Rriten pensionet e viteve ‘93-’96

Deklaratë  e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi:

Vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve një ditë më parë është në vijim të angazhimit tonë për rritjen e përfitimeve nga sigurimet shoqërore, bazuar në rezultatet e parashikuara të reformës spektakolare që është ndërmarrë për pensionet në vendin tonë.

E dimë që nga ne pritet më shumë, e dimë që nga rritja e përfitimeve do të duhet të ishte edhe më e madhe dhe po ashtu e dimë që ka kategori, të cilat realisht presin që të ketë rritje të mëdha. Por të gjitha këto do duhet të realizohen në kuadër të një reforme të plotë, të gjitha këto do të realizohen në kuadër të një pune të palodhur, për të pasur një skemë të sigurime shoqërore të bazuar në parime krejt të reja, në krahasim me ato çfarë gjetëm. Nuk do duhet të harrojmë për asnjë çast, gjendjen në të cilën e gjetëm skemën e mbështetjes së sigurimeve shoqërore, vetëm disa kohë më parë.

Dje, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngushtimin e diferencave të pensioneve, me anë të të cilit rriten pensionet për disa mijëra pensionistë. Pensione që janë caktuar gjatë viteve 1993-1996. Këta pensionistë, për vite të tëra kanë marrë pensione më të ulëta nga pjesa tjetër, edhe pse kanë qenë në kushte të njëjta pune.

Arsyet kanë qenë të ndryshme, por kryesore kanë qenë neglizhenca e amullia që mbizotëronte sistemin e vjetër të pensioneve; indeksimi i pabarabartë i masës së pensioneve prioritare dhe rritjes së pensioneve të ulëta, si dhe fakti që ligji i pensioneve që nga viti 1993 ndryshoi në mënyrë drastike mënyrën e përllogaritjes së masës së pensionit. Në vitet 1993-1996, pensionet e plota të pleqërisë ishin në nivel minimal dhe zinin 63% të skemës së pensioneve. Është punuar shumë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, për të evidentuar të gjitha ato grupe që nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë nga skema e kontributit të sigurimeve shoqërore.

Personat që do të përfitojnë janë:

Personat që trajtohen me pensione të plota të pleqërisë, të caktuara sipas pikës 31, 32 të ligjit të vitit 1993 “Për sigurimet shoqërore”, të cilët kanë dalë në pension në vitet 1993-1996, të cilët kanë pasur pensione të asaj kohe, 5% më të ulëta se pensionet e tjera.

Do të vlerësohen pensionet për vjetërsi shërbimi për ish ushtarakët, të caktuara në bazë të nenit 40 të ligjit 4171 të vitit 1996 “Për sigurimet shoqërore të Republikës së Shqipërisë”.

Pensionet e pleqërisë së punonjësve të nëntokës që ishin në marrëdhënie punë deri në vitet ‘95-të dhe kishin plotësuar periudhën e sigurimeve, pavarësisht nga mosha dhe kërkesat e tyre. Edhe ata përfitonin një masë më të ulët pensioni, sa ajo që përfitojnë të tjerët e po të njëjtit nivel.

Pensionet e ish punonjësve, gra në arsim e në kulturë, të cilat dolën në pension të parakohshëm deri në vitin 1994 dhe kishin plotësuar jo më pak se 22 vite e 6 muaj, përfituan pension pleqërie vetëm 60% të pagës së asaj kohe, duke qenë dhe këto të disbalancuar në përfitimet që realizoheshin.

Ndaj, nga vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave përfitojnë përllogaritje, plot 19655 persona nga të cilët, 10355 persona të dalë në pension pleqëria në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj; Përftojnë 500 ish ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj; Përftojnë 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashëm në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj.

Efektet financiare të kësaj përllogaritjeje, vetëm në 6 muajt e mbetur të vitit 2016 shkojnë në vlerën e 324.1 milionë lekë [apo 3 miliardë e 244 milionë lekë të vjetra].

Efektet financiare do të përballohen të gjitha nga rezultatet pozitive që ka skema e mbështetjes së kontributeve të pensioneve pranë ISSH për këtë vit dhe për vitin e kaluar. Ky rezultat pozitiv vjen nga zbatimi me sukses i reformës së pensioneve, që ka krijuar mundësinë të rriten pensionet, të rregullohen të gjithë gabimet e së shkuarës dhe të krijohet një bazë shumë solide për rritjen e pensioneve në të ardhmen

Vetëm muajin e kaluar, si pasojë e kësaj reforme dhe këtij kontributi të dhënë nga gjithë sistemi e të gjithë ata që janë shtuar në skemën e kontributeve, qeveria e parlamenti fali detyrimet për 6500 ish ushtarakë, në vlerën 1.4 miliardë lekë [të reja].

Po ashtu morëm ligjin për uljen e moshës së pensionit për minatorët, duke përfituar 8800 persona, me efekt financiar mbi 400 milionë lekë.
Për vitin e kaluar, për here të parë u bë indeksimi ligjor i pensioneve, ku përfituan 630 mijë pensionistë.

Këto dhe shumë masa të tjera, të realizuara dhe në proces, lidhen me angazhimin serioz të qeverisë dhe strukturave ekzekutive për reformën në sistemin e sigurimeve shoqërore. Sikurse jemi të gjithë në dijeni, sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri, i modeluar prej vitit 1993, bazohej në pjesëmarrje të skemës së personave ekonomikisht aktivë, përmes pagimit të kontributeve dhe financimit të tyre jo sipas kontributeve, por sipas një skeme, e cila nuk lejon rritjen e mëtejshme. Prandaj, sistemi deri në vitin 2013 kishte shumë probleme. E para, ishte në prag të falimentimit dhe skema e kontributit që vinte nga kontributi i buxhetit të shtetit shkonte në raport të zhdrejtë prej 45%. Edhe pak dhe skema mund të kolapsonte në mënyrë të pallogaritshme.

Sistemi i vjetër krijonte diferenca të paarsyeshme midis grupeve të ndryshme të pensionistëve. Masa e pensioneve ishte drastikisht e ulët. Shkalla e vartësisë së sistemit, shumë problematike. Numri i personave të siguruar për çdo pensionist rezultonte të ishte në nivelin  1.2 me 1, pra, në masë krejtësisht të papranueshme. Evazioni në pagimin e kontributeve nga të punësuarit dhe të vetëpunësuarit në qytet dhe nga fermerët ishte shumë i lartë dhe nuk kishte interes për pagimin e kontributeve, sepse pensioni nuk kalonte tavanin dhe kështu nuk bënte askënd të interesuar për të paguar sipas kontributeve të tyre.

Reforma e re, e implementuar vitin e kaluar, nga viti 2015 e në vazhdim ka sjellë dhe ka realizuar:

Përfitime më të drejta për të gjithë, edhe në proporcion me madhësinë e kontributeve të gjithsecilit në skemë, duke thelluar parimin kontributiv të gjithsecilit;

Një shkallë mbulimi të pranueshme për popullsinë me elementë të sigurimeve shoqërore, si edhe koordinim të këtij sistemi me ndihmën ekonomike, duke kontribuuar që të gjithë të kenë përfitime më të larta;

Një reformim rrënjësor të skemës së pensioneve rurale, duke reduktuar subvencionet kontribuuese në një masë e në një kohë sa më të shkurtër dhe duke akorduar pensione të merituara, të bazuara në kontribute të barabarta;

Përmirësim i qëndrueshëm financiar i sistemit dhe garantim i përfitimeve te merituara, reformimin e skemës së sigurimeve suplementare, një formulë të re, të vërtetë, për përllogaritjen e pensioneve, duke i unifikuar të dy skemat, urbane dhe rurale;

Fokusim në përfundimin e reformës administrative të modernizimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe ripërcaktimin e objektivave për sistemin e mbledhjes së kontributeve;

Vendosje e skemës së pensionit social, e paekzistuar më parë në vendin tonë, e cila mbulon të gjithë ata të moshuar që kanë mbushur moshën 70 vjeç, që për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë arritur të plotësojnë periudhën minimale të kontributeve prej 15 vitesh dhe të cilët nuk kanë arritur të kenë të ardhura të tjera nga pasuritë, trashëgimia apo investimet në jetët e tyre. Sot përfitojnë me mijëra pensionistë, skemën e pensionit social, të pallogaritur më parë.

Të gjitha këto u llogaritën në bazë të kontributeve të shumë e shumë njerëzve të shtuar edhe si pasojë e luftës së informalitetit. Vetëm gjatë vitit 2014-2015, mbi 200 mijë kontribuues janë shtuar në skemën e pensioneve, duke rritur me plot 17% në çdo vit, kontributet e pensioneve. U përmirësua ndjeshëm norma e varësisë së sistemit, e cila shpreh raportin midis përfituesve dhe kontribuuesve. Në vitin 2013, ky raport ishte 1.02 përfitues për një kontribuues, ndërsa sot, vetëm në dy vjet, skema ka marrë një ndryshim rrënjësor, duke e çuar në 0.98 numrin e përfituesve për një kontribuues. Pra, nga një skemë drejtë kolapsit rikthehet në një skemë që mund të gjejë reformim.

Vetëm duke parë shifrat e buxhetit, në vitin 2013, transferta e buxhetit të shtetit nxinte 46.4% të buxhetit total të sigurimeve shoqërorë, ndërsa në vitin  2015 zë 43.7% dhe për vitin 2016 parashikohet vetëm 39.7%.

I risollëm në vëmendje të gjitha këto, për të shprehur edhe njëherë se jemi shumë të bindur që kemi shumë për të bërë, jemi shumë të bindur që njerëzit dhe qytetarët presin shumë më tepër nga skema e kontributit shoqëror. Por po ashtu jemi shumë të bindur se reformat që kemi ndërmarrë, skema e re e pensioneve, rritja e numrit të kontribuuesve, edhe nga lufta që po bëjmë kundër informalitetit, është një skemë fituese. Një skemë që i jep mundësinë shtetit shqiptar, buxhetit të shtetit, politikës shqiptarë të ketë një politikë të drejtë për rritjen e pensioneve, të ketë një politikë të drejtë për rehabilitimin e parregullsive të evidentuar në shumë e shumë vite për grupe të tëra pensionistësh, të cilët kanë qënë viktimë e një sistemi të mbrapshtë politik në sistemin e pensioneve.