Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2021: 

 

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR STANDARDET E SHËRBIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës të përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, në bashkëunim me institucionet përgjegjëse harton, bashkërendon dhe zbaton politikat shtetërore që synojnë standarde të larta të shërbimeve publike, të ofruara për ushtrimin e të drejtave të qytetarëve dhe përmirësimin e jetesës, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike, sigurimin e cilësisë dhe përballueshmërisë së tyre.

3. Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat shtetërore dhe strategjitë për:

a) sigurimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve publike;
b) rritjen e cilësisë së shërbimeve në çdo sektor publik;
c) lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike;
ç) rritjen e efektivitetit të shërbimeve për të garantuar aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike.

4. Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve koordinon dhe monitoron hartimin e standardeve dhe bashkëpunimin midis institucioneve të administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike.
5. Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve koordinon dhe, rast pas rasti, udhëheq procesin e riinxhinerimit dhe derregullimit, me qëllim thjeshtimin, rritjen e efiçencës dhe të efikasitetit të shërbimeve publike të ofruara nga institucionet e administratës shtetërore.

6. Ngarkohet ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Arsimit dhe Sportit harton dhe zbaton politika që synojnë sigurimin e një sistemi arsimor cilësor, zhvillimin perspektiv të arsimit, respektimin e interesave të individit, të komunitetit e të shoqërisë dhe pajisjen me njohuritë e nevojshme për t’u përballur me kërkesat e ekonomisë së tregut, në përputhje me përparësitë kombëtare dhe evropiane; krijimin, transmetimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e dijeve me anë të mësimdhënies, kërkimit shkencor e shërbimeve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit harton dhe zbaton politikat për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, në mbështetje të politikave të zhvillimit të vendit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit harton, programon, zhvillon dhe bashkërendon punën për politikat kombëtare në fushën e sportit, harton politikat mbrojtëse dhe promovuese, si dhe krijon hapësirat e nevojshme për zhvillimin dhe përmirësimin e sportit shqiptar.

3. Ministria e Arsimit dhe Sportit ushtron veprimtarinë e saj, në përputhje me legjislacionin përkatës, kryesisht, por jo vetëm, në fushat e përgjegjësisë shtetërore, si dhe çdo fushë tjetër përgjegjësie që i ngarkohet, si më poshtë vijon:

a) Arsimi parauniversitar;
b) Arsimi i lartë;
c) Zhvillimi i sportit;
ç) Kërkimi shkencor.

4. Vendimi nr.505, datë 13.9.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, shfuqizohet.

5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RININË DHE FËMIJËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës të përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton dhe zbaton politika që synojnë mbrojtjen e të drejtave të të rinjve, garantimin e pjesëmarrjes të të rinjve në jetën sociale dhe koordinimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen, përkujdesjen, shëndetin, mirërritjen dhe miredukimin e fëmijëve.

3. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:

a) mbrojtjen e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse;
b) krijimin e kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve;
c) përcaktimin e funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor për çështjet e rinisë;
ç) bashkëpunimin me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë;
d) të rinjtë shqiptarë në diasporë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën;
dh) programet e shkëmbimit rinor ndërkombëtar.

4. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat për:

a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi;
b) parashikimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për të drejtat e fëmijës, mekanizmat efikasë, si dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e vendor dhe kompetencat e tyre në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
c) sigurimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesjen efektive për fëmijën;
ç) marrjen e masave për t’i siguruar fëmijës ushtrimin e të drejtave, në përputhje me zhvillimin e personalitetit, bazuar në interesin më të lartë të tij;
d) marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës;
dh) sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës;
e) parashikimin e mekanizmave efektivë dhe funksionimin e institucioneve të ngarkuara me marrjen e masave konkrete për promovimin, respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, si dhe për ngritjen e një sistemi të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.

5. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër.

2. Masa e kompensimit është 67 652 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e dy) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 610 250 492,4 (gjashtëqind e dhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e dy presje katër) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht nr.13, nr.21, nr.29, nr.31, nr.33, nr.39, nr.42, nr.43, nr.53, nr.54, nr.55, nr.57, nr.58, nr.59, nr.61, nr.66, nr.68, nr.69, nr.71, nr.72, nr.75, nr.205, nr.212, nr.215, nr.217, nr.233, nr.240, nr.241, nr.248, nr.256, nr.257, nr.265, nr.287, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KOSTOVE TË PËRLLOGARITURA PËR PYLLËZIM KOMPENSUES NË RASTET E NDRYSHIMIT TË DESTINACIONIT TË FONDIT PYJOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Subjektet përfituese, për të cilat është miratuar ndryshimi i destinacionit të fondit pyjor kombëtar, paguajnë paraprakisht kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues përkatës, si rezultat i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit pyjor, të lejuara nga ligji.

2. Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

a) “Ndryshim destinacioni”, tjetërsimi i kores së tokës pyjore.
b) “Kosto të përllogaritura”, shuma e të gjitha kostove materiale dhe kostove të sasive të punës së gjallë, duke përfshirë kostot për mirëmbajtjen dhe shërbimet kulturale të nevojshme, për të realizuar pyllëzimin e detyrueshëm të sipërfaqeve pyjore, të cilave u ndryshon destinacioni i përdorimit, në saje të një aktiviteti të miratuar paraprakisht dhe të lejuar nga ligji për pyjet.
c) “Lloje pyjore frutore”, drurët ose shkurret që formojnë masive pyjore (grumbuj) në gjendje natyrore (të egër), të tilla si gështenja, arra, lajthia, etj.
ç) “Shërbime kulturale”, shërbime të cilat kryhen në objektet e pyllëzuara artificialisht, të tilla si zëvendësimi i fidanëve të tharë, ujitja, prashitja, plehërimi dhe hijëzimi i fidanëve, për një periudhë kohore jo më pak se 3 (tre) vjet, duke përfshirë edhe mbrojtjen e objektit.
d) “Rehabilitim”, tërësia e masave që merren për rigjenerimin dhe kthimin në gjendjen natyrore të njëjtë ose të përafërt me atë të sipërfaqes pyjore të cenuar për shkak të ndryshimit të destinacionit.

3. Përllogaritja e kostove për sipërfaqet zëvendësuese ose kompensuese të rehabilitimit të fondit pyjor bëhet mbi bazën e:
a) trefishit të sipërfaqes që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi trungishte dhe cungishte;
b) barazimit me sipërfaqen që hiqet nga fondi pyjor, për pyjet me formë qeverimi shkurre, si dhe për sipërfaqet me bimësi pyjore.

4. Kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues për 1 ha (hektarë) janë, si më poshtë vijon:

a) 229 220 (dyqind e njëzet e nëntë mijë e dyqind e njëzet) lekë, për skemën e pyllëzimit 2 x 2;
b) 163 632 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë e dy) lekë, për skemën e pyllëzimit 3 x 2;
c) 119 780 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) lekë, për skemën e pyllëzimit 3 x 3;
ç) 100 686 (njëqind mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë, për skemën e pyllëzimit 4 x 3;
d) 83 655 (tetëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, për skemën e pyllëzimit 4 x 4;
dh) 107 160 (njëqind e shtatë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) lekë, për skemën e pyllëzimit 5 x 5 m (për llojet pyjore frutore);
e) 85 990 (tetëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekë, për skemën e pyllëzimit 6 x 6 (për llojet pyjore frutore).

5. Kostove sipas pikës 4, të këtij vendimi, u shtohen rast pas rasti edhe:

a) kostot e blerjes së fidanëve dhe të transportit të tyre, që i referohen vlerave të tregut në momentin e blerjes;
b) kostot e hartimit të projektit në masën 10% të vlerës së projektit, por jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
c) kostot e drejtuesit teknik të projektit në masën 10% të vlerës së projektit, por jo më pak se 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë.
ç) kostot e mbrojtjes së objektit.
6. Ngarkohen bashkitë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit ne “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Përfituesi), të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, me një grant në shumën 4 785 067.87 (katër milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë pikë tetëdhjetë e shtatë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, me një hua në shumën 20 000 000 (njëzet milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (PËRFITUESI) DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MASAT SHOQËRUESE PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Përfituesi) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për masat shoqëruese për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, me një grant në shumën 1 000 000 (një milion) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E BRENDSHME, DHE PROGRAMIT PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA DHE TË DOKUMENTIT TË BASHKËFINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PROGRAMIT PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Brendshme, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, dhe të dokumentit të bashkëfinancimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, NË LIDHJE ME NDËRTIMIN E SEKSIONIT QUKËS – QAFËPLLOÇË TË KORRIDORIT RRUGOR TIRANË – KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, në lidhje me ndërtimin e seksionit Qukës – Qafëplloçë të korridorit rrugor Tiranë – Korçë, të ratifikuar me ligjin nr.128/2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, shkronja “a”, pika 1, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. “Në pikën 2.1, shifra “…1 666 179 207 (një miliard e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH…” zëvendësohet me “… 4 666 179 207 (katër miliardë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH …” ;

2. “Në pikën 3.1 shifra “… 1 666 179 207 (një miliard e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “… 4 666 179 207 (katër miliardë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH …” ;

3. Efekti financiar do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETYRUAR VENDOR PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 DHE 8, ZONA “5 MAJI”, BASHKIA TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit, për zhvillimin e zonës së re në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Shpronësimi përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, për qëllim të rindërtimit.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen, përmes kompensimit me shkëmbim, sipas të dhënave që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.

4. Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, me një pasuri tjetër të paluajtshme të ardhshme në pronësi të shtetit do të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave individuale që do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.

5. Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

6. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë.

7. Bashkia Tiranë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit përmes kompensimit me shkëmbim ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, në regjistrat e pasurive të paluajtshme bëhet regjistrimi i barrës ligjore sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari privat ka pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të Bashkisë Tiranë dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

8. Bashkia Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi, si edhe referuar aktmarrëveshjeve të lidhura nëse ka.

9. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.

11. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM RRUGA PORTO ROMANO – DURRËS, LOTI 3”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Porto Romano – Durrës, loti 3”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Tokë arë” dhe “truall” me vlerë të përgjithshme prej 27 694 048 (njëzet e shtatë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e dyzet e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 27 694 048 (njëzet e shtatë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e dyzet e tetë) lekësh, të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Durrës, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, QYTETI ÇOROVODË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike, qyteti Çorovodë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 030 000 (dy milionë e tridhjetë mijë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 030 000 (dy milionë e tridhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Skrapar.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Bashkia Skrapar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Skrapar.

8. Bashkia Skrapar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Skrapar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Skrapar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Skrapar.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Skrapar, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.687, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR MBAJTJEN, PËRDITËSIMIN DHE PUBLIKIMIN E STATISTIKAVE TË MBETJEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 60, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.687, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:

1. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore zbatojnë metodologjinë për grumbullimin, gjenerimin dhe përpunimin e të dhënave për menaxhimin e mbetjeve, sipas shtojcës 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për plotësimin e formatit të raportimit të statistikave vjetore të mbetjeve për mbetjet e krijuara në territorin e tyre, sipas përcaktimit të pikës 4, të këtij vendimi.”.

2. Pas shtojcës 3, bashkëlidhur vendimit, shtohet shtojca 4 “Metodologjia për grumbullimin dhe prodhimin e të dhënave për menaxhimin e mbetjeve”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ  

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.