Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Qendrën e Emergjencave Durrës:
Kryeministri Edi Rama: Disa gjëra që nesër duhet të jenë në tavolinë:
* * *
Takimi i Kryeministrit Edi Rama me investitorë dhe ndërtues të pallateve të banimit, të cilat kanë pësuar dëme gjatë tërmetit:
Kryeministri Edi Rama: Minimumi që i takon secilit prej jush është që të riparojë dëmet që janë shkaktuar edhe për shkakun tuaj. Natyrisht që dëmet i ka shkaktuar tërmeti. Natyrisht që për të gjitha rastet kur struktura e pallatit rezulton të jetë e padëmtuar, atëherë është një lehtësim i madh në aspektin e përgjegjësisë. Për të gjitha rastet, nëse do të ketë të tilla për pallate të ndërtuara pas viteve ’90-ve të cilat do të prishen, investitorët, ndërtuesit, konstruktorët do t’i çojmë për ndjekje penale. Pastaj natyrisht do të vendosë gjykata, nuk vendos qeveria. Por ajo që unë mendoj është se ata ndërtues janë për burg. Ky është mendimi im si popull.
Natyrisht ajo që ne na takon është t’i përcjellim përpara prokurorisë dhe gjykatës. Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë me një dëm sipërfaqësor, të gjithëve juve ju takon që ta riparoni vetë dëmin, duke patur në konsideratë standardet teknike që do të imponohen nga institucionet tona, pra, muret të riparohen plotësisht dhe ku ka dëme të tjera sipërfaqësore të riparohen plotësisht. Natyrisht që, nuk është as dëshira, as qëllimi që të shtojmë rreshtin e njerëzve që shkojnë për ndjekje penale, por, nëse dikush prej jush nuk do ta bëjë vetë, do të thotë që do ta bëjnë taksapaguesit, do të thotë dëm ekonomik i dyfishtë që i shkaktohet familjeve dhe shtetit. E për këtë dëm ekonomik të dyfishtë, secili do të përgjigjet penalisht dhe me shumë gjasë do të shkojë në burg.
Ju lutem merreni shumë seriozisht këtë gjë, sepse nuk ka kohë. Njerëzit ne nuk do t’i lëmë në rrugë, por, nëse ju do të ngrini një kantier menjëherë, do të bëni riparimet menjëherë, do të lehtësoni shumë veten, shpirtin tuaj, ndërgjegjen tuaj dhe pozicionin tuaj në raport me shoqërinë dhe me ligjin dhe do të na lehtësoni shumë edhe ne, sepse edhe ne do të lehtësojmë njerëzit. Prandaj mos humbi kohë duke e menduar gjatë. Nuk dua ta di fare se kush është situata juaj ekonomike sot. Unë dua t’ju them vetëm kaq, më mirë shitini të gjitha çfarë keni dhe ndërtoni ato që janë dëmtuar atje, sesa t’i humbni ato që keni dhe të humbi dhe lirinë.
Që nesër, bashkia është në dispozicionin tuaj dhe për objektet që do të marrin dritën jeshile nga inspektimi ndërkombëtar, gati për të filluar punën. Nuk po ju themi që të shkojmë deri tek dëmet materiale brenda shtëpive, por dëmet e godinës janë përgjegjësia juaj. Nuk ka fare se çfarë të diskutojmë. Më vjen jashtëzakonisht keq për atë që ka ndodhur, saqë nuk ndjej asnjë keqardhje për asnjë prej jush.
Nuk mundet dot që të ndërtosh ato struktura aq solide, që do të thotë se ja keni bërë hyzmetin punës, kur vjen puna tek struktura, sepse keni patur frikë që me strukturën nuk luhet dhe pastaj mos bësh minimumin që muri të jetë i gjerë sa ç’është kolona, që është një parim që e di dhe njeriu i rrugës, mjafton që të ketë hedhur dy mistri dhe jo më unë që si kryetar bashkie jam marrë gjatë me këtë histori, – është e pakuptueshme. Sot ka mënyra të ndryshme, mund të bëhen me kartonxhes, mund të bëhen më të lehta, është puna juaj, nuk është puna ime. Ne do t’u japim standardin, do t’u vëmë supervizor mbi kokë që të keni besim dhe ju do të bëni punën. Nëse bëni punën, nga ana jonë jeni në rregull. Pastaj çfarë bën prokuroria, apo dikush tjetër nga ana e vet, nuk është puna jonë.
Kush do të tërhiqet nga kjo punë, do ta çojmë ne në prokurori dhe do të dal unë dëshmitar atje në emër të atyre njerëzve që janë të goditur. Ne nuk e lëmë pa bërë atë, por na bie që t’i marrim lekët nga taksat, nga buxheti, është dyfish. Kështu që çfarë keni, viheni në dispozicion atje. Jeta është e gjatë, keni kohë të riangazhoheni dhe të rehabilitoheni. Mos kurseni, mos kujtoni se do të mund të ikni dhe nuk do të jepni llogari nesër. Bjerini drejt, bjerini shkurt, ja keni detyrim këtyre njerëzve, ja keni detyrim vetes dhe familjes tuaj, ja keni detyrim dhe fëmijëve që t’u lini një emër pa njollë.
Këto mendoj unë, secili prej jush t’i nxjerri vetë konkluzionet.
TË REJAT E FUNDIT
© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2018 Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Adresa E-mail*