Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Dhjetor 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT TË AGJENDËS DIGJITALE PËR ARSIMIN 2025 – 2030, DUKE PËRFSHIRË STANDARDET PËR ARRITJEN E KOMPETENCËS DIGJITALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit të Agjendës Digjitale për Arsimin 2025-2030, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe të gjitha insitucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e këtij plani veprimi për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Orjana Osmani, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Arsimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E FONDIT NË KUADËR TË MBËSHTETJES SË VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “KINOSTUDIO”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 11, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e fondit, në masën 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë, në kuadër të mbështetjes së veprimtarisë së fondacionit “Kinostudio”.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë bankare të fondacionit “Kinostudio” dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit, në programin buxhetor 01110 “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në llogarinë ekonomike 604. Financimi mbulon veprimtarinë për një periudhë 12-mujore.
3. Fondacioni “Kinostudio”, brenda muajit dhjetor 2025, pas transferimit të fondeve duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit planin e detajuar të shpenzimeve, të përgatitur në përputhje me klasifikimin ekonomik buxhetor dhe të miratuar nga këshilli drejtues i fondacionit, duke identifikuar të gjitha aktivitetet/produktet, që do të realizohen në kuadër të veprimtarisë së fondacionit “Kinostudio”.
4. Fondacioni “Kinostudio” detyrohet të raportojë periodikisht mbi bazë katërmujore në Ministrinë e Arsimit për ecurinë e realizimit të aktiviteteve dhe të përdorimit të fondeve, sipas strukturës së miratuar të shpenzimeve.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe fondacioni “Kinostudio” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.450, DATË 30.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË MATERIALEVE DHE TË PAJISJEVE SPORTIVE, QË PËRJASHTOHEN NGA DETYRIMET DOGANORE DHE TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR, SI DHE PROCEDURA E PËRJASHTIMIT TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 7, tëligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
VE N D O S I:
1. Në shtojcën, që i bashkëlidhet vendimit nr.450, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së materialeve dhe të pajisjeve sportive, që përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, si dhe procedurat e përjashtimit të tyre”, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 39, të kreut VII, shtohen pikat 40 dhe 41, me këtë përmbajtje:
“40. Jelekë për monitorimin e performancës së lojtarëve;
41. Mbulesë fushe.”.
b) Pas pikës 25, të kreut IX, shtohet pika 26, me këtë përmbajtje:
“26. Panele për trajnime dhe mure elastike për ushtrime.”.
c) Pas pikës 7, të kreut XI, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Pajisje ndihmëse për ndërtimin e pistës së garave (matës të lartësisë, metrik për distancat, kone sinjalizuese, kronometër elektronik me sensorë).”.
ç) Pas pikës 35, të kreut XVIII, shtohen pikat 36 dhe 37, me këtë përmbajtje:
“36. Matës shpejtësie për topat;
37. Ngjitës shirit për tarafleks.”.
d) Pas pikës 9, të kreut XIX, shtohen pikat 10, 11 dhe 12, me këtë përmbajtje:
“10. Pajisje për ski me patina (roller ski);
11. Pajisje për ski në bar;
12. Pajisje dhe veshje për snowboard.”.
dh) Pas pikës 23, të kreut XXII, shtohen pikat 24, 25, 26, 27 dhe 28, me këtë përmbajtje:
“24. Rrjeta për fusha tenisi profesionale dhe amatore;
25. Rrjeta fundore errësimi për fusha tenisi;
26. Shtresa të llojeve të ndryshme për shtrimin e fushave të tenisit;
27. Rezinë dhe akrilik të ndryshëm për shtimin dhe lyerjen e fushave të tenisit;
28. Aksesorë të ndryshëm për fushat e tenisit: (shtylla, makineta për tendosjen e rrjetave, shirita për mesin e rrjetës, pajisje për tharjen dhe pastrimin e fushave).”.
e) Pas pikës 11, të kreut XXIII, shtohen pikat 12 dhe 13, me këtë përmbajtje:
“12. Robotë të dedikuar për mësimet e shahut;
13. CD dhe programe për mësimet e shahut.”.
ë) Pas pikës 13, të kreut XXXVI, shtohen pikat 14, 15, 16, 17, 18, 19, 20, dhe 21, me këtë përmbajtje:
“14. Polo/pantallona sportive;
15. Jelekë identifikues;
16. Kuti shahu;
17. Raketa ping-pongu;
18. Raketa tenisi;
19. Rrjeta për volejboll dhe beachvolley;
20. Shporta ose karroca për topat;
21. Shirit për shënimin e fushës.”.
f) Pas kreut XXXIX shtohen krerët XXXX, XXXXI, XXXXII dhe XXXXIII, me këtë përmbajtje:
“XXXX. ORGANIZATAT SPORTIVE TË ARTEVE MARCIALE MIKSE
1. Doreza për arte marciale mikse;
2. Doreza për boks;
3. Mbrojtëse për dhëmbë;
4. Mbrojtëse për kërcinjtë;
5. Mbështjellëse për duar;
6. Mbrojtëse intime për meshkuj;
7. Helmete mbrojtëse;
8. Bluza, tuta dhe rroba për stërvitje;
9. Jastëkë për goditje me këmbë;
10. Mbrojtëse për goditje;
11. Jastëkë për kickboxing;
12. Thasë për goditje;
13. Mbrojtëse për bërryla;
14. Mbrojtëse për gjunjë;
15. Mbrojtëse për kyçin e dorës;
16. Mbrojtëse për kyçet e këmbëve;
17. Mbrojtëse për trupin;
18. Topa për stërvitje;
19. Shtanga;
20. Pesha për shtanga;
21. Kafaz oktagonal për ndeshje;
22. Ring për boks;
23. Dyshekë për stërvitje;
24. Çantë për pajisje;
25. Material për mbështjellje dhe ngjitje;
26. Këpucë për stërvitje.
XXXXI. ORGANIZATAT SPORTIVE TË PADELIT
1. Raketa padeli;
2. Topa padeli;
3. Veshje sportive për padel;
4. Këpucë specifike për padel;
5. Rrjeta padeli;
6. Shtylla për rrjeta padeli;
7. Fusha modulare për padel;
8. Sisteme ndriçimi për fushat e padelit;
9. Karkasa metalike dhe xhami sigurie për ndërtimin e fushave të padelit;
10. Sisteme mbrojtëse dhe rrjeta sigurie;
11. Pajisje për stërvitje dhe ushtrime teknike të padelit.
XXXXII. ORGANIZATAT SPORTIVE TË TRIATHLON-IT
1. Veshmbathje dhe uniforma sportive (pantallonçina për çiklizëm, kostume neopren, këpucë sportive çiklizmi, fanella verore dhe dimërore për çiklizëm, tuta sportive e mushama mbrojtëse nga shiu, kaska mbrojtëse për çiklizëm, doreza sportive);
2. Syze noti;
3. Syze për çiklizëm;
4. Biçikletë profesionale;
5. Pjesë këmbimi për biçikletat.
XXXXIII. ORGANIZATAT SPORTIVE TË HARKUT
1. Pajisje për qitjen me hark (hark dhe pjesë të tij, shigjeta, aksesorë);
2. Pajisje mbrojtëse (mbrojtëse për gjoksin, mbrojtëse për parakrahun, mbrojtëse për gishtin);
3. Pajisje shënjimi për harkun;
4. Teleskop i integruar për qitje precize;
5. Pajisje për kontrollin e largimit të shigjetës nga harku;
6. Letra me qarqe.”.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe organizatat sportive shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË BREGDETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10/1, të kreut III, të vendimit nr.569, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kompetencave, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Xheni Beqaj emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR DHËNIEN E MEDALJES SË SHËRBIMIT USHTARAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve, sipas këtij vendimi, për dhënien e medaljes së shërbimit ushtarak, me qëllim njohjen e përkushtimit e të kontributit në shërbim të interesave kombëtarë dhe kryerjen me përgjegjësi të lartë të detyrave.
2. Për përfitimin e medaljes së shërbimit ushtarak, personeli ushtarak e civil i Forcave të Armatosura duhet të plotësojë të gjitha kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë dalluar për përkushtimin dhe kontributin në shërbim të interesave kombëtarë;
b) Të ketë kryer me përgjegjësi të lartë detyrat;
c) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi apo të mos ketë marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në Forcat e Armatosura;
ç) Të ketë kontribuuar për një kohëzgjatje shërbimi në Forcat e Armatosura:
i. jo më pak se 20 (njëzet) vjet për përfitimin e medaljes së artë të shërbimit ushtarak;
ii. jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet për përfitimin e medaljes së argjendtë të shërbimit ushtarak;
iii. mbi 5 (pesë) vjet për përfitimin e medaljes së bronztë të shërbimit ushtarak.
3. Në raste të veçanta, kur evidentohen kontribute të jashtëzakonshme dhe të argumentuara, dhënia e njërës prej shkallëve të medaljes së shërbimit ushtarak bëhet edhe pa plotësuar kriteret e kohëzgjatjes së shërbimit në Forcat e Armatosura, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi.
4. Për përfitimin e medaljes së shërbimit ushtarak, ushtaraku i huaj vlerësohet vetëm për kontributin e veçantë, të vlerësuar si të rëndësishëm e të spikatur në funksion të interesave të Republikës së Shqipërisë.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.820, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.820, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, të ndryshuar, përmasat e pronave me numra rendorë 27 dhe 78 zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin, 1 (një) fletë, planrilevimin, 1 (një) fletë, dhe planimetrinë, 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 14.1.2025, PËR ÇËSHTJEN “IBRAHIMI DHE TË TJERË KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.81057/17 DHE 4 KËRKESA TË TJERA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 14.1.2025, për çështjen “Ibrahimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.81057/17 dhe 4 kërkesa të tjera, përfundimtar në datën 14.1.2025, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 14.1.2025, “Ibrahimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.81057/17, për secilën kërkesë.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesve nr.81057/17 (Ibrahimi), nr.57542/18 (Selimi), nr.54121/21(Dedaj) dhe nr.7386/22 (Industri Ndërtim (IN), sh.p.k), bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshtë, të barabartë me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
6. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2025.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË EKIPIT TË PËRGJIGJES NDAJ EMERGJENCAVE DHE KRIZËS SË SIGURISË KIBERNETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. NGRITJA E EKIPIT TË PËRGJIGJES NDAJ EMERGJENCAVE DHE KRIZËS SË SIGURISË KIBERNETIKE
1. Pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (në vijim, AKSK) ngrihet dhe funksionon Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (në vijim, CERT), i cili është një strukturë ad hoc, rast pas rasti, përgjegjëse për trajtimin në kohë dhe me eficiencë të emergjencave dhe të krizës së sigurisë kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
2. CERT-i kryesohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe përbëhet nga:
a) përfaqësues nga institucionet publike, si më poshtë vijon:
i. Ministria e Punëve të Brendshme;
ii. Ministria e Mbrojtjes;
iii. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
iv. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare;
v. Shërbimi Informativ i Shtetit;
vi. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit;
vii. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
viii. Policia e Shtetit.
b) ekspertë të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertë OT (operational technology), thirrja e të cilëve do të bëhet sipas përcaktimeve të pikave 7-12 të këtij kreu.
3. Titullarët e institucioneve, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij kreu, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dërgojnë pranë AKSK-së emrat e përfaqësuesve të institucioneve të tyre, si dhe përditësojnë emrat e listës, në raste ndryshimesh, brenda 5 (pesë) ditëve nga ndodhja e këtyre ndryshimeve.
4. AKSK-ja, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në situatën e emergjencës e të krizës kibernetike, rast pas rasti, duke marrë në konsideratë kompleksitetin e situatës, natyrën e sulmit, si dhe numrin e infrastrukturave të prekura, vendos për numrin e ekspertëve, që do të përfshihen në ekipin e CERT-it, dhe profilet e tyre.
5. Kriteret që duhet të plotësojnë ekspertët e sigurisë kibernetike të teknologjisë së informacionit dhe ekspertët OT, për të qenë pjesë e CERT-it, janë, si më poshtë vijon:
a) Kritere të përgjithshme:
i. Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
ii. Të kenë diplomë të nivelit të gjashtë të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, “Bachelor” ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (ICT) ose në fusha të tjera, të lidhur me njohuritë e përcaktuara në shkronjën “b” të kësaj pike;
iii. Të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
iv. Të plotësojnë kriteret e integritetit e të besueshmërisë në ruajtjen e konfidencialitetit dhe të integritetit të informacionit, si dhe të pastërtisë së figurës.
b) Kritere profesionale:
i. Të kenë përvojë pune të paktën 7 (shtatë) vjet në profesion;
ii. Të kenë aftësi profesionale në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit;
iii. Të zotërojnë njohuri të thelluara në fushën e sigurisë kibernetike dhe të teknologjisë së informacionit, si më poshtë vijon:
⦁ Njohuri për sistemet kompjuterike, virtuale dhe sistemet e operimit, si: Linux, Windows Server, sistemet virtuale, si VMWARE ose KVM, HyperV etj.;
⦁ Njohuri për protokollet e rrjeteve kompjuterike;
⦁ Njohuri për aplikacionet dhe platformat, që përdoren në rrjetet e sistemet e informacionit;
⦁ Njohuri për fushën e sigurisë së informacionit;
⦁ Taktikat, teknikat dhe procedurat (TTPs) e sulmeve kibernetike dhe aplikacioneve, që përdoren për këtë qëllim;
⦁ Njohuri mbi teknikat e hetimit kibernetik (forensic);
⦁ Njohuri në menaxhimin e incidenteve dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si Log Analyst apo SIEM etj.;
⦁ Njohuri për menaxhimin e krizave kibernetike;
⦁ Njohuri në Python, gjuhët Object Oriented;
⦁ Njohuri në inteligjencën artificiale/AI, Machine Learning, Blockchain, Cryptography, Autonomous Vechicles/Machines etj.
c) Për të vërtetuar kriteret e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b, të pikës 5, të këtij kreu, aplikuesi duhet të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
i. Mjet identifikimi (kopje e kartës së identitetit/pasaportës biometrike);
ii. Dëshmi penaliteti, vërtetime nga gjykata që nuk është në proces gjyqësor dhe nga prokuroria që nuk është në procedim penal, si dhe vetëdeklarim që vërteton gjendjen penale;
iii. Kopje të diplomës;
iv. Kopje të librezës së punës ose një vërtetim nga organet tatimore, ku të jetë shënuar përvoja në profesion;
v. Jetëshkrim me përvojat profesionale (CV);
vi. Vetëdeklarim për integritetin dhe besueshmërinë në ruajtjen e konfidencialitetit dhe integritetit të informacionit;
vii. Kopje të certifikimeve në fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit;
viii. Përbën avantazh paraqitja e certifikimeve, si vijon:
⦁ Certifikime në administrim rrjetesh dhe menaxhim sistemesh;
⦁ Certifikim në administrim të sistemeve të sigurisë së informacionit;
⦁ Certifikim profesional të sigurisë kibernetike, të tilla si: Security+, CISA, CISSP, CISM, CEH, OSCP, CHFI ose ekuivalente;
⦁ Certifikime për menaxhimin e incidenteve kibernetike;
⦁ Certifikime për investigimin e incidenteve dhe ekzaminimin digjital;
⦁ Certifikime në inteligjencën artificiale/AI;
⦁ Certifikime në Machine Learning;
⦁ Certifikime në Blockchain;
⦁ Certifikime në Cryptography;
⦁ Certifikime në Autonomous Vechicles/Machines;
⦁ Certifikime me fokus në sigurinë kibernetike të sistemeve industriale dhe kritike (SA/IEC Cybersecurity Expert);
⦁ Certifikime në mbrojtjen e sistemeve OT dhe ICS (GIAC Global Industrial Cyber Security Professional);
⦁ Certifikim për arkitekturën dhe sigurinë e sistemeve SCADA (Certified SCADA Security Architect);
⦁ Çdo certifikim tjetër të vlefshëm për menaxhimin e incidenteve të sigurisë kibernetike.
ç) Dokumentacioni i kërkuar në shkronjën “c”, të pikës 5, të këtij kreu, duhet të paraqitet në kopje origjinale ose të njësuar me origjinalin.
6. AKSK-ja, brenda 1 (një) jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, publikon në faqen e saj zyrtare thirrjen për pjesëmarrje të ekspertëve të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertëve OT, me qëllim hartimin e listës së ekspertëve të sigurisë kibernetike, teknologjisë së informacionit dhe ekspertëve OT, të cilët do të jenë pjesë e CERT-it, ndërsa për ekspertët ndërkombëtarë thirrja do të publikohet edhe në faqet zyrtare të forumeve ndërkombëtare të sigurisë kibernetike.
7. Shpallja do të përmbajë një informacion të detajuar në lidhje me kriteret që duhet të plotësojnë ekspertët e sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertët OT, dokumentet që duhet të dorëzojnë, mënyrën dhe formën e dorëzimit të tyre.
8. Shpallja do të qëndrojë e hapur për një periudhë njëmujore.
9. Pas paraqitjes së dokumentacionit pranë AKSK-së, kjo e fundit, brenda një afati 30-ditor, do të bëjë vlerësimin e tij bazuar në plotësimin e kritereve të përcaktuara në këtë vendim, si dhe në procesin e intervistimit e më pas do të njoftojë ekspertët e përzgjedhur.
10. AKSK-ja do të hartojë listën me emrat dhe kontaktet e ekspertëve të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertët OT, nga të cilët do të përzgjidhen ekspertët që do të jenë pjesë e CERT-it.
11. Ekspertët, pjesë e listës së CERT-it, të cilët, në përmbushje të detyrave të tyre sipas përcaktimeve të këtij vendimi, do të kenë akses në sistemet e komunikimit e të informacionit të akredituara, ku trajtohet informacion i klasifikuar, kanë detyrimin për të ndjekur procedurat për pajisjen me “Certifikatë të sigurisë së personelit”, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
12. AKSK-ja do të kryejë thirrjen për ekspertë të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertë OT brenda muajit janar të çdo viti.
II. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË EKIPIT TË PËRGJIGJES NDAJ EMERGJENCAVE DHE KRIZËS SË SIGURISË KIBERNETIKE
1. CERT-i mblidhet nga AKSK-ja në rast emergjence dhe krize kibernetike për hartimin e planit të masave, menaxhimin dhe zgjidhjen e emergjencës e të krizës kibernetike.
2. Mbledhjet e CERT-it drejtohen nga drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së dhe, në mungesë të tij, nga një drejtor me profil teknik nga AKSK-ja.
3. Pranë CERT-it ngrihet e funksionon sekretariati teknik i CERT-it, i cili është përgjegjës për përgatitjen e materialeve të mbledhjes dhe për njoftimin e anëtarëve të CERT-it për mbledhjen. Përbërja e sekretariatit teknik të CERT-it përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKSK-së.
4. Në situatat e emergjencave dhe të krizave kibernetike, komunikimi ndërinstitucional mbahet duke përdorur kanalet zyrtare të komunikimit, kanalet alternative, si dhe ato rezervë (backup). Sekretariati teknik mban procesverbalin e takimeve, minutat e takimit, ruan përmbajtjen e komunikimeve, të njoftimeve apo të kërkesave të marra e të dhëna përmes përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit.
5. Për përballimin e emergjencave dhe të krizave kibernetike, me kërkesë të CERT-it, mund të angazhohen edhe ekspertë të sigurisë kibernetike, të teknologjisë së informacionit dhe ekspertë OT nga institucione të tjera shtetërore, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre, për t’iu përgjigjur emergjencave dhe krizave kibernetike, sipas sektorëve përkatës.
III. FUNKSIONET E EKIPIT TË PËRGJIGJES NDAJ EMERGJENCAVE DHE KRIZËS SË SIGURISË KIBERNETIKE
Funksionet e CERT-it janë, si më poshtë vijon:
a) Harton planin e masave të emergjencës e të krizës kibernetike;
b) Menaxhon dhe zgjidh emergjencat e krizën kibernetike, duke ruajtur në çdo kohë konfidencialitetin;
c) Ofron mbështetje për hartimin e rekomandimeve për të rikthyer në normalitet sistemet dhe rrjetet e informacionit në infrastrukturat e informacionit pas një incidenti në shkallë të gjerë dhe gjendjes së emergjencës e të krizës kibernetike.
IV. DISPOZITË E FUNDIT
Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe institucionet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 2, të kreut I, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT, TË PRONAVE ME VENDNDODHJE NË LUNDËR, ME NUMËR PASURIE 867/2, 867/17, 867/31 DHE 867/32, ZONA KADASTRALE 2529, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të pronave me vendndodhje në Lundër, me numër pasurie 867/2, 867/17, 867/31 dhe 867/32, zona kadastrale 2529, Tiranë, sipas formularit dhe planit të rilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’i përdorur për funksione publike.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe t’i tjetërsojë ato.
3. Ngarkohen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA