Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Štefan Füle, zhvilluan sot në mbrëmje një bashkëbisedim të hapur me studentë të ekselencës të vendeve të ndryshme të rajonit, por edhe shumë studentë të ekselencës nga e gjithë Shqipëria. Në një dialog të hapur dhe të drejtpërdrejtë u ndanë këndvështrime mbi “Evropën e Gjeneratës Tjetër”.

Studentët e ekselencës nga rajoni ndanë me të pranishmit eksperiencat e vendeve prej nga vinin dhe shprehën bindjen se e ardhmja është familja evropiane.

Pasi dëgjoi me interes opinionet e tyre, Edi Rama vlerësoi se për të, si Kryeministër i këtij vendi, është e vështirë të flasë përpara studentëve shqiptarë, “që nuk kërkojnë bukë, por kërkojnë konkurrencë; nuk kërkojnë lëmoshë, por kërkojnë vlerësim të meritës”.

Sa i përket integrimit në familjen evropiane, Kryeministri theksoi se “Evropa është e paplotë pa vendet e Rajonit tonë dhe do të jetë e plotë, vetëm kur i fundit vend i rajonit tonë të jetë i integruar plotësisht në të”.

 

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama:

 

Dëshiroj që, në radhë të parë, t’i uroj mirëseardhjen të gjithë vajzave dhe djemve që kanë bërë rrugë për të ardhur deri këtu dhe që janë sot dëshmia e gjallë e një të vërtete që vetëm pak kohë më parë dukej diçka e paarritshme. E të vërtetës që sot Ballkani, qysh se ekziston, është në pritje të një viti të ri, vitit 2014 që do të jetë i pari vit kur secili do të qëndrojë në shtëpi, do të festojë në shtëpi dhe nuk do të jetë në dritare me një pushkë drejtuar nga komshiu.

Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm dhe në këtë mbrëmje të zakonshme, besoj se jemi të gjithë me fat që gjendemi këtu, bashkë me udhëtarë të ardhur nga të gjitha vendet e Ballkanit, pa asnjë dallim.

“Mjaft ma, zotni mësues, mjaft, mjaft na mësuet si duhet me jetue, çka asht mirë e bukur mjaft mësuet – megjithatë na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tonë, po n’ato gëzime e po n’ato mjerime…”

Këtë tekst e kam marrë nga një penë e shkëlqyer e viteve ’30, për ta vendosur këtu në kontekstin e këtij takimi që unë nuk dua të ngjajë për asnjë moment si takimi i atyre që dinë dhe që duan të mësojnë të tjerët, me ata që kanë ardhur këtu për të mësuar. Dhe aq më pak pastaj më duket se mund ta bëj këtë, kur përpara meje janë studentet, studentët, nxënëset dhe nxënësit që këtu kanë ardhur për një arsye shumë të thjeshtë: se janë më të gjitha 10-a! Ka qenë vërtetë kënaqësi dhe krenari që emër për emër, unë t’ju dërgoj ftesat për të qenë këtu të pranishëm dhe për të ndarë këtë kohë së bashku, edhe në praninë e një bashkudhëtari që vjen këtu nga Evropa e Bashkuar, tanimë prej disa vitesh, për të na ndihmuar, për të na mbështetur dhe për të na treguar se çfarë familja e përbashkët evropiane pret nga ne, në mënyrë që të na mirëpresë në gjirin e saj, Komisionerin për Zgjerimin, Štefan Füle.

Duke iu referuar tekstit të viteve ‘30, unë jam i bindur që edhe sot, secili prej jush do të ishte në gjendje ta përsëriste atë tekst përpara mësueses apo mësuesit të vet, duke thënë: “Mjaft na mësuat, se ne vazhdojmë rrojmë si rrojtën stërgjyshërit tanë, por ndërkohë edhe pa harruar se koha ka vrapuar dhe vrapon gjithmonë e më shpejt. E në këtë kohë që ka vrapuar dhe vrapon gjithmonë e më shpejt, në një botë që rrotullohet gjithmonë e më shpejt në vorbullën e një zhvillimi të jashtëzakonshëm, është padyshim, sa një sfidë e madhe, aq edhe një fat i madh që t’i përkasësh gjeneratës tjetër, t’i përkasësh gjeneratës që pa as më të voglin dyshim, do të jetë brenda Familjes Evropiane dhe do të kontribuojë si pjesë e Familjes Evropianë, në një Evropë që është e paplotë pa vendet e Rajonit tonë dhe që do të jetë e plotë, vetëm kur i fundit vend i rajonit tonë të jetë i integruar plotësisht në të.

Më besoni që është përgjegjësi e shumëfishtë të jesh përpara jush, për mua që jam këtu dhe që më kot kërkova në gjithë sallën se mos gjeja ndonjë më të vjetër nga unë, por që kam dhe detyrën e lartë dhe barrën e madhe që të jem sot Kryeministri i këtij vendi dhe të flas pas një studenti shqiptar, i cili me fjalë të thjeshta tha të vërtetën tuaj të madhe.

Një e vërtetë që aq sa na bën të gjithëve ne që jemi në këtë pozicion, borxhlinj ndaj jush, aq edhe mua më bën krenar për ju. Të vërtetën se ju nuk kërkoni bukë, por kërkoni konkurrencë; ju nuk kërkoni lëmoshë, por kërkoni vlerësim të meritës suaj; ju nuk kërkoni atë që nuk meritoni, por kërkoni që për atë që meritoni, ju të vlerësoheni siç e meritoni.

Kjo në fakt, është sfida jonë e madhe. Është sfida jonë e madhe, për t’i hapur rrugën lirisë së konkurrencës dhe vlerësimin mbi meritën që në shkolla, në universitete, në rrugën e pas studimeve, në konkurrencën në treg, në konkurrencën në të gjitha fushat, ku në Evropën që duan të integrohemi fuqia e ideve, forca e transmetimit të ideve dhe vullneti për t’i realizuar idetë janë fakt dhe graviteti i suksesit të secilit. Sa më pranë ne t’i afrohemi këtij graviteti, aq më pranë Evropës së Bashkuar jemi, këtu në Shqipëri, në vendin tonë. Sepse ajo që në fund të fundit, është për ne një domosdoshmëri për të kuptuar thelbin e përgjigjes së pyetjes: “Çfarë është Evropa?” Është një udhëtim jo për të lënë Shqipërinë gjithë së bashku e për të shkuar e për të mbërritur diku gjetkë në Bruksel, por për ta gjetur Evropën e Bashkuar të vlerave dhe parimeve, mbi të cilat është ngritur ky projekt i jashtëzakonshëm i njeriut, brenda nesh, për ta gjetur tek forcat, tek energjitë, tek aftësia jonë për të bashkëjetuar me njëri-tjetrin, në respekt të plotë të njëri-tjetrit dhe më së pari, në respekt të lirisë, të drejtave dhe të meritës së gjithsecilit.

Unë dëshiroj të mos marr kohë me një fjalim të rastit, për të lënë pak më shumë kohë për pjesën interaktive të dialogut mes jush dhe nesh këtu në panel, mes nesh së bashku, ashtu siç e tha, – po i referohem për herë të dytë – djali ynë, si përfaqësues të Evropës së djeshme, të sotme dhe të ardhme, në një komunikim të hapur, me pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta, në një kontekst që sot na mbledh të gjithëve bashkë këtu, si shprehje e një ëndrre shumë të vjetër dhe i një vullneti gjithmonë të ri, për ta parë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe për të bërë që çdonjëri që jeton në Shqipëri, në qytet apo në fshat, çdonjëri që niset për në shkollë apo për në universitet, çdonjëri që çon fëmijën për në çerdhe apo për në kopsht, çdonjëri që duhet të kujdeset për dikë të afërt në familje apo në rrethin e miqve për ta çuar në spital, të ndjehet gjatë rrugës së tij si në Evropë, të ndjejë përgjatë gjithë rrugës së tij sigurinë dhe respektin që ndjen qytetari i Evropës ku ne duam të integrohemi, në hapësirën ku jeton bashkë me gjithë të tjetër.

Dua ta mbyll këtë fjalë, me një mik të çmuar, një artist të madh, i cili quhet Olafur Eliasson dhe që ka lënë dhe vazhdon të lërë shenja të jashtëzakonshme në rrugën e artit bashkëkohor. Një gazetare e pyeste: “A je vallë një megaloman, përderisa të ka shkuar mendja që të realizosh një perëndim dielli artificial, brenda në një muze dhe t’u thuash të gjithëve se për të parë diellin ashtu siç e dëshirojnë, duhet të hyjnë në muze e të shikojnë veprën tënde.” Dhe përgjigja e tij ishte: “Jo! Unë i analizoj gjërat në projektet e mia, në një mënyrë shumë personale dhe i mirëpres edhe interpretimet e të tjerëve. Por më duhet ta pranoj se unë nuk kam frikë nga projektet e mëdha apo nga të menduarit për projekte të mëdha.”

E pra, Evropa e Bashkuar është njëri ndër projektet më të mëdha të njeriut. Evropën e Bashkuar e lindi imagjinata, kurajo dhe vullneti i njerëzve. I shumë pak njerëzve, që pastaj u bënë shumë, e më shumë, e më shumë, duke i përçuar të gjithëve një mesazh shumë të thjeshtë;

Secili mundet!

Askush nuk duhet të ketë frikë nga projektet e mëdha. Askush nuk duhet t’i trembet të menduarit për gjëra të mëdha! E të mendosh sot për gjëra të mëdha, këtu në vendin tonë, është që të bësh të mundur që demokracia e çdo dite të funksionojë në çdo gjë të vogël, për njeriun e zakonshëm, qysh se del nga dera e shtëpisë dhe deri kur kthehet në derën e shtëpisë.

Faleminderit!

 

Përshëndetje të studentëve nga vende të ndryshme të Rajonit:

 

Student nga Kroacia: “Ne duhet të dimë që ideja kryesore e Bashkimit Evropian është të ofrohet stabiliteti afatgjatë, të ofrohet paqe dhe respekt i ndërsjellë ndërmjet vendeve anëtare. Kështu që, shpresoj se integrimi i shteteve të këtij rajoni do të mbetet një ndër objektivat kryesore të politikave të zgjerimit të BE-së në vitet që do të vijnë. Unë kam lindur 20 vjet më parë. Unë jam lindur si refugjat. Këtë status kam pasur kur kam lindur. Por tani, 20 vite pas ditës së lindjes, në këtë rajon ne kalojmë kufijtë dhe jemi në gjendje të krijojmë miqësi të reja. Zoti Kryeministër Edi Rama, unë nuk jam i autorizuar t’ua them këtë gjë, por do ta them: “Besoj se Shqipëria mund të mbështetet tek mbështetja dhe asistenca e Kroacisë, për rrugën dhe përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Studente nga Kosova: “Kosova është model për ofrimin e të drejtave të njeriut. Kosova ka bërë progres në drejtim të demokracisë dhe shoqërisë multietnike, çka i jemi mirënjohës shteteve anëtare të BE-së, të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në këtë drejtim. Progres të theksuar është bërë në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe si shembull i kësaj është kjo Konferencë, e organizuar për të ndarë mes nesh idetë e perceptimet tona sa i përket çështjeve që duhet të arrijmë  në të ardhmen tonë, vendin në të cilin dëshirojmë të jemi.  E kemi vendin, secili nga ne që të jemi pjesë e Familjes së madhe Evropiane.”

Studente nga Mali i Zi: “Duhet të punojmë shumë në kuadrin e Bashkimit Evropian. Duhet të respektojmë parimet e kushtëzimit. Duhet që të jemi të përgatitur për vlerat e përbashkëta dhe për rregullat e tregut të përbashkët. Lajmi i mirë është që gjërat po ndryshojnë, epokat po ndryshojnë dhe fatmirësisht, në favor të gjeneratës së re. Mendoj se qetësia rajonale, dialogu i hapur ndërmjet të rinjve mund të ndihmojnë në procesin e integrimit evropian dhe mund të çojnë në kuptimin më të mirë të ndërsjellët kulturor dhe fetar.”

Studente nga Serbia: “U bënë 10 vjet, që prej axhendës së Selanikut që gjerat kanë ndryshuar. Së pari, Kroacia u bë pjesë e Evropës. Hyrja e Kroacisë në BE është një shenjë që procesi i zgjerimit do vazhdojë nëse jo sot, nesër, në mos nesër, vite më pas. Në të njëjtën kohë, ne do të duhet ta mbështesim njëri-tjetrin. Dialogu ndërkulturor është nevojë e kohëve që jetojmë. Duhet të flasim në vijat etnike, kulturore e gjithashtu të sigurojmë kohezionet që parandalojnë konfliktet.”

Student nga Bosnje Hercegovina: “Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është i gjatë dhe kërkon një qasje tërësore dhe angazhim të aktorëve social-politikë. Së pari, na duhet të integrojmë forcat politike, për t’u siguruar se Bosnje – Hercegovina do të flasë me një zë të vetëm në të ardhmen, një zë që do ta çojë Bosnje – Hercegovina në Bashkimin Evropian. Së dyti, partneritete strategjike me anëtarë të BE-së luajnë një rol shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit. Shpresoj se dhe Shqipëria do të jetë një nga partnerët, në momentin që do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Së treti, e nevojshme që të arrijmë tek publiku i vendeve anëtare të BE. Kjo do të shërbente për përmirësimin e imazhit tonë.”

Studente nga Maqedonia: “Maqedonia, vendi ku unë kam lindur është një shoqëri shumëkulturore. Të jesh shumëkulturor dhe shumëetnik është avantazh. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian bazohet në respektin reciprok, në ndarjen e vlerave të përbashkëta dhe vizioneve të përbashkëta, për të një ardhme më të mirë. Duke folur sonte në Tiranë, jam e sigurt që ne brezat e rinj, nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe nga rajoni po ndajmë të njëjtat ndjesi, të njëjtat vlera dhe po punojmë drejt një objektivi të vetëm. Jam e sigurt që do të kemi sukses dhe së shpejti do të jemi qytetarë evropianë. Në të njëjtën kohë, jam e sigurt që e ardhmja jonë do të jetë ajo evropiane.”

Student nga Shqipëria: “Vështirësia më e madhe nuk lidhet me vullnetin tonë për të sakrifikuar kohën dhe energjinë në këmbim të rezultateve. Vështirësia vjen nga degradimi i institucioneve, nga degradimi i universiteteve, nga miku, konkurrenca e pandershme, mungesa e meritokracisë, stimulimit dhe vlerësimit. Një Profesor i vjetër i fakultetit tim, e kishte kapur më së miri thelbin e problemit, ku thoshte: ‘Në Fakultetin e Drejtësisë mund të ngelësh në klasë, vetëm po të të shtypë makina rrugës kur vjen për në shkollë.’

Zoti Kryeministër, zgjedhjet tuaja sot ndikojnë drejtpërdrejt në fatet tona. Vetëm talenti në shoqëritë e sotme nuk mjafton. Ju lutem na mbështesni për të lehtësuar sadopak vështirësitë që na presin në çdo hap, për të na krijuar mundësinë të konkurrojmë si të barabartë me bashkëmoshatarët tanë evropianë.

***

Më pas, në një dialog të hapur e të drejtpërdrejtë me studentët, Kryeministri Rama foli për integrimin, për arsimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Duke iu përgjigjur interesit të veçantë të studentëve për vizionin që Qeveria ka për zhvillimin e arsimit, Kryeministri përmendi si sfida përpara, akreditimin e universiteteve, konkurrencën dhe vlerësimin mbi meritën, zhvillimin e arsimit profesional, depolitizimin e plotë të arsimit; konkurset e hapura për drejtuesit e sistemit arsimor parauniversitar; vlerësim transparent dhe kthimin e shkollave në qendra komunitare për të tërhequr mendimin komunitetit të prindërve në vendimmarrje.

Ndërsa e cilësoi statusin dhe negociatat si instrumente për të çuar përpara procesin e integrimit, Rama kërkoi nga të rinjtë ta kuptojmë atë “si një proces për të transformuar vendin, për të modernizuar shtetin e forcuar institucionet, për të ndërtuar Evropën në Shqipëri.”

Edhe një herë, Kryeministri Rama nënvizoi se integrimi evropian nuk mund të jetë eksluzivitet i Qeverisë, as pronë e partive politike, qofshin në qeveri a në opozitë. “Integrimi evropian duhet të jetë dhe mund të jetë i suksesshëm vetëm kur është përpjekje e përbashkët e shoqërisë, e shoqërisë civile, e botës universitare, i botës reale, aty ku shqiptarët përplasen dita-ditës me problemet,” – u shpreh Kryeministri.

“Bashkëpunim falë paqes”, sipas modelit që Evropa ofron si shembullin e “kurajës për të bashkëjetuar me njëri-tjetrin përtej dallimeve”,  – ishte qasja e Kryeministrit, i pyetur për mundësitë e vendosjes së një bashkëpunimi më të ngushtë ndërrajonal.

“Në këtë rajon, – u shpreh Kryeministri – jetojmë në një moment historik paqeje, ku nuk ka asnjë konflikt mes nesh, por është një paqe shumë e madhe për shpatullat tona. Ajo çka duhet të bëjmë është të kapërcejmë dimensionin tonë e ta imagjinojmë të ardhmen, të projektojmë të ardhmen e të bashkëpunojmë për të ardhmen përmes një dimensioni më të madh se dimensioni ynë. Kësaj paqeje ne duhet t’i japim një orë e më parë, përmasat e zhvillimit ekonomik e social.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.