Ujë të pijshëm 24 orë në vitin 2021 edhe për Beratin

Bashkia Berat do të ketë 24 orë ujë të pijshëm brenda vitit 2021, jo vetëm në zonën urbane, por dhe në zonat rurale të Bashkisë. Aktualisht po punohet me intensitet për Fazën e 3-të përmbyllëse. Kryeministri Rama, së bashku me drejtorin e AKUM [Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve] Alqi Bllako dhe kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, inspektuan këtë kantier, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 136 hektarë.

Projekti nis nga Gorica dhe janë rreth 73 kilometra rrjet i brendshëm dhe transmetimi. Në këtë zonë, prej vitesh është vuajtur mungesa e ujit, ndërsa në sistemin e ujësjellësit nuk është investuar që nga vitet ’60-të. “Janë 54 kilometra rrjet i brendshëm dhe 1.9 kilometra linjë transmetimi. Gjithashtu, për të gjithë këtë zonë, zonën e Celepiasit kemi dhe zëvendësimin tërësor të rrjetit të kanalizimeve me gati 13 kilometra kolektorë kryesorë, rrjet dytësor dhe lidhjeve familjare. Me përfundimin e Fazës së Tretë, do të bëjmë të mundur që brenda vitit 2021, i gjithë qyteti i Beratit të furnizohet me 24 orë ujë të pijshëm,” – u shpreh drejtori i AKUM-it, Alqi Bllako.

Në përfundim të këtij investimi, të gjithë abonentët do të pajisen me ujëmatës, duke ndihmuar edhe në rritjen e performancës së ndërmarrjes së ujësjellësit. “Brenda vitit 2021 do zgjidhim dhe gjithë zonat rurale. Njësitë kryesore ku ka densitet popullsie do kenë furnizim me ujë me rrjet totalisht të ri dhe praktikisht, Bashkia e Beratit do të mbulojë më shumë se 90% të popullsisë së vet me një rrjet totalisht të ri,” – u shpreh kryebashkiaku Demo.

Ndërkohë, puna ka filluar edhe për ujësjellësin e Velabishit, i cili pritet të përfundojë gjithashtu brenda vitit 2021.”Ky është zotimi i marrë në 2013-n, për të zgjidhur përfundimisht problemin e ujit të pijshëm. Ajo që është themelore për të kuptuar, është që nuk fillon një punë kur shikon fadromën. Puna fillon kur fillojnë analizat, studimet, projektet dhe gjithë proceset e tjera. Për më tepër, ne na është dashur një punë e jashtëzakonshme për të dalë nga gropa e borxheve të mëdha në mandatin e parë dhe sot jemi këtu, ku mund t’i themi me plot gojën të gjithë atyre që jetojnë në zonat urbane të vendit, nga Malësia e Madhe deri poshtë në Sarandë e në Konispol, që çështja e ujit të pijshëm 24 orë është një çështje që përfundimisht është e zgjidhur në 2021,” – u shpreh Kryeministri Rama. E ndërsa nënvizoi pyetjen “pse kaq kohë”, theksoi se “janë kusuret e dekadave të tëra, se këtu ishte një ujësjellës i investuar në vitet ’60-të e nuk ishte prekur më. Këto janë kusure të të tjerëve para nesh. Ne përgjigjemi për kusuret tona, na dalin e na teprojnë, por kusureve të të tjerëve nuk kemi çfarë u bëjmë.”