Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Forbes Global Properties rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i pasurive të patundshme, hap dyert në Shqipëri përmes përfaqësuesit ekskluziv Capital Point.

Në ceremoninë e posaçme, dedikuar kësaj ngjarje, Kryeministri Rama tha se Shqipëria është sot një destinacion tejet tërheqës dhe prania e një rrjeti të tillë “është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme, por është po kështu edhe lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nënkupton që pronat, pasuritë e tyre, po marrin gjithmonë e më tepër vlerë.”

* * *

Kryeministri Edi Rama: Do të flas dy fjalë në anglisht, së pari duke shprehur falënderime shumë të sinqerta për një çift që e bëri të mundur një gjë të tillë dhe është diçka që t’ju them të vërtetën ishte diçka për të cilën isha skeptik, sepse ne e dimë shumë mirë që Forbes property nuk është degë po themi këtu, është ajo e mirëfillta, e vërteta, dhe të shohësh drejtuesin ekzekutiv që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një grup jo të vogël, për të kremtuar këtë mbrëmje është vërtetë një arritje mjaft e madhe, kështu që përgëzime.

Në fakt u çudita pak, sepse kur iu ofrua përkthim nga shqipja në anglishte, refuzoi. Mu duk se ishte një nga ata shqiptarët e vjetër të emigruar më parë, të rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mësova që në fakt nuk ka lidhje aspak me rrënjë shqiptare, kështu që do ma thuash një moment, se pse nuk deshe përkthim.

Nga ana tjetër, dua t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju.

Jam i sigurt që më e mira s’ka ardhur ende, dhe ju e dini më mirë se sa unë, në të kundërt, nuk do të kishit të vënë këmbë në Shqipëri.

Dhe po është e vërtetë që sot Shqipëria është një destinacion shumë tërheqës dhe është një gjë shumë e mirë të dish që Forbes Properties ka një shprehje shumë të fortë interesi për Shqipërinë, por është po kështu diçka e mirë të dihet që ata nuk janë kudo, ata nuk shkojnë kudo. Ata shkojnë saktësisht aty ku mendojnë se ka një horizont të ri. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në industrinë e pasurive të paluajtshme, por është po kështu edhe lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nënkupton që pronat, pasuritë e tyre, po marrin gjithmonë e më tepër vlerë.

Dhe pasi thashë para pak ditësh në Vjenë, që të gjithë duhet t’i shohin pasuritë e paluajtshme në Shqipëri si një mundësi e jashtëzakonshme dhe një investim i madh sepse për 4 a 5 vjet, ne do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe historia e anëtarëve të rinj na tregon që vlera e pasurive të paluajtshme pëson një rritje dyfish.

Shumë njerëz nuk e kuptuan saktësisht atë për cilën po flisja dhe morën anën negative të mesazhit, që do të thotë gjërat do të bëhen, apo do të bëhet edhe më e shtrenjtë, më e kushtueshme që të marrësh një shtëpi, por pjesa pozitive e mesazhit është që çdo familje shqiptare do të ketë të një pronë, një shtëpi të vetën, që do të ketë një vlerë shumë herë më të lartë, vetëm në pak vite.

Çfarë do të thotë se në një vend që ka përqindjen më të madhe të shtëpive që zotërohen nga njerëzit, 94% është përqindje e jashtëzakonshme. Flasim shtëpi me pronësi, që njerëzit i kanë në pronësi.

Është diçka e jashtëzakonshme që vlera e shtëpisë, e banesës si pasuri të rritet në të tillë mënyrë, kështu që është diçka shumë pozitive. Pastaj, pyetja se si do të trajtojmë nevojën për strehim të përballueshëm është mjaft legjitime, por nuk nënvlerëson, përparimin e jashtëzakonshëm dhe ndryshimin e madh që po përjetojmë sa i takon vlerës së pasurisë së paluajtshme.

Kështu që jam shumë, shumë i nderuar që gjendem këtu, që jam ftuar të mirëpres disa “kapitalistë të pamëshirshëm” amerikanë, patjetër. Ah, ata janë “peshkaqenë”, shiheni, shiheni veten, shikojeni në fytyrë. Është “peshkaqeni” tipik amerikan që shihni në çdo film. Por është një gjë e mirë dhe kemi nevojë për ta, na duhet që ata “të thithin sa më shumë gjak” të jetë e mundur nga europianët dhe të tjerët, që do të blejnë pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Faleminderit shumë të gjithëve – dhe shijojeni këtë eveniment, – edhe moderatores, e cila në fakt më sfidoi, sepse unë zakonisht mbaj fjalën më të gjatë, po ajo foli më gjatë sesa unë, pa ofendim.

Faleminderit shumë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.