Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Gusht 2020

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Gusht 2020:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.163/2014, “PËR URDHRIN E PUNONJËSVE SOCIALË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) të zotërojnë diplomë të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional” në fushën e punës sociale dhe diplomë të nivelit “Bachelor” në të njëjtën fushë, lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë brenda ose jashtë vendit, si dhe të njohura e të njësuara në Republikën e Shqipërisë nga ministria përgjegjëse për arsimin.”.

Neni 2

Pas pikës 1, të nenit 13, shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Kandidatët për anëtarë në Këshillin Kombëtar, të zgjedhur nga Asambleja, duhet të plotësojnë minimalisht këto kritere:

a) Të jenë shtetas shqiptarë me banim të përhershëm në Shqipëri;
b) Të jenë anëtarë të Urdhrit;
c) Të kenë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë në ushtrimin e profesionit të punonjësit social;
ç) Të mos kenë marrë masë disiplinore në 5 (pesë) vitet e fundit;
d) Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

1/2. Anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.”.

Neni 3

Në pikën 4, të nenit 14, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

1. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1) të jetë anëtar i Urdhrit;”.

2. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) të kenë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë në ushtrimin e profesionit të punonjësit social;”.

Neni 4

Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 18

1. Ministri përgjegjës për çështjet sociale, me urdhër, ngre një komision të përkohshëm për organizimin e zgjedhjeve të para të Urdhrit.

2. Kompetencat dhe veprimtaria e komisionit të përkohshëm përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.

3. Me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Urdhrit, komisioni i përkohshëm shkrihet automatikisht.”.

Neni 5

Neni 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 19
Dispozita kalimtare

1. Individët, që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë të caktuar kohe, por nuk kanë formimin dhe kualifikimin profesional minimal, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të këtij ligji, ruajnë vendin e punës për një afat të caktuar por janë të detyruar të ndjekin programe të formimit dhe kualifikimit profesional, sipas këtij ligji, të përshtatshme për ushtrimin e profesionit të tyre. Pas përfundimit të programimit të formimit dhe kualifikimit profesional, të përshtatshëm për ushtrimin e profesionit të tyre, ata i nënshtrohen provimit të shtetit.

2. Individët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, regjistrohen përkohësisht në një regjistër të posaçëm të Urdhrit deri në përmbushjen e kritereve të nevojshme të anëtarësimit.

3. Profesionisti, i diplomuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.90/2014, “Për një shtesë në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, dhe ka kualifikimin minimal sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të këtij ligji, ruan vendin e punës dhe regjistrohet përkohësisht pranë Urdhrit Profesional, deri në dhënien e provimit të shtetit.

4. Procedurat, kriteret dhe afatet për ndjekjen e programeve të kualifikimit profesional, si dhe afatet brenda të cilave individët sipas pikës 1, të këtij neni, mund të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e punonjësit social, së bashku me të drejtat, detyrimet dhe kushtëzimet e mundshme që këta individë mund të kenë në marrëdhënie me administratën publike dhe private, ashtu si dhe me vetë Urdhrin, si pasojë e mangësive të tyre në formimin dhe kualifikimin profesional, si dhe periudha e eksperiencës së punës, e nevojshme për të lindur e drejta për vazhdimin e ushtrimit të profesionit, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e saj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 6
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.163/2014, “PËR URDHRIN E PUNONJËSVE SOCIALË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.