Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Korrik 2018:

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Korrik 2018:

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË ENERGJISË PËR PERIUDHËN 2018-2030

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

 

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë për periudhën 2018-2030, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018-2030 rishikohet çdo 3 (tre) vjet.

3. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të hartojë planin e veprimit të strategjisë, pjesa II dhe, brenda muajit dhjetor 2018, ta paraqesë për miratim.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Agjencia për Efiçencën e Energjisë, Fondi për Efiçencën e Energjisë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ndërmarrja publike në aktivitetet e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror “ALBGAZ”, ndërmarrja publike në aktivitetet e eksplorimit dhe prodhimit të naftës bruto “Albpetrol”, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Agjencia për Trajtimin e Koncesioneve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Emërimin e znj. Silvana Simaku në detyrën e anëtarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K RY E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË POLONISË, PËR PUNËSIMIN NË PUNË FITIMPRURËSE TË ANËTARËVE TË FAMILJES SË NJË ANËTARI TË NJË MISIONI DIPLOMATIK APO KONSULLOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për punësimin në punë fitimprurëse të anëtarëve të familjes së një anëtari të një misioni diplomatik apo konsullor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, ISH-REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË-REPUBLIKA E SHQIPËRISË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Republika e Shqipërisë 2014-2020, alokimet për vitin 2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I VARREZAVE TË REJA”, BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i varrezave të reja”, Bashkia Shkodër.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë arë”, me sipërfaqe 38 957 (tridhjetë e tetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 9 868 500 (nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 868 500 (nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Shkodër.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë Bashkisë Shkodër.

8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë Shkodër, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të bashkisë.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET PALËVE TË KONVENTËS SË BASHKËPUNIMIT POLICOR PËR EVROPËN JUGLINDORE PËR SHKËMBIMIN E AUTOMATIZUAR TË TË DHËNAVE TË ADN-SË, DAKTILOSKOPIKE DHE TË TË DHËNAVE TË REGJISTRIMIT TË AUTOMJETEVE, DHE MARRËVESHJES SË SAJ ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve, dhe marrëveshjes së saj zbatuese, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2019-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2019-2021, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet përfundimtare sipas ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.463, DATË 22.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË KOPLIK, MALËSI E MADHE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.463, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Lista e pasurive, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me listën me të njëjtin titull që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

3. Në pikën 9, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Financave dhe Ekonomisë”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KONTRATËS SHTESË TË KONCESIONIT, PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË KONTRATËN E KONCESIONIT, “PËR NDËRTIMIN, PËRMIRËSIMIN, SHFRYTËZIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E AUTOSTRADËS MILOT-MORINË”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.870, DATË 14.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, të nenit 34, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, të miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kontratës shtesë të koncesionit, për një ndryshim dhe shtesë në kontratën e koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”, të miratuar me vendimin nr.870, datë 14.12.2016, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT DHE INSTITUCIONET E SAJ TË VARËSISË TE MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË, PËR INSTITUCIONET BRENDA FUSHËS SË VEPRIMTARISË SË SAJ, TË MJEDISEVE ME VENDNDODHJE NË BULEVARDIN “ZHAN D’ARK”, NR.23, TIRANË (ISH-AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e saj të varësisë te Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për institucionet brenda fushës së veprimtarisë së saj, për t’u përdorur për mjedise pune për këto institucione, të mjediseve me sipërfaqe të përgjithshme 2 840 (dy mijë e tetëqind e dyzet) m2 dhe sipërfaqe të ndërtesës 886 (tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë) m2, me numër rendor 1, me vendndodhje në bulevardin “Zhan D’Ark”, nr.23, Tiranë, sipas planimetrisë nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Godina dykatëshe, sipas planimetrisë nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, të mbetet në përdorim të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

3. Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucioneve përdoruese të pronës, së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës ose ta tjetërsojnë atë.

4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet në varësi të saj, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR “KINGS TIRANA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar “Kings Tirana”, shoqërisë “SAPAUD”, sh.p.k.

2. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë dhe i arsimit të mesëm të lartë “Kings Tirana” do të ushtrojë veprimtarinë arsimore në adresën: rruga “Kodra e Dërhemit”, godina arsimore “Kazazi”, hyrja B, Lundër 1, Tiranë.

3. Në institucionin arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë, “Kings Tirana” mësimi do të zhvillohet në gjuhë të huaj anglisht. Në lëndët si “Gjuhë shqipe”, “Letërsi shqipe”, “Historia e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë”, mësimi do të zhvillohet, detyrimisht, në gjuhën shqipe.

4. Institucioni arsimor privat “Kings Tirana” të ofrojë arsimim parauniversitar në nivelet arsim bazë dhe arsim i mesëm i lartë (gjimnaz) dhe forma e arsimimit të jetë arsimim me kohë të plotë.

5. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë dhe i arsimit të mesëm të lartë, “Kings Tirana”, me fillimin dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, të raportojë në njësinë arsimore vendore, brenda afateve të përcaktuara, për:

a) numrin e nxënësve dhe listën e mësuesve të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë, të regjistruar në fillim dhe që do të mbarojnë vitin shkollor, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe statistikave të miratuara nga INSTAT-i;
b) planin mësimor, programet lëndore dhe strukturën që do të ketë institucioni në fillim të çdo viti shkollor;
c) strukturën e vitit shkollor që do të ketë institucioni, e cila duhet të jetë e barasvlershme me atë të shkollave publike të të njëjtit nivel, së bashku me kalendarin e veprimtarive vjetore të institucionit;
ç) aktin e regjistrimit në organin tatimor;
d) lëndët mësimore të detyrueshme njëlloj me ato të shkollave publike;
dh) listën e veprimtarive jashtëshkollore që janë parashikuar të zhvillohen gjatë vitit shkollor;
e) adresën e institucionit, adresën elektronike (e-mail) dhe numrin e telefonit.

6. Institucioni arsimor privat, parauniversitar i arsimit bazë dhe i arsimit të mesëm të lartë “Kings Tirana”, duhet të miratojë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo ndryshim në planin mësimor, programet e lëndëve apo tekstet që do të përdorë, si edhe çdo projekt apo eksperimentim psiko-padagogjiko-didaktik që kërkon të kryejë, sipas rastit.

7. Ndryshimet që mund të pësojë institucioni arsimor privat i licencuar, në vendndodhjen dhe në infrastrukturën e godinës, shqyrtohen dhe miratohen në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pas miratimit të njësisë arsimore vendore, 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor përkatës.

8. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë dhe i arsimit të mesëm të lartë “Kings Tirana” duhet të ketë në ruajtje dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dokumentacionin themeltar në ruajtje të përhershme, si: regjistër amze, indeks alfabetik, regjistër të veçantë, statistika vjetore të numrit të nxënësve dhe të mësuesve;
b) Regjistra të përkohshëm, si: regjistra klase, evidencë për lëvizjen e nxënësve (i detyrueshëm për institucionin arsimor privat parauniversitar);
c) Rregulloren e brendshme për funksionimin e institucionit;
ç) Kriteret për pranimin e nxënësve dhe të mësuesve;
d) Kontratat me prindërit për shërbimet arsimore apo shërbime të tjera jashtëshkollore që ofron;
dh) Kontratat e punës me mësuesit (për ata me kohë të plotë apo të pjesshme).

9. Dokumentacioni i paraqitur në pikat 5 dhe 8, në rast monitorimi dhe inspektimi, u vihet në dispozicion strukturave kompetente mbikëqyrëse.

10. Moszbatimi apo mosrespektimi i këtyre detyrimeve si dhe mosdhënia apo fshehja e informacioneve nga strukturat kompetente mbikëqyrëse e inspektuese, të cilat do të verifikojnë apo kontrollojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtij institucioni arsimor, përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

11. Në rast se institucioni arsimor privat nuk hapet gjatë dy viteve shkollore të njëpasnjëshme, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, subjekti e humbet të drejtën e hapjes së institucionit.

12. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, njësia arsimore vendore dhe institucioni arsimor privat parauniversitar “Kings Tirana” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË JOPUBLIK, ME STATUSIN E KOLEGJIT PROFESIONAL TË LARTË, “TIRANA ESTHETICS & STYLE SCHOOL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, 30 e 31, pika 1, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e lejes për hapjen e institucionit të arsimit të lartë jopublik, me statusin e kolegjit profesional të lartë, “Tirana Esthetics & Style School” (në vijim, kolegji profesional i lartë “TESS”), i cili ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës, shoqërisë “NLT”, sh.p.k.

2. Kolegji profesional i lartë “TESS” të organizohet në dy departamente:

a) Departamenti i Estetikë-Nutricionit;
b) Departamenti i Kozmetologjisë.

3. Kolegji profesional i lartë “TESS” të ofrojë programe të studimeve jouniversitare profesionale, 1 ose 2 vite akademike, pas arsimit të mesëm.

4. Kolegji profesional i lartë “TESS” të fillojë veprimtarinë e tij, vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë.

5. Kolegji profesional i lartë “TESS” t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

6. Statuti i kolegjit profesional të lartë “TESS” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

7. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të ushtrojë kontroll periodik të ligjshmërisë në institucion, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe kolegji profesional i lartë “TESS” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR TË ARSIMIT BAZË “BRITISH SCHOOL OF TIRANA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “British School of Tirana” shoqërisë “British School of Tirana”, sh.p.k.

2. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “British School of Tirana” të ushtrojë veprimtarinë arsimore në adresën: Rezidenca “Kodra e Diellit”, Rruga e Ullinjve, nr. 11, Tiranë.

3. Në institucionin arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “British School of Tirana”, mësimi të zhvillohet në gjuhën angleze. Në lëndët “Gjuhë shqipe”, “Letërsi shqipe”, “Histori e kombit shqiptar” dhe “Gjeografi e Shqipërisë” mësimi të zhvillohet, detyrimisht, në gjuhën shqipe.

4. Institucioni arsimor privat parauniversitar “British School of Tirana” të ofrojë arsimim parauniversitar në nivelin e arsimit bazë dhe forma e arsimimit të jetë arsimim me kohë të plotë.

5. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “British School of Tirana”, me fillimin dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, të raportojë në njësinë arsimore vendore, brenda afateve të përcaktuara, për:

a) numrin e nxënësve, që do të fillojnë dhe do të mbarojnë vitin shkollor, dhe listën e mësuesve, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe statistikave të miratuara nga INSTAT-i;
b) planin mësimor dhe programet e lëndëve që do të zhvillojë institucioni;
c) strukturën e vitit shkollor që do të ketë institucioni, e cila duhet të jetë e barasvlefshme me atë të shkollave publike të të njëjtit nivel, së bashku me kalendarin e veprimtarive vjetore të institucionit;
ç) certifikatën e regjistrimit në organin tatimor;
d) lëndët mësimore të detyrueshme njëlloj me ato të shkollave publike;
dh) lëndët mësimore të ndryshme nga ato të planeve mësimore të institucioneve ekuivalente publike;
e) lëndët me zgjedhje dhe ato fakultative.

6. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “British School of Tirana” duhet të miratojë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo ndryshim në planin mësimor, programet e lëndëve apo tekstet që do të përdorë, si edhe çdo projekt apo eksperimentim psiko-padagogjiko-didaktik që kërkon të kryejë, sipas rastit.

7. Ndryshimet që mund të pësojë institucioni arsimor privat parauniversitar i licencuar në vendndodhjen dhe në infrastrukturën e godinës shqyrtohen e miratohen në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pas miratimit të njësisë arsimore vendore, 3 muaj para fillimit të vitit shkollor përkatës.

8. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “British School of Tirana” duhet të ketë në ruajtje dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Dokumentacionin themeltar në ruajtje të përhershme, si: regjistër amze, indeks alfabetik, regjistër të veçantë, statistika vjetore të numrit të nxënësve dhe të mësuesve;
b) Regjistra të përkohshëm, si: regjistra klase, evidencë për lëvizjen e nxënësve (i detyrueshëm për institucionin arsimor privat parauniversitar);
c) Rregulloren e brendshme për funksionimin e institucionit;
ç) Kriteret për pranimin e nxënësve dhe të mësuesve;
d) Kontratat me prindërit për shërbimet arsimore apo shërbime të tjera jashtëshkollore që ofron;
dh) Kontratat e punës me mësuesit (për ata me kohë të plotë apo të pjesshme).

9. Dokumentacioni i paraqitur në pikat 5, 6 e 8, në rast monitorimi dhe inspektimi, u vihet në dispozicion organeve kompetente mbikëqyrëse.

10. Moszbatimi apo mosrespektimi i këtyre detyrimeve, si dhe mosdhënia apo fshehja e informacioneve nga organet kompetente mbikëqyrëse e inspektuese, të cilat do të verifikojnë apo kontrollojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtij institucioni arsimor, përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

11. Në rast se institucioni arsimor privat nuk hapet gjatë dy viteve shkollore të njëpasnjëshme, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, subjekti e humbet të drejtën e hapjes së institucionit.

12. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, njësia arsimore vendore dhe institucioni arsimor privat parauniversitar “British School of Tirana” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

5. Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN E LIQENEVE TË ULZËS DHE TË SHKOPETIT SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpalljen e liqeneve të Ulzës dhe të Shkopetit si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, si objekte ujore me interes për peshkimin.

2. Plani i bashkëmenaxhimit për liqenet e Ulzës dhe të Shkopetit miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

3. Masat menaxhuese të peshkimit të përputhen me statusin mjedisor të zonës. Veprimtaritë që do të kryhen në liqenin e Ulzës të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe me objektivat e planit të menaxhimit të parkut natyror rajonal, kategoria IV, për liqenin e Ulzës.

4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2017 PËR PROJEKTIN “PROMOVIMI I NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME PËRMES FONDIT TË GARANCISË SË KREDIVE RURALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2017 për projektin “Promovimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes fondit të garancisë së kredive rurale”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.424, DATË 10.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURËS SË PËRZGJEDHJES E TË EMËRIMIT TË DREJTUESVE TË SHËRBIMIT NË STRUKTURAT SHËNDETËSORE UNIVERSITARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Arsimit Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.424, datë 10.5.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Kudo në vendim, emërtesat “Ministria e Shëndetësisë” dhe “Ministria e Arsimit dhe Sportit” zëvendësohen me “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” dhe “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.

2. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:

a) Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç. Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë.”.

b) Në fjalinë e parë të paragrafit të fundit, fjalët “… jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet si pedagog me kohë të pjesshme …” zëvendësohen me “… jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet pa ndërprerje si pedagog me kohë të pjesshme në fushën ku ai konkurron …”.

3. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. Kandidatët konkurrues për një shërbim të caktuar vlerësohen nga komisioni përkatës, sipas përcaktimeve dhe kritereve të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Aneksi 1 bashkëlidhur vendimit shfuqizohet.”.

4. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“14. Kandidati fitues lidh kontratë punësimi trepalëshë me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e së cilës është shërbimi përkatës, dhe me drejtuesin e IAL-së përkatëse. Mospërmbushja e detyrimeve kontraktore që lidhen me funksionimin e strukturës shëndetësore universitare përbën shkak për prishjen e kontratës trepalëshe.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.