të këqija, por nuk ka lidhje fare me realitetin, nuk ka lidhje, është pa lidhje, sepse nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte një alarm që nuk do të vinte nga kanalet e informimit, si ata që i bien violinës me vesh, po do të vinte nga kanalet institucionale të organizmave ndërkombëtarë financiarë që ndjekin ekonominë tonë me lupë.
A ka ekonomi informale në Shqipëri? Patjetër që ka dhe ky është një problem për ne, është një problem për taksapaguesit, por për këtë nuk mund të ankohen ata që bëjnë informalitet. A ka në Shqipëri para të pista që qarkullojnë? Po, patjetër që ka. Po ku nuk ka? Dhe është shumë, është shumë e ligë në thelb që t’ia veshësh Shqipërisë, duke qenë shqiptar, nuk ka fare rëndësi se kush është në qeveri e kush s’është në qeveri. T’ia veshësh Shqipërisë, duke qenë shqiptar, duke pasur pasaportën shqiptare, këtë lloj kostumi kaq të ndyrë, nuk di se çfarë duhet të jesh,për ata që e bëjnë.
Kështu që, te ky program është dhe pjesa juaj dhe ti e di shumë mirë që është dhe pjesa juaj. Kur ne themi teknologji, kemi parasysh dhe ju. Kur ne themi industri përpunuese, kemi parasysh dhe ju, por nuk kemi parasysh fasonët. Se nuk e gjeni dot më ju asnjë nga vajzat e atyre grave që janë ulur te makina qepëse në ’91-shin e ’92-shin, kur vinin nga zonat më të varfra të Shqipërisë për një jetë më të mirë këtu dhe jetonin në tenda plastmasi te fusha e Kamzës. Asnjë nga vajzat e atyre grave nuk vjen të ulet në makinë qepëse dhe të bëjë punën e nënës, që nëna e bëri për 20 e 30 vjet dhe që i erdhi koha të dalë në pension, ose që ka dalë në pension, për të marrë pagë minimale. Ku e gjeni ju këtë? Nuk e gjeni dot më këtë lloj tipologjie në tregun e punës. Nuk e gjeni dot më këtë lloj krahu pune. Këtë duhet ta harroni dhe kush e ka harruar, po ecën dhe po transformohet. Kush nuk e ka harruar, thjesht dhe vetëm pret nga qielli që të ndodhë një mrekulli, si të presësh që të ngjallet një i vdekur. Nuk ka më kështu. Ata që e kanë kuptuar tanimë, çfarë po vuajnë? Po vuajnë që nuk i kanë forcat e mjaftueshme që u duhen në dispozicion, sepse e tërhoqën shumë litarin me pagat dhe tani janë gati të paguajnë dhe më shumë se në Greqi. Po problemi është që duhet, në radhë të parë rikrijuar besimi i shqipove që të vijnë, të futen në punë dhe të marrin më shumë se në Greqi dhe të mos rrinë në Greqi. Duhet krijuar besimi, sepse nuk është më besimi aty.
Kështu që, të diskutojmë sot tani ne për këtë, duhet të jemi shumë të qartë. Mos krijojmë kot iluzione. Nuk mundemi ne të angazhojmë kredi me interesa 2-3%, me 70% kolateral, për fason. Ajo epokë është mbyllur, jo zyrtarisht. Kush prej jush e ka mbyllur zyrtarisht, po e sheh hajrin tani. Ka disa realitete dhe edhe ti vetë, që flet edhe në emër të sektorit, je një ndër ta që e ke kuptuar që kjo gjë duhet të ndryshojë. Kështu që mos i mbani me gajret ata që nuk duan të ndryshojnë. Po thuajuni të ndryshojnë.
Ne jemi gati t’ju japim kredi për teknologji, për të mbyllur ciklin. Nuk ka më: çfarë material porositësi, je në terezi apo jo! Material porositësi në Shqipëri sot, ku të gjithë duan shumë më tepër se ç’kanë, e do, të vijnë të futen atje te makina qepëse edhe të rrinë. Nuk ka më. Nuk është më ky lloj shqiptari, sepse Shqipëria është tjetër sot, është komplet tjetër. Shqipëria sot nuk jeton më me arritjet. A më kupton apo jo? Jeton me pritshmëritë. Nuk krahasohet më fare. Jo, po ku ishim ne, themi, në 2013-n? 2013 të gjithë atyre që sot janë deri në 35 vjeç, iu duket siç më duket mua me Ilir Trebickën koha e Zogut. Po kështu është. Këtu harrohet çfarë u bë dje, sepse pjesa më e madhe e jetës kalon në ekranin e iPhone-it. Fëmijët rrinë më shumë me iPhone-in sesa rrinë me prindërit dhe me shokët. Ku, ku ça u bë dje? Sot, sot dhe kush ka pastaj kapacitet ta projektojë të nesërmen, duke garantuar të sotmen, do të bëj sukses. Kush do të rrijë të merret: “Po prit se dje…”, nuk bën dot më sukses. Dhe këtë po jua thotë një njeri i suksesshëm.
***
Kryeministri Edi Rama: Dua të sjell një shembull shumë, shumë të thjeshtë. Përpara se sa të ngjitesha këtu, aty poshtë, te shkallët, kishte më shumë njerëz ulur te shkallët, në hije, sesa ç’ka këtu. Ishin të gjithë turistë tw huaj. Ky është realiteti i Shqipërisë sot. Po të ecësh nëpër Tiranë, nuk janë qytetarët e Tiranës që ecin aq shumë sa ç’janë turistët që ecin. Dhe kështu është Shqipëria. Për herë të parë në pesë vjet kam parë një grafik në ngecje, jo në rënie, në ngecje, muaji qershor. Jemi rritur deri në fund të majit me 26% nga viti i kaluar. Në muajin qershor kemi 1% rritje dhe shumë kancelime rezervimesh.
Gjithsesi, e vërteta është që 8.5 miliardë euro që hyjnë në ekonominë shqiptare nga jashtë, nga të huaj, pra turistë, 5.7 miliardë, Banka e Shqipërisë, ja ku është; dhe investime të huaja, 1.7 miliardë, një shifër rekord, që këtë vit do të jetë dhe më e lartë; dhe remitancat, që janë të ditura. Çfarë diskutojmë këtu tani? Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe të madhe parash të pista? Po kush do të na linte ne, në rast se kjo do të ishte e vërtetë, që të vazhdonim me mbylljen e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të jetë e vërtetë, do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë targeti i gjithë institucioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë që sot risia nuk është që ka ardhur një çetë nga Hëna dhe po lufton këtu me korrupsionin. Risia është që sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK-u është pjesë e sistemit dhe kjo është e madhja e transformimit: që sistemi po lufton tani. Deri dje nuk luftonte sistemi, deri dje nuk kishte sistemi balancat e brendshme për të garantuar imunitet. Sot lufton sistemi.
Fakti që u përmend këtu dhe që kapen njerëz të përfshirë në një rrjet që ka mundësuar sjelljen e parasë së pistë, është historik. Për çfarë? Për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon që është vetëm një detaj i vogël në malin e madh të narkoshtetit. Tregon që po goditet edhe korrupsioni, edhe krimi i organizuar, edhe trafiqet, edhe rrjetet, po goditen, po goditen, po goditen dhe, natyrisht, duke qenë në sytë e të gjithëve në mënyrë të vazhdueshme, perceptimi kthehet përmbys.
Dhe po e mbyll me njërin, se e pashë në një nga këto fastfood-et që sjell algoritmi. I thoshte, me një pamje prej kompetenti, por një personazh që nuk ka asnjë atribut, asnjë atribut që të mbështesë kompetencën e vet: as shkollë për ekonomi e për financë, as ndonjë trajnim për ekonomi e për financë, as një ditë punë gjëkundi, përveçse në industrinë e llafeve dhe thashethemeve. E thoshte: “Po mirë, pse ka rënë euro?” Dhe, kur dëgjoi përgjigjen më të natyrshme: “Po se është forcuar leku”, sikur kapi gafil dikë që tha një gafë. Sepse e vërteta nuk është që ka rënë euro, E vërteta është që është forcuar leku. Kjo është e vërteta. E vërteta është që leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër, që nuk është më ekonomia që ishte deri përpara pesë-gjashtë vjetësh.
Kemi aeroportin më të madh në rajon, mbi Beogradin, për të disatin vit, pa subvencione. Ata subvencionohen atje. Nuk e përballojnë dot fare idenë që Tirana e ka tejkaluar dhe e ka lënë shumë mbrapa aeroportin që ka qenë krye aeroporti i kryeqendrës së Ballkanit.
Po këto çfarë janë? Këto çfarë janë? Mollë që lëvizin në një konvejer dhe kalben rrugës dhe bien, apo janë para, para që hyjnë, hyjnë, hyjnë, hyjnë në këtë ekonomi? Si të mos forcohet leku? Është shumë e thjeshtë. Ne jemi e njëjta turmë këtu, ajo turma që ishte kur erdha unë ka ikur, është një turmë tjetër që është ulur aty prapë të huaj, që rrinë pak në hije.
Shumë faleminderit dhe në panelet e tjera mund të bëni edhe pyetjet dhe të merrni përgjigjet e tjera.