Mbi 8 milionë euro në vit të kursyera nga xhepi i shqiptarëve për barnat

Fjala e Kryeministri Rama në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore:

Në arkivin e vyer të dinastisë Marubi, mes shumë e shumë të tjerash dokumentohen edhe fillimet e farmacisë në vendin tonë. Kam parasysh një foto shumë mbresëlënëse të vitit 1896, – do ju propozoja që ta konsideroni për ta vendosur në mure, – ku shfaqet doktor Ashiku, Pashko Ashiku, me punëtorët dhe çirakët. Janë të veshur alla frënga në atë farmaci që ishte njëkohësisht, edhe një depo e madhe barnash, të cilat në atë kohë merreshin nga Perëndimi, nga Italia, Franca, Gjermania dhe në një masë të caktuar nga Stambolli.

Po ashtu është një fotot tjetër e farmacisë dhe infermierisë së Perikli Mozalit, një aktivitet që ka nisur në vitin 1868, së bashku me të tjerë emra me famë dhe shtrihej edhe në Mal të Zi dhe në Kosovë.

Është zanafilla e historisë së farmacisë shqiptarë, por nga ana tjetër është një histori atipike, krahasuar me vendet e tjera, sepse fillimet e shitjes së organizuar të barnave në vendin tonë, deri të paktën në mesin e shekullit të kaluar, tregtimi, prodhimi, paketimi ishin aktivitete të pakontrolluara nga shteti, ishin aktivitete të parregulluara ligjërisht.

Përshembull, parlamenti i parë shqiptar, Kuvendi jetëshkurtër i Vlorës në 1912-n, ku kishte në përbërjen e vet personazhe si Myerteza Ali Dibra që kishte studiuar në Universitetin Francez të Mjekësisë në Stamboll dhe kishte një farmaci me ilaçe që ndërtoheshin si receta nga vetë ai, nuk i hapi rrugë, ishte jetëshkurtër si parlament, ndonjë diskutimi mbi vënien në kontroll të tregtisë së barnave.

Në vitet ’20-’30-të, Shqipëria ka ratifikuar disa traktate, ka aprovuar disa ligje që kanë tentuar të vendosin një sistem rregullash, por, ndërkohë, kapacitetet e vendit ishin të atilla që nuk kishte një laborator apo një industri të mirëfilltë farmaceutike.

Në 10 vitet e para të pas Luftës, autoritetet e asaj kohe kanë marrë vetëm 2 vendime në lidhje me barnat; Një vendim për të ratifikuar një protokoll ndërkombëtar të kontrollit, – protokoll i ’31-it, – në vitin 1949, 18 vjet më vonë; Dhe një vendim tjetër në ’51-in, për të kontrolluar çmimet në tregun e barnave. Vetëm në vitin 1965, Shqipëria krijoi laboratorin shtetëror të kontrollit të barnave, që është edhe paraardhësi i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ku ne sot, së bashku ndajmë një moment të rëndësishëm transformues. Laboratori në atë kohë vendosi kontroll absolut, sepse edhe sistemi ishte i tillë, që bazohej në një centralizim absolut. Ajo që meriton të kujtohet është se u centralizua totalisht importi i medikamenteve dhe nga ana tjetër u pengua rreptësisht çdo lloj ilaçi perëndimor.

Agjencia aktuale u formua në vitin 1991, një riorganizim në fakt i strukturës ekzistuese të shkuar, por si shumë riorganizime, të bëra në vitet pas ndryshimit të sistemit, u mbajt ADN-ja komuniste e mënyrës së të funksionarit të sistemit. Domethënë, një tërësi strukturash që u riorganizuan sikur do të ishin në fakt reformuar në sistemin komunist, por pa sistem komunist, çka solli vonesa dhe ineficienca të mëdha.Faktikisht, Agjencia ka ushtruar një kontroll të kufizuar mbi ilaçet, ato që hynin direkt në vend dhe një kontroll të detajuar të shumë pak për efektin e mijëra medikamenteve që vërshuan në Shqipëri, me pullë, pa pullë, dihet historia.

Besoj që kthesa drejt normalizimit dhe përputhjes së sistemit tonë të kontrollit të barnave dhe pajisjeve mjekësore me sistemin europian ka nisur me një ligj të vitit 2014, ku ne kemi vendosur disa piketa dhe rregulla të qarta, duke e zgjeruar fushën e aktivitetit të Agjencisë dhe duke e ngjashmëruar atë me Agjencinë Europiane të Medikamenteve, institucioni që përfaqëson në nivelin komunitar të Bashkimit Europian të gjitha agjencitë kombëtar të vendeve anëtare. Deri në atë kohë, pra, deri në vitin 2014, Agjencia ishte e papërputhshme, ishte një trup që nuk mundej dot të integrohej në sistemin europian, ndërkohë që sot kemi arritur në pikën që pretendojmë dhe besoj që do t’ia arrijmë të akreditojmë laboratorët e rinj të Agjencisë në Bashkimin Europian.

Sot kemi jo thjesht një godinë të re fizike, që është pjesë e të tërës, sepse shoh që, sa herë, ne ndërhymë në një godinë fizike, akuza që vjen nga “gjumi” është: fasadë, korrupsion, luks. Është e paimagjinueshme se si mund të gjendet kurajoja për të konsideruar se t’i lësh shërbëtorët e shtetit, laborantet që janë këtu, në kushte mizerje nga pikëpamja e hapësirës ku punojnë, është normale!

Po këtu nuk bëhet fjalë për një godinë të ndryshuar tërësisht nga pikëpamja fizike dhe e hapësirave të brendshme, por për një investim ku, nëse numri total i analizave që mund të kryente laboratori i trashëguar nga komunizmi me të gjithë prapambetjen e vet nga pikëpamja teknologjike ishte deri në 300, sot është të paktën dyfishi dhe jo vetëm të paktën dyfishi në numër, por cilësisht, bëhet fjalë për analiza të përputhura me standardet europiane.

Kjo Agjenci, sot hyn në një epokë të re. Këtu, dy fjalë kam për të gjithë ata që me të drejtë duan më shumë, duan më shpejt dhe nganjëherë bëjnë pyetjen: Po mirë, pse u deshën 7 vjet?

Por nuk është kjo, nuk është as ajo atje, nuk është as ajo matanë, nuk është as ajo mbrapa krahëve, nuk është as ajo që ne nuk e shohim, por janë të gjitha, të tëra. Të tëra, situata ku ndërhyrja reformuese është dashur të prekë një realitet të trashëguar me dekada, siç është realiteti i ujësjellësve, apo një realitet të deformuar në dekadat pas atyre dekadave të mëparshme dhe të infektuar plotësisht.

Natyrisht, nëse këto gjëra do ishin bërë dy dekada më parë, apo tre dekada më parë, sot do flisnim për gjëra të tjera. Por nuk është kusuri ynë humbja e 30 viteve kohë mbas atyre 30 të tjerave përpara. Ajo që dua të përsëris është se ne, jo sot, por prej disa vitesh kemi ulur të paktën 30% çmimin e barnave. Deri dje pa kontroll, në një rrumpallë të vërtetë që nuk merrej vesh çfarë pije, çfarë të shëronte, çfarë të sëmurte më keq e paguanim 30% më shumë sesa në vendet e origjinës.

Sot, ne e kemi përputhur, është 30% më pak dhe në total janë mbi 8 milionë euro të kursyera nga xhepi i familjeve në vit.

Flasim për 10%-in e taksës. Deri dje paguhej 10% plus, çdo kokërr aspirine. Ajo është hequr prej kohësh dhe po ashtu është rritur me 1/4 financimi për rimbursim. Në vitin 2014 rimbursoheshin 191 barna më pak se sot.

Është zgjeruar gama e diagnozave dhe numri i qytetarëve që përfitojnë nga rimbursimi.

Pa folur këtu për paketa të ndryshme, përshembull, fishat e diabetit falas për të gjithë ata deri 25 vjeç.

Herceptina e famshme falas për të gjitha gratë që kurohen nga tumori i gjirit.

Për herë të parë, Shqipëria është përfshirë në Farmakopenë Europiane. Nuk bëhej fjalë, nuk hynte në asnjë derë dot.

Natyrisht që nuk baron këtu. Ne po punojmë për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme. Ne po punojmë për rritjen e pagave të të gjithë bluzave të bardha, që nga mjekët dhe infermierët deri tek laborantët këtu, të cilët sot punojnë në kushte njësoj si në çdo vend europian, kur deri dje, të vetmen gjë që kishin ato si në çdo vend europian ishte bluza e tyre e bardhë.

Në hyrje këtu ka një muze të vogël të aparaturave që nga viti 1962, të cilat deri para pak kohe ishin në punë. Unë nuk kisha lindur akoma! Ogerta nuk ishte fare në plan, se unë të paktën në ’62-shin kam qenë në plan. Pa llogaritur vajza e djem që i shoh këtu, që janë të viteve ’70-të e ndoshta të viteve ’80-të.

Kinezët kanë një shprehje të bukur; “Është e lehtë të shkruash 1000 receta, por të kurosh është shumë më e vështirë.”

Për receta nuk e kemi problem se këtu, çdo njeri është një farmacist që pretendon se me recetën e vet mund të kurojë ekonominë, mund të kurojë papunësinë, mund të kurojë korrupsionin, të gjitha. E patjetër që farmacist gjatë ditës dhe trajner futbolli ditën e diel.

Por kurimi është një proces që kërkon jo vetëm recetat e duhura dhe fatmirësisht, ne i kemi recetat e duhura. Po mos t’i kishim, nuk do funksiononte kurimi dhe kurimi po funksionon. Ja ku jemi këtu, ja ku është QSUT-ja, që deri para 7 vitesh ishte një vend ku duhet të kishe fat që të gjeje mjekët, të përhumbur në një rrëmujë, në një tym e në një hata atje dhe ku vetëm mjekët dhe dija e tyre mbanin në këmbë sistemin, se sistem nuk kishte. Nuk kanë qenë para 70 vitesh, kanë qenë para 7 vitesh, skenat tek gardhet me njerëz me receta në dorë, që nuk kishin mundësi të shërbeheshin drejtpërdrejtë në spital, por duhet të blinin ilaçet rrugëve, apo me njerëzit që vinin me çarçafë me vete. Mjekët që kishin vetëm zemrën, njohurinë e tyre dhe bënin luftën e tyre, nga mëngjesi deri në darkë, në kushtet më primitive të mundshme, të rrethuar nga harresa dhe braktisja.

Në hyrje të QSUT-së ishte një nga pazaret më të mëdha të Tiranës. Qoftë për të blerë patate, qoftë për të lerë të brendshme grash, ishte adresa më e sigurt. Ku? – Në spital.

Zarzavate, lodra për fëmijët, pazar e njësoj si ai pazar atje ishte edhe sistemi i ilaçeve. Kutia, arka, persona, kap çfarë të kapësh.

Sot është ndryshe. Sigurisht që ka akoma shumë, por është një kurë që kërkon durim dhe angazhim. Ne i kemi të dyja e do t’i vazhdojmë.

Unë dua t’ju uroj çdo të mirë gjithë stafit këtu, me keqardhje që kanë vuajtur gjatë, sidomos laborantët që kanë një eksperiencë më të gjatë, por më në fund, të paktën vitet e mbetura deri në moshën e pensionit, ndërkohë që specializimet vazhdojnë e do të zëvendësohet kuadrot më me eksperiencë me kuadro më të rinj, do t’i kenë vite pune profesionale, ku do hyjnë këtu si profesionistë, do jetojnë ditën e punës si profesionitë e ku do largohen me kënaqësinë që kanë bërë punën e tyre në kushte profesionale. Jo të hyjnë këtu, siç kanë hyrë për vite me radhë, si profesionistë, por pa asnjë instrument me vete, por vetëm me pasionin, me durimin dhe me hijen e poshtërimit nga mbrapa.

Faleminderit!

 

***

 

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është sot, panorama më e re e një investimi transformues në kantierin e shëndetësisë. E rrënuar totalisht për dekada me radhë, kjo strukturë e rëndësishme ringrihet nga themelet me laboratorë të standardeve bashkohore dhe me një organizim të ri të sektorëve në tërësi.

Teknologjia e dikurshme e viteve ‘60-të, e ekspozuar tashmë në këndin muzeal, ia ka lënë vendin pajisjeve moderne. “Pajisjet e vjetra të laboratorit kanë qenë në përdorim deri tani vonë. Kemi që nga viti 1962. Kemi gjithashtu aparatura të vjetra, ose të përdoruara në vitin 1990 nga shtetet. Sot, ato janë të zëvendësuara me të gjitha pajisjet bashkëkohore, dixhitale, të standardeve europiane,” – shpjegoi drejtuesja e këtij institucioni.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se falë investimit prej 1.7 milionë euro të qeverisë shqiptare, laboratorët e instaluar për herë të parë aty sigurojnë cilësi më të lartë të barnave që qarkullojnë në treg. “Agjencia e barnave ka qenë në kushtet më mizerabël që mund të gjendej një institucion i kujdesit shëndetësor, pasi gjithë shërbimi farmaceutik, regjistrimi i barnave, ndodhnin praktikisht në një strukturë që është Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dikur Qendra Kombëtare e Barnave, tashmë e investuar në vlerën 1,7 milionë euro nga qeveria shqiptare. Tashmë të gjitha ambientet e sektorëve të Agjencisë janë totalisht të rinovuara. Janë të gjitha aparatura të reja, të cilat kanë ardhur. Ajo çfarë i jep me të vërtetë vlerë këtij investimi janë laboratorët, të cilët për herë të parë janë laboratorë specifikë, ai fizik, kimik dhe mikrobiologjik për të gjithë analizimin e barnave, duke ndikuar rrënjësisht në përmirësimin e cilësisë së barnave që qarkullojnë në treg,”- u shpreh Manastirliu.

Punonjësit, të cilët kanë vite që shërbejnë në këtë institucion të kujdesit shëndetësor,, dëshmojnë se kushtet janë nga më të mirat për të ushtruar profesionin e tyre. “Janë shumë bashkëkohore, aparaturat, ambientet, cilësia e punës që mund të realizojmë këtu,” – shprehet një punonjëse.

Teknologjia e re mundëson tanimë edhe analizimin e një larmie barnash të rëndësishme, të cilat më parë nuk analizoheshin dot. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të shërbimeve online, gama e të cilave do të zgjerohet.