Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Qershor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Qershor 2021:

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË URËS NË LEZHË DHE CAKTIMIN E BASHKISË LEZHË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 294 682 990.44 (dyqind e nëntëdhjetë e katër milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë pikë dyzet e katër) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të urës në Lezhë.

2. Bashkisë Lezhë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 58 936 598 (pesëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të urës në Lezhë, në formën e transfertës së pakushtëzuar. Efekti financiar të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, bazuar në rakordimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për këtë qëllim.

3. Caktimin e Bashkisë Lezhë si njësi zbatuese për rindërtimin e urës në Lezhë.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË DY OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKINË RROGOZHINË DHE CAKTIMIN E BASHKISË RROGOZHINË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të dy objekteve arsimore në Bashkinë Rrogozhinë, në masën 310 195 212 (treqind e dhjetë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekë pa TVSH, përkatësisht për:

a) rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Qamil Gjuzi”, Bashkia Rrogozhinë, në masën 137 062 762 (njëqind e tridhjetë e shtatë milionë e gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH;
b) rindërtimin e shkollës 9–vjeçare “Lekaj”, Bashkia Rrogozhinë, në masën 173 132 450 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e njëqind e tridhjetë e dy mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit të dy objekteve arsimore në Bashkinë Rrogozhinë, në masën 62 039 042 (gjashtëdhjetë e dy milionë e tridhjetë e nëntë mijë e dyzet e dy) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, të ndarë, si më poshtë vijon:

a) Për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Qamil Gjuzi”, Bashkia Rrogozhinë, në masën 27 412 552 (njëzet e shtatë milionë e katërqind e dymbëdhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) lekë pa TVSH;
b) Për rindërtimin e shkollës 9–vjeçare “Lekaj”, Bashkia Rrogozhinë, në masën 34 626 490 (tridhjetë e katër milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e katërqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH.

3. Caktimin e Bashkisë Rrogozhinë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KONSTATIMIN E PËRFUNDIMIT TË MANDATIT TË ANËTARIT TË BORDIT DREJTUES TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 8, pika 2, shkronja “b” dhe 9, pika 2, shkronja “ç”, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, si dhe të pikës 2, të kreut III, të vendimit nr.276, datë 16.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e mënyrës së organizimit, strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Konstatimin e përfundimit të mandatit të z. Elton Haxhi si anëtar i Bordit Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

AKT NORMATIV
PËR

MIRATIMIN E TEKSTIT TË MARRËVESHJES PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN NGA DHE NDËRMJET PFIZER OVERSEAS LLC DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Miratimi i tekstit të marrëveshjes

1. Miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

2. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Overseas LLC, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në “Fletoren zyrtare”.

3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për këtë marrëveshje, sipas kushteve të tekstit të saj, bashkëlidhur këtij akti normativ.

Neni 2
Efektet financiare

Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.

Neni 3
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT TË NËNSHKRUAR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE E MINISTRI I SHTETIT PËR RINDËRTIMIN, DHE KORPORATËS “ORACLE”, PËR DHURIMIN E SË DREJTËS PËR TË AKSESUAR DHE PËRDORUR SISTEMIN ELEKTRONIK “ORACLE” TË MENAXHIMIT SHËNDETËSOR PËR COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ministri i Shtetit për Rindërtimin, dhe korporatës “Oracle”, për dhurimin e së drejtës për të aksesuar dhe përdorur sistemin elektronik “Oracle” të menaxhimit shëndetësor për Covid-19, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KRYERJEN E PAGESËS SË DOZAVE TË VAKSINAVE, QË RRJEDH NGA MARRËVESHJA, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN E INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, DHE DISTRIBUTORIT TË AUTORIZUAR “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET”, A.Ş

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kryerjen nga Instituti i Shëndetit Publik të pagesës së dozave të vaksinave anticovid-19, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik, dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.Ş, të miratuar me aktin normativ nr.22, datë 21.5.2021, të Këshillit të Ministrave.

2. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, për Institutin e Shëndetit Publik, në llogarinë ekonomike 6050000 (Produkti 91305AH) të programit të shëndetit publik (07450), i shtohet ekuivalenti në lekë (sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën e pagesës) i shumës 10 000 000 (dhjetë milionë) USD, të pagesës së dozave të vaksinave anticovid-19, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik, dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, A.Ş, të miratuar me aktin normativ nr.22, datë 21.5.2021, të Këshillit të Ministrave.

3. Fondi, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR DHËNIEN DHE KOHËZGJATJEN E PUSHIMEVE PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 22, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. KRITERET PËR DHËNIEN DHE KOHËZGJATJA E PUSHIMEVE TË PAGUARA

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, përveç së drejtës për pushime javore dhe vjetore të paguara, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për Policinë e Burgjeve, gëzon të drejtën e pushimit të paguar, si më poshtë vijon:

a) Për lidhjen e martesës, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;
b) Për lindjen e fëmijës, bashkëshorti ose bashkëjetuesi që është punonjës i Policisë së Burgjeve, një kohëzgjatje prej 3 (tre) ditësh;
c) Për sëmundjen e rëndë ose vdekjen e bashkëshortit/bashkëshortes, bashkëjetuesit/bashkëjetueses, prindërve apo fëmijëve të tij, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;
ç) Për pësimin e dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore, për një kohëzgjatje prej 3 (tri) ditësh;
d) Për ndërrimin e banesës, për një kohëzgjatje prej 3 (tri) ditësh;
dh) Për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm për shkak të detyrës, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;
e) Për përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve akademikë për punën që kryen, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh.

2. Për përfitimin e pushimin e paguar, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve paraqet në njësinë e burimeve njerëzore në institucionin ku është i punësuar, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim;
b) Sipas rastit, dokumentin që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje të paguar sipas këtij vendimi, si:

i. në rastet e përcaktuara nga shkronja “a”, e pikës 1, të këtij kreu, certifikatën e lidhjes së martesës;
ii. në rastet e përcaktuara nga shkronja “b”, e pikës 1, të këtij kreu, certifikatën e lindjes së fëmijës;
iii. në rastet e përcaktuara nga shkronja “c”, e pikës 1, të këtij kreu, raportin mjekësor ose certifikatën e vdekjes;
iv. në rastet e përcaktuara nga shkronja “ç”, e pikës 1, të këtij kreu, vërtetimin nga autoriteti shtetëror përgjegjës që prona, shëndeti ose pasuria e punonjësit të Policisë së Burgjeve është dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore;
v. në rastet e përcaktuara nga shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij kreu, dokumentin që provon shitjen ose transferimin e pronësisë/posedimit mbi banesën e mëparshme dhe fitimin e titullit të pronësisë ose të posedimit mbi një banesë të re, si dhe vërtetimin nga njësia e qeverisjes vendore për banimin në banesën e re;
vi. në rastet e përcaktuara nga shkronja “e”, e pikës 1, të këtij kreu, vërtetimin nga institucioni i arsimit të lartë për regjistrimin e punonjësit të Policisë së Burgjeve në programin nëpërmjet të cilit fitohet titulli akademik;
vii. dhe çdo dokument tjetër të ngjashëm që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje të paguar sipas këtij vendimi.

2. Në rastet kur pushimet e paguara përfitohen për shkaqet e parashikuara nga shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve është i detyruar të njoftojë eprorin e drejtpërdrejtë, si dhe njësinë e burimeve njerëzore përpara fillimit të lejes së paguar e të paraqesë dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, jo më vonë se dita e parë e kthimit në punë.

II. KRITERET PËR DHËNIEN DHE KOHËZGJATJA E LEJES PA TË DREJTË PAGE

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë që të kërkojë leje pa të drejtë page për:
a) arsye shëndetësore ose personale; si dhe
b) përkujdesjen ndaj fëmijëve, bashkëshortit/ bashkëshortes ose prindërve.

2. Punonjësi i Policisë së Burgjeve mund të përfitojë leje pa të drejtë page, sipas pikës 1, të këtij kreu, pas shqyrtimit të kërkesës nga organi përgjegjës, sipas përcaktimit të pikave 6 e 7, të këtij kreu, si dhe pasi është vlerësuar çdo faktor i rëndësishëm, veçanërisht shkaku për të cilin kërkohet leja, kohëzgjatja e saj, planifikimet e lejeve të zakonshme për të gjithë punonjësit e Policisë së Burgjeve në institucion, numri i vendeve vakante, si dhe nevoja për të garantuar rendin e sigurinë në institucion.

3. Për përfitimin e lejes pa të drejtë page, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i Policisë së Burgjeve paraqet në njësinë e burimeve njerëzore në institucionin ku është i punësuar, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së parashikuar të fillimit të lejes pa të drejtë page, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim;
b) Sipas rastit, dokumentin që provon shkakun ose rrethanën për të cilën i lind e drejta për të përfituar leje pa të drejtë page sipas këtij vendimi.

4. Në raste të veçanta, kur leja pa të drejtë page kërkohet për shkaqe që nuk mund të parashikoheshin, punonjësi i Policisë së Burgjeve mund të kërkojë të fillojë lejen jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës.

5. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik nuk mund të jetë më e gjatë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike.

6. Kërkesa, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij kreu, shqyrtohet nga drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga data e paraqitjes së saj. Drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, me vendim të arsyetuar, miraton ose refuzon kërkesën për marrjen e lejes pa të drejtë page. Në rastet kur drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale refuzon kërkesën për marrjen e lejes pa të drejtë page, punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë të paraqesë ankim me shkrim, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së njoftimit, pranë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i cili e shqyrton ankimin dhe merr një vendim të arsyetuar brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga data e marrjes së ankimit. Ndaj vendimit për refuzimin e ankimit mund të paraqitet kërkesëpadi në gjykatën administrative kompetente, sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

7. Në rastet kur leja e papaguar kërkohet nga drejtuesi i Policisë së Burgjeve, kërkesa paraqitet pranë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe, në rast se kërkesa refuzohet, ankimi, sipas rregullave të përcaktuara në pikën 6, të këtij kreu, paraqitet pranë ministrit të Drejtësisë.

8. Periudha e lejes pa të drejtë page nuk llogaritet për efekt të ecurisë në gradë.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Pushimet e paguara, lejet pa të drejtë page dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të punonjësit.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e raportit për ndihmat shtetërore të vitit 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT TË TRETË PERIODIK KOMBËTAR MBI ZBATIMIN E KONVENTËS KUNDËR TORTURËS DHE VUAJTJEVE TË TJERA OSE TRAJTIMIT MIZOR, JONJERËZOR A DEGRADUES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe të pikës 1, të nenit 19, të Konventës kundër Torturës dhe Vuajtjeve të tjera ose Trajtimit Mizor, Jonjerëzor a Degradues, të OKB-së, aderuar me ligjin nr.7727, datë 30.6.1993, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e raportit të tretë periodik kombëtar mbi zbatimin e Konventës kundër Torturës dhe Vuajtjeve të tjera ose Trajtimit Mizor, Jonjerëzor a Degradues, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË GARANCISË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), PËR MARRËVESHJEN E HUAS, NDËRMJET AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR LINJËN E KREDISË PËR AGJENCINË E SIGURIMIT TË DEPOZITAVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për linjën e kredisë për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SHISHET ENËMATËSE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 36, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores për shishet enëmatëse, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shfuqizimin e vendimit nr.1161, datë 13.8.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për shishet enëmatëse”.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.129, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” e “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.129, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.130, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.130, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ITINERARE KËMBËSORËSH ME PISTË VRAPIMI DHE BIÇIKLETASH NË PARKUN E LIQENIT ARTIFICIAL”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Itinerare këmbësorësh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit Artificial”, Tiranë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë 124 169 229 (njëqind e njëzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e nëntë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 124 169 229 (njëqind e njëzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “SHTESË E IMPIANTIT TË PËRPUNIMIT TË UJIT TË PIJSHËM BOVILLË ME 1 800 L/SEK, NË FAZËN E DYTË TË ZBATIMIT ME 1 200 L/SEK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Shtesë e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1 800 l/sek, në fazën e dytë të zbatimit me 1 200 l/sek”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

3. Pronarët të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 11 056 007.60 (njëmbëdhjetë milionë e pesëdhjetë e gjashtë mijë e shtatë pikë gjashtëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 11 056 007.60 (njëmbëdhjetë milionë e pesëdhjetë e gjashtë mijë e shtatë pikë gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2021 të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2021 të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

8. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, sh.a.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I OBJEKTIT “PËR NDËRTIM, PËRMIRËSIM, SHFRYTËZIM, MIRËMBAJTJE TË AUTOSTRADËS “MILOT – MORINË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i objektit “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të autostradës “Milot – Morinë””.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 440 031 (një milion e katërqind e dyzet mijë e tridhjetë e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 440 031 (një milion e katërqind e dyzet mijë e tridhjetë e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kukës, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM I RRUGËS ALLAMANI, FUSHË-KRUJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i rrugës “Allamani”, Fushë-Krujë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Krujë.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 918 241 (nëntëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 918 241 (nëntëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar i Bashkisë Krujë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2021.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Krujë.

8. Bashkia Krujë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Krujë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Krujë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Krujë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Krujë për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Krujë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E RRUGËS PORTI I JAHTEVE – BYPASS ORIKUM – DUKAT (URA E SHËN ELIZËS)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve – By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 3 858 048 (tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyzet e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 858 048 (tre milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyzet e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2021 i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.