Reforma në arsim, një rrugë që vazhdon

Pikëvështrime të Kryeministrit mbi arsimin e lartë dhe arsimin në tërësi, me pedagogë të Gjirokastrës:

 

Reforma në arsim nuk është një reformë që thjesht mund të flitet dhe për të cilën mund të diskutohet mbi bazën e parimeve dhe mbi bazën e arkitekturës së parashikuar, por është një reformë që ka shumë dëshmitarë, ka mijëra dëshmitarë ndër mësuesit që sot janë mbi 11 mijë që kanë përfituar nga mundësia e re që u është dhënë për të hyrë në sistem përmes meritës, falë portalit mësues për Shqipërinë dhe transparencës që garanton ky portal në një rrugë shumë konkurruese.

Po ashtu ka plot dëshmitarë në arsimin e lartë, pavarësisht se jemi ende në një rrugë që vazhdon. Reforma në Arsimin e Lartë është ende një e përpjetë dhe patjetër që ka edhe shumë arsye për të besuar që rruga është e duhura, drejtimi është i duhuri e nuk na mbetet veçse të ecim në drejtimin e përcaktuar.

Nëse do bënim një krahasim mes arsimit parauniversitar dhe universitar, në arsimin parauniversitar jemi më të avancuar në raport me objektivat e në raport edhe me jetësimin e planit të transformimit, sepse tani kemi disa arritje shumë të prekshme e njëkohësisht kemi dhe të dhëna inkurajuese me të vërtetë. Megjithëse, gjërat për t’u bërë nuk janë pak.

Ndërsa në arsimin universitar kemi bërë një reformë shumë kurajoze, kemi zgjeruar shumë ndjeshëm autonominë e universitetit, kemi krijuar disa kushte të reja për studentët, kemi krijuar disa kushte të reja edhe për pedagogët, por jemi përpara një sfide shumë komplekse që duhet ta konsiderojmë si një detyrë të gjithë sëbashku, për ta përballur pa i bërë bisht e pa e shtyrë në kohë përballjen, sepse çdo shtyrje në kohë që i bëjmë përballjes me këtë sfidë komplekse, është kosto për të rejat e të rinjtë që hyjnë në universitet dhe pastaj mbeten në periferi të tregut të punës ose jashtë tregut të punës.

E para, ne kemi nevojë që në arsimin parauniversitar të fuqizojmë shumë më tepër rolin dhe nivelin e kompetencës. Nëse me mësuesit kemi avancuar ndjeshëm, me drejtorët e shkollave jemi ende në proces, pasi është e qartë që në figurën e drejtuesit të një shkolle duhet të kërkojmë më shumë angazhim në sensin e rritjes së kapacitetit menaxherial të një shkolle.

Është një kohë shumë e re dhe me shumë sfida të reja për prindërit, për fëmijët vetë, por që ata kanë nevojë të udhëhiqen në drejtimin e duhur. Është një kohë shumë e re dhe e ngatërruar pasi ka ndryshuar në mënyrë radikale në vitet e fundit ritmi i jetës, edhe kanalet e informimit, rrugët e ballafaqimit me realitetin. Mbi të gjitha është dyzuar në mënyrë shumë dramatike rruga e fëmijëve midis rrugës së realitetit dhe rrugës së virtualitetit, rrugës së kontakteve të drejtpërdrejta fizike me shqisat që shohin, që prekin, që ndjejnë, që përballen me realitetin fizik, ku natyrisht janë të lidhur bashkë tradita me komunikimin e të përditshmes dhe rruga e realitetit virtual, që është një rrugë me miliarda të papritura dhe të panjohura përmes mjeteve të komunikimit virtual që janë masivisht në duart e fëmijëve e që e bëjnë edukimin e tyre një sfidë shumë herë më të ngatërruar se më parë.

Këtu është fondamentale që ne të kuptojmë e të bëjmë çmos që t’i japim më shumë forcë komunitetit të shkollës, t’i japim më shumë peshë cilësisë së jetës në komunitetin e shkollës dhe të synojmë që përmes vlerave të komuniteti. Përmes lidhjeve të komunitetit të ekuilibrojmë sa më shumë të jetë e mundur lidhjet që krijohen jashtë kontrollit tonë, që krijohen vetvetiu mes fëmijës dhe ekranit të iphone, të ipad apo të kompjuterit.

Duam shumë që t’i japim jetë dy programeve të reja në sistemin tonë parauniversitar, në rradhë të parë; një programi të madh kombëtar për sportin dhe një programi tjetër të madh kombëtar për artet dhe për zejet, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë mundësi për fëmijët tanë që të kenë aktivitet fizik, por një aktivitet fizik më të harmonizuar me dëshirat e tyre sesa thjesht ato orët e edukimit fizik që ne i rikthyem në shkollë, por që sidoqoftë të themi të vërtetën, përtej faktit që nuk janë cilësore në një pjesë të tyre, janë edhe rutinë.

Po ashtu programi për artet dhe për zejet duhet të mbushë një kohë të caktuar jashtë mësimit, ku faktikisht ne e shohim të gjithë dhe besoj që kushdo këtu që ka një fëmijë të vogël e ka shumë të qartë, është një sfidë e jashtëzakonshme për si të ndërveprojë me fëmijë e si ta mbajë fëmijën lidhur me realitetin, ndërkohë që fëmija është vazhdimisht në kërkim të arratisjes nga realiteti për t’u futur nëpër ato labirintet e botës virutale e për të jetuar aty me heronj e me personazhe që janë nga më të ndryshmitt e që vijnë drejt tij në mënyrën më të pakontrolluar e më të pasistemuar.

Qoftë sporti, qoftë artet, qoftë zejet mund të luajnë një rol të jashtëzakonshëm, por nga ana tjetër kërkojnë një vëmendje të vençantë që të mos bëhen rutinë, të mos bëhen angari, të mos bëhen pa cilësi. Për shembull, unë e kam diskutuar vijimësisht dhe mendoj që është absolutisht e domosdoshme, sa për të sjellë një detaj, që shkollat kudo ku është e mundur, kudo ku kanë hapësirë e ka plot shkolla që kanë hapësirë, sidomos shkollat e reja që ne bëjmë, duhet të kenë hapësirën e tyre të tokës e të punës me tokën, për t’ju dhënë mundësinë fëmijëve që të ndjekin proceset e natyrshme të kultivimit të tokës e për të parë se si zhvillohen, si rriten, si shërbehen e në fund se si arrijnë në pikën ku duhen mbledhur frutat, perimet. Është një aktivitet që ne kur kemi qenë të vegjël, e kemi bërë në mënyrë të fragmentuar dhe me eksperimente po themi elementare, që nga fasulet që rriteshin nëpër ato jastëkët e pambukut. Ndërkohë sot duhet ta çojmë në një nivel tjetër. Apo kontakti i fëmijëve me natyrën, kontakti  i fëmijëve me kafshët e kështu me rradhë, kontakti i fëmijëve me gjithë ato mundësi të kreativitetit që shkojnë nga artet tek zejet. Në të gjitha territoret tona ka pika me të cilat shkolla duhet të lidhjet e këtu duhet të hymë ne, si qeveri, si Ministri Arsimi, si program mësimor për ta bërë këtë sa më të lehtë, sa më tërheqëse e sa më interaktive. Këtu kam parasysh rrjetet e zejtarëve që edhe ato duhen stimuluar për t’u formësuar e për t’u strukturuar më mirë, të grave aritzane, të grave që merren me produktet që pastaj tregtohen. Këtu në Gjirokastër ka shembuj fantastikë për këtë e po kështu aktivitetet që janë qoftë gara sportive, festivale, ekspozita, qoftë në muzikë, qoftë në teatër. Besoj që këtu lidhet ajo që thashë. Na duhen drejtues shkollash të futen në një fazë të re të të kuptuarit të rolit të tyre.

Shkolla e drejtorëve është ngritur, po bën një punë të caktuar, por  ne duhet të jemi më aktivë në këtë. Do t’i dedikojmë një vend të veçantë këtij aspekti të shhkollës.

Në aspektin tjetër nuk diskutohet që ka problematika, por mendoj që janë shtruar shinat me tekstet shkollore. Përtej paragjykimeve apo gjykimeve të sipërfaqshme, ne kemi një trupë mësimore që për hir të vërtetës, në një masë jo të vogël është një trupë mësimore e mirëpërgatitur.

Tek universiteti na duhet një bashkëpunim shumë më i afërt për një qasje shumë më strategjike, sepse kemi folur vazhdimisht për profilizime, për lidhjet me tregun e punës, për programet që duhet t’i përshtaten nevojave të tregut, për domosdoshmërinë që të mos harrojmë ato pjesë të formimit që i duhen një kombi dhe një vendi e që nuk janë atraktive si lëndë për shkak se nuk sjellin një perspektivë fitimprurëse, siç mund të sjellin disa lëndë të tjera e mbi të gjitha, mendoj që ne duhet të synojë shumë fort që ta kthejmë nivelin e marrëdhënieve me universitetet e huaja në një tjetër histori. Sepse jemi në një nivel sipërfaqësor me shkëmbime, me programe, por që janë pa impakt real në thellësi. Për këtë arsye, ne do të vendosim një fond për të stimuluar universitetet duke e vënë atë fond në dispozicion të të gjithë atyre universiteteve që do të ecin më shpejt në këtë drejtim e që do të arrijnë të strukturojnë marrëveshje e marrëdhënie cilësorë me universitete të tjera. Këtu në Gjirokastër jemi para faktit që duhet medoemos të ndryshojmë qasje sepse vetvetiu gjërat kanë ardhur në një situatë ku ka hyrë edhe vetë universiteti në një lloj ankthi për të shtuar programe e për të krijuar mundësi që lidhen sigurisht me vetëfinancimin. Kjo është pak por e sigurtë, që universitete bazohen në një masë të konsiderueshme nga vetëfinancimi, por që nga ana tjetër, për shkak të vetëfinancimit nuk mund të jenë pjesë e një inercie që në fund nuk prodhon cilësi e që sjell rënie pastaj të cilësisë së studentëve, rënie të interesit të pedagogëve e natyrisht, këtu universiteti ka nevojë për mbështetje, nuk mund ta bëjë këtë gjë vetëm. Por universitet duhet të bëhet në tërësi shumë i vetëdijshëm që autonomia është edhe përgjegjësi, autonomia nuk është vetëm bëj çfarë të dua dhe pastaj sa herë kam nevojë për një frymëmarrje më shumë për të vrapuar, dorëzohem e kthehem nga shteti. Kjo nuk mund të funksionojë kështu.