Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Gusht 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Gusht 2020:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN E DY ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR TË PËRZGJEDHJES PËR TND-NË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Emërimin, si anëtarë të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në, të:

1. z. Aleksandër Xhuvani, për një mandat 5-vjeçar;
2. znj. Eglantina Zyka, për një mandat 5-vjeçar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 3, të indeksit A, në kreun II, të vendimit nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, hiqet fjalia: “… Për të huajt që aplikojnë për vizë elektronike tipi C apo D, aplikohet një tarifë shtesë (fikse) për shërbimin, prej 20 eurosh, krahas tarifës së vizës së përcaktuar në aneksin nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij …”.

2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E SHTESËS SË MARRËVESHJES SË KONCESIONIT, NDËRMJET MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, SI AUTORITET KONTRAKTUES, DHE “ALBCHROME HOLDING”, SH.P.K., SI KONCESIONARI, PËR REHABILITIMIN, OPERIMIN DHE TRANSFERIMIN E MINIERËS SË KROMIT BULQIZË, TË FABRIKËS SË PASURIMIT BULQIZË, TË IMPIANTIT TË SELEKSIONIMIT KLOS DHE TË UZINËS SË FERROKROMIT BURREL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të nenit 11, të ligjit nr.79/2016, “Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit, nëpërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoriteti kontraktues, dhe ACR Holding S.r.l., si koncesionari, për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e minierës së kromit, Bulqizë, të fabrikës së pasurimit, Bulqizë, të impiantit të seleksionimit, Klos dhe të uzinës së ferrokromit, Burrel”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoritet kontraktues, dhe “Albchrome Holding”, sh.p.k., si koncesionari, për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e minierës së kromit Bulqizë, të fabrikës së pasurimit Bulqizë, të impiantit të seleksionimit Klos dhe të uzinës së ferrokromit Burrel, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM LETRASH, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, DHE PROGRAMIT PËR ZHVILLIM TË KOMBEVE TË BASHKUARA, PËR RIMBURSIMIN E TVSH-SË PËR 31 RESPIRATORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim letrash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, për rimbursimin e TVSH-së për 31 respiratorë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT TË RISTRUKTURIMIT DHE FUQIZIMIT TË SISTEMIT ELEKTRIK SHQIPTAR PËR INTEGRIMIN NË SISTEMIN BALLKANIK, FUQIZIMI I KAPACITETIT TË TRANSMETIMIT DHE PËRMIRËSIMIT TË KONTROLLIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9612, DATË 21.9.2006

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit të ristrukturimit dhe fuqizimit të sistemit elektrik shqiptar për integrimin në sistemin ballkanik, fuqizimi i kapacitetit të transmetimit dhe përmirësimit të kontrollit, ratifikuar me ligjin nr.9612, datë 21.9.2006, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.345, DATË 4.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS TRANSBALLKANIKE VLORË, FAZA II”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.345, datë 4.5.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 339 990 952.54 (treqind e tridhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë pesëdhjetë e katër) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 339 990 952.54 (treqind e tridhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë pesëdhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

2. Vendimi nr.365, datë 29.5.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.345, datë 4.5.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës transballkanike Vlorë, Faza II””, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E KULTURËS, TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL DHE TË DISA OBJEKTEVE, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.98, ME EMËRTIM “GRUP DEPO (ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011)”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Kulturës, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe të disa objekteve, me sipërfaqe të përgjithshme prej 2 488 (dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë) m², nga trualli funksional i pronës nr.98, me emërtim “Grup Depo (Ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për magazinimin e dekoreve dhe skenografisë së institucionit në varësi të saj, për Teatrin e Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqen trualli funksional dhe objektet, sipas planrilevimit, me sipërfaqe të përgjithshme prej 2 488 (dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë) m², nga trualli funksional i pronës nr.98, me emërtim “Grup Depo (Ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Ministrisë së Kulturës.

3. Ministrisë së Kulturës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të objekteve dhe sipërfaqes së pronës nr.98, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.

4. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronës, para fillimit të punimeve, Ministria e Kulturës të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës dhe çdo element që lidhet me rrethimin, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e sipërfaqes së pronës e cila i kalon në përgjegjësi administrimi, sipas parametrave dhe kushteve teknike dhe për këtë të hartohet aktmarrëveshje ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të përfaqësuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Komanda Mbështetëse.

5. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronës nr.98, me emërtim “Grup Depo (Ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin standard të inventarizimit dhe në planrilevimin që i bashkëlidhen këtij vendimi.

6. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Kulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2019 PËR PROJEKTIN “PËR NJË TRANSPORT PUBLIK UDHËTARËSH MIQËSOR ME MJEDISIN NË METROPOLIN E TIRANËS (DKTI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2019 për projektin “Për një transport publik udhëtarësh miqësor me mjedisin në metropolin e Tiranës (DKTI)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM I ISH-PARKUT KUÇOVË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim i ish-Parkut Kuçovë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Kuçovë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 52 609 731 (pesëdhjetë e dy milionë e gjashtëqind e nëntë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 52 609 731 (pesëdhjetë e dy milionë e gjashtëqind e nëntë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Kuçovë.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kuçovë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Kuçovë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Kuçovë.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kuçovë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Kuçovë.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kuçovë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kuçovë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E SHTATË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e shtatë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Në pjesën e shtatë të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit e të shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:

a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzuesi teknik G 403, mars 2013, “Mbështetja e vendimit për mirëmbajtjen e rrjeteve të shpërndarjes së gazit”;
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave G 412, tetor 2010 “Mbrojtja katodike nga korrozioni (MKK) i rrjeteve dhe linjave të shpërndarjes së gazit nën tokë”;
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave G 414, dhjetor 2008 “Linjat e gazit mbi tokë”;
ç) Rregullat teknike për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave G 459-1, qershor 2019 “Linjat e shërbimit të gazit për presione operimi deri në dhe përfshi 5 bar”;
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave G 1020, janar 2010 “Sigurimi i cilësisë për planifikimin, ndërtimin, modifikimin, mirëmbajtjen dhe operimin e instalimeve të gazit”;
dh) Rregullat teknike për industrinë e gazit, rregullorja e lidhjes në rrjet me presion të ulët, nëntor 2006 “Rregullore në lidhje me kushtet e përgjithshme për lidhjen në rrjet dhe përdorimin e tij për furnizimin me gaz me presion të ulët (RrLPU)”;
e) Rregullat teknike për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave GË 315, dhjetor 2019 “Masat për mbrojtjen e impianteve të furnizimit gjatë punimeve ndërtuese”;
ë) Udhëzuesi teknik për industrinë e gazit, Kodi i Praktikave G 686, korrik 2013 “Përcaktimi i sasisë në pikat e ndërlidhjes së rrjetit ndërmjet operatorëve të rrjetit”.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ LETËRMARRЁVESHJES, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË SIGURUARA NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO) TË QEVERISË ZVICERANE, NËN FONDIN E BESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FUQIZIMIN E KONTABILITETIT DHE TË MJEDISIT TË MIRËBESIMIT NË EVROPËN JUGORE DHE AZINË QENDRORE, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË KONTABILITETIT NË SEKTORIN PUBLIK, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.251, DATË 9.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash tё letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të siguruara nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) të qeverisë zvicerane, nën Fondin e Besimit me Shumë Donatorë, për fuqizimin e kontabilitetit dhe të mjedisit të mirëbesimit në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, për projektin e zhvillimit të kontabilitetit në sektorin publik, miratuar me vendimin nr.251, datë 9.5.2018, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E FORMËS, TË PËRMBAJTJES DHE TË ELEMENTEVE TË SIGURISË SË VIZËS ELEKTRONIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 22, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e formës, të përmbajtjes dhe të elementeve të sigurisë së vizës elektronike, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.