Zero tatim fitimi deri në 14 milionë lekë xhiro, zero TVSH deri në 10 milionë

Kryeministri Rama në komunikim publik lidhur me projektligjin për mbështetjen e biznesit të vogël:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Sot do të bëjmë një komunikim që në vijim do të zhvillohet me gazetarë, në mënyrë sistematike, për të informuar drejtpërdrejtë publikun e për t’ju përgjigjur më tutje, duke nisur nga hera tjetër, pyetjeve të gazetarëve dhe të publikut përmes platformave online, mbi ecurinë e ekonomisë, mbi masat në mbështetje të ekonomisë, mbi faktet dhe shifrat reale të ekonomisë.

Sot do të fokusohemi tek biznesi i vogël, për të cilin kemi ndërmarrë dhe kemi kaluar me mbështetjen e shumicës parlamentare në Kuvend, një masë shumë agresive mbështetjeje. Një masë, e cila është unikale në rajonin tonë dhe përkon me zotimin tonë për ta mbështetur fuqimisht çdokënd që krijon punë për vete e për familjen, krijon punë edhe për të tjerët dhe që bëhet pjesë e komunitetit të biznesit të vogël.

Me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, që në muajin korrik, bizneset e vogla, të cilat kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja, nuk paguajnë asnjë tatim-fitimi. Zero!

Ndërsa bizneset e vogla, që kryejnë një xhiro deri në 10 milionë lekë të reja, nuk paguajnë as TVSH. Zero!

Këtë mbështetje dhe këtë kornizë të aktivitetit, biznesi i vogël në Shqipëri e ka si i vetmi komunitet në gjithë rajonin, pa taksa dhe pa TVSH deri në 10 milionë lekë të reja. Pa taksa dhe me TVSH nga 10 deri në 14 milionë lekë të reja.

Është e rëndësishme të kthejmë pak kokën mbrapa e të kujtohemi se në vitin 2013, shtatë vite më parë, të gjithë anëtarët e komunitetit të biznesit të vogël paguanin 10% taksë, tatim-fitimi dhe zhvillonin aktivitet si subjekte të biznesit të vogël me xhiro nga zero deri në 8 milionë rreth 60 mijë tatimpagues. Këto biznese, jo vetëm paguanin tatim-fitimi mbi të Ardhurat Personale 10%, por paguanin dhe një tatim-fitimi tjetër për pushtetin vendor. Tatimi i dyfishtë, siç e kemi quajtur në atë kohë, që më pas në periudhën tonë filloi të zhbëhej deri sa vijmë në këtë moment që është historik për biznesin e vogël. Në këtë moment që është super nxitës për të gjithë ata që merren me biznes të vogël, apo që duan të krijojnë punë për vete, për familjen e për të tjerët, me zero taksë, zero TVSH deri në 10 milionë lekë të reja dhe zero taksë dhe TVSH vetëm nga 10 deri në 14 milionë lekë të reja.

Një shifër domethënëse është që shtetit, qeveria i ka marrë biznesit të vogël, gjatë viteve 2006 – 2013, 19 miliardë lekë tatim. Ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2019, biznesi i vogël ka paguar vetëm 5.3 miliardë lekë për shtetin.

Ky është fakt. Këto janë shifra dhe kjo është një pasqyrë e qartë për të kuptuar dallimin e madh mes kësaj shumice e kësaj qeverie, jo si një shumicë dhe një qeveri që mbështet të pasurit, por si një shumicë dhe një qeveri që mbështet fuqimisht, në radhë të parë, biznesin e vogël dhe atyre që sot bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna dhe tregojnë me gisht në drejtim krejt të gabuar.

Sot që flasim, janë 93 743 biznese ose 77% e numrit total të bizneseve që paguajnë zero tatim mbi fitimin. Janë më pas 14% që paguajnë 5% tatim.

Të dyja së bashku këto kategori, nga ky moment, pas kalimit të ligjit në parlament, kanë zero!

Në vitin 2012, ne gjetëm 450 mijë të punësuar në regjistrat e shtetit. Sot, në regjistrin e fundvitit 2019 kishim 698 mijë, pra, 55% më shumë të punësuar, të cilët janë të regjistruar, që paguajnë kontribute e që marrin mbrapsht kontribute.

Periudha e pandemisë ka qenë një periudhë tejet e jashtëzakonshme e patjetër që goditja në radhë të parë mund të rrafshonte biznesin e vogël. Por sot jemi në kushtet kur me shumë frymëmarrje të lehtësuar mund të tregojmë përsëri shifrat dhe të shohim se nuk kemi lënë askënd mbrapa, as edhe një nga ata që ishin punonjës të regjistruar në biznesin e vogël, të cilët i mbështetëm me 7 miliardë lekë për rreth 43 265 biznese. Plus me pagën direkt 40 mijë lekë të reja për 172 263 të tjerë, pra, direkt të punësuar.

Për më shumë,  sigurisht do t’ia lë fjalën ministres së Financave dhe ministrit të Rindërtimit, puna e të cilëve është e lidhur ngushtësisht, si rezultat i nevojës për të adresuar në të njëjtën kohë edhe problematikën e rritjes ekonomike, edhe problematikën e rimëkëmbjes pa humbur kohë, në ndërkohë që duam të hedhim hapa të tjerë më tutje, por një shifër dua ta risjell.

Këto janë bizneset në Republikën e Shqipërisë dhe këtu është 9% i atyre që janë më të pasur, nga 1005 e bizneseve. Këta, sot paguajnë 15% taksë.

Para 7 vitesh paguanin vetëm 10%. Pra, ndryshe nga çfarë thotë dhe çfarë zhurmon propaganda, ne i kemi taksuar më shumë ata që fitojnë më shumë.

Ndërkohë që 14% janë tatimpaguesit që do të kenë zero taksë dhe deri më sot kanë paguar 5% vetëm, nga 10 që paguanin.

Ndërsa 77% do të jenë ata që do të kenë zero taksë dhe zero TVSH.

Kjo është pasqyra e vërtetë e Shqipërisë që bën biznes sot dhe e raporteve të qeverisë me këtë Shqipërie që bën biznes sot.

Ministrja me siguri do të detajojë pak më shumë, pastaj ministri i Rindërtimit do të japë disa shifra për të cilat, ne mbajmë përgjegjësi të plotë e do të dëshironim shumë që të shikonim kundërshti me fakte e me shifra, në rast se shifrat tona vihen në diskutim, por këto janë shifra zyrtare të Republikës së Shqipërisë sot.

Kjo është dita e parë e një komunikimi intensiv që në vijim do ta zhvillojmë me gazetarë dhe me publikun, për t’u përballur me të vërtetat tona, me faktet dhe me shifrat tona, të një pune të madhe e të palodhur, ditë – natë, në përpjekjen për të çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, shumë më të lartë e shumë më të sigurt nga niveli shumë i ulët dhe i një pasigurie shumë të madhe për të gjithë vetëm 7 viteve më parë.

Për ta mbyllur, një e dhënë për biznesin e vogël dhe këtu kemi marrë në konsideratë, deri në qershor, atë që ishte biznes vogël nën 8 milionë lekë xhiro, ndërkohë që ky koncept, pas kalimit të ligjit në korrik, ndryshon dhe kemi një biznes të vogël deri në 100 milionë lekë xhiro pa taksa dhe pa TVSH dhe deri në 140 milionë lekë pa taksa dhe me TVSH.

Kjo është ecuria e biznesit të vogël.

[të dhënat në grafik] Këtu jemi në prill, pra, rënie drastike dhe këtu jemi në qershor e ndërkohë, shifrat e korrikut dhe të gushtit janë edhe me inkurajuese.

Ky është numri i bizneseve që regjistrohen mesatarisht në Republikën e Shqipërisë [të dhënat në grafik] ku po mbyllen të tëra, sipas atyre që bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna. Mesatarisht 14.121 biznese regjistroheshin në vitet 2009-2013, gjatë një viti.

Mesatarisht 20.785 biznese janë regjistruar çdo vit nga 2014-ta në 2019-ën. Në 2020-ën presim akoma për të nxjerrë shifrën përfundimtare. Pra, 47 % rritje e regjistrimi.

Këto janë fakte dhe shifra. Janë të gjitha në regjistra zyrtarë. Janë të lidhura me kontribute, me taksa, me sigurime shoqërore, me sigurime shëndetësorë. Nuk janë shifra parlamenti, flas për diskutimet në hava.

Po ashtu edhe një shifër që duhet thënë. Përtej pagave të luftës, përtej pagës direkte 400 mijë lekë, heqja e kësteve të tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe shtyrja e kësteve të tatimit mbi fitimin ka një efekt 19.1 miliardë lekë, 190 milionë dollarë, të cilat i janë lënë biznesit, i janë lënë kompanive, i janë lënë të gjithë atyre që në vështirësitë e mëdha të shkaktuara nga COVID dhe nga karantina, nuk u lanë vetëm. Ky është fakt. Janë 190 milionë që nuk erdhën në arkën e shtetit, – nga shteti me te drejtë kërkojnë shumëçka, pa të drejtë kërkojnë dhe qumësht dallëndysheje, ndërkohë që shteti funksionon me këto të ardhura, – ju lanë biznesit.

E ndërkohë nuk më rezulton, përkundrazi, që po i lëmë një tullë mangët Programit masiv të Rindërtimit. Nuk më rezulton që po lëmë një mbështetje, një kujdes, një vëmendje, një dorë të shtrirë mangët, të gjithë sektorëve dhe njerëzve në çdo sektor.

Në javën e ardhshme do të flasim për të tjera dhe do t’i marrim me radhë, një nga një, të gjitha zotimet tona dhe do t’i ballafaqojmë zotimet tona me shifrat dhe me faktet, jo me perceptimet që krijohen duke përsëritur çdo ditë shpifje, akuza, gënjeshtra, sajesa,  apo duke e kundruar realitetin shqiptar, jo nga terreni i punës, aty ku njerëz të zakonshëm të këtij vendi punojnë, krijojnë punë për të tjerët, fitojnë, kontribuojnë, prodhojnë, eksportojnë, por nga terreni i llafeve.