Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Maj 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Maj 2020:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE STRATEGJIKE dhe TË Planit KOMBËTAR PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE 2020-2035

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 21, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dokumentit të politikave strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.175, datë 17.1.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve dhe të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit  si dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në dokumentin e politikave strategjike dhe Planin Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË DHE SHKËMBIMIN E LEJEVE TË DREJTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROCEDURAT E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE NË MINISTRINË PËRGJEGJËSE PËR USHQIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 70/1, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

I. ORGANIZIMI DHE PËRBËRJA E KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE

1. Pranë ministrisë përgjegjëse pët ushqimin funksionon Komisioni për Shqyrtimin e Masave Administrative (këtu e në vijim KSHMA). KSHMA-ja shqyrton ankimet kundër masave administrative të marra nga inspektorët e institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, me vlerë të përgjithshme mbi 300 000 (treqind mijë) lekë.

2. KSHMA-ja përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të emëruar nga ministri përgjegjës për ushqimin, si më poshtë vijon:

a) Drejtori i drejtorisë së përgjithshme, përgjegjëse për sigurinë ushqimore – kryetar;
b) Një përfaqësues nga njësia përgjegjëse për sigurinë ushqimore në ministri – anëtar;
c) Një përfaqësues nga njësia përgjegjëse për zbatimin e akteve rregullatore në ministri – anëtar;
ç) Dy përfaqësues nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë – anëtarë.

3. Kryetari dhe anëtarët emërohen me afat 3-vjeçar.

4. Kryetari dhe anëtarët lirohen nga ministri kur:

a) largohen nga detyra për shkak të dorëheqjes, me masë displinore ose një arsye tjetër;
b) mungon për jo më pak se 3 (tre) mbledhje në vijimësi;
c) ka pamundësi shëndetësore dhe fizike, që e bëjnë të paaftë të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë;
ç) konstatohet se ka ushtruar vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore;
d) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) pezullohet nga detyra.

5. Në funksionimin e tij, KSHMA-ja mbështetet nga sekretariati teknik, i cili përbëhet nga punonjës të institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë.

II. DETYRAT E KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE DHE TË SEKRETARIATIT TEKNIK

1. Kryetari ushtron detyrat, si më poshtë vijon:

a) Cakton datën si dhe rendin e ditës së çdo mbledhjeje;
b) Cakton çështjet që merren në shqyrtim jashtë rendit të ditës, sipas kërkesës së arsyetuar të ankuesit;
c) Drejton zhvillimin e mbledhjeve të Komisionit;
ç) Organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit të Komisionit;
d) Raporton për ecurinë e veprimtarisë pranë ministrit;
dh) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij;
e) Nënshkruan vendimet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

2. Anëtarët kryejnë këto detyra:

a) Marrin pjesë rregullisht në mbledhje dhe, në rast mungese, njoftojnë kryetarin për mungesën dhe arsyen e mungesës;
b) Deklarojnë për kushtet e konfliktit të interesit ose për pengesa ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të shqyrtimit të ankesës përkatëse;
c) Ruajnë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;
ç) Nënshkruajnë procesverbalet e mbledhjes së Komisionit.

3. Sekretariati teknik i KSHMA-së kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Merr në dorëzim, nga sektori i arkivit në ministri ose nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, ankimet që janë objekt i shqyrtimit të Komisionit;
b) Njofton kryetarin e Komisionit për çdo ankimim të paraqitur;
c) Njofton anëtarët për datën dhe orën e mbledhjes, rendin e ditës, kopje të ankesave, sipas orientimeve të kryetarit;
ç) Njofton ankimuesin për ditën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes;
d) Relaton çështjet që janë për shqyrtim, mban dhe harton procesverbalin e mbledhjes, i cili përfshin dhe dispozitivin e vendimit për çdo ankim;
dh) Zbardh vendimin e arsyetuar të marrë në mbledhjen e Komisionit dhe ia njofton ankuesit dhe institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga nënshkrimi;
e) Dorëzon në arkiv-protokollin e ministrisë vendimin dhe kopjen origjinale të dosjes për çdo ankim dhe një kopje vendimi dhe një kopje të dosjes për çdo ankim, të njësuar me origjinalin, në institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, kopje të vendimit dhe dosjes së çdo ankimi.

4. Anëtarët e sekretariatit të KSHMA-së caktohen me urdhër të ministrit, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, nga njësia përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave.

5. Anëtarët e Komisionit dhe të sekretariatit janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e diskutimeve, të dokumenteve dhe çdo informacion që iu vihet në dispozicion, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe interesin tregtar të ankuesve.

III. PROCEDURA E ZHVILLIMIT TË MBLEDHJEVE

1. Komisioni mblidhet të paktën 1 (një) herë në muaj, me përjashtim të rasteve kur nuk ka kërkesa të paraqitura. Mbledhjet realizohen nëse në to janë të pranishëm 4 (katër) anëtarë të Komisionit. Kur ky numër nuk arrihet, mbledhja shtyhet dhe mbahet brenda 5 (pesë) ditëve. Komisioni merr në shqyrtim ankesat sipas radhës së paraqitjes së tyre.

2. Sekretaria njofton nëpërmjet postës elektronike anëtarët për datën, orën dhe agjendën paraprake të mbledhjes si dhe kopje të ankimeve që janë në rend dite, të paktën 5 (pesë) ditë para ditës së mbledhjes. Dokumentacioni i dosjes së çdo ankese tërhiqet nga anëtarët në sekretari.

3. Sekretariati i KSHMA-së njofton ankuesin të paktën 5 (pesë) ditë para datës së mbledhjes, i cili mund të paraqesë shpjegime shtesë ose prova të reja të cilat bëhen pjesë e ankimit të paraqitur.

4. Me kërkesën e ankuesit, kryetarit të Komisionit ose njërit prej anëtarëve, në mbledhje paraqitet inspektori ose grupi i inspektorëve që kanë marrë masën e ankimuar.

5. Vendimet merren me shumicën të thjeshtë të votave të anëtarëve prezent në mbledhje. Nëse nga votimi votat pro dhe kundër janë të njëjta, vendos vota e kryetarit të Komisionit. Vota abstenim nuk lejohet. Komisioni merr vendime vetëm për ankesa të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes.

6. Për çdo mbledhje mbahet një procesverbal me shkrim, i cili përmban një përmbledhje të gjithë procesit, duke përfshirë por pa u kufizuar, datën dhe vendin e mbledhjes, rendin e ditës, anëtarët e Komisionit prezent, subjektet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit e tyre, qëndrimet e anëtarëve dhe votimin e secilit, dispozivin e çdo vendimi. Procesverbali mbahet nga sekretariati dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët, kryetari dhe sekretari.

7. Procedura për zhvillimin e mbledhjes së KSHMA-së është, si më poshtë vijon:

a) Mbledhja çelet nga kryetari, i cili kërkon miratimin e ndryshimeve, nëse ka kërkesa të tilla;
b) Ankimet shqyrtohen sipas radhës së miratuar të rendit të ditës. Për çdo shqyrtim thirret në mbledhje përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë. Ankimi relatohet nga anëtari i sekretariatit, i caktuar nga kryetari dhe, përfshin por pa u kufizuar, çështje që lidhen me rrethanat e kontrollit dhe marrjes së masës administrative të ankimuar, masën e marrë, afatin e paraqitjes së ankesës, elemente të tjera të ankesës dhe një shpjegim të përgjithshëm të dokumentacionit shoqërues të ankesës ose të vënë në dispozicion nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë.

8. Përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë mund të japë shpjegime para dhënies së vendimit. Mosparaqitja e përfaqësuesit ligjor të ankuesit ose përfaqësuesit me autorizim/prokurë nuk shkakton shtyrjen e shqyrtimit.

9. Pas shqyrtimit, Komisioni merr vendim pa prezencën e ankuesit. Kryetari fton anëtarët të votojnë, ndërsa kryetari voton i fundit. Votimi është i hapur në të gjitha rastet.

10. Komisioni, pas shqyrtimit të ankimit, vendos:

a) lënien në fuqi të masës objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit kur është i pambështetur ose i paraqitur jashtë afatit;
b) anulimin ose shfuqizimin e masës objekt ankimi, duke pranuar tërësisht ankimin;
c) ndryshimin pjesërisht të masës objekt ankimi, duke pranuar pjesërisht ankimin;
ç) pushimin e shqyrtimit të ankesës.

11. Vendimi i zbardhur përmban, por pa u kufizuar, si më poshtë vijon:

a) Përbërjen e Komisionit, vendin dhe orën e marrjes së vendimit;
b) Ankuesin;
c) Vendimin e ankimuar;
ç) Bazën ligjore të ankimit dhe objektin;
d) Çështje që lidhen me juridiksionin, kompetencën, afatin e ankimit;
dh) Pjesën shpjeguese të ankimit;
e) Shpjegimet mbi vendimmarrjen e organit për të cilin paraqitet ankimi;
ë) Arsyetimin e vendimit;
f) Bazën ligjore të marrjes së vendimit;
g) Dispozitivin;
gj) Shpenzimet procedurale;
h) Afatin e ankimit dhe gjykatën kompetente ku paraqitet ankimi.

12. Procedura e zhvillimit të mbledhjeve të Komisionit rregullohet nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

IV. SHPËRBLIMI I KRYETARIT DHE I ANËTARËVE TË KOMISIONIT

Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje bëhet sipas përcaktimeve në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

Komisioni, në përputhje me objektin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe me ligjin nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, shqyrton dhe merr vendim për ankimet administrative të paraqitura në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka vendim përfundimtar. Institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë kalon në Komision ankesat dhe dosjet përkatëse brenda 2 (dy) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT SHTETËROR PËR MBËSHTETJE NË FUQIZIM DHE ANGAZHIM TË DIASPORËS SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e programit shtetëror për mbështetje në fuqizim dhe angazhim të diasporës shqiptare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRJETIT TË RI ELEKTRIK 20 KV, FIDERI F2 DHE FIDERI F4”, NË FUSHË-KRUJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrjetit të ri elektrik 20 kV, fideri F2 dhe fideri F4”, në Fushë-Krujë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 39 399.36 (tridhjetë e nëntë mijë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 39 399.36 (tridhjetë e nëntë mijë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, në zyrat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Krujë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “MENAXHIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE TË NGURTA TË RAJONIT TË VLORËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta të Rajonit të Vlorës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekë, të mbulohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2020.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.

8. Bashkia Vlorë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA