Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendosja dhe zbatimi i standardeve të Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore përbën një hap thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane. Përmbushja e kërkesave të BE-së në këtë drejtim, nuk është më një objektiv afatgjatë, por një prioritet i menjëhershëm dhe i panegociueshëm.
Në këtë kuadër, Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me operatorë të biznesit ushqimor, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i përafrimit me standardet europiane. Kryeministri theksoi nevojën për harmonizimin e kuadrit ligjor me atë europian, por edhe për modernizimin e sistemit veterinar dhe të rrjetit laboratorik, duke vënë theksin tek roli themelor i zbatimit në praktikë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Kjo mbledhje, ky takim ka një rëndësi të posaçme në një proces, i cili është pjesë e proceseve që ne, vendi ynë po zhvillon në kuadër të negociatave dhe të objektivit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade. Pse ky proces ka një rëndësi të posaçme? Sepse ky proces lidhet me sfidën më të vështirë dhe më komplekse të gjithë proceseve të anëtarësimit. Sfida e sigurisë ushqimore!
Përpara sa të them disa gjëra lidhur me këtë, dua ta përsëris sepse ma ha mendja që në këtë aspekt del më në pah sesa në aspekte të tjera rëndësia madhore që ka për ne, që ka për vendin tonë, që ka për shoqërinë tonë, që ka për të ardhmen e fëmijëve tanë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, të cilin shumëkush e ngatërron ose e keqkupton si një proces që lidhet me detyra të cilat ne duhet t’i plotësojmë për hir të të tjerëve. Me detyra të cilat ne duhet t’i plotësojmë sepse na i kërkon Brukseli, na i kërkon Berlini, na i kërkon Parisi, Roma e kështu me radhë.
Në fakt ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje që ne duhet ta importojmë nga Bashkimi Europian në Shqipëri për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve. Një bagazh dije që ne do ta importojmë në çdo drejtim për të garantuar standarde të cilat janë standardet e Bashkimit Europian, por të cilat këtu në vendin tonë janë në funksion të shëndetit, të zhvillimit, të interesit të çdo familje shqiptare dhe tek siguria ushqimore kjo është shumë konkrete. Dhe unë e them me plot gojën që pa Bashkimin Europian, pa gjithë këtë bagazh dije që vjen në këtë proces, përmes gjithë atyre hapave që janë të parashikuar në rrugën e negociatave, përmes gjithë atyre masave që i sugjerohen Shqipërisë që t’i marrë përsipër, përmes atyre reformave që i kërkohen Shqipërisë për t’ua anëtarësuar në familjen europiane, ne do ta kishim përndryshe të pamundur të arrinim ato standarde sigurie, ato standarde dhe garanci për zhvillim dhe prosperitet të vendit tonë. Sepse kur flasim për sigurinë ushqimore, flasim për diçka që nuk kemi se si ta negociojmë, nuk kemi se si ta relativizojmë dhe jo vetëm kaq, por nuk kemi se si ta realizojmë nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur të gjithë atë ngrehinë institucionale politikbërjeje, zbatimit të politikave dhe inspektimi që përndryshe, në mungesë na krijon probleme të mëdha që reflektohen në fund fare tek shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve tanë.
Prandaj standardet europiane të cilat janë sfida për t’u fituar, të cilat janë maja të vështira për t’u arritur, në fund të ditës nuk janë zinxhir në këmbët tona, por janë krah që na lehtësojnë ngjitjen më lart dhe prandaj duhet pasur parasysh që kur flasim për ecje drejt Europës, flasim për Shqipërinë që bëhet Europë, nuk flasim për një udhëtim jashtë vendit, por flasim për një ripërtëritje tërësore të vendit dhe për përmbushjen e një procesi historik shtetbërjeje mbi standardet europiane.
Ne kemi natyrisht detyrimin të harmonizojmë kuadrin ligjor të Shqipërisë me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian në të gjitha drejtimet dhe patjetër edhe në këtë drejtim, por përtej harmonizimit të kuadrit ligjor ne na duhet modernizimi i sistemit veterinar. Na duhet modernizimi i rrjetit të laboratorëve të cilat as nuk mund të konsiderohen në fakt detyra, por janë zgjedhje të patjetërsueshme dhe të pashmangshme për të nesërmen tonë dhe në fund ligji i shkruar sado mirë nuk bën punën. Punën e bëjnë njerëzit që e zbatojnë ligjin. E bëjnë njerëzit që duhet të luftojnë informalitetin në zinxhirin ushqimor, një problem serioz ky me të cilin përballemi sot e gjithë ditën, i cili nuk është thjesht një çështje ekonomike ose cilësie ushqimore në vetvete, por është pjesë e luftës për shtetin e të drejtës, për të drejtat e konsumatorit dhe për të drejtat e çdo fermeri apo sipërmarrësi në një treg, ku duhet siguruar konkurrenca e ndershme dhe duhet të triumfojë gjithnjë merita e atij që është më i zoti.
Prandaj ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë në këtë fazë procesit të jetësimit të ligjit të ri për inspektoriatet dhe dua ta përshëndes kryeinspektorin e përgjithshëm për angazhimin e tij të posaçëm, dua ta përshëndes këtu edhe Blerinën, e cila e ka nisur me themel punën për ta ngritur Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në nivelin e kësaj sfide madhore dhe dua t’i përshëndes të gjithë ata të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces në piramidën e inspektoriateve, për të cilët detyrat janë shumë të qarta dhe mbi të gjitha të cilëve u takojnë dy përgjegjësi shumë të rëndësishme. Nga njëra anë zhvillimi i mëtejshëm i dijeve të tyre për detyrën, trajnimi i vazhdueshëm i tyre me përgjegjësitë dhe me barrën qytetare të detyrës dhe nga ana tjetër ndërtimi i një kulture dhe i një praktike kontrollesh zyrtare në bazë risku të harmonizuara dhe të monitoruara nga qendra për t’i dhënë në fund njëherë e mirë në të gjithë inspektoriatet, traditës së vjetër edhe të shëmtuar të kontrolleve të befasishme të iniciuara nga vetë inspektorët, të cilat janë një shëmti e vërtetë.
Nga ana tjetër ne kemi sot një Institut të Sigurisë Ushqimore Veterinare, i cili kërkon mbështetje, i cili kërkon rritje kapacitetesh, i cili kërkon zgjerim të rolit të vet dhe në ndërkohë kemi gatishmërinë e Bashkimit Europian për të na mbështetur me binjakëzim në sistemin aq shembullor dhe aq të dobishëm që kanë vendet e Bashkimit Europian të binjakëzimeve mes institucioneve për të, jo thjesht ndarë formalisht kohë me njëri-tjetrin, por për të marrë eksperiencën dhe dijet e një institucioni të klasit të parë në Bashkimin Europian dhe për ta transferuar në institucionin përkatës këtu në Shqipëri.
Në dijeninë time po zhvillohen bisedime në këtë drejtim dhe së shpejti, ne do të kemi, qoftë një binjakëzim të vetë Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, qoftë binjakëzim të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.
Tani le të vijmë tek problematika, sepse arsyeja themelore që na sjell ne këtu dhe për të cilën jemi vazhdimisht të shqetësuar, është si të informojmë në kohë, të informojmë hapur, pa zbukuruar realitetin dhe të informojmë në mënyrë të detajuar sipërmarrjen për atë që e pret.
Ajo që e pret sipërmarrjen me këtë proces të anëtarësimit në Bashkimin Europian është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, e tha Majlinda, një horizont i ri mundësish për ata që do të jenë të përgatitur, nga ana tjetër një humnerë falimentimi për ata që nuk do të jenë të përgatitur. Ky është realiteti.
E kur vjen puna tek siguria ushqimore, duke pasur parasysh pjesën më të ndjeshme të kësaj fushe të gjerë që është siguria e prodhimeve shtazore dhe gjithë nënprodukteve, ne duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë ata të cilët janë të angazhuar, për të gjithë ata që kanë investuar qoftë edhe në një baxho të vogël, se e nesërmja do të jetë fatale nëse sot nuk do të kuptojnë se ku janë në raport me standardet dhe se çfarë duhet të bëjnë për të qenë gati nesër.
Lexoj dhe dëgjoj që procesi i negociatave nuk qenka proces negociatash por qenka një proces ku ne marrim urdhra dhe zbatojmë urdhrat dhe asgjë tjetër. Këto i thonë njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë është procesi i negociatave. Ndërkohë që procesi i negociatave është vërtetë një proces negociatash, për gjëra të cilat ne na duhet pak më shumë kohë.
Dhe një nga gjërat për të cilat ne na duhet pak më shumë, kohë është pikërisht ajo që lidhet me këtë fushë, me fushën e sigurisë ushqimore dhe për këtë arsye ne dhe Komisioni Europian negociojmë për një shtyrje përtej momentit të anëtarësimit të afateve kur standardet do duhet të jenë 100% ashtu siç i thotë legjislacioni europian, për 100% të gjithë atyre që janë të përfshirë në sektorin e bujqësisë, por ama, edhe duke marrë në konsideratë faktin që ne mund t’ia dalim të negociojmë një pesë vjet plus, që do të donte të thoshte, nga sot në 2035-ën në rast se në 2030 do të jemi anëtarë. Kjo është një kohë shumë e shkurtër për t’u përgatitur. Bashkimi Europian, siç e dini, ka sjellë përmes komisionit një përfaqësi ekspertësh që kanë parë pikat e prodhimit, të grumbullimit, të aktiviteteve që lidhen me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre dhe kanë lënë një sërë detyrash.
Kanë lënë një sërë detyrash për të cilat ne, përmes inspektoratit do duhet të ndërveprojmë me 900 subjekte që janë në territorin e Shqipërisë dhe që kanë rrezikun shumë të qartë, po që të gjitha, jo një e dy, që të gjitha sot, në kushtet që janë. Natyrisht që mes tyre ka disa që me pak gjëra mund t’i plotësojnë standardet dhe një shumicë tjetër që do duhet të bëjë më shumë. Rreziku i mbylljes dhe, ose përjashtimit nga tregu i stabilimenteve ushqimore që në ditën e anëtarësimit. Kështu që kjo kërkon në radhë të parë vetëdijesim, në radhë të dytë kërkon informim për të kuptuar ekzaktësisht që unë kam këtë pikë, bëj këtë aktivitet, çfarë duhet të bëj unë që ky investim të mos ma marrë lumi dhe si do më ndihmoni ju, qeveria shqiptare, strukturat e shtetit që unë t’ia dal në këtë proces?
Tjetra është çështja e thertoreve. Ne kemi bërë një stabilizim krahasuar me kohën kur e kemi marrë këtë detyrë dhe kur besoj, e mbajnë mend të gjithë ata që kanë kaluar nga kthesa e Kamzës, ku gjëja e gjallë therej në trotuar dhe gjaku rridhte në rrugë. E sjell këtë si një nga shëmbëlltyrat e asaj kohe dhe kemi kaluar në një nivel tjetër, por ajo që është shumë e qartë nga pasqyra e problematikave dhe detyrave të lëna, është që niveli ku ne jemi, është shumë më i mirë se ai që ishim për Shqipërinë, por është larg nivelit për të marrë certifikatën që ‘’po, ti mund të vazhdosh të jesh thertore dhe mund t’i shërbesh tregut europian’’. Sepse nga momenti që ne hyjmë në Bashkimin Europian ne nuk jemi më 28.000 km². 28.000 km² jemi për një sërë gjërash, por për shumë gjëra të tjera ne jemi aq mijë km² sa ç’është gjithë Bashkimi Europian. Dhe çdo gjë që prodhohet në Shqipëri, çdo gjë që del në dyqan në Shqipëri, konsiderohet që del në dyqan në Bashkimin Europian, nuk është më çështja që s’të lënë ta çosh në Itali. Çështja është s’të lënë ta shesësh në Shqipëri, sepse je pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të kesh standardet e sigurisë ushqimore që i garantohen qytetarëve të Bashkimit Europian, siç do të jenë qytetarët shqiptarë në momentin e anëtarësimit.
Dhe për thertoret, problemi më i tmerrshëm të cilin e kanë të gjitha thertoret, është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum nga i gjithë procesi dhe garantimi i ndarjes sipas standardit të Bashkimit Europian dhe patjetër, procesi i trajtimit të atyre mbetjeve sipas standardit të Bashkimit Europian për të shmangur çdo rrezik kontaminimi dhe çdo rrezik ndikimi të mbetjeve mbi sigurinë mjedisore, ushqimore e kështu me radhë.
Asnjë thertore sot, edhe ato që janë shumë të mira në mënyrën se si funksionojnë së brendshmi, nuk e kanë këtë proces. Duhet bërë, nuk është shkencë e madhe, por duhet bërë. Nëse nuk ekziston, thertorja nuk mbijeton në tregun europian.
Natyrisht që këtu ne kemi procesin e përbashkët me Komisionin ku jemi duke punuar për ligjin dhe do duhet të miratojmë ligjin për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum. Do duhet të klasifikojmë mbetjet dhe trajtimin e tyre sipas riskut. Do duhet patjetër të mbështesim sektorin me investimet specifike dhe patjetër të garantojmë gjurmueshmërinë, gjë që sot me teknologjinë e re është plotësisht e mundur nga momenti kur mbetjet gjenerohen në thertore, deri në asgjësim.
Tjetra, sektori i qumështit. Sektori i qumështit është një tjetër sektor që nëse do të ishim ne sot anëtarë të Bashkimit Europian, nuk do t’i mbijetonte dot kërkesës së standardeve, sepse është gjithë zinxhiri që duhet garantuar. Nuk është thjesht një pjesë, një hallkë e zinxhirit që mund të jetë brenda fabrika. Unë kam parë disa që janë me makineri të fjalës së fundit, që janë të certifikuara në disa aspekte, por zinxhiri është i mangët. Ne duhet të plotësojmë të gjithë zinxhirin.
Këtu përsëri vijmë tek nevoja për standarde dhe natyrisht, thënë të gjitha këto unë nuk i trembem kohës që kemi në dispozicion. Është e mjaftueshme. Unë nuk i trembem aftësive të të gjithë atyre që kanë investuar në këto 900 pika. Unë i trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarçe që “hajde se ka kohë, ka kohë se s’ka problem”. I trembem asaj idesë që “hajde se do ta gjejmë ne në fund, do ja gjejmë rrugën dhe Bashkimit Europian se si t’ia rrëshqasim topin nëpër shalë”. Nuk ndodh kjo! Nuk ndodh!
Dhe prandaj duhet filluar që sot, me një plan gradual patjetër dhe me dije të plotë për çfarë duhet bërë hap pas hapi. Natyrisht që vjen pjesa e shtetit se nuk është një ushtrim i ndarë. Nuk është diçka që duhet ta bëni ju dhe të gjithë ata që janë në këtë fushë dhe ne thjesht do çojmë kontrolle. Kontrollet janë të vlefshme për të ndihmuar ju dhe për këtë arsye kemi bërë dhe një strategji të këtyre kontrolleve, që nuk do të jenë kontrolle ndëshkimore. Nuk do jenë misione ndëshkimi, por do të jenë një mision kombëtar për një nga hallkat e ekonomisë sonë që të gjithë njerëzit që janë në këtë hallkë të dobët të marrin fillimisht informacion të plotë se ku ndodhen dhe natyrisht kontrollet do të lënë porosi për t’u zbatuar dhe pastaj do të rikthehen për të parë zbatimin. Pra do të jetë një punë e përbashkët!
Ndërkohë që nga ana jonë ne jo vetëm duhet të krijojmë sistemin e qëndrueshëm të kontrollit, pra që kontrollet të jenë mbrojtëse të interesit publik, por edhe mbështetëse të çdo sipërmarrjeje që nuk është duke shkelur ligjin, por në të njëjtën kohë ka nevojë të rrisë standardet. Dhe patjetër kapacitetet tona laboratorike do duhet të forcohen në shërbimin e sipërmarrjes për t’u gjendur më pranë dhe për të qenë më të mirë organizuara në territor, që mos presësh me ditë të tëra për të bërë një analizë. Dhe pikat e kontrollit kufitar janë një tjetër pikë e dobët, ju e dini më mirë se unë, por dhe unë e di, që janë një pikë e dobët të cilën do ta adresojmë për të lehtësuar, por njëkohësisht dhe për të zhdërvjelltësuar shtetin në kryerjen e detyrës, pa u bërë pengesë dhe pa u bërë mur atje nëpër kufijtë e vendit.
Kemi një plan konkret investimesh, akreditimi të laboratorëve, përmirësimit të pikave të kontrollit kufitar dhe infrastrukturë dixhitale për të plotësuar nevojat e sistemit dhe për të lehtësuar ndërveprimin me ju.
Në mbyllje dua ta përsëris, kjo nuk është një sfidë e cila vjen si rrufe në qiell të pastër apo një direktivë e cila vjen nga Moska për Shqipërinë komuniste me imponim, siç ka ardhur dikur. Kjo është një sfidë që vjen nga nevoja e brendshme e popullit shqiptar për t’u bërë më në fund pjesë me të drejta të barabarta e familjes së popujve të Europës. Kjo është një sfidë e cila përthyhet në të gjitha fushat e jetës dhe në çdo fushë të jetës, që nga drejtësia, tek siguria ushqimore, duke kaluar për të mos i marrë me radhë se janë shumë sektor më sektor, përthyerja e kësaj direktive është në radhë të parë në interesin e qytetarit, në interesin e njeriut. Jo në interesin e një strukture, jo në interesin e një partie, jo në interesin e një qeverie, jo në interesin e një grupi kompanish. Është në interesin e njeriut. Është interesi i njeriut që të ketë siguri ushqimore. Është interesi i njeriut që të ketë barazi para ligjit. Është interesi i njeriut që të ketë edukim dhe shërbim shëndetësor cilësor. Është interesi i njeriut që të ketë të jetojë në një mjedis të mbrojtur e të tjera e të tjera. Pra nuk po e bëni këtë se e kërkon Brukseli, por se e kërkojnë fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë. E kërkojnë të gjithë ata që nxjerrin paratë nga portofoli i familjes për të blerë produktet tuaja. Keni detyrën t’ju shisni produkte të sigurta. Dhe të gjitha këto që kërkohen janë dija, paketa e dijes që vjen nga Bashkimi Europian për ne dhe për ju, për t’u bërë të aftë që të tregtojmë ne këtë vend produkte ushqimore të sigurta.
Siguria ushqimore do të jetë një prioritet absolut. Ne nuk kemi sot probleme me sigurinë në kuptimin e rendit, kemi pasur dikur, sot s’kemi fatmirësisht edhe falë punës së jashtëzakonshme që kemi bërë. E kemi normalizuar atë fushë por siç ka qenë dhe ju e mbani mend mirë të gjithë një dekadë më parë, sfidë e madhe rendi dhe siguria në rrugët e Shqipërisë, do të jetë rendi ligjor dhe siguria në të gjithë rrugët ku tregtohen produktet brenda Shqipërisë.
Dhe e përsëris, nëse në atë kohë dhe nëse për atë fushë qasja jonë ishte luftë frontale, në këtë kohë dhe për këtë fushë qasja jonë do të jetë krah për krah me ju, jo ballë për ballë, se nuk jemi ballë për ballë, jemi krah për krah. Përballë kemi objektivin dhe për ta realizuar na duhet të ecim krah për krah me besim, me vendosmëri dhe me krenari për atë që po bëjmë. Nuk keni për t’i marrë me vete!
Po e mbyll duke ju treguar se çfarë i kërkoi Aleksandri i Madh në fund fare kur ishte në shtratin e vdekjes atyre që kishte rrotull. “Do mblidhni tha mjekët më të mirë dhe do t’i vini të ecin pas arkivolit tim. Mua, tha, do mi lini duart hapur dhe rrugën deri tek varri do ta shtroni me para”. Edhe njëri nga ata i thotë “Po për çfarë duhet t’i bëjmë këto?”. “Sepse njerëzit”, tha, – “duhet ta shohin që as njeriu më i fuqishëm mbi këtë tokë nuk i ikën dot vdekjes dhe doktorët më të mirë të kësaj toke nuk kanë çfarë i bëjnë. Njerëzit duhet ta shohin që dhe njeriu më i fuqishëm në këtë tokë kur ikën s’ka asgjë në duar. Kthehet siç erdhi! Dhe njerëzit duhet ta shohin që gjithë pasuria që mblidhet mbi këtë tokë, mbetet në këtë tokë. Askush s’e merr me vete”.
Kështu që mendoni dhe për këtë se jeta ikën shumë shpejt miqtë e mi. Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.