Fshati Rehovë i Kolonjës, i mirënjohur për panoramën mahnitëse të natyrës, lë mbresa tek çdo vizitor vendas dhe i huaj. Po ashtu, banorët e fshatit, kryesisht emigrantë të larguar prej më shumë se një shekulli, në Amerikë, kanë trashëguar brez pas brezi angazhimin për të kontribuar përmes financimeve në punët publike për zhvillimin e fshatit.
Një ndalësë në Rehovë, një prej oazeve më të bukura të vendit bëri sot, Kryeministri Edi Rama, i cili u mikprit nga disa prej banorëve që e kanë bërë emrin e fshatit të njohur në mbarë vendin dhe përtej kufijve me punën, idetë dhe përkushtimin ndaj natyrës dhe ruajtjes së traditës.
Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai tha se fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë natyrore dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme. “Shumë burra të saj kanë emigruar në fillim të viteve ‘900-të në Amerikë dhe atje përveçse punonin në emigracion krijuan dhe një shoqatë me emrin e fshatit dhe çdo vit me kontributet e tyre mblidhnin fonde dhe i dërgonin për punët publike. Në fund të 1930-ës, Rehova ishte me kanalizime, me ujësjellësa, me rrugë e të gjitha”, – tregoi ai, ndërsa shtoi se banorët e fshatit megjithëse mund të jenë larguar nëpër shtete të tjera, ose qytete të tjera të vendit, shtëpitë e tyre i kanë kthyer në bujtina, duke ruajtur traditën.
Nga ana e tij, Kryeministri vlerësoi se me ndërtimin e rrugës së re ky fshat mund të kthehet në një zbulim të ri e mjaft atraktiv për turistët. “Rehova mund të bëhet një destinacion shumë tërheqës. Me përfundimin e rrugës që tani është në fazë shumë të avancuar, me shkurtimin e distancës, kjo do të jetë zona e re e zbulimit të shqiptarëve dhe të huajve”, – tha Kryeministri.