Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Korrik 2026:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.466, DATË 30.7.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË BIZNESIT DHE INVESTIMEVE, 2021 – 2027, DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.43/2022, “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.466, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, 2021 – 2027, dhe të planit të saj të veprimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titullin dhe në pikën 1, të vendimit, si dhe në titullin e tekstit të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, 2021 – 2027, bashkëlidhur vendimit, periudha “2021 – 2027” zëvendësohet me “2021 – 2030”.
2. Në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, 2021 – 2027, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto shtesa:
a) Në tabelën 11, “Masat në fushën e ndërhyrjes “Tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi””, shtohen veprimet prioritare, si më poshtë vijon:
i. Veprimi prioritar “Programi i ekonomisë qarkulluese industriale dhe parqet ekoindustriale”, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Veprimi prioritar “Përgatitja e industrisë për tregun e gjelbër në tregun e përbashkët (MRV, gatishmëria CBAM dhe eficienca e energjisë në prodhim)”, sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iii. Veprimi prioritar “Standardet, certifikimi dhe gatishmëria për tregun e vetëm (me modul ndërkombëtarizimi)”, sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iv. Veprimi prioritar “Digjitalizimi industrial dhe aksesi në inteligjencë artificiale/EuroHPC”, sipas aneksit nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
v. Veprimi prioritar “Lehtësimi i veprimtarisë industriale ndërkufitare dhe logjistika”, sipas aneksit nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
vi. Veprimi prioritar “Rezilienca (qëndrueshmëria) e zinxhirëve të furnizimit dhe diversifikimi i inputeve (përfshirë CRM)”, sipas aneksit nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
vii. Veprimi prioritar “Përditësimi i ligjit të investimeve dhe thjeshtimi i procedurave për projektet industriale”, sipas aneksit nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Në tabelën 12, “Masat në fushën e ndërhyrjes “Zhvillimi i NVM-ve, sipërmarrja dhe inovacioni””, shtohen veprimet prioritare, si më poshtë vijon:
i. Veprimi prioritar “Transferimi i teknologjisë, qeverisja e S3 dhe rritja e kapacitetit absorbues”, sipas aneksit nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Veprimi prioritar “Instrumente financiare për modernizimin e transformimin industrial të ndërmarrjeve (dritarja e vetme financiare)”, sipas aneksit nr.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iii. Veprimi prioritar “Krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit (FSHI): Instrumenti sovran i bashkinvestimit për rritjen e konkurrueshmërisë dhe ndërmarrjet me rritje të lartë (Scale-Up)”, sipas aneksit nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iv. Veprimi prioritar “Përmirësimi i mjedisit rregullator për NMVM-të: Implementimi i “SME Test” dhe kuadri për pagesat e vonuara”, sipas aneksit nr.11, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
v. Veprimi prioritar “Programi kombëtar i zhvillimit të klasterave industriale dhe integrimi në zinxhirët e IHD-ve”, sipas aneksit nr.12 , që i bashkëlidhet këtij vendimi.
c) Në tabelën 13, “Masat në fushën e ndërhyrjes “Zhvillimi i kapitalit njerëzor””, shtohet veprimi prioritar “Paketa kombëtare e aftësive të gjelbra dhe digjitale në industri (Green & digital upskilling)”, sipas aneksit nr.13, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Në pjesën III, “Zbatimi, përgjegjësia e institucioneve, llogaridhënia, raportimi dhe monitorimi”, të strategjisë, shtohet teksti, sipas aneksit nr.14, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
d) Aneksi nr.1, “Formati i planit të veprimit i përmbledhur” zëvendësohet me aneksin nr.15, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia “Innovation4Albania” dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e masave të përcaktuara në këtë vendim.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “ZONË E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/2, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” të territorit, me sipërfaqe 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m2, pjesë e zonave kadastrale 8604 dhe 2765, në Bashkinë Vlorë, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe hartës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” përcaktohen në hartën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE””, janë të llojit:
a) ekosistem industrial logjistik dhe inovativ;
b) teknologji industriale;
c) automatizim dhe inteligjencë artificiale;
ç) përpunim mekanik i lehtë i metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energjinë e rinovueshme.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), në funksion të zhvillimit të projektit, me tarifë 1 (një) euro/kontrata.
6. Shoqëria “RAMS ALBANIA”, sh.p.k., shpallet zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me procedurë jokonkurruese si subjekt përfitues, me status “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në bazë të vendimit nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar.
7. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.774, datë 4.6.2008, “Për shpalljen e “Zonë ekonomike” në Vlorë”, nr.818, datë 11.6.2008, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, në Vlorë, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, dhe nr.1547, datë 26.11.2008, “Për miratimin e kontratës të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Idea Vlora”, sh.a., për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë”, shfuqizohen.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E NDËRMARRJES SHTETËRORE “KANTIERI I NDËRTIMIT DHE RIPARIMIT TË ANIJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës publike”, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme te shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve” (KNRA), me seli në Pashaliman, Vlorë.
2. Pasuritë me nr.150/22, nr.150/23, nr.150/24, nr.150/25 dhe nr.150/26, në zonën kadastrale 1569, me vendndodhje në Pashaliman, Orikum, Vlorë, kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, për Komandën e Forcës Detare.
3. Punonjësit dhe asetet e ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve”, pas mbylljes, transferohen në strukturën e Komandës së Forcës Detare.
4. Dorëzimi i inventarit të kësaj ndërmarrjeje bëhet nga një komision, me përfaqësues të Komandës së Forcës Detare dhe me përfaqësues të ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve”.
5. Detyrimet e ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve”, të krijuara deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, llogariten në vlerën totale prej 69 640 394 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e dyzet mijë e treqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Efektet financiare, sipas pikës 5, të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, në programin buxhetor “Forcat e luftimit”.
7. Vendimi nr.397, datë 11.5.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve””, shfuqizohet.
8. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Forcës Detare dhe ndërmarrja shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56, pika 38, e 77, pika 3, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Në fund të pikës 3, të nenit 8, shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Lista e makinerive dhe e pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, nga ose për llogari të subjekteve të licencuara nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, në bazë të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, për ushtrimin e veprimtarive të licencuara, duke përfshirë makineri dhe pajisje të nevojshme për prodhimin e mallrave ushtarake dhe të mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, është sipas aneksit 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Autoriteti doganor bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes për të evidentuar subjektet e licencuara nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes në bazë të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, të cilat duhet të paraqesin edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kopje të licencës së vlefshme të lëshuar nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, sipas ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, të subjektit, për llogari të të cilit kryhet investimi;
b) Deklaratë që konfirmon se makineritë dhe pajisjet që importohen shërbejnë drejtpërdrejt për ushtrimin e veprimtarive të subjektit të licencuar sipas ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”;
c) Relacion shpjegues për marrëdhënien e personit të tatueshëm të përcaktuar dhe subjektit të licencuar nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, sipas ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.”.
Neni 2
1. Pas aneksit 5, shtohet aneksi 6, “Lista e makinerive dhe e pajisjeve, që shërbejnë për ushtrimin e veprimtarive të licencuara nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, në bazë të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, duke përfshirë prodhimin e mallrave ushtarake dhe të mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes.”.
Neni 3
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT, PROCEDURAT, SHPENZIMET DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR PËR SHËRBIMET JASHTË VENDIT TË PUNONJËSVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. RREGULLAT PËR DËRGIMIN ME SHËRBIM TË PUNONJËSVE JASHTË VENDIT
1. Punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe këshilltarët e jashtëm në njësitë e qeverisjes qendrore, të cilët dërgohen me shërbim jashtë vendit për të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare, konferenca, takime pune ose trajnime afatshkurtra të nevojshme për mbarëvajtjen e punës, përfitojnë trajtim financiar për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit.
Në kuptim të këtij vendimi, si trajnime afatshkurtra të nevojshme për mbarëvajtjen e punës konsiderohen trajnimet me kohëzgjatje jo më shumë se një muaj.
2. Në fillim të çdo viti, njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në përputhje me fondet buxhetore të disponueshme, hartojnë dhe miratojnë programin vjetor të veprimtarive që do të zhvillohen jashtë vendit. Programi miratohet nga titullari i institucionit dhe, kur është e nevojshme, mund të rishikohet ose të përditësohet gjatë vitit.
3. Dërgimi me shërbim jashtë vendit kryhet me urdhër të titullarit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, nga e cila varet njësia shpenzuese. Në urdhër përcaktohen niveli i përfaqësimit të institucionit, qëllimi i shërbimit, si dhe numri i punonjësve pjesëmarrës. Për qëllimet e këtij vendimi, “titullar i njësisë së qeverisjes së përgjithshme” është:
a) Për njësitë e qeverisjes qendrore:
i. Ministri ose personi i deleguar prej tij, për aparatin e ministrisë; ndërsa, për çdo institucion në varësi të Kryeministrit ose të ministrisë, titullari i institucionit përkatës;
ii. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përkatës, për aparatin e institucionit të Presidentit të Republikës, të Kuvendit dhe për deputetët, të Kryeministrisë, si dhe të institucioneve kushtetuese;
iii. Titullari i institucionit për institucionet e tjera të pavarura;
iv. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për aparatin përkatës të këtyre organeve;
v. Kryetari i gjykatës përkatëse për gjyqtarët dhe aparatin e gjykatave të tri niveleve.
b) Për njësitë e qeverisjes vendore, është kryetari i njësisë;
c) Për fondet speciale, është titullari i fondit special.
II. SHPENZIMET DHE RREGULLAT PËR DËRGIMIN ME SHËRBIM TË PUNONJËSVE JASHTË VENDIT
1. Shpenzimet për dërgimin me shërbim të punonjësve jashtë vendit përfshijnë:
1.1. Shpenzimet e transportit, si më poshtë vijon:
a) shpenzimet e transportit për vajtje-ardhje jashtë vendit;
b) shpenzimet e transportit nga vendi i nisjes deri në aeroport dhe nga aeroporti në destinacion, si dhe anasjelltas;
c) shpenzimet e transportit për lëvizjet ndërmjet qyteteve të ndryshme, brenda shtetit pritës, kur këto lëvizje kryhen për nevoja pune dhe janë parashikuar paraprakisht në urdhrin e shërbimit;
ç) shpenzimet për pagesën e tarifave rrugore (tolla, taksa autostradash ose tarifa të ngjashme) që lidhen me transportin kombëtar ose ndërkombëtar.
1.2. Shpenzimet e akomodimit në hotel, që mbulohen në mënyrë të diferencuar sipas kategorive të përcaktuara në lidhjen nr.1, si më poshtë vijon:
a) Për kategoritë 1 dhe 2, akomodimi në hotel deri në 5 yje;
b) Për kategoritë 3 dhe 4, akomodimi në hotel deri në 4 yje;
c) Për kategorinë 5, akomodimi në hotel deri në 3 yje.
Në raste të veçanta, kur organizohen veprimtari ndërkombëtare dhe rezervimi kryhet nga organizatorët ose kur natyra e veprimtarisë nuk lejon ndarjen e grupit në hotele të ndryshme, shpenzimet e fjetjes njihen në bazë të faturës përkatëse. Nga ndarja në kategori për efekt të shpenzimeve të akomodimit përjashtohen punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e personaliteteve, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës, të cilët akomodohen në të njëjtin hotel me personalitetin që shoqërojnë. Kur distanca ndërmjet hotelit dhe destinacionit, ku zhvillohet veprimtaria, duke respektuar kategoritë e përcaktuara më sipër, është e konsiderueshme, si edhe në rastet kur gjatë procedurës së përzgjedhjes së ofertave rezulton se një strukturë hoteliere me klasifikim më të lartë (më shumë yje) ofron tarifë më të ulët ose të barasvlefshme me atë të strukturave të parashikuara në këtë vendim, titullari i institucionit miraton në urdhrin e shërbimit akomodimin në këtë kategori më të lartë hotelerie.
1.3. Shpenzimet për pagesa të ndryshme, që lidhen me udhëtimin dhe qëndrimin jashtë vendit, përfshirë siguracionin shëndetësor, taksën e vizës, qiranë e zyrës, si dhe çdo taksë apo detyrim tjetër të përcaktuar nga legjislacioni i vendit pritës. Për çdo shpenzim tjetër, që nuk është i parashikuar në këtë vendim, merret paraprakisht mendimi i ministrisë përgjegjëse për financat.
1.4. Shpenzimet ushqimore për ditët e qëndrimit, që caktohen sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij në euro/USD, për çdo grup funksionesh dhe shtetesh, si dhe sipas tabelës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për kategorizimin e shteteve në grupe. Përjashtimisht, për punonjësit që dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, masa e shpenzimit ushqimor është 40 euro/USD në ditë, në rastet kur kjo nuk mbulohet nga pala pritëse. Kur shpenzimi ushqimor mbulohet pjesërisht nga pala pritëse, në një vlerë më të ulët se 40 euro/USD, masa e përfitimit llogaritet si diferencë e kësaj vlere.
2. Për qëllim të këtij vendimi, në tabelën nr.1, togfjalëshi “të barazvlefshme me ta në pagë” nuk përfshin shtesat mbi pagë për vjetërsi në punë, për kushte apo natyrë të veçantë pune, si dhe për vështirësi dhe dëmshmëri, por vetëm pagën e pozicionit.
3. Në rastet e dërgimit me shërbim jashtë vendit, struktura përgjegjëse e njësive të qeverisjes së përgjithshme për sigurimin e transportit dhe akomodimit të punonjësve duhet të marrë në konsideratë kostot ekonomike të operatorëve të shërbimit, si dhe mundësitë për të siguruar transport dhe akomodim në distanca sa më të shkurtra nga vendi ku organizohet aktiviteti.
III. PROCEDURA E MBULIMIT TË SHPENZIMEVE
Shpenzimet e përcaktuara në kreun II të vendimit përballohen, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
1. Në rastet kur njësia ngarkohet të mbulojë tërësisht shpenzimet, ato paguhen nga buxheti i miratuar i njësisë. Përjashtohen nga ky përcaktim shpenzimet për telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal, bari i dhomës, si dhe shpenzimet për transportin urban, të cilat mbulohen nga vetë punonjësi.
2. Në rastet kur aktiviteti/veprimtaria mbulohet pjesërisht nga pala pritëse, të cilat dokumentohen zyrtarisht nga pritësi, pjesa tjetër e shpenzimeve përballohet nga buxheti i institucionit.
3. Në rastet kur shpenzimet e aktivitetit mbulohen plotësisht nga pala pritëse, institucioni përkatës nuk kryen asnjë pagesë apo shpenzim në lidhje me pjesëmarrjen e punonjësit në këtë aktivitet.
4. Në rastet kur përfaqësimi në aktivitetet ndërkombëtare realizohet me pjesëmarrjen e punonjësve nga njësi të ndryshme të qeverisjes së përgjithshme, shpenzimet e tyre përballohen nga buxheti i çdo njësie përkatëse të qeverisjes së përgjithshme. Përjashtim nga ky përcaktim bëhet për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e personaliteteve, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës, shpenzimet e të cilëve përballohen nga buxheti i institucioneve të personaliteteve përkatëse ose nga buxheti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, pjesë e të cilit ata janë.
5. Për shkak të rrethanave madhore dhe të paparashikuara, mund të ndodhë që punonjësi i caktuar për kryerjen e shërbimit jashtë vendit të mos sigurojë prezencën në aktivitet ose ta përfundojë atë. Në këto raste, të gjitha shpenzimet e kryera deri në atë moment, së bashku me kostot e mundshme përkatëse, përballohen nga buxheti i njësisë.
Për qëllim të këtij vendimi, si rrethana madhore dhe të paparashikuara konsiderohen, ndër të tjera: sëmundja e menjëhershme ose ndërrimi i jetës së punonjësit apo i një anëtari të familjes së tij, anulimi i aktivitetit nga organizatorët, çështje të sigurisë nga akte lufte apo terrorizmi, fatkeqësitë natyrore, aksidentet rrugore, anulimet dhe vonesat e mjeteve të transportit që nuk varen nga punonjësi dhe që vërtetohen me dokumentacion përkatës, urdhri i titullarit për angazhim në çështje të tjera që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen në aktivitet, si edhe rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi. Në çdo rast tjetër, të ndryshëm nga sa parashikohet më sipër, shpenzimet përballohen nga vetë punonjësi.
IV. PROCEDURA E KOMPENSIMIT TË SHPENZIMEVE
1. Kompensimi për shpenzimet e kryera për dërgimin me shërbim jashtë vendit bëhet për çdo shpenzim të përcaktuar në kreun II të vendimit, vetëm në rastet kur ato nuk paguhen nga institucioni.
Në çdo rast, kompensimi i shpenzimeve bëhet sipas faturës, biletës ose dokumentit përkatës justifikues elektronik apo fizik, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
2. Punonjësi i institucionit, i cili dërgohet me shërbim ose trajnim jashtë vendit mbi bazën e shkresës autorizuese të titullarit, përfiton, përpara nisjes së udhëtimit, në formë paradhënieje në llogarinë e tij bankare, pjesën e shpenzimeve që lidhen me shërbimet e udhëtimit. Pjesa e shpenzimeve që lidhet me biletat e avionit vajtje – ardhje dhe me akomodimin në hotel është detyrim dhe sigurohet drejtpërdrejt nga institucioni/njësia përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në rastet kur shpenzimet e akomodimit në hotel nuk sigurohen paraprakisht nga institucioni/njësia përgjegjëse, punonjësi kryen vetë me shpenzimet e tij rezervimin dhe/ose pagesën e hotelit.
Pas kthimit nga shërbimi, njësia përkatëse e financës e institucionit bën llogaritjen e shpenzimeve faktike, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe, sipas rastit, institucioni derdh në kohën më të shpejtë të mundshme në llogarinë bankare të punonjësit diferencën e shumës së përfitueshme ose të papërfituar, ose punonjësi kthen pjesërisht në llogarinë e unifikuar të thesarit shumën e tepërt të parapaguar, e cila është arkëtuar paraprakisht nga punonjësi në arkën e institucionit, pas kthimit nga udhëtimi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Këto rregulla rekomandohen të zbatohen edhe për entet publike jobuxhetore, ndërmarjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50 për qind shtetëror.
2. Vendimi nr.870 datë 14.12.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.185, DATË 2.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË REALIZIMIT TË KONTROLLIT MJEKËSOR BAZË PËR SHTETASIT E MOSHËS 35 – 70 VJEÇ”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.185, datë 2.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 35-70 vjeç”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në titullin e vendimit dhe në të gjithë përmbajtjen e tij, togfjalëshi “35 – 70 vjeç” zëvendësohet me “mbi 35 vjeç”;
b) Fjalia e parë, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratë për financimin e shërbimit të kontrollit mjekësor bazë me shoqërinë aksionare shtetërore, që ofron këtë shërbim, pas përfundimit të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat nr.3082/20, datë 7.1.2015, “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grup-moshat 40 – 65 vjeç”, të ndryshuar.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.568, DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 59, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.568, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në tekstin e vendimit, togfjalëshi “… e Turizmit dhe Mjedisit …” zëvendësohet me “… e Mjedisit …”.
2. Pika 4, e kreut II, shfuqizohet.
3. Në kreun III bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas shkronjës “ç”, të nënpikës 5.2, shtohen shkronjat “d” dhe “dh”, me këtë përmbajtje:
“d) përgatitjen e raporteve periodike të të dhënave mjedisore;
dh) përgatitjen dhe ndjekjen e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit;”;
b) Nënpikat 5.4, 5.4/1, 5.4/2 dhe 5.4/3 shfuqizohen.
4. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Agjencitë rajonale të mjedisit kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Verifikimin e informacionit të aplikimeve për t’u pajisur me VNM/Deklaratë/Leje mjedisi;
b) Mbajtjen dhe përditësimin e regjistrave me të dhënat për instalimet e lejeve të kategorive “A” e “B” që ndodhen brenda territorit ku shtrihet fusha e kompetencave të tyre;
c) Koordinimin, përpunimin dhe analizimin e të dhënave mjedisore në nivel rajoni, si dhe raportimin/përcjelljen e informacionit në drejtorinë e përgjithshme, në funksion të krijimit të sistemit të integruar të informacionit mjedisor, në nivel kombëtar;
ç) Koordinimin e veprimtarisë dhe bashkëpunimin me strukturat përgjegjëse për mjedisin në njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.
5. Pas pikës 3, të kreut IV, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Nëpunësit civilë aktualë të AKM-së, të cilët kryejnë funksione inspektuese, trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
II. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E INSTITUTIT KOMBËTAR ONKOLOGJIK, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE DHE KËRKIMORE-SHKENCORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 7, të nenit 12, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRIJIMI, STATUSI DHE MISIONI I INSTITUTIT
1. Krijimin e Institutit Kombëtar Onkologjik, si strukturë shëndetësore universitare dhe kërkimore-shkencore, në vijim “Instituti”, në fushën e onkologjisë, si person juridik në varësi të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, për ofrimin e kujdesit shëndetësor terciar, mësimdhënien universitare e pasuniversitare, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, si dhe kërkimin shkencor dhe inovacionin.
2. Instituti ka për mision integrimin e veprimtarisë klinike, akademike dhe kërkimore në fushën e onkologjisë, përmes ofrimit të shërbimeve të specializuara shëndetësore, zhvillimit të arsimit mjekësor dhe edukimit profesional, si dhe avancimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor.
3. Instituti ushtron veprimtarinë, në përputhje me standardet dhe udhëzimet kombëtare për cilësinë e kujdesit onkologjik, duke synuar harmonizimin me praktikat më të mira të qendrave onkologjike me standarde të njohura ndërkombëtare.
4. Instituti raporton pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë për treguesit e performancës dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.
5. Instituti ka personalitet juridik publik dhe ushtron veprimtarinë e tij, duke shërbyer njëkohësisht si:
a) institut kërkimor dhe shkencor në fushën e onkologjisë;
b) institut kombëtar reference në fushën e onkologjisë, i cili siguron ekspertizë të specializuar klinike dhe shkencore, mbështet unifikimin e praktikave profesionale dhe harton standarde, udhëzime e protokolle klinike për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e sëmundjeve tumorale;
c) institut për ofrimin e shërbimit spitalor onkologjik për Qarkun e Tiranës, duke garantuar diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen klinike të pacientëve;
ç) institut me funksione diagnostikuese e trajtuese, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore në fushën e onkologjisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, dhe në bashkëpunim me /ose universitete të tjera;
d) institut koordinues i Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, duke siguruar bashkëpunimin funksional ndërmjet Institutit dhe strukturave onkologjike në spitalet rajonale dhe vendore;
dh)institut që bashkërendon veprimtarinë me institucione të tjera publike dhe private që ofrojnë shërbime onkologjike, me qëllim garantimin e standardeve të unifikuara të diagnostikimit dhe trajtimit.
6. Instituti koordinon Rrjetin Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, që është tërësia e strukturave shëndetësore publike dhe universitare që ofrojnë shërbime për parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e sëmundjeve tumorale dhe shërbimit paliativ, në nivel qendror dhe nivel qarku. Rrjeti Kombëtar i Sëmundjeve Tumorale përfshin:
a) Institutin, si qendër kombëtare reference dhe koordinuese e rrjetit;
b) shërbimet dhe njësitë onkologjike pranë spitaleve universitare, rajonale dhe vendore;
c) strukturat diagnostike dhe laboratorike që kontribuojnë në diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve tumorale;
ç) strukturat e trajtimit onkologjik, përfshirë onkologjinë mjekësore, kirurgjinë onkologjike, radioterapinë dhe shërbimet e tjera të lidhura me trajtimin e kancerit;
d) strukturat e rehabilitimit dhe kujdesit paliativ për pacientët onkologjikë;
dh) strukturat e mbështetjes klinike dhe shkencore, sistemet e referimit dhe kundërreferimit të pacientëve;
e) tumor-board-et multidisiplinare që janë mekanizma të detyrueshëm konsultimi për rastet onkologjike komplekse. Organizimi dhe funksionimi i tyre përcaktohen në statutin e Institutit dhe në aktet e ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
7. Rregullat e hollësishme për organizimin, funksionimin, raportimin, treguesit e performancës, referimin dhe kundërreferimin, si dhe përgjegjësitë e strukturave pjesëmarrëse në Rrjetin Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
8. Instituti kryen detyrat e përcaktuara në këtë vendim dhe në statutin e tij i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe ministrit të Arsimit.
II. FUNKSIONET KOORDINUESE TË INSTITUTIT
1. Instituti shërben si institucion koordinues i Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, duke siguruar lidhjen funksionale ndërmjet shërbimit spitalor onkologjik universitar dhe strukturave onkologjike në nivel qarku.
2. Instituti mbështet dhe koordinon zhvillimin dhe zbatimin e programeve të diagnostikimit të hershëm, menaxhimit të riskut, si dhe të kujdesit paliativ për pacientët onkologjikë, në përputhje me politikat dhe strategjitë kombëtare të shëndetësisë.
3. Instituti koordinon shërbimin onkologjik kombëtar dhe, në këtë kuadër:
a) orienton zhvillimin dhe organizimin e shërbimeve onkologjike në nivel kombëtar, universitar, rajonal dhe vendor, dhe mbështet funksionimin e integruar të Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale;
b) harton dhe përditëson udhëzime, standarde dhe protokolle të unifikuara për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve onkologjikë, përfshirë rrugët e integruara diagnostiko-terapeutike dhe asistencën e pacientit;
c) mbështet zhvillimin e vendimmarrjes klinike multidisiplinare përmes tumor-board-eve dhe koordinon bashkëpunimin profesional, ndërmjet strukturave onkologjike rajonale;
ç) përcakton mekanizmat e referimit dhe kundërreferimit të pacientëve ndërmjet niveleve të sistemit shëndetësor, të cilët bazohen në protokolle të unifikuara klinike, që sigurojnë vazhdimësinë e kujdesit dhe shpërndarjen e drejtë të rasteve sipas nivelit të kompleksitetit;
d) ofron mbështetje profesionale për njësitë onkologjike rajonale përmes konsulencës klinike, trajnimeve dhe programeve të edukimit të vazhdueshëm profesional.
4. Instituti bashkëpunon me Institutin e Shëndetit Publik për funksionimin dhe zhvillimin e Regjistrit Kombëtar të Kancerit, duke siguruar raportimin e të dhënave mbi rastet e kancerit dhe përdorimin e tyre për analizë epidemiologjike, planifikim shërbimesh dhe zhvillim politikash shëndetësore, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Institucionet shëndetësore private, që ofrojnë shërbime onkologjike, zbatojnë standardet kombëtare klinike dhe raportojnë të dhënat epidemiologjike në Regjistrin Kombëtar të Kancerit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kujdesin shëndetësor dhe shëndetin publik.
6. Instituti harton, përditëson dhe miraton teknikisht udhëzuesit dhe protokollet klinike diagnostiko-terapeutike për sëmundjet tumorale dhe i depoziton ato pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Protokollet hyjnë në fuqi dhe bëhen të detyrueshme pas miratimit të tyre me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
7. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë ushtron monitorimin institucional e politik mbi mbarëvajtjen e Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, si dhe miraton Planin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit, të propozuar nga Instituti.
III. FUNKSIONI MËSIMOR DHE KËRKIMOR-SHKENCOR
1. Instituti, në cilësinë e strukturës shëndetësore universitare, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe për shëndetësinë, ushtron veprimtari mësimore, praktike dhe kërkimore-shkencore, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, si dhe bashkëpunon me institucione të tjera të arsimit të lartë, vendas ose të huaj.
2. Instituti kryen procedurat e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve dhe Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shkencën dhe kërkimin shkencor.
3. Instituti zhvillon dhe koordinon bashkëpunimin shkencor dhe profesional me institucione homologe ndërkombëtare, organizata ndërkombëtare dhe rrjete europiane të kërkimit dhe trajtimit të kancerit, me qëllim përmirësimin e praktikës klinike, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe transferimin e teknologjive të avancuara në fushën e onkologjisë.
IV. ORGANIZIMI I BRENDSHËM I INSTITUTIT
Instituti organizohet në organet drejtuese, njësitë e kërkimit shkencor dhe në njësinë e shërbimit spitalor, si më poshtë vijon:
A. Organet drejtuese
1. Këshilli Shkencor i Institutit është organi më i lartë vendimmarrës i institucionit, i cili drejton, orienton dhe vlerëson veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe akademike të tij. Këshilli Shkencor përbëhet nga jo më pak se 5 anëtarë dhe kryesohet nga drejtuesi i Institutit. Përbërja, organizimi, mënyra e përzgjedhjes dhe kompetencat e tjera të Këshillit Shkencor përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli Shkencor, në përputhje me ligjin nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
2. Bordi i Administrimit është organi kolegjial përgjegjës për mbikëqyrjen administrative dhe menaxhimin e burimeve financiare e të aseteve të institucionit. Ai përcakton politikat kryesore të zhvillimit institucional, miraton projektbuxhetin dhe mbikëqyr përdorimin e fondeve, në përputhje me objektivat afatgjatë. Organizimi dhe funksionimi i Bordit të Administrimit përcaktohen në statutin e institutit.
3. Drejtuesi i Institutit është autoriteti ekzekutiv, administrativ dhe shkencor i institucionit, i cili emërohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, bazuar në kriteret akademike dhe procedurat sipas legjislacionit në fuqi. Drejtuesi i Institutit është kryetar i Këshillit Shkencor. Kompetencat dhe detyrat e drejtuesit të institucionit përcaktohen në statutin e institutit.
4. Organet drejtuese të Institutit mbështeten nga stafi administrativ i Institutit, i cili është pjesë e strukturës organizative dhe e numrit të punonjësve të miratuar për institucionin.
B. Njësitë e kërkimit shkencor
1. Qendra Kombëtare e Epidemiologjisë Onkologjike dhe Parandalimit është njësi e kërkimit shkencor, përgjegjëse për koordinimin dhe zhvillimin e studimeve mbi popullatën për shpërndarjen e sëmundjeve tumorale në Republikën e Shqipërisë dhe menaxhimin teknik të të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Kancerit. Ajo hulumton mbi faktorët e riskut mjedisor, profesional e gjenetik, udhëheq shkencërisht programet kombëtare të depistimit (screening) dhe koordinon Rrjetin Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, duke siguruar bashkëpunimin me Institutin e Shëndetit Publik dhe strukturat rajonale.
2. Qendra e Kërkimit Onkologjik Klinik dhe Terapive të Reja është njësi e kërkimit shkencor, përgjegjëse për ushtrimin e funksionit diagnostikues e trajtues, funksioneve mësimore e kërkimore-shkencore, si dhe për iniciimin, negociimin, formalizimin dhe menaxhimin e studimeve klinike (provave të medikamenteve) në fushën e onkologjisë. Ajo shërben si urë lidhëse midis kërkimit laboratorik dhe pacientit përmes studimit të mutacioneve gjenetike (mjekësisë së personalizuar), vlerëson teknologjitë e reja terapeutike dhe menaxhon marrëdhëniet kërkimore me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe me institucionet homologe ndërkombëtare.
C. Shërbimi Spitalor Universitar Onkologjik
Shërbimi Spitalor Universitar Onkologjik është struktura e Institutit, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të specializuara të integruara të diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së pacientëve onkologjikë, si dhe shërben si bazë klinike universitare për zhvillimin e veprimtarisë mësimore, specializimeve dhe kërkimit shkencor si pjesë e Universiteti të Mjekësisë, Tiranë, dhe/ose në bashkëpunim me institucione të tjera të arsimit të lartë. Në përbërje të tij përfshihen strukturat e diagnostikimit, kujdesit mjekësor, kirurgjikal, radioterapisë dhe kujdesit paliativ, si dhe farmacia spitalore onkologjike, e cila siguron menaxhimin dhe shpërndarjen e barnave specifike, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi.
Ç. Organet këshillimore dhe strukturat ndërlidhëse
1. Komiteti i Etikës është organ këshillimor për çështje të kërkimit shkencor, bioetikës dhe respektimit të parimeve të integritetit shkencor në studimet me subjektet njerëzore apo materialet biologjike. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen në statutin e Institutit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kërkimin shkencor dhe atë shëndetësor.
2. Tumor-board-et (Konsultat multidisiplinare) në të gjitha strukturat shëndetësore spitalore, që ofrojnë kujdes onkologjik në vend, janë pjesë funksionale dhe ndërlidhëse e Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale që koordinohet nga Instituti, duke shërbyer si mekanizëm i detyrueshëm konsultimi dhe vendimmarrjeje klinike për rastet onkologjike.
V. FINANCIMI DHE MARRËDHËNIET E PUNËS
1. Financimi i Institutit Kombëtar Onkologjik realizohet përmes:
a) fondeve të buxhetit të shtetit, të alokuara per funksionimin administrativ të Institutit;
b) fondeve të alokuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për shërbimet spitalore, sipas legjislacionit të posaçëm për financimin e shërbimeve spitalore;
c) fondeve për kërkimin shkencor dhe inovacionin, sipas legjislacionit të posaçëm për shkencën dhe kërkimin shkencor;
ç) të ardhurave nga projekte kombëtare dhe ndërkombëtare;
d) donacioneve dhe granteve;
dh)burimeve të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Instituti përbëhet nga këto kategori personeli:
a) Personel kërkimor-shkencor;
b) Personel akademik;
c) Personel mjek dhe punonjës të tjerë me arsim të lartë, teknik të shkencave mjekësore dhe ndihmësteknikë;
ç) Personel administrativ dhe mbështetës.
3. Marrëdhëniet e punës së personelit të institutit rregullohen, sipas dispozitave të Kodit të Punës.
4. Numri i punonjësve, përfshirë drejtorin dhe punonjësit e kërkimit shkencor, është brenda numrit të përgjithshëm të punonjësve të miratuar për ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë. Numri i punonjësve të shërbimit mjekësor dhe organika e institutit miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
5. Pagat e personelit të Institutit përcaktohen, në bazë të vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT DHE TRANZITORE
1. Selia e Institutit është në Tiranë dhe stema e Institutit përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Instituti Kombëtar Onkologjik”.
2. Vula e Institutit ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2 të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar.
3. Drejtuesi i Institutit emërohet brenda (30) tridhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
4. Personeli ekzistues i shërbimit onkologjik që integrohet në Institut vijon marrëdhëniet e punës pa ndërprerje, në përputhje me Kodin e Punës dhe rregullimet e përcaktuara në aktet nënligjore dhe marrëveshjet përkatëse.
5. Të gjitha asetet, infrastruktura fizike, pajisjet mjekësore, burimet njerëzore dhe detyrimet e Shërbimit të Onkologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) i transferohen Institutit brenda periudhës kalimtare, e cila përfundon më 31 dhjetor 2026.
6. Marrëdhëniet ndërmjet Institutit dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë periudhës tranzitore dhe pas përfundimit të saj rregullohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, i cili përcakton modelin e bashkëpunimit, detyrimet, përgjegjësitë, mënyrën e përdorimit dhe administrimit të burimeve të përbashkëta, si dhe ndarjen e kostove përkatëse ndërmjet palëve. Për zbatimin e këtij vendimi gjatë periudhës tranzitore, ministri përgjegjës për shëndetësinë ngre një grup pune ndërinstitucional, i cili koordinon dhe ndjek procesin, si dhe garanton vazhdimësinë e pandërprerë të shërbimeve.
7. Pajisjet e akseleratorit janë në pronësi dhe administrohen nga QSUNT-ja, si dhe përdoren edhe në funksion të ofrimit të shërbimeve për pacientët e Institutit. Modalitetet e përdorimit, përfshirë planifikimin, prioritetet dhe aksesin, përcaktohen me marrëveshje ndërinstitucionale ndërmjet palëve.
8. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Institutit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, shërbimi onkologjik, pjesë e QSUT-së, do të vazhdojë të funksionojë sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
9. Instituti i nënshtrohet auditimit të brendshëm dhe të jashtëm financiar, si dhe vlerësimeve periodike të performancës institucionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
10. Instituti siguron transparencën e veprimtarisë së tij në përputhje me legjislacionin në fuqi për llogaridhënien publike.
11. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E REGJISTRIT KOMBËTAR TË AKTIVITETIT TË LICENCUAR DHE TË LEJUAR TË BIMËS SË CANNABIS-IT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 13, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri Kombëtar i Aktivitetit të Licencuar dhe të Lejuar të Bimës së Cannabis-it” (në vijim Regjistri).
2. Në Regjistër regjistrohen dhe ruhen elektronikisht të gjitha informacionet për kërkesat e vendimmarrjet për licencim, leje, autorizim, gjurmim, mbikëqyrje, kontroll dhe inspektim, masa administrative lidhur me të gjitha fazat e kultivimit të cannabis-it, duke filluar nga dhënia e licencës, lejes dhe autorizimit deri te pezullimi apo shfuqizimi i tyre, si dhe sekuestrimi apo asgjësimi i bimëve apo produkteve dhe nënprodukteve të saj, sipas parashikimeve të ligjit nr.61/2023, dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij.
3. Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (në vijim Agjencia) është institucioni administrues i Regjistrit, i cili bashkëpunon dhe bashkërendon punën me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (në vijim AKSHI) për ngritjen e hostimin, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përdorimin e Regjistrit.
II. NDËRVEPRIMET DHE NIVELI I AKSESIT
1. Regjistri shkëmben të dhëna përmes një ndërfaqeje, duke garantuar sinkronizimin dypalësh të informacionit me bazat e tjera të të dhënave.
2. Regjistri ndërvepron me portalin qeveritar “e-Albania”, me qëllim lehtësimin e procedurave të aplikimit për t’u pajisur me licencë dhe leje.
3. Regjistri ndërvepron me:
a) sistemin e shënjimit dhe gjurmueshmërisë, i cili administrohet nga Agjencia, në aspektin e të dhënave, dhe nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., në aspektin teknik;
b) bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, të administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
c) bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri Tregtar” dhe “Regjistri Kombëtar i Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve”, të administruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
ç) bazën e të dhënave shtetërore “Sistemin elektronik tatimor”, të administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
d) bazën e të dhënave shtetërore “Sistemi i Automatizuar i të Dhënave Doganore”, të administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
4. Përdorues të Regjistrit janë, si më poshtë vijon:
a) Ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) Ministria përgjegjëse për bujqësinë;
c) Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it;
ç) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
d) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
dh) Administrata doganore;
e) Administrata tatimore;
ë) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
f) Policia e Shtetit;
g) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve;
gj) Shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a.;
h) Subjektet e licencuara apo të lejuara.
5. Tipologjitë e niveleve të aksesit në Regjistër përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Administratori është përgjegjës për krijimin dhe administrimin e të gjithë përdoruesve, mbikëqyrjen, dhënien, heqjen e kredencialeve të aksesimit të përdoruesve, si dhe gjenerimin e raporteve e të statistikave. Administratori gëzon të drejtat e të gjitha niveleve të tjera, si regjistrues dhe shikues;
b) Regjistruesi është përgjegjës për hedhjen e të dhënave të reja e dokumentacionit, duke mbajtur përgjegjësi për vërtetësinë e të dhënave që regjistron. Regjistruesi ka të drejtë të shikojë të dhëna ekzistuese dhe të gjenerojë nga Regjistri analiza, statistika dhe raporte të të dhënave të aksesueshme prej tij. Regjistruesi mund të modifikojë ose të fshijë të dhënat e hedhura në mënyrë të pasaktë, brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga hedhja e tyre. Pas mbarimit të këtij afati, modifikimi mund të kryhet vetëm nga administratori, me kërkesë të regjistruesit;
c) Shikuesi ka akses vetëm për leximin e të dhënave të regjistrit, pa të drejtë ndërhyrjeje, modifikimi, fshirjeje apo gjenerimi të raporteve, si dhe pamundësi për të ndryshuar ose për të përpunuar në çfarëdo forme të dhënat e aksesuara.
6. Agjencia, në rolin e administratorit të Regjistrit:
a) është përgjegjës për sigurimin e mirëfunksionimit të Regjistrit;
b) autorizon dhe administron nivelet e aksesit të përdoruesve në Regjistër;
c) mbikëqyr dhe monitoron veprimet që kryhen në Regjistër.
7. Institucionet janë përgjegjëse për kryerjen e veprimeve në Regjistër, në përputhje me këtë vendim, sipas tipologjisë së aksesit.
8. Agjencia përcakton nivelin e aksesit të përdoruesit në regjistër, në përputhje me funksionet dhe përgjegjësitë që ushtrojnë institucionet e subjektet.
9. Subjektet janë përgjegjëse për hedhjen e të gjitha të dhënave në Regjistër, sipas parashikimeve në ligjin nr.61/2023, dhe në aktet nënligjore në fuqi, si dhe përcaktimeve në këtë vendim. Moshedhja e tyre në kohën e duhur dhe/ose jo në përputhje me situatën reale përbën shkelje për subjektin. Agjencia, kur konstaton se të dhënat e hedhura apo të modifikuara nga subjekti nuk janë të sakta, i evidenton ato përmes aktit të konstatimit, si dhe korrigjon të dhënat në Regjistër.
10. Të gjithë përdoruesit, pjesë të fushës së veprimit të këtij vendimi, kanë detyrimin të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të aksesit në Regjistër, si dhe mbajnë përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë, në rast të shkeljes së rregullave, pakujdesisë apo keqpërdorimit të nivelit të tyre të aksesit.
11. Në rast të konstatimit të veprimeve të paligjshme, Agjencia pezullon menjëherë aksesin e institucionit ose subjektit, i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo me udhëzimet e procedurat për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore. Pezullimi i aksesit nuk përjashton përgjegjësinë administrative, civile ose penale.
III. PËRMBAJTJA, ADMINISTRIMI DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT
1. Regjistri përmban të dhënat, si më poshtë vijon:
1.1. Të dhëna parësore:
a) Të dhënat e procesit të licencimit;
b) Të dhënat e procesit të lejimit;
c) Të dhënat e importit;
ç) Të dhënat e procesit të kultivimit dhe të përpunimit (evidentimi i kryerjes së proceseve teknike me datat dhe sasitë përkatëse të materialit të përftuar);
d) Të dhënat e kontrollit laboratorik (certifikatat e analizave me rezultatet e testimit apo të ritestimit);
dh) Të dhënat e gjurmueshmërisë dhe të etiketimit (administrimi i etiketave);
e) Të dhënat e menaxhimit të mbetjeve dhe të asgjësimit (dokumentimi i plotë i procesit të asgjësimit të mbetjeve);
ë) Të dhënat e eksportit (autorizimet e eksportit, kontratat me subjektet e huaja dhe procedurat doganore dalëse);
f) Të dhënat e transportit (autorizimet e lëvizjeve të bimës së cannabis-it, nënprodukteve dhe produkteve të saj);
g) Të dhënat e mbikëqyrjes, kontrollit dhe inspektimit (procesverbale, akte e raporte të monitorimit në terren dhe në distancë, masat administrative, konfiskimet).
1.2 .Të dhëna dytësore, të cilat Regjistri i merr nga ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave, përmendur në pikën 3, të kreut II, të këtij vendimi, që janë nga:
a) sistemi i shënjimit dhe i gjurmueshmërisë, si më poshtë vijon:
i. Të dhënat e dokumentit të transportit;
ii. Të dhënat e importit;
iii. Të dhënat e kultivimit;
iv. Të dhënat e paketimit;
v. Të dhënat e konfiskimit;
vi. Të dhënat e asgjësimit.
b) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si më poshtë vijon:
i. Numri i identifikimit personal;
ii. Emri, atësia, mbiemri;
iii. Datëlindja;
iv. Vendlindja (shteti, njësia administrative bashkia/qarku).
c) Regjistri Tregtar dhe Regjistri Kombëtar i Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, si më poshtë vijon:
i. Emri i subjektit;
ii. NIPT-i;
iii. Forma juridike (p.sh. sh.p.k, sh.a., person fizik etj.);
iv. Adresa e selisë;
v. Licenca aktive;
vi. Objekti i veprimtarisë;
vii. Lloji i dokumentit të lëshuar (licencë, autorizim, leje, certifikatë ose certifikatë autorizimi);
viii. Të dhëna për adresën e ushtrimit të aktivitetit;
ix. Të dhëna për administratorët, këshillin mbikëqyrës, pjesëmarrjen në drejtim;
x. Kapitali i shoqërisë së huaj;
xi. Emri i degës ose i zyrës së përfaqësimit, nëse është i ndryshëm nga ai i shoqërisë së huaj.
ç) baza e të dhënave shtetërore, sistemi elektronik tatimor, si më poshtë vijon:
i. Të dhëna për detyrimet në kohë reale;
ii. Të dhënat e listëpagesave.
d) Sistemi i Automatizuar i të Dhënave Doganore, si më poshtë vijon:
i. Vlera e mallit;
ii. Numri dhe data e deklaratës doganore;
iii. Vendi i origjinës;
iv. Vendi i destinacionit të mallrave;
v. Numri i procesverbalit të kontrollit;
vi. Rezultatet e kontrollit (konform/jokonform deklarimit);
vii. Statusi i deklaraës doganore (regjistruar/pranuar/çliruar).
2. Institucionet ose subjektet që kanë akses në Regjistër kanë detyrim të emërojnë personin e autorizuar për përdorimin e Regjistrit, si dhe të njoftojnë zyrtarisht me shkresë Agjencinë për emërimin apo ndryshimin e tyre.
3. Pas marrjes së njoftimit për caktimin e një punonjësi të autorizuar nga institucioni ose nga subjekti i licencuar apo i lejuar për aksesimin e Regjistrit apo zëvendësimin e tij, Agjencia, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja e këtij njoftimi, aktivizon aksesin, në përputhje me tipologjinë e aksesit në Regjistër.
4. Agjencia heq aksesin brenda 1 (një) dite pune nga marrja e njoftimit zyrtar për largimin e punonjësit të autorizuar nga institucioni ose nga subjekti i licencuar apo i lejuar për aksesimin e Regjistrit.
5. Agjencia i heq aksesin punonjësve të autorizuar të subjektit menjëherë nga marrja e vendimit për shfuqizimin e lejes apo të licencës.
6. Të gjitha veprimet e kryera në bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit regjistrohen automatikisht në log-e të auditueshme e të pamodifikueshme, duke përfshirë kredencialet e përdoruesit, kohën, vendndodhjen, funksionet e aksesit dhe veprimin e kryer.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Agjencia, në cilësinë e autoritetit rregullator koordinues të bazave të të dhënave shtetërore, harton manuale për përdorimin e Regjistrit dhe planifikon trajnime në ndihmë të përdoruesve, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
2. Mirëmbajtja teknike e Regjistrit kryhet në zbatim të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar. Të gjitha kostot për krijimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit do të mbulohen nga fondi buxhetor i AKSHI-t.
3. Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale kryhen në zbatim të ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
4. Çdo ndryshim i të dhënave në Regjistër, përfshirë shtesa apo pakësime, përveç atyre të përcaktuara në këtë vendim, realizohet nga Agjencia, në bazë të një kërkese të argumentuar nga institucionet dhe subjektet. Efektet financiare për realizmin e ndryshimeve të kërkuara në Regjistër përballohen nga buxheti i shtetit.
5. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., dhe subjektet e licencuara apo të lejuara për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.845, DATË 30.12.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE “OPERATORI I SHËRBIMEVE TË INTEGRUARA TË STERILIZIMIT”, SH.A. (OSHIS, SH.A.), PËR OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË INTEGRUARA TË PROCESIT TË STERILIZIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, si dhe me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.845, datë 30.12.2025, “Për krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i shërbimeve të integruara të sterilizimit”, sh.a. (OSHIS, sh.a.), për ofrimin e shërbimeve të integruara të procesit të sterilizimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit zëvendësohet me “Për krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a. (OSHISH, sh.a.)”.
2. Në titull dhe në të gjithë përmbajtjen e vendimit, shkurtesa “OSHIS” zëvendësohet me “OSHISH”.
3. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a. (OSHISH, sh.a.), me kapital 100% shtetëror, për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit, organizimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendrat pranë spitaleve Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Korçë.”.
4. Pas shkronjës “g”, të pikës 2, shtohen shkronjat “gj” , “h”, “i’ , “j” dhe “k”, me këtë përmbajtje:
“gj) ofrimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe organizimin e administrimin operacional të rrjetit të laboratorëve, të pikave të ofrimit të shërbimit, të proceseve logjistike, të sistemeve informatike, të pajisjeve dhe aseteve të nevojshme për realizimin e programit;
h) administrimin e rrjetit të laboratorëve dhe të pikave të ofrimit të shërbimit, si dhe koordinimin e proceseve logjistike dhe informatike, që lidhen me realizimin e Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë;
i) kryerjen e çdo veprimtarie tjetër të nevojshme për zbatimin e Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
j) marrjen e masave të nevojshme organizative, teknike, logjistike dhe kontraktore për sigurimin e vazhdimësisë së pandërprerë të shërbimit të hemodializës, në përputhje me protokollet mjekësore të miratuara dhe legjislacionin në fuqi në 5 (pesë) qendrat pranë spitaleve Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Korçë, përfshirë zhvillimin e procedurave të prokurimit, lidhjen, administrimin e monitorimin e zbatimit të kontratave për mirëmbajtjen parandaluese dhe korrigjuese të pajisjeve mjekësore, si dhe për furnizimin me materiale të konsumit, mallra, pajisje, produkte dhe shërbime të tjera të nevojshme për funksionimin e këtij shërbimi, sigurimin e funksionimit normal të aparaturave dhe të pajisjeve mjekësore;
k) administrimin, menaxhimin e mirëmbajtjen e aseteve, të pajisjeve mjekësore, të sistemeve informatike dhe elementeve të tjera pasurore, që përdoren për ofrimin e shërbimeve në fushat e veprimtarisë së shoqërisë.”.
5. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. OSHISH, sh.a., ofron të gjitha shërbimet e parashikuara në shkronjat “gj”, “h”, “i”, “j” dhe “k”, të këtij vendimi, pas përfundimit të afatit të kontratave përkatëse të koncesionit/partneritetit publik privat për kontrollin mjekësor bazë dhe për ofrimin e shërbimit të hemodializës.”.
6. Në fund të pikës 5, shtohen fjalët “… si dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor parësor dhe strukturave të tjera publike shëndetësore, sipas organizimit të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë.”.
7. Pikat 7, 8 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“7. Të ardhurat, që rrjedhin nga shërbimet e ofruara nga OSHISH, sh.a., arkëtohen nga shoqëria, në bazë të kontratave të lidhura me institucionet financuese ose përfituese dhe sipas tarifave të miratuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
8. Shoqëria aksionare OSHISH, sh.a., financohet nga të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve publike të integruara të sterilizimit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të ardhurat përdoren vetëm për ushtrimin e zhvillimin e veprimtarisë së saj, duke ruajtur karakterin e shërbimit publik. Për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës, OSHISH, sh.a., si dhënës shërbimi i licencuar, financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor.
…
11. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare asetet, pajisjet, sistemet informatike, të drejtat dhe çdo element tjetër pasuror, që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës të partneritetit publik privat/koncesionit me nr.1440/40, datë 10.12.2015, “Për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, të ndryshuar, nr.3082/20, datë 7.1.2015, “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grup-moshat 40 – 65 vjeç”, të ndryshuar, si edhe nr.1503/44, datë 10.2.2016, “Për shërbimin e hemodializës”, në përputhje me parashikimet kontraktore dhe legjislacionin në fuqi.”.
II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a. (OSHISH, sh.a.) dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ORGANIZIMIT DHE ZHVILLIMIT TË PROGRAMIT “PAS SHKOLLE” TË KATEGORIVE, KRITEREVE DHE MËNYRËS SË PËRZGJEDHJES, SHPËRBLIMIT TË TRAJNUESVE, SI DHE MËNYRËS SË FINANCIMIT TË KËTIJ PROGRAMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 47/1, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI DHE zhvilliMI i programit “pas shkolle”
1. Programi “pas shkolle” është i organizuar dhe i strukturuar në veprimtari, që zhvillohen jashtë orarit mësimor të detyruar dhe ka për qëllim përforcimin e të nxënit dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të aftësive edukative, sociale, sportive, kulturore dhe krijuese të nxënësve.
2. Programi “pas shkolle” realizohet për nxënësit e regjistruar në institucionet arsimore parauniversitare publike të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë.
II. KATEGORITË dhe kriteret e TRAJNuesve
1. Programi “pas shkolle” për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit, të cilat synojnë konsolidimin e njohurive, aftësive, zhvillimin e kompetencave dhe përmirësimin e arritjeve të nxënësve, zhvillohen nga trajnuesit, të cilët ndahen në kategoritë e mëposhtme:
a) Mësuesi i punësuar në institucionet arsimore parauniversitare publike, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar apo me kohëzgjatje të caktuar;
b) Individi, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit, i është nënshtruar provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, sipas akteve të posaçme që rregullojnë procedurën e konkurrimit në këtë portal dhe ndodhet në listë pritjeje për një vend të lirë pune në institucionet arsimore parauniversitare publike;
c) Individi, i cili ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe ka ushtruar më parë mësimdhënie në institucionet arsimore publike;
ç) Individi, që është diplomuar në fushën e mësuesisë apo në fusha të përafërta në një program të ciklit të dytë të studimeve, në institucione të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë apo në institucione të huaja të arsimit të lartë, për të cilin është njohur dhe është njësuar diploma e huaj, bazuar në përcaktimet e legjislacionit në fuqi.
2. Programi “pas shkolle”, për veprimtaritë që lidhen me zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve, zhvillohet nga trajnuesit, të cilët ndahen në kategoritë e mëposhtme:
a) Mësuesi, i cili ushtron profesionin e mësuesit në profilet artistike, i punësuar në institucionet arsimore parauniversitare publike, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar apo me kohëzgjatje të caktuar;
b) Individi, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit në profilet artistike, i është nënshtruar provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, sipas akteve të posaçme që rregullojnë procedurën e konkurrimit në këtë portal dhe ndodhet në listë pritjeje për një vend të lirë pune në institucionet arsimore parauniversitare publike;
c) Individi, i cili ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë dhe ka ushtruar më parë mësimdhënien në profilet artistike në institucionet arsimore publike ose ka ushtruar profesionin në këto profile në institucionet kulturore publike;
ç) Individi, i cili është diplomuar në fushën e mësuesisë apo në programe studimi të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar në profilet artistike, në institucione të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë apo institucione të huaja të arsimit të lartë, për të cilin është njohur dhe është njësuar diploma e huaj, bazuar në përcaktimet e legjislacionit në fuqi;
d) Individi, i cili ka përfunduar një program studimi të ciklit të dytë në fushën e arteve;
dh) Artizanë të mjeshtërive të ndryshme të dijebërjes dhe zejeve, të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose në Regjistrin e Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale.
III. APLIKIMI I KANDIDATËVE PËR TRAJNUES
1. Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar shpall në faqen zyrtare thirrjen për aplikim për kandidatët për trajnues për t’u angazhuar në programin “pas shkolle”.
2. Kandidatët për trajnues kanë të drejtë të aplikojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e publikimit të shpalljes, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij kreu.
3. Kandidati, i cili ushtron profesionin e mësuesit, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, aplikon për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).
4. Kandidati, sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, aplikon për t’u angazhuar në programin “pas shkolle”, duke përzgjedhur opsionin përkatës në shërbimin elektronik “aplikim për konkurrim për punësim”, “Mësues për Shqipërinë”, në portalin “e-Albania”.
5. Kandidatët për trajnues të kategorive të tjera, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, dorëzojnë dosjen e aplikimit në zyrën vendore të arsimit parauniversitar (në vijim ZVAP), nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni arsimor.
6. Të dhënat elektronike të dosjes për aplikimin e kandidatëve, sipas përcaktimit të shkronjave “a” dhe “b”, të pikave 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi, merren përmes ndërveprimit nga SMIP-ja ose nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
7. Dosja e aplikimit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, përmban dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kopjen e diplomës/ave të arsimit të lartë dhe listës së notave/suplement i diplomës;
b) Vërtetimin mjeko-ligjor;
c) Certifikatën e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti);
ç) Vërtetimin nga prokuroria, që kandidati nuk është në ndjekje penale për kryerjen e një vepre penale;
d) Vërtetimin nga gjykata, që kandidati nuk është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Kopjen e certifikatave/dëshmive për trajnime të kryera (nëse ka);
e) Deklaratën nga kandidati për autorizimin e institucionit arsimor, që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura;
ë) Vërtetimin e pensionit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi.
8. Dosja e aplikimit për kandidatët, sipas përcaktimit të shkronjës “dh”, të pikës 2, të kreut II, përmban dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vërtetimin e lëshuar nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, që janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose Regjistrit të Vlerave të Trashëgimisë Jomateriale;
b) Certifikatën e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti);
c) Vërtetimin nga prokuroria, që kandidati nuk është në ndjekje penale për kryerjen e një vepre penale;
ç) Vërtetimin nga gjykata, që kandidati nuk është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Kopjen e certifikatave/dëshmive për trajnime të kryera (nëse ka);
dh) Deklaratën nga kandidati për autorizimin e institucionit arsimor, që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura.
IV. MËNYRA E PËRZGJEDHJES SË TRAJNUESVE
1. Kandidatëve, mësues të arsimit fillor, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, u jepet përparësi për angazhimin në programin “pas shkolle”, që zhvillohet në klasat e arsimit fillor, për veprimtaritë që lidhen me mbështetjen dhe përforcimin e të nxënit. Në mungesë të kandidatit të interesuar, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” mësuesit e arsimit të mesëm të ulët të institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës.
2. Kandidatëve, mësues të profileve përkatëse, sipas veprimtarive, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, u jepet përparësi për angazhimin në programin “pas shkolle”, që zhvillohet në arsimin e mesëm të ulët, për veprimtaritë që lidhen me zhvillimin e aftësive artistike, kulturore, krijuese dhe praktike të nxënësve.
3. Kandidatët e përcaktuar në pikat 1 dhe 2, të këtij kreu, kanë të drejtë të aplikojnë vetëm në institucionin arsimor parauniversitar publik, në të cilin janë të punësuar.
4. Pikëzimi i dosjeve dhe përzgjedhja e kandidatit, të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, dhe në shkronjën “a”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, të punësuar në institucionin arsimor parauniversitar publik përkatës, bëhet nga një komision në nivel shkolle, me 3 (tre) anëtarë me përbërje, si më poshtë:
a) Drejtori i shkollës;
b) Një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve;
c) Kryetari i këshillit të prindërve të institucionit.
5. Në rast se numri i aplikimeve është më i ulët se numri i kërkuar nga institucioni arsimor parauniversitar publik, drejtori i shkollës përcjell me shkresë zyrtare në ZVAP kërkesën për plotësimin e vendeve të lira.
6. Kandidati që ka konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, dhe në shkronjën “b”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, përzgjidhet në përputhje me profilin e mësuesit të kërkuar nga institucioni arsimor, duke respektuar renditjen e tyre në portal, sipas pikëve totale të fituara. Procedura për angazhimin e trajnuesit kryhet nga komisioni ad hoc i ngritur nga ZVAP-ja, i cili përbëhet nga drejtuesi i ZVAP-së dhe nga dy anëtarë.
7. Pikëzimi i dosjeve për kandidatët e përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, dhe në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, bëhet nga një komision vlerësimi ad hoc i ngritur nga zyra vendore e arsimit parauniversitar, i cili përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, nga të cilët dy janë përfaqësues të zyrës vendore arsimore parauniversitare dhe 1 (një) përfaqësues nga drejtoria rajonale arsimore parauniversitare.
8. Anëtarët e komisionit të vlerësimit nuk marrin pjesë në shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të personave me të cilët kanë konflikt interesi. Deklarimi dhe konstatimi i konfliktit të interesit bëhet sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesit.
9. Komisioni i vlerësimit kryen vlerësimin dhe pikëzimin e dosjes së kandidatit, sipas kritereve dhe metodologjisë, të përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
10. Vendimet e komisionit merren me shumicën e të gjithë anëtarëve.
11. Përzgjedhja e kandidatëve të përcaktuar në pikën 6, të këtij kreu, bëhet sipas renditjes në pikat 1 dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi.
12. Procedura e ankimimit bëhet sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
13. Në rast mungese të kandidatit ose largimit të tij, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar rishpall thirrjen për trajnues, në kuadër të programit “pas shkolle”.
14. Pas përzgjedhjes së trajnuesit, lidhet kontrata e shërbimit ndërmjet tij dhe institucionit arsimor parauniversitar, ku trajnuesi angazhohet për programin “pas shkolle”.
V. MËNYRA E FINANCIMIT dhe shpërblimi i trajnuesve PëR PROGRAMIn “PAS SHKOLLE”
1. Programi “pas shkolle” financohet nga fondi buxhetor i miratuar për këtë qëllim, për çdo vit buxhetor, nëpërmjet akordimit të fondeve për zyrat vendore të arsimit parauniversitar për realizimin e këtij programi.
2. Shpërblimi i trajnuesve të programit “pas shkolle” trajtohet si pagesë për shërbim të veçantë arsimor, të kryer jashtë detyrimeve, që rrjedhin nga kontrata e punës.
3. Për shkollat me status të veçantë, fondi për pagesën e mësuesve të angazhuar në program akordohet drejtpërdrejt në buxhetin e institucionit arsimor përkatës.
4. Pagesa për çdo orë për zbatimin e programit “pas shkolle” për trajnuesit, për veprimtaritë që zhvillohen jashtë orarit mësimor të detyruar, është 1 000 (një mijë) lekë. Shpërblimi për realizimin e programit “pas shkolle”, për trajnuesit e punësuar në institucionet parauniversitare publike, nuk përbën pjesë të pagës mujore dhe nuk ndikon në ngarkesën mësimore të detyrueshme.
VI. MONITORIMI, RAPORTIMI DHE ADMINISTRIMI I DOKUMENTACIONIT
1. Institucioni arsimor parauniversitar publik mban dokumentacionin përkatës për zhvillimin e veprimtarive, pjesëmarrjen e nxënësve dhe realizimin e orëve, sipas formatit të miratuar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar.
2. Institucioni arsimor parauniversitar publik administron portofolin digjital të arritjeve të nxënësve pjesëmarrës në programin “pas shkolle”.
3. ZVAP-ja raporton periodikisht në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar për realizimin e programit “pas shkolle”, përfshirë numrin e institucioneve arsimore përfituese, numrin e trajnuesve, numrin e nxënësve pjesëmarrës, veprimtaritë e zhvilluara dhe realizimin e fondit të akorduar.
4. Drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar monitoron realizimin e programit “pas shkolle” dhe raporton periodikisht në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, e cila raporton në ministrinë përgjegjëse për arsimin.
5. Realizimi i programit “pas shkolle” është objekt monitorimi dhe kontrolli nga drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar dhe nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar.
6. Zbatimi i programit “pas shkolle” vlerësohet mbi bazën e treguesve që lidhen me numrin e institucioneve arsimore përfituese, numrin e trajnuesve, numrin dhe frekuentimin e nxënësve pjesëmarrës, realizimin e veprimtarive, nivelin e përdorimit të fondit, shtrirjen territoriale dhe rezultatet e arritura.
VII. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Përjashtimisht, për vitin shkollor 2026-2027, kërkesa për aplikim për t’u angazhuar në programin “pas shkolle” për mësuesin e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, kryhet në rrugë elektronike.
2. Vendimi nr.606, datë 14.9.2022, i Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e programit “pas shkolle””, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT, ME QËLLIM KONVERTIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.209, DATË 29.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË SPITALLË, BASHKIA DURRËS, “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE “MIQËSIA” DHE “AZEM HAJDARI”, LOTI III, RRUGA “AZEM HAJDARI”, LOTI IV, RRUGA “VALA E DETIT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të pikës 17, të kreut I, të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.482, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr.164, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese””, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe/ose shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit, në zonën e re për zhvillim në Spitallë, Bashkia Durrës, “Rikonstruksioni i rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari”, loti III, rruga “Azem Hajdari”, loti IV, rruga “Vala e detit””.
2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të Bashkisë Durrës.
3. Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin, me shkëmbim, për pasuritë e llojit “ndërtesë” dhe “truall”, me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, sipas marrëveshjeve/kontratave paraprake që janë lidhur dhe marrëveshjeve përfundimtare që do të lidhen ndërmjet Bashkisë Durrës dhe qytetarëve, që shprehin dakordësinë, dhe shkëmbimi realizohet me njësitë përfituese, që do të krijohen dhe do të regjistrohen në përfundim të procesit të rindërtimit, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “apartament” dhe “ndërtesë”, në vlerën 99 932 517 (nëntëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë.
5. Efekti financiar, për vlerën e përgjithshme të kompensimit prej 99 932 517 (nëntëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e shtatëmbëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet Bashkisë Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelat, që i bashkëlidhen këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatë, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Durrës, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
7. Efektet e shpronësimit fillojnë me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, ndërsa procedurat e ekzekutimit të tij kryhen sipas legjislacionit në fuqi.
8. Bashkia Durrës kryen pagesën e kompensimit monetar dhe procedurat e shkëmbimit vetëm pas plotësimit të dokumentacionit ligjor nga subjektet përfituese dhe në përputhje me aktmarrëveshjen e nënshkruar.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të realizohet përpara marrjes në posedim të pasurive dhe në përputhje me procedurat e parashikuara nga legjislacioni për shpronësimet. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, do të realizohet pas krijimit dhe regjistrimit të pasurisë shtetërore të ardhshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, sipas marrëveshjeve paraprake të lidhura me subjektet.
10. Bashkia Durrës i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit, ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën “truall”, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të bëjë regjistrimin e barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privat/privatë ka/kanë pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet, bëhet regjistrimi i barrës ligjore për pasurinë shtetërore, ku do të krijohen njësitë përfituese, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si garanci për të drejtën e subjektit përfitues deri në regjistrimin përfundimtar të pasurisë shtetërore dhe kalimin e pronësisë në favor të tij dhe regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.
11. Bashkia Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
12. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimit të punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara.
14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës – Kavajë – Krujë, Bashkia Durrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.442, DATË 3.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.442, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Durrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “BLLOKU I KUFIZUAR NGA RRUGËT “MERSIN JAKUPI”, “17 NËNTORI”, “GJERGJ MEHMETI”, “SPARTAK DELIU”, “BESNIK HIDRI”, “PRINC VIDI”, “NIKOLLA IVANAJ”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Blloku i kufizuar nga rrugët “Mersin Jakupi”, “17 Nëntori”, “Gjergj Mehmeti”, “Spartak Deliu”, “Besnik Hidri”, “Princ Vidi”, “Nikolla Ivanaj”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 534 940.50 (katër milionë e pesëqind e tridhjetë e katër mijë e nëntëqind e dyzet pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 4 534 940.50 (katër milionë e pesëqind e tridhjetë e katër mijë e nëntëqind e dyzet pikë pesëdhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Bashkia Tiranë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PEZULLIMIN E PUNIMEVE TË NDËRTIMIT DHE TË AKTIVITETEVE TË LIDHURA ME TO NË ZONAT TURISTIKE GJATË SEZONIT TURISTIK 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe të aktiviteteve të tjera të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim garantimin e zhvillimit të qetë të tij.
2. Gjatë periudhës së pezullimit, në zonat turistike pezullohen:
a) të gjitha punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe çdo aktivitet i lidhur me to;
b) të gjitha punimet e ndërtimit, nga faza e hedhjes së themeleve dhe gërmimit, deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objektit;
c) të gjitha punimet e ndërtimit, që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.
3. Periudha e pezullimit për sezonin turistik 2026 fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe përfundon më 15 shtator 2026.
4. Nga pezullimi përjashtohen:
a) punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla, që kryhen pas përfundimit të ngritjes së karabinasë, të pajisura me lejet përkatëse, për aq sa nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur ose ndikime të tjera negative në mjedis;
b) ngritja apo sistemimi i kantiereve, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Këto punime kryhen brenda fashës orare 08:00–17:00.
5. Periudha e pezullimit, sipas këtij vendimi, do të përllogaritet si afat shtesë mbi afatin e lejes së ndërtimit/zhvillimit, për secilën leje ndërtimi/zhvillimi apo leje ushtrimi aktiviteti, që u është dhënë subjekteve apo që do t’u jepet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Për lejet e ndërtimit ose të aktiviteteve të tjera, të dhëna përpara hyrjes në fuqi të ligjit, bashkitë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ose autoritetet e tjera kompetente, me kërkesë të subjekteve zhvilluese, miratojnë shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve/aktiviteteve, duke marrë në konsideratë kohëzgjatjen e pezullimit, të miratuar me këtë vendim.
7. Zonat ku zbatohet pezullimi i punimeve të ndërtimit dhe i aktiviteteve të lidhura me to përfshijnë brezin bregdetar, sipas përkufizimit të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qendrat historike, zonat e mbrojtura, me funksion turistik, dhe qendrat urbane turistike. Territore të tjera, ku gjatë sezonit turistik regjistrohet fluks i lartë turistësh ose zhvillohen aktivitete turistike, përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Pezullimi zbatohet gjithashtu edhe ndaj aktiviteteve të lidhura me punimet e ndërtimit, të cilat zhvillohen jashtë zonave të përcaktuara në këtë pikë, kur, për shkak të natyrës, vendndodhjes ose mënyrës së ushtrimit të tyre, ndikojnë ose mund të ndikojnë në zhvillimin normal të aktivitetit turistik në këto zona, duke shkaktuar zhurmë, pluhur, ndotje ose efekte të tjera të ngjashme.
8. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, njësitë inspektuese pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT (ASISTENCA TEKNIKE) PËR SHQIPËRINË: PROJEKTI I KONEKTIVITETIT TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE – MBËSHTETJE PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT, DATË 17 QERSHOR 2022, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE (MARRËSI), DHE FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (ENTI I PROJEKTIT) DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, MBËSHTETUR NGA FONDI I POSAÇËM I AKSIONARËVE TË BERZH-IT, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.632, DATË 28.9.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së grantit (asistenca teknike) për Shqipërinë: projekti i konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale – mbështetje për zbatimin e projektit, datë 17 qershor 2022, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave (marrësi), dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (enti i projektit) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështetur nga Fondi i Posaçëm i Aksionarëve të BERZH-it, miratuar me vendimin nr.632, datë 28.9.2022, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RIORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSPEKTORATIT KOMBËTAR TË MBROJTJES SË TERRITORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (në vijim, IKMT) është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për parandalimin, mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe kontrollin/inspektimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e territorit, të mjedisit, të ajrit, të ujërave dhe të pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e kundërligjshme të çdo lloji. IKMT-ja e ka selinë qendrore në Tiranë.
2. Misioni i IKMT-së është të sigurojë mbrojtjen e territorit, të mjedisit, të ajrit, të ujërave dhe të pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e kundërligjshme të çdo lloji, nëpërmjet kontrollit/inspektimit, në përputhje me detyrat e përgjegjësitë e përcaktuara në nenin 9, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. IKMT-ja është njësi shpenzuese më vete dhe financohet nga buxheti i shtetit e nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i IKMT-së përbën zë më vete në buxhetin e ministrisë përgjegjëse.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
1. IKMT-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në dy nivele:
a) Në nivel qendror, nëpërmjet drejtorisë qendrore;
b) Në nivel rajonal, nëpërmjet 12 (dymbëdhjetë) drejtorive rajonale të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (në vijim, DRIKMT), si më poshtë vijon:
i. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Tiranë;
ii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Durrës;
iii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Korçë;
iv. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Vlorë;
v. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Kukës;
vi. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Shkodër;
vii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Berat;
viii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Dibër;
ix. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Elbasan;
x. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Fier;
xi. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Lezhë;
xii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Gjirokastër.
2. IKMT-ja drejtohet nga kryeinspektori qendror, i cili organizon e drejton veprimtarinë e institucionit, e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet e raporton për veprimtarinë inspektuese përpara ministrit përgjegjës dhe Inspektoratit të Përgjithshëm. DRIKMT-të drejtohen nga kryeinspektorët rajonalë.
3. Struktura dhe organika e IKMT-së miratohen nga Kryeministri, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore. Përpara dërgimit të propozimit merret mendimi i detyrueshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, në përputhje me ligjin për inspektimin.
III. PËRGJEGJËSITË E KRYEINSPEKTORIT QENDROR E TË IKMT-SË DHE DRIKMT-VE
1. Kryeinspektori qendror drejton veprimtarinë e IKMT-së dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
2. Kryeinspektori qendror është përgjegjës për:
a) organizimin, koordinimin, funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së IKMT -së, nëpërmjet:
i. organizimit të punës për kryerjen e veprimtarisë inspektuese në secilën fushë inspektimi, me qëllim arritjen e përputhshmërisë ligjore nga subjektet e inspektimit;
ii. vlerësimit të performancës, përdorimit të burimeve të inspektimit dhe kuadrit institucional në tërësi, në raport me objektivat dhe nivelin e përmbushjes së treguesve, si dhe ndërmarrjes së nismave për përmirësimin e performancës;
iii. monitorimit e vlerësimit të efikasitetit të veprimtarisë inspektuese, sipas fushave të inspektimit dhe masave të ndërmarra për arritjen e objektivave;
iv. organizimit të punës dhe hartimit të dokumenteve për planifikimin, kryerjen dhe ndjekjen e inspektimeve;
v. zbatimit të politikave sektoriale, strategjive dhe programeve të inspektimit.
b) menaxhimin e burimeve njerëzore;
c) zbatimin dhe administrimin e buxhetit të miratuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në funksion të veprimtarisë së inspektoratit;
ç) nxjerrjen e akteve administrative të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për inspektimin dhe nga ligjet e posaçme;
d) zbatimin e ligjshmërisë në fushat që mbulon IKMT-ja, përfshirë mbrojtjen e territorit, të peizazhit, të mjedisit, të tokës, të ajrit, të ujërave, pyjeve, zonave të mbrojtura, produkteve të ndërtimit, menaxhimin e burimeve ujore dhe mbetjeve, nëpërmjet ushtrimit të kontrollit/inspektimit, sipas procedurave të parashikuara në ligjin për inspektimin dhe në ligjet e posaçme. Në rastet e lejeve të ndërtimit në kompetencë të KKTU-së, procesi i kontrollit dhe i monitorimit bashkërendohet me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretariatit teknik të KKTU-së;
dh) raportimin e veprimtarisë inspektuese, sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin;
e) nënshkruan vendimin përfundimtar të inspektimit, sipas përcaktimeve të ligjit të posaçëm, për marrjen e masave përkatëse dhe vendosjen e sanksioneve administrative, për procedurat e inspektimit të mbajtura nga struktura përgjegjëse inspektuese qendrore/rajonale.
3. IKMT-ja është përgjegjëse dhe ka për detyrë:
a) përcaktimin e objektivave për fushat e inspektimit, bazuar në politikat, strategjitë, programet dhe masat e hartuara nga ministritë përgjegjëse, si dhe identifikimin e treguesve kyç për vlerësimin e arritjes së këtyre objektivave;
b) hartimin e raportit vjetor për veprimtarinë inspektuese, i cili i paraqitet ministrit përgjegjës dhe Inspektoratit të Përgjithshëm, sipas rolit dhe kompetencave të përcaktuara në ligjin për inspektimin;
c) marrjen e masave për parandalimin e risqeve, që mund të rezultojnë nga veprimtaria e subjekteve të inspektimit në fushat nën juridiksionin e tij;
ç) kryerjen e vlerësimeve në rastet e dëmit të shkaktuar nga veprimtari të ndryshme në fushën e pyjeve, sipas ligjit të posaçëm;
d) marrëdhëniet me publikun dhe ndërgjegjësimin publik, nëpërmjet këshillimit dhe informimit të subjekteve për detyrimet ligjore, që duhet të respektojnë;
dh) drejtimin e bashkërendimin e punës për gjenerimin, grumbullimin dhe përditësimin e të dhënave cilësore e sasiore në fushat e inspektimit që mbulon;
e) propozimin e metodave, të teknikave inovative ose të ndryshimeve ligjore, që kontribuojnë në rritjen e eficiencës së veprimtarisë inspektuese;
ë) bashkëpunimin e bashkërendimin e punës me institucione analoge vendase ose të huaja, në fushat që mbulon;
f) vlerësimin dhe evidentimin e nevojave për trajnimin e inspektorëve, në bashkëpunim me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe me institucione të tjera vendase ose të huaja;
g) hartimin e programeve vjetore dhe mujore të inspektimit, bazuar në metodologjinë e vlerësimit të riskut, në funksion të zbatimit të ligjit për inspektimin dhe të legjislacionit të posaçëm;
gj) zbatimin e programit të inspektimit, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi;
h) kryerjen e inspektimeve mbi bazën e planeve vjetore/mujore dhe të vlerësimit të riskut, me qëllim sigurimin e zbatueshmërisë së ligjit në fushat që mbulon IKMT-ja;
i) monitorimin e kontrollin e veprimtarisë së strukturave inspektuese të drejtorive rajonale të IKMT-së dhe ato pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas fushave përkatëse të inspektimit, si dhe marrjen e masave e të sanksioneve në rastet kur evidentohen shkelje, sipas parashikimeve të ligjit të posaçëm dhe të ligjit për inspektimin;
j) nëpërmjet trupës inspektuese, marrjen e masave për përcjelljen dhe referimin e kallëzimit penal pranë organeve kompetente, sipas legjislacionit në fuqi, duke vënë në dispozicion materialet dhe informacionin e disponuar.
4. Kryeinspektori rajonal dhe drejtoria rajonale e IKMT-së ushtrojnë këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë të dhëna e informacione, të cilat ia raportojnë drejtorisë qendrore;
b) Kryejnë inspektime mbi bazën e planeve vjetore/mujore dhe të vlerësimit të riskut, me qëllim sigurimin e zbatueshmërisë së ligjit në fushat që mbulon IKMT-ja;
c) Bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse në njësitë e vetëqeverisjes vendore, Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera shtetërore, sipas legjislacionit për inspektimin dhe ligjit të posaçëm;
ç) Evidentojnë nevojat për trajnimin e inspektorëve, me qëllim ushtrimin efektiv të përgjegjësive dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale në fushën përkatëse të inspektimit;
d) Për procedurat e inspektimit të mbajtura nga struktura përgjegjëse inspektuese rajonale, vendimi përfundimtar i inspektimit nënshkruhet nga kryeinspektori qendror, sipas përcaktimeve të ligjit të posaçëm;
dh) Nëpërmjet trupës inspektuese, marrjen e masave për përcjelljen dhe referimin e kallëzimit penal pranë organeve kompetente, sipas legjislacionit në fuqi, duke vënë në dispozicion materialet dhe informacionin e disponuar.
IV. MARRËDHËNIET E PUNËSIMIT
1. Marrëdhëniet e punës së inspektorëve të IKMT-së dhe DRIKMT-ve rregullohen sipas Kodit të Punës, ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjeve të posaçme sektoriale dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, përfshirë rregullat për kriteret e emërimit, ushtrimin e funksionit inspektues, trajnimin dhe certifikimin, kur këto kërkohen nga legjislacioni në fuqi. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
2. Rregullorja e brendshme e IKMT-së miratohet nga ministri përgjegjës, me propozimin e kryeinspektorit qendror.
3. IKMT-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e IKMT-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
4. DRIKMT-të kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e DRIKMT-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria Rajonale e IKMT-së (emri i qarkut, ku ka selinë drejtoria rajonale)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
5. Vula e IKMT-së dhe vulat e secilës DRIKMT kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen e ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Strukturat përgjegjëse të IKMT-së, AKM-së dhe AKZM-së vijojnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre deri në funksionimin e plotë të IKMT-së dhe DRIKMT-ve, me qëllim garantimin e vijimësisë institucionale, administrative e procedurale, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe legjislacionit në fuqi.
2. Pozicionet që ushtrojnë funksione inspektuese në inspektoratin qendror dhe në drejtoritë rajonale përcaktohen në strukturën dhe organikën e miratuar, në përputhje me ligjin për inspektimin, ligjet e posaçme dhe aktet nënligjore në fuqi, dhe përfshijnë:
a) kryeinspektor qendror;
b) kryeinspektor i drejtorisë rajonale;
c) drejtor drejtorie në drejtorinë qendrore ose rajonale;
ç) përgjegjës sektori në drejtorinë qendrore ose rajonale;
d) inspektor në drejtorinë qendrore ose rajonale.
3. Punonjësit, fondet buxhetore, dokumentacioni, arkivat, dosjet në proces, mjetet, pajisjet dhe asetet e tjera të strukturave përgjegjëse me funksione inspektuese pranë AKM-së dhe AKZM-së, pas riorganizimit në zbatim të këtij vendimi dhe ligjit për inspektimin, i kalojnë IKMT-së dhe DRIKMT-ve, sipas akteve të dorëzimit dhe legjislacionit në fuqi për menaxhimin financiar, buxhetor dhe administrimin e pasurisë publike.
4. Strukturat përgjegjëse të IKMT-së, AKM-së dhe AKZM-së kanë një afat prej 3 (tre) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi për të përmbyllur procesin e riorganizimit të tyre, përfshirë transferimin e dosjeve, të arkivave, të mjeteve, të pajisjeve, të aseteve, të të drejtave dhe detyrimeve administrative, që lidhen me funksionet që u kalojnë IKMT-së dhe DRIKMT-ve.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
6. Vendimi nr.893, datë 4.11.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***