Serat në Libofshë të Fierit, një bazë e admirueshme e prodhimi të rrushit për eksport

Një bashkim në shitje i ka dhënë jetë një projekti ambicioz të disa fermerëve në Fier. Serat për prodhimin e rrushit në Libofshë janë një nga shembujt e suksesit sesi bashkëveprimi mes fermerëve përmes punës së përbashkët dhe teknologjisë së re garantojnë prodhimtari të lartë, cikël më të gjatë prodhimi dhe vlerë të lartë të produktit në tregjet e huaja. Ishte fermeri Toni Meço, ai që ndërmori nismën i pari. Prej 16 vitesh, Toni kultivon disa varietete rrushi në sera që zënë një sipërfaqe 2 hektarë, ku prodhon rreth 50 ton rrush në vit. Falë punës së tij, Toni ka arritur të dalë edhe në tregun rajonal dhe europian, si në Kroaci, Rumani, Serbi, Mali i Zi, Kosovë e Itali. Në këtë sipërmarrje, atë e ndoqën edhe fermerë të tjerë, duke e çuar më 15 hektarë sipërfaqen e serave të rrushit. Në Libofsh ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi dhe zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote.

“Në biznesin tonë kemi bashkëpunim në shitje, në blerjen e plehrave, pesticidet i përdorim me njëri-tjetrin. Ne kemi një eksperiencë prej 16 vitesh dhe e kemi nisur duke shitur arka-arka, por këto vitet e fundit që kanë filluar të funksionojnë shumë mirë magazinat. Ndodh fenomeni që jemi bashkuar, se jemi më të fuqishëm vendosim çmimin, shitja është shumë e lehtë. Ka shumë privilegje,” – tha Meço për avantazhet e bashkëveprimit me fermerë të tjerë.

“Veç në prodhim, bashkë në shitje” është sipas Kryeministrit, formula magjike për sukses.  “Mësuesi im Dhimo Kote, që në kohët e shkuara më ka dhënë ndër të tjera edhe formulën magjike, veç në prodhim, bashkë në shitje. Nuk mund të funksionojë me trasta dhe me ngastra, buzë autostradës apo tek rreth-rrotullimi, duke bërë protestë që nuk na shitet prodhimi. Fatmirësisht ka gjithnjë e më shumë shembuj të reflektimit mbi këtë. Kush bashkohet në shitje fiton, kush ndahet në shitje humbet.”

Meço, sëbashku me një tjetër fermer me të cilin bashkëpunon prej shumë vitesh kanë aplikuar për fondet IPARD, me të cilat synojnë të zgjerojnë sipërfaqet e serave. Zëvendësministri Kote sqaroi se “Aplikimin që do bëjnë tani për skemën e IPARD-it, për të përfituar nga 1.5-2 hektarë secili serë. Këta njerëz janë fjalëpak e punë shumë,” – tha zëvendësministri Kote, duke nënvizuar se duhen orientuar gjithashtu fermerët të mos mbjellin një produkt që nuk e kërkon tregu.

Diversifikimi i produkteve bujqësore, sipas ministrit Çuçi, është pjesë e strategjisë për zhvillimin bujqësor në vend. “Kjo, – theksoi Çuçi, – hyn edhe në strategjinë tonë të diversifikimit të produkteve bujqësore për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm edhe në zinxhirin e vlerave. Sivjet, me skemën kombëtare, ne futëm subvencionimin e plasmasit për sera.”

Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se përveç skemave mbështetëse të qeverisë, me rëndësi për fermerët është edhe aksesi në skemën europiane, ku në themel të një aplikimi të suksesshëm është dija. “Ajo që e bën të mundur që ju të zhvilloheni e të përballoni me sukses këtë model të veçantë është aksesi në financimin europian, që është i thjeshtë sot, sepse po e shohim me shumë fermerë. Ne kemi një fond goxha të konsiderueshëm dhe kemi ambicien të mos djegim asnjë euro. Jo se paratë nuk ishin atje, por për të dhënë paratë duan projektin, biznes-planin. Ajo që do bëjmë është që ju do të bëni projektin zhvillimor, do bëni aplikimin dhe ato janë para që nuk janë kredi, por janë para që i shtohen buxhetit tuaj pa asnjë detyrim për të larë, përveçse me detyrimin që ju të bëni punën,” – u shpreh Kryeministri, duke shtuar se është një formë subvencioni që të jep kapacitet financiar që të rritesh.