U zhvillua sot takimi përmbyllës i Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, një mundësi e ofruar për të gjithë të rinjtë nga mosha 21 deri në 29 vjeç, të diplomuar në një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) apo të ciklit të dytë (Master).
Ky Program, i cili prej 10 vitesh po kthen përvojën në punësim, ofron mundësi konkrete për të gjithë të rinjtë e kësaj grupmoshe që duan të hedhin hapat e parë drejt karrierës në Administratën Publike!
Kryeministri Rama i cili ishte i pranishëm takimin me të rinjtë tha se programi ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona, duke ju dhënë mundësi më të mirëve që të kenë një perspektivë si punonjës të rinj të shtetit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë kënaqësi që ju shoh këtu në këtë pallat që gjithmonë kur bëjmë këtë takim është një takim tradicional me vajzat dhe djemtë që bëjnë praktikat e punës, bëhet më i bukur edhe ka një energji më pozitive.
Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Dua në radhë të parë t’i uroj sukses atyre që kanë fituar mundësinë për të pasur një kontratë 1 vjeçare pune dhe për të vazhduar të synojnë të përfshihen përfundimisht në administratën publike. Ndërkohë që të tjerëve që nuk e kanë fituar këtë mundësi, dua t’i them që nuk duhet të ligështohen, nuk duhet të humbasin besimin dhe nuk duhet të dorëzohen.
Ministri tha që ky është një proces i cili kalon përmes meritës, por pa dashur të them që gjithçka në këtë proces shkon fjollë se me siguri si çdo proces tjetër ka dhe ky ato defektet e veta që ne përpiqemi t’i adresojmë vit pas viti. Kini parasysh që edhe vlerësimi i meritës përderisa edhe në rastin kur bëhet një vlerësim, prapë janë njerëzit që vlerësojnë, ka dhe anën e vet subjektive.
Kështu që pa vënë në dyshim që ata të cilët e kanë fituar mundësinë për të vazhduar me një kontratë një vjeçare e meritojnë këtë mundësi, dua t’ju them atyre që nuk e kanë fituar këtë mundësi që të mos ndjehen të përjashtuar dhe absolutisht të mos mendojnë që janë më pak të zotë, thjesht në një moment të caktuar nuk kanë mundur të jenë dukshëm më të mirë sesa të tjerët që ia kanë dalë.
Duke marrë një jehonë pozitive nga ata që merren me organizimin e këtij programi për përshtypjet tuaja dhe njëkohësisht duke pasur një përshtypje pozitive nga ana e ministrave dhe e drejtuesve të institucioneve për qasjen, për seriozitetin, për dëshirën tuaj për të mësuar, unë jam bërë realisht një besimtar i fortë i këtij programi dhe kini parasysh që ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona.
Po të kesh parasysh që administrata publike në vetvete është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak, por ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm akoma është se janë 1600 burime njerëzore cilësore që kanë potencialin të zhvillohen vijimisht dhe që kanë kapacitetin potencial që të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, drejtuesit e departamenteve, të drejtorive dhe kështu me radhë,
Dhe kjo praktikë ka qenë një urë e ngritur si fillim me universitetin për t’ju dhënë mundësi më të mirëve që të kenë një sallë pritjeje ku aktivisht të vetëofrohen si punonjës të rinj të shtetit dhe nga ana tjetër besoj që tani kemi kapërcyer dhe një ngërç përmes këtij programi, atë ngërçin e eksperiencës që faktikisht i ka penguar në të shkuarën shumë vajza dhe djem që të fitojnë konkurset e shërbimit civil për shkak të mungesës së eksperiencës dhe ishte pak si pula vezën, veza pulën sepse që të hyje në administron publike duhet të kishe eksperiencë, por po të mos hyje në administratën publike s’kishe ku e krijoje eksperiencën dhe në një farë mënyre programi e ka garantuar këtë tranzicion.
Unë besoj që ata të cilët folën në videot propagandistike të agjencisë ishin të sinqertë dhe besoj se edhe prania juaj këtu jo e vogël në numër tregon që ju jeni të kënaqur me programin dhe kjo është diçka shumë e mirë.
Nga ana tjetër besoj që agjencia duhet të bëjë një anketim të të gjithëve ju tani që ka mbaruar programi për t’ju marrë në mënyrë të fshehtë, pra në mënyrë anonime, për t’ju marrë përshtypjet tuaja për programin. Pra çfarë ju ka pëlqyer, çfarë s’ju ka pëlqyer, çfarë mendoni se duhet të bëhet më mirë etj sepse kjo do na ndihmonte ta përmirësonim më tutje programin.
Në fund dua t’ju flas për një projekt të madh që ka qeveria së bashku me Komisionin Europian që është projekti i garancisë rinore. Është një projekt i cili ka si synim të identifikoje dhe të aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktiv në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja. Ka si qëllim të ofrojë mbështetje ekonomike, të ofrojë trajnime dhe të ofrojë aftësim profesional për të rinjtë. Ka si qëllim të sigurojë mundësi konkrete punësimi, të sigurojë vazhdimin e formimit profesional dhe të praktikave dhe patjetër të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit.
Do t’ju sugjeroja me shumë dashamirësi që të njiheni më këtë projekt. Është një projekt edhe financiarisht i qenësishëm. Është rreth 65 milion euro në mos gabohem dhe të shikoni sesi mund të angazhoheni me këtë projekt. Dhe e përsëris në ndërkohë që keni kontratat një vjeçare për të nënshkruar që të vazhdoni procesin bëni gjithçka mundeni që të aftësoheni dhe përtej asaj që ju jep ai orari i punës sepse gjithmonë e më shumë burimet njerëzore cilësore do të jenë një domosdoshmëri për të gjithë dhe gjithmonë e më pak influencat e tjera do të mund të ndikojnë në pikën që të mos ju japin burimeve cilësore mundësinë që të jenë kontribute në shoqëri dhe të tjerëve, ju them që vazhdoni bëni përpjekjet tuaja. Ka rrugë të tjera, ka konkurse të tjera. Këtu është dhe drejtorja e përgjithshme e administratës publike dhe ne po bëjmë dhe një tjetër re formatim të legjislacionit për administratën publike për të krijuar më shumë fleksibilitet, për të krijuar më shumë mundësi dhe me bindjen që kjo është rruga dhe me provën që rezultatet e këtij programi të praktikave të punës brenda ministrive, brenda institucioneve kanë qenë shumë inkurajuese ne do vazhdojmë të shtyjmë përpara agjendën e thithjes së burimeve më të mira që dalin nga universiteti, të burimeve më të mira që janë aktive ne shoqëri dhe që i përkasin grupit tuaj shoqëror, të rejave dhe të rinjve.
Ju falënderoj shumë dhe falënderoj posaçërisht dy vajzat që janë shumë të angazhuara dhe që me shumë sukses po përballojnë një proces moderimi të këtij aktiviteti dhe duke ua lënë fjalën atyre ju uroj sinqerisht sukses, besim edhe mos u dorëzoni asnjëherë për të realizuar ëndrrat që shikoni me sy hapur.