Tirana është përzgjedhur të mikpresë Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, më 6 dhe 7 maj 2026, që i paraprin Forumit kryesor global për ligjin, edicioni dyvjeçar i të cilit do të zhvillohet në Shqipëri, në 2027.
Ky aktivitet institucional i nivelit të lartë është organizim i Shoqatës Botërore të Juristëve (SHBJ) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, që do të bëjë bashkë përfaqësues të qeverisë, gjyqtarë ndërkombëtarë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve kryesore ligjore dhe akademike në botë, mes të cilëve; Presidenti i SHBJ-së, Javier Cremades; ish-Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, të Drejtat Themelore dhe Shtetësinë Viviane Reding; Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit Botëror të Ligjit Angela Montoya-s, si dhe ekspertë globalë të fushës së drejtësisë.
Përzgjedhja e Tiranës si qyteti pritës për edicionin e vitit 2027, njeh procesin dhjetëvjeçar të reformës gjyqësore të Shqipërisë dhe progresin e saj në rrugën drejt integrimit evropian.
Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit do të bashkëdrejtohet nga Ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, me program të fokusuar në reformën dhe të ardhmen e ligjit.
Eventi do të çelet me një prezantim audiovisual mbi tranzicionin demokratik të Shqipërisë, objektivat kryesore të reformës së saj gjyqësore dhe rrugën drejt Bashkimit Europian, nën një mesazh qendror: “Sundimi i ligjit nuk jepet, ai ndërtohet”.
Në Sesionin hapës do të marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili do të adresohet me një fjalë. Gjithashtu i pranishëm përmes një fjalimi me video do të jetë edhe Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Mattias Guyomar. Ndërsa të pranishmit e tjerë do të vijojnë me fjalime përshëndetëse mbi rëndësinë globale të Kongresit dhe rolin e Shqipërisë si vend pritës.
Në vijim, Sesioni do të përfshijë një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë të titulluar “Dhjetë vjet më vonë: Mësime dhe Perspektiva” me ekspertë kryesorë globalë, të moderuar nga Elisabeth Cassin.
Sesioni Hapës i Tiranës shënon një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Kongresit Botëror të Ligjit 2027, duke riafirmuar angazhimin e bashkësisë ligjore ndërkombëtare për një rend botëror të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca.
* E themeluar në vitin 1963, Shoqata Botërore e Juristëve mbledh Kongresin Botëror të Ligjit çdo dy vjet dhe jep Çmimin Botëror për Paqe dhe Liri, ndër evente të tjera të mbajtura në të gjithë botën që synojnë forcimin e promovimit të sundimit të ligjit si garant të lirisë. Edicioni i saj më i fundit mblodhi rreth 5,500 pjesëmarrës nga më shumë se 85 vende.