Postuar më: 3. Korrik 2018

Shqipëri-Mal i Zi, marrëdhënie të shkëlqyera

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Duško Marković:

Kryeministri Edi Rama: 

Mirëdita të gjithëve!

I dashur Duško,

I nderuar Kryeministër i Malit të Zi!

Kjo ishte një ditë e shënuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Me shumë kënaqësi mund të them se bashkëkuvendimi i sotëm është fillesa e përpjekjes së përbashkët për të çuar në një stad edhe më të avancuar marrëdhënie që janë historike, kanë qenë dhe mbeten të shkëlqyera mes nesh, të cilat përbëjnë një bazë shumë të fortë për të adresuar me shumë më tepër efikasitet potencialin e jashtëzakonshëm në hapësirën që na bashkon.

Sot kemi vendosur disa piketa të rëndësishme në funksion pikërisht të adresimit të këtij potenciali të jashtëzakonshëm, duke garantuar rrugën e thellimit të bashkëpunimit tonë si në rrafshin bilateral, ashtu dhe në planin rajonal dhe europian.

I rikthehem dhe njëherë faktit se e kemi pritur me shumë padurim dhe jemi krenarë që kemi dhënë kontributin tonë, me shumë vendosmëri, për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe sot, Mali i Zi anëtar në NATO është shembulli i pamohueshëm i forcimit të stabilitetit dhe të sigurisë në rajonin tonë.

Ne tanimë kemi hyrë në një fazë të re përsa i përket rrugës sonë të integrimit në Bashkimin Europian, me marrjen e një date për çeljen e negociatave zyrtarisht, por më e rëndësishme akoma, me fillimin e procesit përgatitor për negociatat, që “de facto” është një proces, i cili nis me çeljen e negociatave. Që do të thotë se nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj përpara nesh për t’i shfrytëzuar maksimalisht, për të bërë të gjithë procesin analitik dhe për të qenë plotësisht të përgatitur në momentin e uljes në tryezë për konferencën ndërqeveritare, ku si proces kemi edhe fatin që të ndajmë me qeverinë e Malit të Zi, qoftë sfidën tonë, qoftë edhe eksperiencën e tyre, duke qenë se kanë hyrë në këtë proces përpara nesh.

Kemi diskutuar për shfrytëzimin me shumë më tepër efikasitet të të gjithë pellgut fantastik për nga pikëpamja e potencialeve natyrore turistike dhe do të punojmë konkretisht për të integruar shumë më tepër në këtë hapësirë të gjithë aktivitetin ekonomik dhe të gjithë zinxhirin e veprimtarive që shoqërojnë dhe duhet të mbështesin transformimin e mëtejshëm të turizmit në këtë zonë.

Mbetemi shumë të lidhur edhe në përpjekjen për të konkretizuar programin e investimeve të Procesit të Berlinit, ku faktikisht jemi së bashku në përgatitjen për të nisur një prej investimeve më të mëdha në infrastrukturë të këtij programi, që është autostrada e Kaltër apo Adriatiko-Joniane që do të lidhë përfundimisht me unzën turistike të Mesdheut, jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Ashtu sikundër jemi shumë të angazhuar dhe do të punojmë konkretisht për të avancuar procesin e lehtësimit të shkëmbimeve tregtare, me reduktimin maksimal të barrierave jotarifore, me incentivat përkatëse për kompanitë që janë të interesuara të ndërveprojnë në të dy anët e kufirit.

Na vjen shumë mirë që sot kemi nënshkruar dhe marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët kalimtare kufitare në Zogaj, si për transportin rrugor, ashtu dhe për atë ujor. Besojmë shumë, që kjo pikë e shumëkërkuar prej vitesh do të jetë një burim më shumë i komunikimit, i ndërveprimit, i tregtisë dhe i zhvillimit të mëtejshëm të turizmit.

Në këtë frymë do të materializojmë së shpejti dhe hapjen e një pike tjetër kalimtare kufitare, Pulaj-Shën Nikolla pranë Adriatikut, që do të realizohet me plotësimin e të gjitha kushteve teknike, si dhe për vënien në funksionim të pikës kalimtare kufitare Grabon – Zatrijebacka Cijevna.

Unë jam shumë besimplotë që me Malin e Zi do të bëjmë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm, pasi, siç e theksova dhe në hyrje të aktivitetit të kësaj dite të rëndësishme, është një fqinjësi pa asnjë hijepa asnjë çështje të hapur mes dy vendeve, por, përkundrazi, është një fqinjësi e garantuar më së miri nga pakicat përkatëse, qoftë në këtë anë të kufirit, qoftë në anën tjetër të kufirit. Më vjen shumë mirë që me vëllezërit tanë në Malin e Zi kemi mirëkuptimin më të plotë edhe për rolin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve në të gjithë procesin e transformimit të Malit të Zi, nga një ish-Republikë e Jugosllavisë në një shtet të pavarur, demokratik dhe së fundmi, anëtar i NATO-s dhe një kandidat i rëndësishëm i rajonit për Bashkimin Europian.

Kështu që, duke pasur edhe këtë urë shumë të fortë lidhëse, duke pasur edhe këtë qasje shumë pozitive ndaj pakicave përkatëse, jemi të bindur se gjithçka që mund të parafytyrojmë të bëjmë sëbashku nuk ka asnjë pengesë dhe sëbashku mund të bëjmë një pafundësi gjërash, pasi kemi fatin të gjendemi në një zonë gjeografike me potenciale të jashtëzakonshme.

Nënshkruam një sërë marrëveshjesh, ku ajo për kulturën vlen të theksohet si një marrëveshje që flet shumë për afinitetin e madh mes të dy vendeve dhe ku edhe aspektet që kanë të bëjnë me sigurinë, që kanë të bëjnë me betejën e përbashkët kundër trafiqeve dhe kundër krimit të organizuar kanë një vëmendje të shtuar në vijim.

Më vjen shumë mirë që edhe në raport me rajonin, edhe në raport me proceset e tjera brenda rajonit dhe këtu do të sillja në vëmendje dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, kemi një qaje tërësisht të unifikuar. E kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht ecurinë e këtij dialogu, ashtu sikundër me shumë mirënjohje për të gjithë disponibilitetin dhe për të gjithë ndjenjën e thellë të mirëkuptimit dua që ta falënderoj Kryeministrin dhe përmes tij Presidentin Đukanović, një mik i madh i Shqipërisë, i shqiptarëve dhe i imi personalisht, në lidhje me gatishmërinë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Shumë faleminderit i dashur Duško!

Shumë faleminderit të gjithë kolegëve që erdhën sot këtu, për t’i dhënë jetë një procesi që ka nisur në Shkodër këtë vit, do të vazhdojë me mbledhje të përvitshme mes të dy qeverive, vitin e ardhshëm në anën tjetër të kufirit, pasi kemi dhe një bazë tanimë të dakordësuar, Deklaratën e Përbashkët mbi këtë takim që konfirmon këto dhe shumë më tepër se kaq. Njëkohësisht, edhe vullnetin për të ecur në këtë rrugë, në të mirë të të dy popujve, në të mirë të të dy shteteve dhe mbi të gjitha, e theksoj, në të mirë të fëmijëve tanë, për të cilët, besoj, e nesërmja do të jetë shumë më e mirë sesa është e sotmja!

Kryeministri Duško Marković: 

I nderuar koleg Rama,

I nderuar mik Edi,

Të nderuar përfaqësues të mediave!

Kam dëshirë të pajtohem me kolegun tim Rama, që thotë se dy qeveritë kanë pasur një takim historik, mbledhjen që ka pasur për objektiv, jo vetëm të vërtetojë raportet e mira ndërshtetërore Mal i Zi-Shqipëri, por edhe që me këtë mbledhje të drejtohet një perspektivë e dy vendeve që është përmbajtur në resurse të padyshimta në fusha të ndryshme, të ekonomisë, të politikës dhe jetës shoqërore në përgjithësi.

Mali i Zi dhe Shqipëria, siç e dini, historikisht kanë raporte të mira fqinjësore. Falë zhvillimit historik të raporteve tona, Mali i Zi dhe Shqipëria nuk kanë pasur sfida mes tyre, probleme, e as konflikte. Kjo është pozita më e mirë për të krijuar të ardhmen për dy vendet tona dhe që jetën e qytetarëve të dy vendeve ta bëjmë sa më të mirë dhe sa më cilësore seç është sot. Këto janë detyrimet e dy qeverive tona.

Sot, siç e tha Kryeministri Rama, kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh. Unë nuk do flas në veçanti, sepse ai mjaft ka folur për to, por do them vetëm se këto nuk janë vetëm përkushtime, pra, përmbajtja e këtyre marrëveshjeve nuk janë vetëm objektivat tona, por janë hapat konkretë për t’i avancuar marrëdhëniet tona dhe që potencialet tona të padyshimta t’i shndërrojmë në një të mirë të përgjithshme të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Këto janë marrëveshjet e ministrive të linjës, të cilat do të përcillen dhe sigurisht vitin e ardhshëm në Podgoricë do t’i vërtetojmë rezultatet e këtyre marrëveshjeve të nënshkruara sot.

Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta, vlerat euroatlantike në kuadër të NATO-s dhe unë jam shumë mirënjohës për Shqipërinë që ka mbështetur Malin e Zi për të realizuar interesin e vet strategjik, që e kemi krijuar në datën 5 qershor të vitit 2017, anëtarësimi në NATO. Pra, raportet tona ndërshtetërore i shndërrojmë në aktivitete të përbashkëta në familjen euroatlantike, që kanë të bëjmë jo vetëm me dy vendet tona, por edhe me hapësirën e euroatlantike.

Ne gjithashtu i takojmë vlerave europiane. Mali i Zi është udhëheqës i këtij procesi. Ne jemi në përfundimin e hapjes së kapitujve të negociatave dhe fuqimisht përgatitemi për fazën e radhës, mbylljes intensive të kapitujve të negociatave. Ne jemi udhëheqës të këtij procesi.

Shqipëria ka një ecuri shumë të mirë në këtë proces. Mali i Zi mbetet i hapur plotësisht me të gjitha potencialet e veta shoqërorë dhe politike, por edhe me potencialet e veta institucionale ta mbështesë që të jetë krah më krah me Shqipërinë, që procesi i negociatave, që do të fillojë në qershor të vitit të ardhshëm, të përfundojë sa më shpejt, sikurse edhe vetë Mali i Zi. Përvoja jonë në procesin e negociatave është në tavolinën e miqve tanë shqiptarë dhe ne si Mal i Zi nuk jemi të kënaqur që Shqipëria do t’i hapë negociatat në qershor të vitit 2019. Ne kemi bërë çmos që Shqipëria t’i hapë negociatat në korrik të këtij viti, sepse Shqipëria e ka merituar me potencialet e veta, por si politikanë pragmatikë dhe shtete përgjegjëse, ne ecim përpara, shohim të ardhmen, por besoj se së bashku do ta rikuperojmë këtë vit që i është lënë Shqipërisë për të arritur përfundimin e negociatave.

Raportet tona ndërshtetërore duhet të kurorëzohen me një bashkëpunim shumë më të mirë ekonomik. Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende në zhvillim. Mali i Zi dhe Shqipëria, sëbashku me Kosovën, vitin e fundit kanë rritjet ekonomike më të larta të rajonit. Ne kemi potenciale të ndryshme të ekonomive tona, për turizmin, energjetikën, bujqësinë, por që ky potencial të shndërrohet në një të mirë të përgjithshme dhe të rezultojë me hapjen e vendeve të reja të punës dhe mbajtjen e të rinjve në vendin tonë duhet të avancojmë në infrastrukturën tonë.

Ne sot kemi folur se si Mali i Zi dhe Shqipëria të lidhen më mirë me infrastrukturë, se si qytetarët tanë të kalojnë më shpejt kufijtë, se si ekonomistët tanë të punojnë më lehtë, mos të humbin kohë në pikat kufitare për procedura të imëta, por që këto procedura të shndërrohen në biznese të reja dhe në vlera të reja.

Unë jam i besimit që marrëveshjet që i kemi nënshkruar do të nxisin përpjekjet tona. Edhe Mali i Zi, edhe Shqipëria kanë potenciale serioze për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe të energjetikës dhe sëbashku do të veprojmë në këto drejtime.

Atë që e ka thënë edhe Kryeministri Rama, unë kam dëshirë ta përsëris, vlera më e madhe e vendeve tona janë njerëzit që jetojnë në vendet tona. Në Mal të Zi, siç e dini, shqiptarët jetojnë në mënyrë që e duan vendin e vet, marrin pjesë në drejtimin e tij, përforcojnë potencialin e tij dhe janë pranë perspektivës malazeze në familjen euroatlantike. Një përkushtim i tillë jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i kroatëve, i boshnjakëve e pakicave të tjera në Mal të Zi është guri i themelit të vlerave të shtetit të Malit të Zi.

Falënderoj Zotin Rama dhe qeverinë e tij për ligjin e miratuar në vitin 2017 për mbrojtjen e pakicave, që e ka njohur pakicën malazeze në Shqipëri. Ky është një hap historik përpara i qeverisë së Zotit Rama dhe unë e falënderoj. Ky është rasti që minoriteti malazez ta ruajë identitetin e vet dhe të punojë për të mirën e vendit të vet, Shqipërisë dhe kurrë të mos i harrojë rrënjët e veta malazeze.

Këto janë vlera, të cilat do të na bashkojnë në të ardhmen. Perspektiva euroatlantike do të na ofrojë raste të reja. Detyrimi i dy qeverive është që t’i shfrytëzojë këto raste sa më parë dhe që në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në rajon të jetohet me cilësitë e jetës europiane, të qytetarëve europianë dhe ne jemi të përkushtuar që të përmbushim këtë objektiv.

Zoti Kryeministër faleminderit për organizimin mjaft të mirë të kësaj mbledhjeje!

Falënderojmë ministrat tuaj për kontributet konkrete që do të nxisin bashkëpunimin tonë dhe jam i besimit që do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë vitin e ardhshëm në Podgoricë të Malit të Zi.

Ju falënderoj edhe njëherë!

-Përshëndetje! Meqë e përmendët pak lidhjen e Malit të Zi me Shqipërisë, a do ketë një projekt konkret të lidhjes së Velipojës me Ulqinin dhe meqë e keni përmendur edhe sot, si do të realizohet në Shqipëri marrja e eksperiencave më të mira për zhvillimin e turizmin. Ndërsa për Kryeministrin e Malit të Zi, kur ishit në pozitat e Shqipërisë, çfarë kërkesash kishit ju dhe sa prej tyre keni plotësuar? 

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi tanimë gati projektin që lidh Shëngjinin me Velipojën, i cili shkurton në mënyrë drastike kohën, por nga ana tjetër ofron edhe një panoramë fantastike për të gjithë vizitorët dhe turistët. Natyrisht që ideja nuk është për t’u ndalur në Velipojë, por për të bërë edhe lidhjen me anën tjetër. Për këtë janë duke u studiuar zgjidhjet në mënyrë që të kemi zgjidhjen më efikase dhe pastaj të ulemi edhe me miqtë tanë për të parë se si mund të bashkëpunojmë në funksion të kësaj lidhjeje. Nuk i kam marrë leje Kryeministrit, por më kujtohet gjithnjë, kur takohemi, tregimi i tij për të birin, që e ka me shumë dëshirë që të kalojë kufirin dhe të vijë në Velipojë e në Shëngjin me shokët për pushime. Është një tregim i shumë e shumë njerëzve në të dy anët e kufirit. Sigurisht ka më shumë tregime nga ana jonë, sepse Mali i Zi e ka nisur procesin e transformimit të potencialeve turistike në një fakt ekonomik prej shumë e shumë vitesh, falë edhe lidershipit vizionar dhe këmbëngulës të Presidentit Đukanović, por për ne është fat që kemi kaq pranë një eksperiencë kaq të bukur suksesi. Sigurisht që edhe dëshira e madhe e njerëzve për të komunikuar në këtë hapësirë, por edhe gatishmëria e miqve tanë malazezë për të na asistuar në këtë proces, – kemi shumë kontakte dhe kemi shumë bashkëpunim edhe përsa i përket rritjeve të investimeve në turizëm, sidomos në këtë zonë, – përbëjnë për ne vërtet një fat. Kjo është përsa i takon pyetjes lidhur me lidhjen e të dy anëve të kufirit dhe që do të jetë një lidhje nga Shëngjini deri matanë kufirit.

Kryeministri Duško Marković: Mendoj që Shqipëria dhe Mali i Zi, kur është fjala për bashkëpunimin ekonomik, mund të bëjnë shumë në zhvillimin e potencialeve të tyre ekonomike. Siç e dini, Mali i Zi ka bërë shumë. Ne, në drejtimin turistik, me potencialin që kemi zhvilluar, sot jemi të njohur në të gjithë planetin, por, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më interesante për investitorët seriozë dhe kredibël, të cilët duke ardhur në Mal të Zi e shohin edhe bregun shqiptar. Ne i mbështesim këta investitorë, i inkurajojmë që të vendosin për investime kapitale dhe në industrinë turistike dhe në turizmin shqiptar, sepse dimë që ekziston një lidhje komplementare dhe se të dy palët do të kenë dobi nga ky fakt. Për të pasur efekt të plotë, ne duhet të punojmë në avancimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës në tërësi, të asaj energjetike dhe digjitale, por sot kemi folur mbi rëndësinë e rrugës Adriatiko-Joniane, e cila ka hyrë në deklaratën e Sofjes. Ne sot, në një dokument europian, rrugën Adriatiko-Joniane e kemi si një korridor që është prioritar, i cili do financohet nga Bashkimi Europian. Ai është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për Malin e Zi.

Ajo që, jo unë, por ministrat e mi e kemi përmendur që është e rëndësishme për marrëdhëniet tona në drejtimin e avancimit të bashkëpunimit, është që të dy palët të shikojnë të gjitha barrierat jo tarifore, që tani i kemi e të cilat kërcënojnë dhe ngadalësojnë biznesin dhe tregtinë mes kompanive në vendet tona. Ne kemi vendosur që brenda kornizës së CEFTA-s ta gjejmë mënyrën që barrierat jo tarifore t’i eliminojmë dhe që biznesin ta bëjmë më të lirë dhe më të lehtë. Kjo është dhe një detyrë nga Plan veprimi që u miratua në Trieste. Pra, punojmë bashkërisht dhe kuptojmë cilat janë nevojat tona. E dimë se është më e lehtë që t’i mundim bashkë, kështu që shpresojmë se kjo do të hapë perspektiva të reja, duke përfshirë këtu dhe ato europiane.

Kryeministri Edi Rama: Lidhur me procesin e negociatave dhe me asistencën e mundshme dhe të dëshiruar nga miqtë tanë që kanë hyrë në këtë proces më përpara, dua ta theksoj përsëri, – e kemi diskutuar dhe me Dushkon më parë, – së pari, Shqipëria mori një rekomandim pozitiv pa kushte nga Komisioni Europian, por nuk mori një datë. Datën e vendos Këshilli Europian dhe nëse Komisioni Europian është garanti i gjithë procesit teknik dhe rekomandimi i Komisionit bazohet mbi objektivitetin teknik të të gjithë pasqyrës së rezultateve, Këshilli Europian është subjektiviteti politik i 28 shteteve që kanë jo vetëm atë detyrimin për të parë pasqyrën teknike, por kanë dhe dinamikat e tyre të brendshme dhe historitë e tyre që dihen. Ajo çka ne kemi pritur ishte që të kishim një çelje të menjëhershme, mundësisht me modelin e përdorur më parë edhe për Malin e Zi dhe për Serbinë, ku u dha 6 muaj kohë për të përgatitur procesin analitik. Por ajo që ka ndodhur është se na është dhënë mundësia që të përgatisim të gjithë procesin analitik, gjë që ndodh për herë të parë, qoftë për ne, qoftë për Maqedoninë dhe nuk ka ndodhur më parë për vendet e tjera dhe ndërkohë është dhënë data për 12 muaj më pas, si rezultat i kompromisit mes 25 shteteve që e donin, siç sapo thashë, bazuar mbi precedentin e Malit të Zi dhe të Serbisë, edhe pse për Serbinë mori më gjatë dhe 3 shtetet e tjera që kishin problemet e tyre të brendshme e më në fund, sidoqoftë u dakordësuan për këtë kompromis, që është një kompromis shumë i volitshëm për ne, pasi ne nuk humbasim asnjë ditë. Ne fillojmë në faktikisht dy javët e ardhshme punën me Komisionin për të gjithë procesin analitik. Mali i Zi ka hapur një sërë kapitujsh, ka mbyllur tre ndërkohë, ka eksperiencën, ka njerëzit për të na asistuar në procesin analitik, gjë për të cilën kemi marrë edhe gatishmërinë për ta bërë.

-Së pari, për ju zoti Kryeministër ka hapur jo pak debate deklarata e kreut të Departamentit për Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror në Mal të Zi, Vojislav Dragović, lidhur me mundësinë e ndërtimit të një gardhi në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që lidhet me çështjen e fluksit të klandestinëve. A ka realisht diçka konkrete që është diskutuar me qeverinë e Malit të Zi, meqenëse një ditë më parë, ministri i Jashtëm hungarez tha se do të dhurohen 25 kilometër gardh dhe ka pasur jo pak diskutime, ndoshta edhe abuzime nga mediat? Ka diçka konkrete në këtë mes? Duke e vijimësuar këtë pyetje zoti Rama, sa shqetësim është kalimi ilegal i kufirit, jo vetëm nga shtetasit e vendeve të treta, por edhe tentativat që, shpesh, një pjesë janë goditur e një pjesë jo edhe të trafikut të lëndëve narkotike, ku kufiri i gjelbër me Malin e Zi është mjaft shqetësim, të paktën nëse flasim për territorin e Qarkut të Shkodrës?

Kryeministri Duško Marković: Kur është fjala për Malin e Zi, përsa i përket migracioneve, asgjë nuk po ndodh. Nuk po ndodh asnjë gjë e re në krahasim me vitin 2015. E dini që ai fluks i madh migrator nuk e ka kapur Malin e Zi, por Mali i Zi në vitin 2015 ka miratuar planin operacional, i cili nënkuptonte një sërë masash, nëse kjo rrugë kalon në Shqipëri, Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën dhe drejt Europës. Pra, në vitin 2015, qeveria e Malit të Zi ka miratuar Plan veprimin operacional dhe ka paraparë lokalitetet për marrjen e emigrantëve. Sot, për disa arsye politike dhe manipuluese thuhet se ne do të ndërtojmë kampe të ndryshme për emigrantët ilegalë. Kjo nuk do të ndodhë, përveç përgjegjësisë së vendit që të jetë i gatshëm në rast të një sfide konkrete. Kjo për Malin e Zi nuk do të ishte hera e parë. Juve ju kujtohet se gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë, nga rajoni ynë në Mal të Zi ka pasur mbi 120 000 njerëz të pafat. Askënd nuk e kemi kthyer. Të gjithë janë pranuar. Iu kemi siguruar akomodim, iu kemi siguruar kushte për jetesë. Shumica prej tyre kanë mbetur në Mal të Zi, disa edhe janë kthyer. Mali i Zi, kur është fjala për njerëz të pafat, në rrezik, pa marrë parasysh nga vijnë, mbetet i përkushtuar parimit të vet kryesor, që t’u qëndrojë besnikë atyre që janë të pafat, t’i ndihmojë dhe t’i ofrojë çdo lloj mbështetjeje dhe ndihme. Solidariteti është diçka që duhet të na lidhë e të na mbajë mobilë. Institucionet dhe politikën tonë duhet ta bëjmë efektive. Solidariteti është diçka që bashkon organizatat e mëdha. NATO-ja gjithashtu funksionon mbi parimin e solidaritetit.

Është e vërtetë se ne kemi evidentuar një fluks më të madh të hyrjeve ilegale në Mal të Zi nga ana e Shqipërisë, por, siç e dini, ministrat e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe të Malit të Zi para 10 ditësh kanë pasur një takim, kanë folur për këtë çështje. Bashkërisht do të punojmë që kufijtë tanë të jenë më të sigurt, që dy vendet tona të jenë më të sigurta, që, nëse ndodh një fluks i madh i migracioneve mbi dy vendet tona, të sigurojmë ato që janë në obligimet tona në pajtim me Kushtetutën, të ruajmë stabilitetin, sepse stabiliteti është diçka që nënkuptohet për qytetarët tanë. Pra, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një qasje të përgjegjshme. Nuk ka asnjë kërcënim, as nga ana shqiptare. Ne nuk parashikojmë as vënien e gardheve, as vendosjen e kampeve. Ne jemi të sigurt. Stabiliteti është prioritet i dy qeverive tona dhe mendoj se me përpjekjet e përbashkëta mund të sigurojmë supozimet për zhvillimin e qëndrueshëm. Lufta kundër krimit ekonomik, pa marrë parasysh se cili është burimi i tij, duke përfshirë këtu dhe migracionet ilegale, janë tema kryesore e shërbimeve të sigurisë.

Kryeministri Edi Rama: Edhe ne kemi pasur oferta për të marrë gardhe dhuratë. Por ne jemi një popull emigrantësh. Jemi një popull që ka një histori krenare të shpëtimit të hebrenjve dhe i vetmi vend ku hebrenjtë kanë qenë më shumë pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës. Sot, në Shqipëri strehohen afro 3000 refugjatë iranianë dhe të mos e harrojmë asnjëherë se në këtë vend të vogël janë strehuar mbi 500 000 refugjatë lufte, të detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për shkak të pastrimit etnik të Slobodan Milošević.

Kur themi “jemi popull emigrant”, jemi një popull që sot jemi të shtrirë në shumë vende, ku kemi gjetur mikpritje, kemi gjetur strehë dhe bëjmë jetën tonë, që do të thotë se nuk jemi vendi për gardhe dhe për shfaqje refuzuese ndaj atyre që janë në nevojë ekstreme dhe që ikin nga zona ku kërcënohen me jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Thënë këto, nga ana tjetër, sëbashku me Malin e Zi, ne nuk ishim pjesë e korridorit ballkanik kur filloi kriza e madhe e refugjatëve që tundi themelet e Europës, por sëbashku me Malin e Zi, në çdo tryezë, ne kemi pasur një qasje shumë të qartë. Jemi gati të marrim përsipër barrën tonë të përgjegjësisë në kuadrin e një projekti europian të ndarjes së barrës. Aq sa mundemi objektivisht dhe sa na takon nga pikëpamja humane, ne jemi gati ta bëjmë. Nuk mund të jemi as vende gardhesh, por as heronj shpëtimtarë të vendeve të pasura, që nganjëherë janë të tunduara t’i trajtojnë emigrantët si mbetje toksike. Është e vërtetë. Kemi pasur gjatë këtij viti 15-fishin e fluksit të një viti më parë. 15-fishi i fluksit të një viti më parë, si shumëfishim është i jashtëzakonshëm, si numër relativ nuk është i tillë që ne të vëmë alarmin dhe të trokasim nëpër dyert e Europës për të kërkuar ndihmë. Në këtë pikë jemi europianë, më shumë europianë se shumë europianë. Jemi qetësisht dhe vazhdimisht në kontakt edhe me miqtë tanë, për të garantuar që të mos jemi të kërcënuar nga flukse që nuk i përballojmë dot objektivisht. Që do të thotë, nëse kemi një rritje fluksesh nga kufiri i gjelbër me Greqinë, si rezultat i një situate të vështirë në Greqi, për shkak se Greqia, si dhe Italia u lanë vetëm nga të pasurit e Europës në atë proces, kjo pastaj do të përbënte një nevojë për të vënë sëbashku alarmin. Por nuk jemi këtu për të vënë gardhe midis njëri-tjetrit.

Do bashkëpunojmë, siç bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Brendshme në Greqi, siç bashkëpunojmë me Ministrinë e Brendshme në Maqedoni, për të garantuar që të jemi sa më stabël brenda vendeve tona, por dhe që ai që është humanizmi ynë, për të cilin krenohemi gjithmonë dhe që është karakteristik në shtëpitë tona, qoftë këtu, qoftë në Mal të Zi, qoftë në gjithë Ballkanin, të mos cenohet.

Përsa i përket trafiqeve jetojmë në një vend, ku kush lufton shumë, akuzohet për tradhti, kush ndërton, akuzohet se po prish, kush fiton, akuzohet se ka humbur, kush punon, akuzohet se është fajtor. Ajo që unë di të them, është se në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar, ne kemi bërë atë që nuk e kanë bërë të gjithë të tjerët, të mbledhur sëbashku, përpara nesh. Në këtë aspekt, pyetja juaj më kujtoi kohën kur Mali i Zi ishte vënë në fokus, sikur ishte atdheu i trafiqeve dhe i krimit të organizuar. Është një kohë e hidhur dhe e kaluar që miqtë tanë e kapërcyen duke vazhduar të bëjnë punën e tyre, duke vazhduar të bëjnë luftën e tyre, duke vazhduar të bëjnë atë që duhej për vendin e tyre. Sot nuk flet më njeri për Malin e Zi, as si vendi i cigareve kontrabandë, as si vendi i naftës kontrabandë, as si vendi i të gjitha të këqijave, por është një vend i respektuar. Shqipëria, ju garantoj që shumë shpejt do të jetë njësoj, një vend i super respektuar, pavarësisht se ne kemi një hall të përbashkët, që unë nuk po e përmend këtu, sepse unë asnjëherë nuk flas në prezencë të miqve të huaj për fëmijët që na bëjnë zhurmë në shtëpinë tonë.

-Pyetje për Zotin Rama. Keni folur për integrimin europian të Shqipërisë. Keni thënë se ju e zoti Marković keni folur për këtë temë. A mund të na tregoni diçka më shumë për sfidat që e presin Shqipërinë? A jeni gati për sfidat që ju presin dhe bashkëpunimi i dy vendeve në këtë drejtim?

Kryeministri Edi Rama: Besoj se gjithë çka thamë deri më tani flet për faktin që ne jemi gati për sfidat. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e sfidave që kemi marrë përsipër, por një gjë, besoj, është e qartë, që vlen edhe për opinionin publik në Malin e Zi dhe për opinionin publik në Shqipëri, o e bëjmë ne, ose nuk e bën njeri tjetër, edhe në Mal të Zi, edhe në Shqipëri. Kështu që na ka qëlluar që të jemi dy anët e duhura të medaljes në dy vendet dhe bashkërisht jam i bindur që do të bëjmë progres dhe mbi të gjitha, e gjithë kjo zonë këtu, zona kufitare do të përfitojë shumë nga ky proces dhe më në fund do të vihet në vend edhe padrejtësia ndaj gjyshes time shkodrane, e cila, kur ishte e vogël, udhëtonte me anije për të shkuar në anën tjetër dhe pastaj, për shkak të komunizmit, anijet u mbytën të gjitha në anën tonë dhe pas komunizmit thoshte gjithmonë, e kam ëndërr ta bëj dhe njëherë udhëtimin me anije nga liqeni i Shkodrës në anën tjetër. Këtë besoj do ta realizojmë, pavarësisht se gjyshja ime nuk jeton më.

Do të kthehem tek çështjet e emigracionit. Ju keni thënë se nuk planifikoni të ngrini kampe dhe t’i pranoni emigrantët, por ajo që ndodh është që ata kalojnë në këtë pjesë dhe jeni të vetëdijshëm për konferencën, e cila u mbajt në javën e kaluar, ku është thënë se në Europë nuk do të ketë kampe, do të jenë jashtë Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh se ju të dy palët jeni jashtë Bashkimit Europian, nëse vjen dimri dhe keni 2 000 njerëz, çfarë do të bëni?

-Një pyetje për Zotin Rama. Autoritetet qeveritare përmendin problemin e riatdhesimit, më duket se ekziston marrëveshja, por në praktikë nuk zbatohet. Keni diçka për të thënë për këtë gjë?

Kryeministri Edi Rama: Edhe “Al Jazeera” është ballkanizuar në mjedisin tonë, sepse nuk ka asgjë në deklaratën e vendeve anëtare lidhur me mundësinë e ndërtimit të kampeve në rajonin tonë. Është vetëm një shenjë e ballkanizimit të “Al Jazeera”-s. Ndërkohë që unë mund t’ju them se, kur flas për 15-fishin, kam parasysh njerëz që janë këtu sot. Nuk i kemi marrë nga një kufi, t’i hedhim në kufirin tjetër. Janë këtu sot, janë në qendrat tona të mikpritjes. I trajtojmë me të gjitha mundësitë që kemi, aq sa mundësi kemi, siç kemi bërë gjithmonë, edhe në shtëpitë tona, edhe në historinë tonë, me ata që na gjendjen në derë. Sigurisht, e përsëris, për sa kohë nuk janë kushtet që ne të vëmë alarmin, ne nuk kemi pse vëmë alarmin. Nuk jemi si ata që janë shumë më të pasur se ne dhe vënë alarmin edhe për disa qindra shqiptarë, të cilët në pamundësi për të pasur akses në tregun e lirë të punës në Europë, kërkojnë azil.

Ne jemi të vetëdijshëm për traditën tonë dhe për detyrimet tona ndaj qenieve njerëzore në hall. Në rast se fluksi do të marrte proporcione si ato të vitit 2015 dhe në rast se ne do të gjendeshim në pamundësinë për të administruar fluksin, patjetër që do t’i drejtoheshim bashkarisht vendeve të Bashkimit Europian dhe patjetër që pastaj do të bënim edhe ne, të njëjtën gjë që bënë Maqedonia, Serbia, Kroacia, Sllovenia, që thjesht i merrnin nga një anë dhe i çonin nga ana tjetër, sepse ishin përballë një situate hipokrizie të madhe në raport me këtë proces. Kështu që jemi absolutisht të vetëdijshëm për çfarë na takon dhe jemi absolutisht të qetë, për momentin, pasi kemi kontroll të plotë mbi situatën. Sigurisht, tek-tuk ka largime të paligjshme dhe kalime të paligjshme, por as na kanë shqetësuar dhe as na shqetësojnë në masën që të vëmë alarmin dhe të ndërtojmë gardhe mes njëri-tjetrit. E tha Kryeministri dhe besoj që në këtë aspekt jemi absolutisht në harmoni të plotë në pikëpamjen tonë.

Përsa i përket kampeve, e kam thënë që në sekondën e parë që është shfaqur kjo fantazi si “fake news” nga brenda shtëpisë sonë, – Shqipëria ka qenë djepi i “fake news”, përpara sesa “fake news” të shpërthente në gjithë planetin, – që nuk ekziston. Ne kurrë nuk do pranojmë të hapim kampe për të sjellë në Shqipëri emigrantë, të cilët refuzohen në vendet e pasura të Bashkimit Europian. Refuzimi i tyre si të ishin mbetje toksike, për ne është i papranueshëm në aspektin moral dhe nga ana tjetër, ne nuk jemi vendi ku mund të eksperimentohet një zgjidhje e tillë, që është qartësisht një zgjidhje që nuk funksionon për 1001 arsye.

Kryeministri Duško Marković: Vetëm shkurt, sepse nuk ka nevojë që një gjë që nuk ekziston të bëhet një histori. Le të bëjmë histori në bazë të fakteve. Kufijtë tanë janë kaluar në mënyrë ilegale para se të vijnë emigrantët. Sot kemi kalime ilegale të kufirit nga ana e klandestinëve apo emigrantëve dhe për këtë ekzistojnë rregullat kombëtare dhe rregullat ndërkombëtare, ndër të cilat janë edhe marrëveshjet për riatdhesimin, që saktësisht parashikojmë procedurat se kur qytetarët, migrantët, apo dikush tjetër ndodhen në territorin e një vendi që ka ardhur nga një vend tjetër. Pra, Shqipëria dhe Mali i Zi zbatojnë marrëveshjen e riatdhesimit në mënyrë të shkëlqyer. Zbatojmë marrëveshjen e riatdhesimit me Kroacinë, Bosnjë Hercegovinën dhe nuk ka asnjë problem në zbatimin e tyre. Asnjë problem, e theksoj. Ju jetoni në Podgoricë. A keni regjistruar në Podgoricë apo Mal të Zi, ndonjë ndryshim për shkak të pranisë së rritur të emigrantëve në Mal të Zi?

Jo. Në emrin tuaj po them jo, sepse e di që jo. Në Mal të Zi është gjendje e rregullt, situatë e rregullt. Çdo qeveri është përgjegjëse në lidhje me problemin që ka preokupuar jo vetëm Europën, por edhe SHBA-të në parimet e veta tradicionale, në vlerat e veta tradicionale të themelimit dhe funksionimit të ri me çështjen e emigrantëve. Nëse Europa merret me këtë çështje, ne nuk duhet të jemi në distancë. Ne jemi pjesë e Europës, jo në mënyrë formale, por jemi Europë. Nëse ky problem derdhet në Shqipëri dhe në Mal të Zi, qeveritë janë të detyruara, konform Kushtetutës, që të reagojmë. Qendrat për pranimet e emigrantëve nuk janë kampet. Ato janë qendra ku duhet t’i pranojmë njerëzit fatkeqë, t’i akomodojmë, t’i mbrojmë nga dielli, nga shiu, t’iu ofrojmë ushqimin, mbrojtjen shëndetësore, t’iu mundësojmë që të kthehen në vendin e origjinës, apo t’u ofrojmë azilin, nëse e kërkojnë. Pra, ekzistojnë procedurat dhe rregullat. Kur kemi thënë se planifikojmë qendra për pranimin, por nuk kemi thënë se planifikojmë kampet. Pra, ju lutem, ju jeni një gazetare shumë e mirë, të gjithë ju këtu jeni gazetarë shumë të mirë, le t’i shikojmë gjërat në bazë të fakteve dhe jo në bazë të supozimeve. Supozimet nuk na sjellin në drejtim të duhur.

Kryeministri Edi Rama: Mirëserdhët në Shkodër! Shijojeni Shkodrën, sepse është një pjesë e bukur e hapësirës sonë të përbashkët!