Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Tetor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Tetor 2021:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Enkelejda Muçaj emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 561 411 457 (pesëqind e gjashtëdhjetë e një milionë e katërqind e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në Bashkinë Durrës.

2. Fondi i rindërtimit për financimin e riforcimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, për vitin 2021, të jetë në masën 112 282 291 (njëqind e dymbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e një) lekë.

3. Efekti financiar, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe t’i kalojë Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka si mision hartimin e zbatimin e politikave në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, veterinarisë, ushqimit dhe sigurisë ushqimore, peshkimit, akuakulturës, pyjeve drufrutorë.

3. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:

a) Harton e zbaton politikat shtetërore për çështjet e bujqësisë, zhvillimit rural, veterinarisë, ushqimit dhe sigurisë ushqimore, peshkimit, akuakulturës, pyjeve drufrutorë;
b) Harton e propozon miratimin e projektakteve për përafrimin e legjislacionit në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, ushqimit dhe sigurisë ushqimore, veterinarisë, peshkimit dhe akuakulturës me normat e kërkesat e Bashkimit Evropian, miraton projektaktet që janë pjesë e fushës së përgjegjësisë, si dhe vlerëson nevojat e planifikon fondet e nevojshme për zbatimin e tyre;
c) Harton e zbaton politikat orientuese, mbështetëse dhe nxitëse për prodhimin bujqësor e blegtoral, si dhe kujdeset për zhvillimin e koordinuar të bujqësisë;
ç) Ndjek përgatitjen e strukturave të saj për menaxhimin e decentralizuar të fondeve të Komisionit Evropian për zhvillimin rural, harton e zbaton programin IPARD, në përputhje me aktet rregullatore të Bashkimit Evropian;
d) Zbaton mbështetjen financiare të qeverisë për fermerët, agrobizneset dhe peshkatarët, bazuar në politikat e programit të qeverisë për mbështetjen e tyre;
dh) Harton e zbaton politika për miradministrimin e tokës bujqësore, si dhe mbrojtjen e tokës nga proceset natyrore dhe faktorët e tjerë që mund ta dëmtojnë atë;
e) Harton e zbaton politika për menaxhimin e qëndrueshëm të sistemeve të ujitjes dhe të kullimit, si dhe merr masa të përshtatshme për mbrojtjen e tokave nga përmbytjet;
ë) Harton e zbaton politikat për ushqimin, sigurinë ushqimore, cilësinë e produkteve ushqimore, duke përfshirë gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;
f) Harton e zbaton politikat në fushën e veterinarisë, për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, epidemiologjinë, identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve dhe lëvizjet e tyre, me qëllim garantimin e shëndetit publik veterinar;
g) Harton e zbaton politikat në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe luftimit të dëmtuesve;
gj) Bashkëpunon me organet e vetëqeverisjes vendore për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe të kullotave;
h) Harton e zbaton politikat shtetërore për peshkimin dhe akuakulturën në Shqipëri dhe menaxhimin e burimeve peshkore;
i) Harton e zbaton politikat e zhvillimit rural, agroturizmit, standardet e cilësisë, produktet organike, si dhe cilësinë e jetës në fshat dhe të zhvillimit rural;
j) Kujdeset për ngritjen e funksionimin e shërbimit këshillimor publik në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, si dhe nxit shërbimet digjitale dhe inovacionin në bujqësi, duke bashkëpunuar me universitetet bujqësore;
k) Harton e zbaton politikat për marketingun agrar dhe agropërpunues. Përgatit strategji dhe projekte, duke bashkëpunuar edhe me organizma ndërkombëtarë për analizimin e zhvillimin e shkëmbimeve tregtare dhe sidomos për rritjen e eksportit të produkteve shqiptare;
l) Harton regjistrin e fermerëve.

4. Vendimi nr.512, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË DREJTËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Drejtësisë është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së drejtësisë, në kërkim të respektimit të Kushtetutës, të ligjeve, realizimit dhe mbrojtjes së dinjitetit, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe kontribuon në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik e të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.

3. Fushat e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe kompetencat për realizimin e tyre parashikohen në nenet 5 dhe 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar.

4. Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe ushtron çdo përgjegjësi tjetër shtetërore që i ngarkohet me ligj ose akte të Këshillit të Ministrave.

5. Vendimi nr.506, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë”, shfuqizohet.

6. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË KULTURËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Kulturës, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Kulturës, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe me programin e Këshillit të Ministrave, ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Hartimin, programimin dhe zhvillimin e politikave kombëtare të kulturës, trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, të rritjes së tolerancës fetare e të dialogut kulturor dhe integrimit kulturor në familjen evropiane e botërore, në përputhje me programin e qeverisë së Republikës së Shqipërisë;
b) Hartimin dhe bashkërendimin e punës për politikat në fushën e artit e të kulturës, nëpërmjet edukimit të popullsisë, rijetësimit të vlerave e të trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve, publike dhe private, në këta sektorë, monitorimit të mënyrës së përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, edukimit në kulturë, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe vijimësisë së traditës së harmonisë fetare në kulturën shqiptare, si dhe të bashkëpunimit rajonal;
c) Hartimin e politikave mbrojtëse dhe promovuese për trashëgiminë kulturore, materiale ose shpirtërore, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme ligjore e mbështetëse për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës së shkruar, për krijimtarinë artistike në përgjithësi, si dhe për të promovuar arritjet e kulturës shqiptare e për të rritur konkurrencën e produktit shqiptar kulturor përtej kufijve;
ç) Hartimin e politikave për ekzistencën e Shqipërisë si një partner aktiv në organizatat ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, në fushën e artit e të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet aderimit në institucionet përkatëse;
d) Udhëheqjen, programimin dhe mbështetjen e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e tendencave kulturore, artistike e letrare brenda vendit, si dhe përfshirjen e ballafaqimit të vlerave më të mira kombëtare me ato rajonale, si ato të trashëguara edhe ato bashkëkohore, dhe krijimin e një hapësire dialogu mbarëshqiptar e të diversitetit kulturor;
dh) Realizimin e regjistrimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të respektimit të të drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera të lidhura me to nga subjektet, personat fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike e shkencore;
e) Zhvillimin e politikave për nxitjen e investimeve për pasuritë kulturore, sigurimin e mbështetjes financiare nëpërmjet Fondit Kombëtar të Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore, qendrat art & zeje në shkolla, si dhe formimit në vazhdim për të licencuarit në pasuritë kulturore materiale.

3. Vendimi nr.507, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Kulturës”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR MBROJTJEN E SIPËRMARRJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Misioni i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është të ndihmojë dhe të mbrojë sipërmarrjen private, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes, nëpërmjet krijimit të një klime dhe mjedisi mbështetës për sipërmarrjen.

3. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Shqyrton, ndjek dhe trajton ankesat administrative të sipërmarrjeve private, përfshirë ato të investitorëve strategjikë dhe/ose të huaj, kundrejt institucioneve publike, të cilat përfshijnë institucionet publike të pushtetit qendror, vendor, shoqërive publike si dhe të zyrtarëve të tyre;
b) Promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe asiston sipërmarrjen në mbrojtjen e të drejtave të tyre ligjore të lidhura me aktivitetet e tyre sipërmarrëse, kundrejt institucioneve publike;
c) Ndërmjetëson komunikimin e sipërmarrjes me institucionet publike për zbatimin e kontratave, si dhe zhvillon mekanizma të zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve midis tyre;
ç) Inkurajon zhvillimin e partneritetit dhe të komunikimit ndërjmet institucioneve publike dhe sipërmarrjeve, si dhe organizatave përfaqësuese të tyre;
d) Identifikon pengesat e biznesit në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe formulon strategjitë e ndërhyrjes për reduktimin e barrierave administrative.
dh)Angazhohet në monitorimin e indikatorëve sasiorë dhe cilësorë të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen;
e) Propozon mekanizma institucionalë/ndërinstitucionalë në funksion të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen.

4. Me qëllim realizimin e veprimtarisë si më sipër, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes:

a) përpunon dhe propozon përmirësimet e nevojshme funksionale, për platformën elektronike të ndërveprimit me sipërmarrjen për komunikimin dhe gjurmimin e ankesave të tyre, si dhe për regjistrin e komunikimit të brendshëm të trajtimit të ankesave, përmes të cilit monitoron procesin ndërinstitucional dhe i raporton Kryeministrit çdo fillim muaji;
b) krijon rregulloren e procedurës së brendshme, e cila detajon procedurën e:

i. regjistrimit dhe të pranimit të ankesave, sipas kritereve të përcaktuara në rregullore;
ii. komunikimit dhe të investigimit të çështjeve të pranuara me institucionet e lidhura publike;
iii. mbledhjes së evidencave dhe të informacionit të nevojshëm nga institucione të pushtetit qendror, vendor, shoqërive publike dhe/ose personave të tretë;
iv. komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe të sipërmarrjes që ka kryer ankimimin;
v. raportimit dhe publikimit të statusit të ankesave të trajtuara.

5. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes trajton të gjitha çështjet, përveç çështjeve, për të cilat është hapur një proces gjyqësor dhe/ose ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

6. Vendimi nr.511, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Misioni i Ministrisë së Mbrojtjes është hartimi dhe zbatimi i politikave të përgjithshme shtetërore të sigurisë së pavarësisë dhe të mbrojtjes së tërësisë territoriale të vendit, si dhe rendit të tij kushtetues, në përputhje me Kushtetutën, Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, Strategjinë Ushtarake, Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

3. Fusha e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe kompetencat për realizimin e saj parashikohen në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e drejtimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Ministria e Mbrojtjes planifikon e përballon emergjencat civile dhe vendos bazën juridike e administrative për rregullimin e marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes e kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

5. Vendimi nr.501, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes”, i ndryshuar, shfuqizohet.

6. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për zbatimin e politikës së punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në çështjet e punëve të brendshme.

3. Ministria e Brendshme ushtron veprimtarinë e saj, në përputhje me legjislacionin përkatës, kryesisht, por jo vetëm, në fushat e përgjegjësisë shtetërore të:

a) rendit dhe sigurisë publike;
b) luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore;
c) menaxhimit të integruar të kufirit dhe migracionit;
ç) azilit dhe shtetësisë;
d) antiterrorit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
dh) administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi;
e) veprimtarisë së prefektit të qarkut;
ë) bashkërendimit me njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
f) shërbimeve të gjendjes civile;
g) hartimit të politikave, koordinimit dhe mbikëqyrjes së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri;
gj) veprimtarisë së organit qendror blerës, me autorizim të Këshillit të Ministrave;
h) parandalimit, mbrojtjes, mbikëqyrjes dhe kontrollit/inspektimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës/territorit, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotje, dëmtime apo ndërhyrje të kundërligjshme të çfarëdo lloji.

4. Vendimi nr.502, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme”, i ndryshuar, shfuqizohet.

5. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka për mision hartimin e zbatimin e politikave dhe të strategjive të zhvillimit në sektorin e kujdesit shëndetësor, është përgjegjëse për rregullimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor e për bashkërendimin e punës ndërmjet të gjithë aktorëve, brenda dhe jashtë sistemit të kujdesit shëndetësor, të cilët kontribuojnë dhe synojnë të garantojnë të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 55, të Kushtetutës. Ajo ka si mision, gjithashtu, garantimin e të drejtave kushtetuese për mbrojtje e përfshirje sociale dhe përkujdesje sociale e shanse të barabarta.

3. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në përputhje me legjislacionin përkatës, ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Zhvillimin e politikave e të strategjive shtetërore në fushën e shërbimeve të kujdesit shëndetësor;
b) Zhvillimin e monitorimin e politikave të legjislacionit, të programeve dhe të veprimtarive, që lidhen me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor e me treguesit shëndetësorë të popullatës;
c) Zhvillimin e strategjive dhe të politikave që synojnë përmirësimin gradual të performancës së të gjithë ofruesve të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nëpërmjet sistemit të akreditimit;
ç) Zhvillimin e politikave dhe të programeve kombëtare, që synojnë mbrojtjen e promovimin e shëndetit, si dhe parandalimin, diagnostikimin e trajtimin e sëmundjeve në popullatë;
d) Hartimin e përditësimin e të gjitha protokolleve të mjekimit sipas praktikave bashkëkohore;
dh) Zhvillimin e politikave që synojnë mbrojtjen, promovimin, integrimin e përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies sociale të individëve, të familjeve dhe të komuniteteve në nevojë;
e) Zhvillimin e politikave për adresimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore, të abuzimit ndaj fëmijëve, grave dhe grupeve të tjera, barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, mosdiskriminimin për shkak të orientimit seksual, aftësisë së kufizuar, etnisë dhe minoritetit;
ë) Zhvillimin e politikave dhe të modeleve për ndihmën e shërbimet shoqërore alternative për individët e grupet në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike;
f) Nxitjen e zhvillimin e dialogut social, në kuadrin e partneritetit, me qëllim harmonizimin e interesave të palëve për minimizimin e konflikteve sociale;
g) Marrjen e masave e ndjekjen e çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin në jetën e shoqërisë shqiptare të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist.

4. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është përgjegjëse për hartimin e strategjive, sektoriale dhe ndërsektoriale, që përfshijnë fushat e përgjegjësisë shtetërore të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi.

5. Vendimi nr.508, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, shfuqizohet.

6. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ LETËRMARRЁVESHJES, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO) TË QEVERISË ZVICERANE, NËN FONDIN E BESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FUQIZIMIN E KONTABILITETIT DHE MJEDISIT TË MIRËBESIMIT NË EVROPËN JUGORE DHE AZINË QENDRORE, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË KONTABILITETIT NË SEKTORIN PUBLIK, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.251, DATË 9.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, tё letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) të qeverisë zvicerane, nën Fondin e Besimit me Shumë Donatorë, për fuqizimin e kontabilitetit dhe mjedisit të mirëbesimit në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, për projektin e zhvillimit të kontabilitetit në sektorin publik, miratuar me vendimin nr.251, datë 9.5.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, TË PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, PËR OFRIMIN E ASISTENCËS TEKNIKE DHE FINANCIARE NË KUADRIN E “PROJEKTIT TË BASHKIVE ME ENERGJI INTELIGJENTE (SEMP)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, për ofrimin e asistencës teknike dhe financiare në kuadrin e “Projektit të bashkive me energji inteligjente (SEMP)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.212, datë 11.3.2020 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, shifra “… 9 531 941 818 (nëntë miliardë e pesëqind e tridhjetë e një milionë e nëntëqind e dyzet e një mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “…10 459 484 196 (dhjetë miliardë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e tetëdhjetë e katër mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH …”.

2. Në nënndarjen “ii”, të pikës 1, shifra “… 5 184 188 593 (pesë miliardë e njëqind e tetëdhjetë e katër milionë e njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë …” zëvendësohet me “… 6 111 730 971 (gjashtë miliardë e njëqind e njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e tridhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e një) lekë …”.

3. Në pikën 2.1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Shifra “… 3 928 793 173 (tre miliardë e nëntëqind e njëzet e tetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë …” zëvendësohet me “… 4 539 106 464 (katër miliardë e pesëqind e tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e gjashtë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë …”.

b) Në fund të pikës 2.1 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Efekti financiar shtesë për vitin 2021 do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.”.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1151, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2021 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.1151, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 2605 veta.

2. Në lidhjen nr.1, përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhet shtesa e mëposhtme:

a) Në ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, shtohet nënndarja përkatëse, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Fjalia e fundit, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Përjashtim bëjnë specialistët e aparatit të Kryeministrisë, të cilët paguhen në kategorinë e pagës së nivelit III-b dhe specialistët e Shërbimit Social Shtetëror, të cilët paguhen me IV-a”.

II. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të depozitojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TREGUESIT STATISTIKORË TË VLERËSIMIT E TË MONITORIMIT TË PROGRAMEVE TË NDIHMËS EKONOMIKE, TË PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA DHE SHËRBIMEVE SHOQËRORE, SI EDHE PERIODICITETIN E MBLEDHJES SË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Vlerësimi dhe monitorimi i programeve të ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbimeve shoqërore realizohen në nivel vendor e kombëtar e kanë për qëllim:

a) monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të objektivave, të masave dhe të veprimeve, në zbatim të legjislacionit, strategjive dhe programeve të ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, rezidenciale apo komunitare, të ofruara nga persona juridikë, publikë e privatë;
b) vlerësimin e efektivitetit të përdorimit të fondeve, në zbatim të politikave dhe të programeve të mbrojtjes shoqërore;
c) vlerësimin e ndikimit të politikave në uljen e varfërisë, shmangien e përjashtimit shoqëror dhe garantimin e mundësive të barabarta;
ç) hartimin e rekomandimeve dhe të politikave për mbështetjen e grupeve në nevojë.

2. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale dhe struktura në varësi të saj grumbullojnë dhe përpunojnë të dhëna statistikore, si dhe hartojnë raporte për:

a) përcaktimin e nevojave për shërbime të përkujdesjes shoqërore për grupet në nevojë të popullsisë;
b) përcaktimin e nevojave për mbështetje me pagesa dhe/ose shërbime të familjeve e individëve në nevojë;
c) përcaktimin e numrit dhe të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, që ofrohen nga personat juridikë, publikë dhe privatë, organizatat jofitimprurëse, që veprojnë në nivel qarku e bashkie;
ç) vlerësimin e nevojave për shërbime të reja të përkujdesjes shoqërore, në përputhje me kërkesat dhe burimet për ngritjen e tyre.

3. Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, çdo 2 (dy) muaj, brenda datës 15 të muajit pasardhës, dërgojnë të dhëna statistikore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror për numrin e familjeve/individëve, që aplikojnë për ndihmë ekonomike, për numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe për fondet e përdorura, sipas modularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Bashkitë, çdo 2 (dy) muaj, brenda datës 10 të muajit pasardhës, dërgojnë në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të dhëna statistikore për numrin e personave me aftësi të kufizuara, që mbështeten me pagesë, si dhe për fondet e përdorura, sipas modularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për bashkitë, në të cilat zbatohet vlerësimi biopsikosocial, të dhënat statistikore dërgohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror nga drejtoritë rajonale nën juridiksionin e të cilave janë këto bashki.

5. Bashkitë dhe qarqet, çdo 2 (dy) muaj, brenda datës 10 të muajit pasardhës, dërgojnë në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të dhëna statistikore për numrin e llojet e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, që ofrohen nga personat juridikë, publikë dhe privatë, nga organizatat jofitimprurëse, si dhe për nevojat për shërbime të reja të përkujdesjes shoqërore, sipas modularit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6. Personat juridikë, publikë e privatë dhe organizatat jofitimprurëse të licencuara, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, dërgojnë, çdo 2 (dy) muaj, brenda datës 10 të muajit pasardhës, në bashkinë/njësinë administrative, ku ofrojnë shërbimet e përkujdesjes shoqërore, si dhe në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të dhëna statistikore për shërbimet e përkujdesjes shoqërore të ofruara dhe numrin e përfituesve, sipas modularit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7. Drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror vlerëson, përpunon e standardizon të dhënat e grumbulluara sipas pikave 3, 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi, dhe ia dërgon, brenda datës 15 të muajit pasardhës, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.

8. Bashkitë, personat juridikë, publikë e privatë dhe organizatat jofitimprurëse, që ofrojnë shërbime të përkujdesjes shoqërore, u dërgojnë një kopje të raportit të të dhënave strukturave përgjegjëse për shërbimet e përkujdesjes shoqërore në qark.

9. Drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror lidh aktmarrëveshje me institucione të tjera për shkëmbimin e të dhënave statistikore periodike.

10. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, të dhënat e grumbulluara dhe të përpunuara në përputhje me standardet e përcaktuara me udhëzim të ministrit i dërgon në ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale dhe në Institutin e Statistikave.

11. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet sociale të nxjerrë udhëzim për mënyrën e paraqitjes së të dhënave statistikore për programin e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore.

12. Vendimi nr.617, datë 7.9.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e treguesve të vlerësimit dhe të monitorimit të programeve të ndihmës ekonomike, të pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe të shërbimeve shoqërore”, shfuqizohet.

13. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.