Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U nënshkrua sot në Kryeministri, Memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.

Në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Kakaraçi, ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Duke marrë fjalën, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Kakaraçi tha se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme, mbështetur në qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë.

“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike.” – u shpreh ai.

Ndërsa ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Guilfoyle  tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.

“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë.” – u shpreh ndër të tjera Guilfoyle.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se ajo çfarë e bën veçanërisht të fuqishëm partneritetin midis Shqipërisë dhe Shteteve e Bashkuara të Amerikës është natyra gjithëpërfshirëse e këtij partneriteti që kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukturës kritike, ekspertizën e sektorit privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik ndaj qëndresës energjetike.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Ka qenë dikur një herë e një kohë, një moment në jetën tonë kur energjia ishte thjesht çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në qarkun e 24 orëve dhe nga ana tjetër jetojmë në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër. Ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keq menaxhuar dhe vidhej.

Kompania jonë e shpërndarjes energjetike deri një dekadë më parë, ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë vetëm nga subvencionet qeveritare, ndërkohë që borxhi i saj ishte më shumë se 5% e Produktit tonë të Brendshëm Bruto. Sot historia është krejt ndryshe. Energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien tonë për vendin që zëmë në këtë rajon e në Europë.

Shqipëria ka zgjedhur që të kalojë përmes një procesi mjaft të dhimbshëm reforme energjetike dhe ndërkohë që flasim, nuk ka më padrejtësi në sistem siç ishte më parë. Gjithkush paguan atë që i takon. Ndërkohë, ne investojmë, e investojmë, e investojmë për të diversifikuar portofolin tonë e për të shkuar nga një vend që varet tërësisht nga energjia hidrike dhe importet, të arrijmë shumë shpejt që brenda këtij mandati të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë 100% i ripërtëritshëm.

Një element kyç i këtij rrugëtimi, është pa asnjë dyshim partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike dhe për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë.

Sot, ne vijmë nga veriu, ku jo shumë kohë më parë, prezantuam një investim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për energji nga era, e më pas në jug. Pra, këto janë pjesë e një transformimi që ne po e nisim nga Vlora.

Ajo çfarë njëherë ishte një aset i vetëm, po bëhet një portë dhe ai çfarë sot është ende një aset që nuk kemi mundur ta përdorim për shkak të mënyrës krejt të gabuar të investimit të parave të shqiptarëve, do të shndërrohet në një aset kaq të vlefshëm saqë do t’i japë Shqipërisë pozitën e një qendre energjetike që përfshin prodhimin e energjisë, infrastrukturën dhe tregjet rajonale.

Çfarë e bën veçanërisht të fuqishëm partneritetin midis Shqipërisë dhe Shteteve e Bashkuara të Amerikës është natyra gjithëpërfshirëse e këtij partneriteti sepse ai kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukturës kritike, ekspertizën e sektorit privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik ndaj qëndresës energjetike dhe këtu, vijmë te personi të cilit i detyrohem një shprehje mjaft të thellë mirënjohjeje, ambasadores Guilfoyle që ka po kështu meritën që të mos na bëjë të ndihemi jetimë më, sepse që prej një kohe nuk di sa të gjatë, nuk kemi një ambasador këtu, por falë jush ne kemi një aleat shumë të fortë që edhe pse ka për qëllim të shërbejë në Greqi, është qartësisht më ambicioze sesa brenda kufirit grek.

Kështu që faleminderit, ambasadore për këtë përpjekje dhe që keni shtyrë kaq fort, që të siguroheni që lidhjet e marrëdhëniet tona me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dalin edhe më të forta, me rezultate të pjekura.

Menjëherë pas bisedës sonë mjaft të këndshme me Sekretarin për Punët e Brendshme dhe me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore. E nuk mundem përveçse të theksoj, rëndësinë e asaj çfarë përmendi ambasadorja Guilfoyle, pra të nevojës sonë të të dyja palëve, të Shqipërisë e të Greqisë, për të forcuar lidhjen tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike.

Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo është diçka që vërtetë na bën shumë krenarë dhe na bën të ndihemi shumë të nderuar.

Partneriteti midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përçon sot një mesazh shumë të qartë: edhe vendet e të vogla mund të marrin hapa të guximshme dhe mund të bëhen pjesë e zgjidhjes të disa prej sfidave më të ngutshme të kohëve tona dhe, edhe më shumë se kaq, mesazhi i sotëm nuk mund të jetë më i qartë se kaq, kur vjen fjala për të lidhur nevojën jetike për energji me nevojën jetike për liri dhe demokraci, për të mos u mbështetur tek aktorë të cilët mund të ofrojnë energji, por po kështu mund të të vënë në pozitë të vështirë në raport me lirinë dhe objektivin për të forcuar demokracinë.

Për ta përmbyllur, dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Dua të përgëzoj ekipin tonë për shpejtësinë e pazakontë për realizimin e kësaj. Natyrisht, e di që ishte dhe nën shtysën dhe trysninë time, por ka funksionuar. Kështu që për aq sa ka funksionuar, le të marrim edhe meritë.

Dua pra, vërtetë të përgëzoj ekipin, të përgëzoj ministrin. Kam marrë tashmë një raportim shumë të mirë për ju nga ambasada amerikane në Greqi, kështu që urime dhe sigurisht, i bëj një falënderim mjaft të thellë Nensit, ekipit të ambasadës këtu që po bëjnë më të mirën t’i mbijetojnë faktit që nuk kanë ambasadorë dhe sigurisht falënderime shumë të veçanta dikujt që është dora e djathtë e ambasadores Guilfoyle, që e kupton shumë mirë rajonin, e kupton Shqipërinë. Kristos, faleminderit shumë miku im që ke qenë kaq ndihmës që unë të kuptoj pa asnjë mangësi e plotësisht ambasadoren Guilfoyle.  Faleminderit shumë!

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.