Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët për riparimet e dëmeve të tërmetit.
Në Bashkinë Shijak ka nisur dhënia e granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Shijakut Elton Arbana, i cili shpjegoi online nga zyra e bashkisë ecurinë e procesit të shpërndarjes së grantit, ndoqën sot në një lidhje direkte këtë proces në zyrat postare në njësitë administrative të Shijakut.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana informoi se 1.174 familje në banesa individuale dhe 339 familje në 27 banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre, në Shijak. Falë organizmit të punës dhe angazhimit të plotë të strukturave në këtë bashki, ku punohet me orar të zgjatur edhe gjatë fundjavave, vetëm në javën e parë janë lidhur 637 kontrata dhe kanë tërhequr pagesën në bankë 315 individë.
“Nga 1174 familje që janë përfitues direkt të granteve, deri në këto momente kemi lidhur 637 kontrata. Sigurisht që, numri është progresiv dhe nga këto 315 familje, deri para një ore kanë kryer tërheqjen e këtyre granteve. Procesi vazhdon edhe në këto momente në të katër njësitë administrative, me tërheqjen e granteve nga individët. Ndërkohë, paralelisht po punohet edhe për lidhjen e kontratave e tjera.
Shpërndarja bëhet nëpërmjet postës dhe bankave. Por, pjesa më e madhe e tyre duke mos patur numër llogarie pranë bankave të nivelit të dytë dhe duke e patur më kollaj që këto t’i marrin në zyrat postare, kemi bërë që në njësitë administrative , duke qënë se dhe postat janë të atashuara pranë njësive administrative t’i marrin aty për lehtësi. Me këto ritme që ne po punojmë dhe të shtunave dhe të dielave, mendojmë që deri në fundjavë ta mbyllim procesin e lidhjes së kontratave. Pra, nëse ne lidhim kontratat i përfundojmë, për ne procesi është i mbyllur. Qytetarët mund të shkojnë pranë sporteleve të postës apo të bankave të nivelit të dytë për të tërhequr këto pagesa.”, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Shijakut.
Ndërkohë, Kryeministri u interesua për garantimin e transparencës në menaxhimin e fondeve, sidomos në banesat me mjedise të përbashkëta, duke theksuar se është shumë e rëndësishme shmangia e abuzimeve dhe përdorimi i fondeve për qëllimin që ato janë dhënë. “Kam vetëm një merak lidhur me grantet për familjet që janë në godina të përbashkëta. Meraku, lidhet me faktin që riparimi i dëmeve në godina të përbashkëta, aty ku sigurisht është konstatuar se godina është e riparueshme, ka lidhje dhe me ambientet e përbashkëta, por ka lidhje edhe me një përgjegjshmëri të lartë nga ana e qytetarëve në mënyrë që këto fonde që janë të konsiderueshme relativisht në raport me të ardhurat e tyre, në përgjithësi të mos devijojnë. Pra, si do ta garantoni në përgjithësi që grantet për riparimet të shkojnë për riparimet. Mbi të gjitha, të ketë një bashkëpunim mes tyre edhe për sa i përket ambienteve të përbashkëta duke qenë se llogaria e përgjithshme është bërë në funksion të adresimit të nevojës për riparim të të gjithë godinës apo jo.” – u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut tha se në rastet e pallateve, pra banesave me mjedise të përbashkëta është menduar zgjedhja e një administratori dhe me dakordësinë e banorëve, ai do t’i përfaqësojë ata.
“Duke qenë se këto janë godina kolektive dhe përgjegjshmëria është kolektive ne kemi menduar që duke zgjedhur edhe një administrator të pallatit të jetë përgjegjës në emër të të gjithë qytetarëve të atij pallati, që këto grante të shkojnë për qëllimin, për të cilën bëhet edhe shpërndarja e tyre, pra për riparimin e pallateve. Nëse do të kemi këtë kompromis, atëherë duhet që me një firmë ndërtimi të merret përsipër meremetimi i pallatit, sepse mendoj që në mënyrë absolute nuk do të munden dot që çdo qytetar të merret me ambientet e përbashkëta në mënyrë individuale. Pra, deri sa është përgjegjësia kolektive, duhet që edhe puna të jetë kolektive dhe për ta bërë një punë kolektive duhet të zgjedhim administratorin e pallatit, në mos një përfaqësues të pallatit që të menaxhojë fondin e këtij pallati, duke vepruar me një firmë të licensuar, e cila merr përsipër edhe meremetimin e pallatit. Ne kemi ngritur edhe një komision pranë këshillit bashkiak për të marrë edhe një vendim me këshillin bashkiak”, – u shpreh ai.
Duke vlerësuar punën e mirë të bërë në këtë bashki, si një model për t’u ndjekur edhe nga bashki të tjera të vendit, Kryeministri sugjeroi që për të garantuar sa më mirë transparencën në përdorimin e fondeve, qytetarët të kenë përfaqësuesit e tyre në ndjekjen e këtij procesi. “Mbase është e udhës që komuniteti i banorëve të përzgjedhin tre përfaqësues se ndoshta është e vështirë që të bien në një mendje për një person të vetëm dhe më tepër për të garantuar dhe transparencën, tre përfaqësues nga komuniteti i banorëve, një përfaqësues nga bashkia për të ndjekur procesin, jo për të influencuar apo për të imponuar asgjë dhe të jenë vete banorët që të kenë sytë në proces. I gjithë fondi i akorduar familje për familje, të shpenzohet në funksion të nevojës së tyre dhe të gjithë të dalin të fituar nga kjo histori. Dhe shumë mirë me komisionin e këshillit bashkiak. Ndërkohë që, nga ana tjetër, besoj se modeli i krijuar në Shijak dhe kjo falë meritës tënde në radhë të parë dhe të kam falënderuar edhe në raste të tjera kur kemi bërë mbledhje me kryetarët e bashkive, por të falënderoj edhe publikisht se vërtet i ke qëndruar mbi kokë procesit, procedurave dhe çdo familjeje, na vlen shumë edhe për shtrirje të mëtejshme në të gjitha bashkitë e tjera. Sepse, ashtu sikundër u lëvrua i gjithë fondi për të lehtësuar dëmet e riparueshme për bashkinë e Shijakut, është gati fondi edhe për të gjitha bashkitë e tjera, duke përfunduar procedurat e tyre. Por, modeli i ndërtuar në Shijak është ndihmës, sepse kemi mundësi të ecim më shpejt në bashkitë e tjera. Është një rrugë e shtruar tani.”- u shpreh Kryeministri.
Në një lidhje direkte, me zyrat postare në katër njësitë administrative, si dhe me një prej zyrave në bashkinë e Shijakut, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj ndoqën online, procesin e shpërndarjes së granteve për qytetarët, si dhe atë të nënshkrimit të kontratave, ndërkohë që Kryetari i Bashkisë Elton Arbana tha se është takuar personalisht me çdo familje që ka lidhur kontratën, dhe tanimë një pjesë e mirë e tyre ka filluar edhe punën për meremetimin e këtyre objekteve.
“Falënderojmë shumë Kryetarin e Bashkisë, ju si komunë. Keni qenë shumë të rregullt, shumë korrektë. Ju falënderojmë pa masë! Na jeni gjendur në kohë të vështira” – u shpreh një qytetare, pas nënshkrimit të kontratës në zyrën e Bashkisë Shijak.
Më pas, Ministri për rindërtimin Arben Ahmetaj shpjegoi vijueshmërinë e procesit të dhënies së granteve, edhe në bashkitë e tjera. “Një sqarim për procesin: Procesi ka përfunduar në 7 bashki, Shijak, Kamëz, Rrogozhinë, Kurbin, Mirditë, Vorë dhe Bashkia e Kavajës. Në këto bashki janë 5708 familje përfituese në DS1, DS2, DS3.
DS2 dhe DS3 është shumica e përfituesve edhe për shkak të vlerësimit të dëmeve, që janë bërë. Presim përfundimin në Bashkinë e Tiranës, në Bashkinë e Durrësit dhe në Bashkinë e Lezhës.
Shuma që familjet përfitojnë në bashkitë, që unë iu referova me proces të përfunduar, është 2 miliardë lekë. Vetëm në bashkinë Shijakut, pa ambientet e përbashkëta, përfitimi është 513 milionë lekë. Ne do mbarojmë këtë proces për të gjitha bashkitë. 5 milionë dollarë i’u shpërdahen familjeve në Bashkinë e Shijakut. Ndërkohë, Durrësi në vlerësimet paraprake është 2.4 miliardë, pra 24 milionë dollarë, të cilat do shpërndahen brenda muajit korrik. Pra, të gjitha bashkitë që do bëjnë vlerësimin final dhe kontratimin, siç e ka bërë Bashkia e Shijakut, në kohë rekord, ne premtojmë që brenda korrikut të gjitha familjet do të marrin paratë, ashtu siç i shikoni në Bashkinë e Shijakut. Shuma totale mendohet të shkojë rreth 75 milionë dollarë, vetëm programi i granteve. Dua të theksoj që është eksperienca e parë në Shqipëri, por edhe si program është specifik edhe i sugjeruar nga partnerë ndërkombëtarë, kur ne shkruam ligjin.
Lidhur me ecurinë së Procesit të Rindërtimit në Bashkinë e Shijakut, Kryetari i Bashkisë u shpreh se “Për sa i takon procesit të rindërtimit puna në Bashkinë e Shijakut ka filluar me shembjen e objekteve. Kemi shembur të gjithë objektet në lagjen “Lugina”. Kemi bërë më shumë se 50% largimin e inerteve të tyre dhe mendojmë që brenda 8 ditëve të dorëzojmë sheshet e ndërtimit në lagjen “Lugina”. Ndërsa, sa i përket 2 shkollave, shkollës së mesme “16 Shtatori” dhe shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, nesër kemi gati për të dorëzuar sheshet e fazës së ndërtimit. Meqë kemi rreth 3 mijë aplikues në portalin online “Shtëpia Ime” dhe numri i dosjeve të tyre është shumë i madh, për të shmangur që ne t’i hapim dosjet në çdo kohë kemi bërë edhe skanimin e dosjeve, duke i futur në USB, të ndara: DS1, DS2, DS3 dhe DS4, DS5. Pra, në çdo kohë për të qenë në avangardë dhe me procesin, ne i kemi të skanuara të gjithë dosjet.”
Kryeministri Rama vlerësoi se edhe sa i takon Procesit të Rindërtimit, Bashkia e Shijakut qëndron në krye, si një shembull për t’u ndjekur. “Avangardë je në këtë proces. Shpresoj që të gjithë të të ndjekin, sepse realisht Bashkia e Shijakut është një model i Procesit të Rindërtimit. Këtë nuk e them vetëm unë që e kam ndjekur nga afër, por këtë e thonë edhe partnerët që marrin raportet. Realisht janë të gjithë të impresionuar nga mënyra si është ndërtuar procesi, transparenca dhe komunikimi intensiv me të gjithë qytetarët. Kështu, uroj ta mbash këtë ritëm deri në fund. Do vij vetë përsëri në Shijak edhe ndërtimin e shkollave, edhe për të filluar më në fund ndërtimin e lagjes së parë, por shpresoj shumë që të jemi gati së shpejti edhe për shtëpitë. Mbase do jenë shtëpitë që do fillojnë më shpejt sesa lagjja. Falë këmbënguljes tënde kam shumë besim që Shijakun e kemi absolutisht në rrugë të mbarë dhe kam shumë besim që në 26 nëntor së bashku do jemi aty për të futur nxënës në shkolla dhe për të futur familje nëpër shtëpi, për fat të keq jo të gjithë, si rezultat i pengesës që ndodhi me karantinën, por me siguri shumë prej tyre do fillojmë t’i fusim në shtëpi apo në shkollë në 26 nëntor. Ky është qëllimi.”