Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet transformuese në infrastrukturën arsimore janë prioritet i rëndësishëm i qeverisë për arsimin dhe përfshijnë përveç ndërtimit të objekteve të reja apo rikonstruksionin e ekzistueseve, edhe pajisjen e tyre me teknologjinë më moderne e bashkëkohore.

Pjesë e këtyre investimeve është edhe projekti për transformimin e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës, i ndërtuar që në vitin 1939 dhe me problematika të shfaqura pas tërmetit të vitit 2019.  Projekti konsiston në rikonstruksionin dhe restaurimin e dy ndërtesave ekzistuese të këtij fakulteti, si dhe ndërtimin e një objekti të ri, Muzeut të Gjeologjisë, që do të ketë hapësira muzeale, bibliotekën me ambientet e studimit, auditorët dhe ambientet teknike, duke ofruar hapësira të dedikuara për studimin e thelluar.

Ndër të tjera parashikohet edhe pajisja me laboratorë, salla leksionesh dhe seminaresh, ambientesh për këshillin shkencor etj, në shërbim të procesit mësimor dhe kërkimor të fakultetit.

Kryeministri Rama ishte sot në kantierin ku aktualisht punohet në 2 fronte, Godina A (monumenti) dhe objekti i ri (muzeu).

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, e cila ishte së bashku me Kryeministrin në këtë inspektim tha se projekti për Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave është i realizuar nga vetë profesorët dhe është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, me një vlerë rreth 6 milionë euro.

“Tashmë prej një viti e pak ka filluar puna për rehabilitimin dhe ndërtimin e kampusit të fakultetit të gjeologji-minierave. Ky është korpusi kryesor dhe është dhe një godinë historike dhe si e tillë punimet po ecin në ritmin e duhur, por dhe për arsye të problematikave të tërmetit ka patur nevojë për rishikim të projektit dhe të realizimit dhe përforcimeve përkatëse. Është një investim rreth 6 milionë euro të buxhetit të shtetit dhe të vetë kontributit që vetë Universiteti Politeknik jep. Është një projekt i realizuar nga vetë profesorët dhe tashmë jemi duke avancuar. Kjo godinë përfundon në dhjetor të këtij viti.” – u shpreh ajo, ndërsa theksoi se edhe fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë është duke u rindërtuar.

“Universiteti Politeknik i Tiranës praktikisht është një kantier i hapur sepse dhe fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë është duke u rindërtuar. Kemi aty tre volume ndërtesash që ka filluar i pari dhe pritet që të vijohet me të dytin. Janë rreth 12 milionë dollarë të parashikuara për investimin ku sërish kemi 70% mbulim të buxhetit të shtetit dhe të gjithë projektet që po bëhen me sektorë të ndryshëm kryesisht shëndetësi dhe arsimi janë duke u bërë nga arkitektët dhe inxhinierët e Universitetit Politeknik.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.

Ndërkohë që, përfaqësues të stafit të pedagogëve shpjeguan disa prej karakteristikave të projektit, duke u ndalur në elementë të veçantë të tij.

“Gjithë kompleksi përfshin krahas objektit historik, ku do të strehohen dy departamente të rëndësishme të fakultetit ka dhe një ndërtesë tjetër 4 katëshe, e cila ishte totalisht e amortizuar dhe ajo me dëmtime nga tërmeti. U mendua të mos rrafshohej sepse ishte në gjendje jo krejt të keqe, kështu që u mendua që ta rikonstruktojmë, duke ruajtur të gjithë parametrat e ambientit, temperaturave etj. Dy departamente do të strehohen në atë ndërtesë. Në pjesën e prapme ka qenë një element shtesë, i cili ishte shumë i shëmtuar dhe prishte dhe integritetin e ndërtesës dhe u mendua të shkëputej nga ndërtesa historike. Të gjithë problemet e shfaqura janë çështje përforcimesh. Pjesa tjetër që është e reja në këtë kontekst është Muzeu i Gjeologji-Mineraleve. Kjo është pak a shumë. Pjesa sipër ka dhe bibliotekën dhe një aulë të madhe që duhej sepse nuk arrinte të futej në ambientet e tjera. Është për një ngarkesë eko, tarracë e gjelbër. Krahas Muzeut brenda, këtu janë gurët e çmuar që krijojnë një mrekulli. Ajo është pjesa më e bukur e një muzeu shkencash. Debati i fundit kemi që do bëjmë dhe një muze të hapur që do të thotë gurë nga gjithë vendi me vlerat e tyre dhe do arrijmë t’i vendosim në këtë shëtitore. E kemi quajtur Pylli Orbital. I kemi propozuar arkitektit që pjesa që do jetë sipër është parashikuar me pllaka normale dhe menduam një imitim të idesë së Sheshit Skëndërbej duke përfituar nga shumica e karrierave që prodhojnë këto gurët dekorativë kanë lidhje me fakultetin. ” – detajuan ata.

Nga ana e tij, kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë dhe sugjeroi disa detaje në lidhje me projektin, në mënyrë që ndërtesa dhe hapësira rreth saj të jenë të hapura edhe për publikun, pa cenuar procesin mësimor.

“Mendoj që duhet gjetur një mënyrë që kjo pjesë duhet parë, duhen bërë disa variante, duhet gjetur një mënyrë që të jetë sikur futesh në një zonë. Unë do mendoja që këtu mund të jetë një veshje që të jetë me volume gurësh që është edhe për mbrojtjen dhe për të gjitha por edhe që shkon në drejtim të kësaj. Zona këtu në vend që të jetë një gjë e shtruar në mes të qytetit, të jetë diçka pak më gjeologjike. Duhet punuar në disa variante dhe pastaj mund t’i angazhojmë të gjithë. Problemi është të kemi projektin e duhur në këtë pjesë meqenëse do të ndryshojë mesa kuptoj. Në qoftë se do të shkohet në këtë drejtim, nëse e kuptova qartë, atëherë duhet gjetur mënyra që dhe ky sheshi të mos jetë shesh tipik. Pra, në një anë të ruhet siç ka qenë. Duhet gjetur një mënyrë që të mos shqetësohet mësimdhënia, por të jetë dhe si qytet. Për shembull, të shtunave dhe të dielave ju mund ta hapni për publikun këtë pjesë.” – u shpreh Kryeministri.

 

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.