Rilindja e qendrës mesjetare të qytetit 2400 vjeçar

Qendra mesjetare e Beratit me përfundimin e restaurimit të dy xhamive dhe teqesë, sistemimin e hapësirave dhe lidhjen me një shesh të ri të gurtë me lagjen muze do të krijojë një tjetër hapësirë të bukur për banorët dhe vizitorët. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti panë nga afër punën e bërë për restaurimin e xhamive, të cilën Kryeministri e krahasoi me rijetësimin e  qendrës historike të Vlorës.

Me përfundimin e pjesës më të madhe të punimeve të restaurimit, kanë dalë në pah elementë të rinj në pjesën e muraturës, ndërkohë që është ruajtur autenticiteti i çdo elementi. “Kemi dakordësuar heqjen e rrethimit dhe e gjithë pjesa do t’i kthehet komunitetit e do bëhet lidhja me sheshin afër shkollës. Këtu ka qenë një punë e gjatë restaurimi, ndërkohë që gjithë pjesa e ngjyrave dhe elementëve janë përshtatur me fotografitë e vjetar që kemi gjetur”, – u shpreh ministrja Margariti.

Ndërhyrja e bërë në këto objekte është ndërhyrja më e plotë e bërë në një objekt të kultit islamik. “Mund të bëhet një qendër mesjetare historike e Beratit që jep një bum tjetër nga pikëpamja e imazhit dhe atraksionit turistik,” – u shpreh Kryeministri.