Postuar më: 11. Tetor 2018

Rruga e Arbrit, punime intensive në të dy drejtimet

Rruga e Arbrit që lidh Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, është në ndërtim në pothuajse çdo kilometër të saj. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektuan ecurinë e punimeve në pjesën e rrugës që bën lidhjen me Tiranën.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmw pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit. Afrim Qendro, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se aktualisht po punohet në 29 nga 35 kilometrat e pjesës së parë të rrugës. “Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë dhe është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”.

Ministri Gjiknuri nga ana e tij vlerësoi investimin në tërësi dhe nënvizoi ritmet e shpejta të realizimit. “Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, – tha ministri Gjiknuri.

Ndërtimi i urave dhe tuneleve mbetet pjesa më e vështirë e kësaj vepre, e cila në përfundim do të ofrojë për të gjithë përdoruesit e saj një peizazh mbresëlënës.  “Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, – u shpreh Kryeministri Rama.