Fabrika e përpunimit të peshkut dhe produkteve te detit “Koral Fish”, në Kavajë, operon prej shumë vitesh në këtë sektor. Produktet e ofruara prej saj janë me origjinë vendi dhe importi dhe përfshijnë prodhime të freskëta dhe të ngrira, duke plotësuar kështu, nevojat e një numri të madh konsumatorësh. Si rezultat i lehtësive dhe mbështetjes që qeveria ofron në drejtim të këtij sektori, kjo fabrikë ka zgjeruar ndjeshëm hapësirat e aktivitetit të saj, duke hapur vende të reja pune, si dhe duke përdorur teknologji bashkëkohore, që i krijon kompanisë një avantazh konkurrues në treg.
Kryeministri Edi Rama ishte në fabrikën “Koral”, e cila falë zgjerimit të aktivitetit përpunues arrin të eksportojë deri në 1 mijë ton peshk drejt Italisë dhe Spanjës.
“Kemi bërë një investim në bashkëpunim me AZHBR-në këtë vit dhe do ta rrisim sasinë e eksporteve në rreth 1 mijë ton. Procedurat këtë vit kanë qenë shumë lehtësuese. Kemi pasur një sensibilizim shumë të madh nga AZHBR-ja. Përpunohet kryesisht për eksport. Punojmë me kompani shumë prestigjioze, italiane dhe spanjolle. Na vjen mirë se janë të kënaqur për nga kushtet e stabilimentit dhe për cilësinë e produktit,” u shpreh administratori i “Koral”.
““Koral” këtë vit aplikoi për 4 tunele frigoriferikë dhe dy centrifuga frigoriferike gjithashtu. I kemi në kontratë. Janë në proces zbatimi të investimit,” tha drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.
Administratori pohoi gjithashtu se incentivat e qeverisë kanë ndikuar shumë në rritjen e kompanisë. “Ndikojnë se do ketë rritje të flotës. Ne kemi një anije që peshkon sardele dhe açuge. Realisht flota jonë përbëhet nga 9 anije. Po e mendojmë që do investojmë te pjesa e sardeleve dhe açugeve,” u shpreh më tej ai.
Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria do vijojë të mbështesë rritjen e këtij sektori, gjë që po ndikon edhe në rritjen e nivelit të pagave të të punësuarve në peshkim. “Eksporti i produkteve të peshkut po rritet në mënyrë shumë të konsiderueshme. Ne do e mbështesim shumë fort, sepse kemi një potencial të jashtëzakonshëm, edhe gati-gati një potencial që shkon rrotë më rrotë me pjesën e eksporteve të produkteve bujqësore. Unë jam i bindur që me këtë kthesë që po merr ekonomia, – vështirë, pak nga pak, por kthesë, – do të vijë edhe rritja e mëtejshme e rrogave. Faktikisht, ju e shikoni vetë që, pavarësisht se është ende shumë e ulët, është përsëri më e lartë seç ishte para pak vitesh,” u shpreh Kryeministri.
Administratori theksoi se “Koral” do të rritet me mbi 300 punonjës të rinj me zgjerimin e aktivitetit përpunues, gjë që, siç tha ai, në fund të vitit mund ta çojë deri në 20 milionë euro xhiron vjetore të kompanisë. “Problemi kryesor është krahu i punës. Po mundohemi me furgona me autobusë. Tani kam nevojë për 300 punëtorë më tepër, aktualisht dhe mendoj që në janar do kemi për shumë më tepër. Do vë autobusë, deri në Lushnje do shkoj të marr punëtorë. Jemi duke ndërtuar, duke bërë 3 reparte të tjera, plus do bëjmë dhe një dhomë frigoriferike të madhe me një kapacitet 2 mijë ton. Këtë vit mund të shkojmë rreth nga 15, deri në 20 milionë euro xhiro,” theksoi ai.