Shijak, nis Operacioni i Pastrimit të inerteve në sheshet e rindërtimit

Operacioni i pastrimit të inerteve nga sheshet e rindërtimit ka nisur me mbështetjen edhe të forcave të ushtrisë. Sot, Kryeministri ishte në Shijak, i shoqëruar nga ministri i Shteti për Rindërtim, Arben Ahmetaj, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe nga kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, për të parë nga afër procesin e pastrimit të inerteve.
“Sot kemi filluar me pastrimin dhe për pak ditë do kemi dhe forca të tjera dhe nga bashkia, por dhe nga Ministria e Mbrojtjes, që t’i heqim sa më shpejt. E gjithë zona është kthyer në  një kantier ndërtimi. Ne kemi bërë planin që të mbaronim me demolimin, pastaj të vazhdonim me pastrimin, se ishte e pamundur që njëkohësisht të bënim dhe pastrimin e zonës”, – sqaroi kryebashkiaku i Shijakut, teksa shtoi se procesi i vlerësimit të gjithë dosjeve në Bashkinë e Shijakut ka mbaruar.
Ministri Ahmetaj theksoi se në Bashkinë e Shijakut, në fund të qershorit fillon procesi në terren për shtëpitë individuale. “Është bashkia që ka ecur më shpejt me vlerësimin dhe me pikëzimin e gjithë njësive individuale, që është domosdoshmëri teknike”, – tha Ahmetaj.
Këtë javë qeveria do të çelë fondin e dëmshpërblimit për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive. “Një specifikë e ka DS3, aty ku ka dëmtime strukturore, duhet t’i marri bashkia përsipër. Se nëse një qytetar merr grandin dhe nuk i harxhon paratë për të meremetuar dëmtimin strukturor, nesër mund të riskohet, kështu që është përgjegjësi e bashkisë që të merret me këtë”, – tha ministri i Shtetit për Rindërtim.
Kryeministri nga ana e tij bëri nënvizoi se çdokush që është prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit do të marrë atë që i takon. “Ne këtë javë do kalojmë vendimin për fillimin e lëvrimit të dëmshpërblimeve sipas niveleve. Do të jenë direkt fonde që do ju shkojnë direkt qytetarëve. Është një shumë e konsiderueshme dhe besoj që jo vetëm i mbulon nevojat, por i mbulon mirë, gjithë ato nevoja sipas niveleve dhe vetëm për Shijakun është një goxha shumë, ndërkohë po t’i marrim pastaj të gjitha me radhë. Shuma totale vetëm për xhepin e qytetarëve të dëmtuar shkon afro 70 milionë dollarë. Ndërkohë që tjetër histori për ata që e kane të parikuperueshme, që do marrin direkt shtëpinë e do vazhdojmë t’i paguajmë dhe qiratë, se ndërkohe janë me qira. Një volum i madh, por ne e kemi thënë që në ditën e parë dhe jemi të bindur akoma, sot më shumë se dje, që do t’i përgjigjemi një për një të gjithëve deri në fund. Kuptohet e vetmja gjë që ne nuk bëjmë dot është të financojmë durimin. Durimi është i pafinancueshëm, kështu që humbet herë pas here, megjithatë ne na takon të durojmë shtatëfish, edhe për shkak të nevojave të punës, edhe për shkak të përballimit të sharjeve e mallkimeve”, – u shpreh Kryeministri.​