Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 maj 2016

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11/05/2016
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E FONDIT PËR SHËRBIMIN UNIVERSAL POSTAR DHE MËNYRAT E PËRCAKTIMIT TË KONTRIBUTIT, NË RASTIN E BASHKËFINANCIMIT NGA OFRUESIT E SHËRBIMIT UNIVERSAL POSTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 17, të ligjit nr.46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për krijimin dhe administrimin e fondit për shërbimin universal postar dhe mënyrat e përcaktimit të kontributit, në rastin e bashkëfinancimit nga ofruesit e shërbimit universal postar, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
    EDI  RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK FINANCIAR TË QEVERISË (SIFQ) 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të sistemit të thesarit, të quajtur Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ).
2. SIFQ-ja përmban:
a) të dhëna të transaksioneve dhe balancave financiare, lidhur me ekzekutimin e buxhetit të njësive të qeverisjes së përgjithshme;
b) të dhëna për kodifikimin dhe klasifikimin buxhetor e kontabël të të dhënave financiare të qeverisë, në përputhje me bazën ligjore për financat publike;
c)  të dhëna referenciale për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera;
ç) informacione të tjera plotësuese, për procese të punës së financave të shtetit;
d) të dhëna për raporte financiare dhe statistika.
3. Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues.
4. Të dhënat që përmban sistemi ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e gjeneruara nga SIFQ-ja dhe që kanë të bëjnë me kodifikimin e klasifikimit buxhetor e kontabël, të cilat janë:
i. Kodet e institucioneve;
ii. Kodet e ministrive të linjës;
iii. Kodi i kapitullit (burimi i financimit);
iv. Kodi i programit;
v. Kodet e llogarive ekonomike;
vi. Kodet e entiteteve qeverisëse;
vii. Kodet e nënllogarive;
viii. Kodet e degëve të thesarit;
ix. Kodi i projektit.
b) Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat referenciale:
i. të bankave të nivelit të dytë, si IBAN-i, numri i llogarisë bankare, adresa e bankës;
ii. të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si NIPT-i i subjektit/institucionit.
5. Subjektet përgjegjëse të SIFQ-së, janë, si më poshtë vijon:
a) Institucioni administrues i SIFQ-së është Ministria e Financave;
b) Institucionet, palë të interesuara, janë: Ministria e Financave, degët e thesarit, institucionet që operojnë me akses të drejtpërdrejtë në SIFQ, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, PIU-projektet me financim të huaj, bankat e nivelit të dytë dhe universitetet publike që kanë akses me ndërfaqe me SIFQ-në.
6. Dhënës të informacionit janë:
a) degët e thesarit;
b) Ministria e Financave;
c) institucionet që operojnë me akses të drejtpërdrejtë në SIFQ;
ç)  Banka e Shqipërisë;
d) bankat e nivelit të dytë;
dh) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
ë)  Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
f) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Sigurimit Shëndetësor;
g) projektet me financim të huaj.
7. Subjekte të interesuara janë:
a)  Ministria e Financave;
b)  degët e thesarit;
c)  institucionet që kanë akses të drejtpërdrejtë në SIFQ;
ç)  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
d)  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
dh)   Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
e)  Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Sigurimit Shëndetësor;
ë)  projektet me financim të huaj;
f)   Banka e Shqipërisë;
g) universitetet publike, që kanë akses në ndërfaqen me SIFQ-në;
gj)  bankat e nivelit të dytë;
h) çdo subjekt tjetër, i përcaktuar shprehimisht me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Niveli i aksesit në sistemin dhe në bazën e të dhënave të SIFQ-së është, si më poshtë vijon:
a) Administratorët e SIFQ-së kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave në SIFQ, në lidhje me menaxhimin e përdoruesve, klasifikimin buxhetor e kontabël dhe subjekteve të regjistruara;
b) Degët e thesarit kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për transaksionet që regjistrojnë në SIFQ, dhe të drejtë leximi/monitorimi të balancave buxhetore/kontabile të institucioneve të varësisë;
c) Ministritë e linjës kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për transaksionet që regjistrojnë në SIFQ;
ç) Banka e Shqipërisë ka të drejtë leximi, për pagesat që regjistrohen në SIFQ, dhe shkrimi, për konfirmimin e shlyerjes së pagesave, nëpërmjet dërgimit të skedarëve të konfirmimit, të cilët importohen në SIFQ;
d) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka të drejtë leximi për pagesat në favor të DPT-së, që regjistrohen në SIFQ, dhe të drejta shkrimi për konfirmimin e shlyerjes së pagesave, nëpërmjet dërgimit të skedarëve të konfirmimit, të cilët importohen në SIFQ, dhe kontabilizimit të të ardhurave tatimore;
dh) Bankat e nivelit të dytë kanë të drejtë shkrimi për rakordimin e pagesave që regjistrohen në SIFQ dhe shlyhen nga bankat, nëpërmjet dërgimit të skedarëve të konfirmimit, të cilët importohen në SIFQ;
e) Universitetet publike kanë të drejtë leximi për transaksionet e pagesave që regjistrohen në SIFQ në favor të tyre, nëpërmjet aksesimit të raporteve të të ardhurave;
ë)  ISSH-ja dhe FSDKSH-ja kanë të drejtë leximi dhe shkrimi/modifikimi të balancave kontabile të institucioneve të tyre respektive;
f) Ministria e Financave ka të drejta administrative mbi SIFQ-në, në rolet:
i.  Administrator;
ii. Raportues;
iii. Auditues;
iv. Zhvillues.
9. Baza e të dhënave e SIFQ-së ndërvepron me baza të tjera të dhënash: me sistemin e tatimeve, me Bankën e Shqipërisë, me bankat e nivelit të dytë dhe me universitetet.
10. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS DHE TË KRITEREVE TË KOMPENSIMIT TË DËMIT TË SHKAKTUAR NDAJ PRONËS SË PUNONJËSIT TË POLICISË USHTARAKE GJATË KRYERJES SË DETYRËS OSE PËR SHKAK TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 41, të  ligjit nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësi i Policisë Ushtarake, për dëmin e shkaktuar ndaj pronës së tij gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj, përfiton kompensim në lekë, në masën 100 për qind të vlerës së pronës së dëmtuar.
2. Kriteret për përfitimin e kompensimit janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shkaktuar dëm ndaj pasurisë së paluajtshme ose të luajtshme të punonjësit të Policisë Ushtarake;
b) Dëmi të jetë shkaktuar gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj;
c) Pasuria, ndaj së cilës është shkaktuar dëmi, të jetë në pronësi ose bashkëpronësi të punonjësit të Policisë Ushtarake;
ç) Punonjësi të mos ketë përfituar dëmshpërblim për dëmin nga shoqëri sigurimi;
d) Kur vërtetohet se shkaktuesi i dëmit është dënuar në mungesë ose është shpallur i pamundur për të shlyer detyrimin civil, me vendim gjyqësor të formës së prerë.
3. Ministri i Mbrojtjes, për raste të dëmtimit të pronës, sipas pikës 2, të këtij vendimi, ngre një komision për vlerësimin e dëmit. Urdhri për ngritjen e komisionit i komunikohet menjëherë, në rrugë zyrtare, punonjësit të Policisë Ushtarake, prona e të cilit është dëmtuar.
4. Komisioni për vlerësimin e dëmit përbëhet nga 5 anëtarë, drejtohet nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ka në përbërje, të paktën, një përfaqësues nga Policia Ushtarake.
5. Vendimi i komisionit të vlerësimit të dëmit bazohet në dokumentacionin që paraqitet nga vetë kërkuesi, si më poshtë vijon:
a) Vendimin e gjykatës ose të prokurorisë, në të cilën është përcaktuar shkaku dhe vlera e dëmit në pasurinë e paluajtshme ose të luajtshme;
b) Vërtetimin e pronësisë, që punonjësi i Policisë Ushtarake është pronar ose bashkëpronar i pasurisë së paluajtshme ose të luajtshme të dëmtuar;
c) Vërtetimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që punonjësi nuk ka përfituar dëmshpërblim për dëmin nga shoqëri sigurimi.
6. Komisioni për vlerësimin e dëmit dhe hartimin e dokumentacionit merr vendim brenda 15 ditëve nga momenti i paraqitjes së dokumentacionit nga punonjësi i Policisë Ushtarake.
7. Ministri i Mbrojtjes nxjerr urdhrin e dëmshpërblimit brenda 30 ditëve nga momenti i paraqitjes së vendimit të komisionit.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
9. Vendimi nr.163, datë 18.3.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe masën e kompensimit të dëmeve shkaktuar pronës së punonjësve të policisë ushtarake gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj”, shfuqizohet.
10. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
* * *
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E LICENCËS SË KONCESIONIT PËR RAFINERI SHOQËRISË AKSIONARE “AM-OIL”
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.19, datë 14.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien, transferimin dhe përsëritjen e licencës së koncesionit për rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto për prodhimin e nënprodukteve të saj”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e licencës së koncesionit për rafineri shoqërisë aksionare  “AM-OIL”, me NIPT K94210401A dhe seli në ish-Uzinën e Plastmasit, Lushnjë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E MANUALIT TË TARIFAVE PËR SHËRBIME  NË PLANIFIKIM TERRITORI, PROJEKTIM, MBIKËQYRJE    DHE KOLAUDIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.704, datë 29.10.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe të gjitha ministritë, institucionet dhe subjektet që investojnë fonde publike apo private në vepra ndërtimi për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
R

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS   SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL KUNDËR SIDA-S, TUBERKULOZIT DHE MALARIES 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.83, DATË 3.2.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE TË KRIJIMIT TË NJËSIVE TË AUDITIMIT TË BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 26, të ligjit nr.114/2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 4, e vendimit nr.83, datë 3.2.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Njësitë publike që krijojnë njësinë e auditimit të brendshëm, sipas pikës 1, të këtij vendimi, nuk programojnë të kryejnë shërbimin e auditimit të brendshëm për njësitë e varësisë, të cilat kanë në strukturën e tyre organizative njësi të auditimit të brendshëm. Ky shërbim në njësitë e varësisë mund të kryhet në raste të veçanta me urdhër të titullarit të njësisë publike të organit epror.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1086, DATË 14.12.2013,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR PËRMIRËSIMIN E NIVELIT TË ARKËTIMEVE DHE ULJEN  E NIVELIT TË HUMBJEVE NË SISTEMIN E SHPËRNDARJES   SË ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 6, të vendimit nr.1086, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… deri më 30 qershor 2016…” zëvendësohen me “… deri më 30 qershor 2017…”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.43,  DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE STATUSIN E AUTORITETIT TË KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9 e 14, të ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe teknologjive, me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.43, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas pikës 2.6, të kreut III, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Certifikata e regjistrimit për personat juridikë/fizikë, privatë apo publikë lëshohet nga AKSHE-ja, me një afat jo më të gjatë se 3 vjet. Procedurat për rinovim janë të njëjta me procedurën e aplikimit.”.
2. Pas pikës 2.7, të kreut III, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“AKSHE-ja ushtron veprimtaritë e kontrollit në të gjitha fazat e procesit, nëpërmjet specialistëve të punësuar pranë AKSHE-së ose nëpërmjet ekspertëve të jashtëm, në rastet kur nevojitet ekspertizë teknike për klasifikimin e mallrave ushtarake apo mallrave me përdorim të dyfishtë. Shpenzimet që mund të nevojiten për një ekspertizë teknike të specializuar në laboratore, institute kërkimi ose institucione të tjera të specializuara, për klasifikimin e mallrave ushtarake apo mallrave me përdorim të dyfishtë, mbulohen nga subjekti privat apo publik i interesuar për klasifikimin e këtyre mallrave.”.
3. Pika 3, e kreut IV, shfuqizohet.
4. Në pikën 4, të kreut IV, fjalët “… dhe nënkryetarit …”, shfuqizohen.
5. Pika 5, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Marrëdhëniet juridike të punës së nëpunësve të AKSHE-s mbështeten në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë.”.
II. Në lidhjen nr.1, që përmendet në pikën 3, të vendimit nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”, ndarja me numër rendor 29 shfuqizohet.
III. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
 NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në aneksin nr.3, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe çfarë dokumenti duhet të paraqesin”, që i bashkëlidhet vendimit nr.513, datë. 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen:
    “Arabia Saudite, Katari, Omani, Rusia, Gjeorgjia, Bjellorusia, me dokumentin pasaportë, për periudhën 15 maj -1 nëntor 2016.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: NDËRTESAT”
Në mbështetje të  nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2/l, dhe 16,   pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri –Tema: Ndërtesat”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIM  DHE INTEGRIM 2015-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, të përmendura në këtë strategji, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.