Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Korrik 2026:
V E N D I M
PËR
PROCEDURËN E SHPALLJES PUBLIKE TË PASURIVE KULTURORE, QË ZBULOHEN NË DET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 154, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e procedurës së shpalljes publike të pasurive kulturore, që zbulohen në hapësirën detare nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.
2. Qëllimi i këtij vendimi është:
a) garantimi i një procedure të unifikuar për shpalljen publike të pasurive kulturore që zbulohen në det, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar;
b) sigurimi i koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për identifikimin, dokumentimin e shpalljen publike të pasurive kulturore të zbuluara në det;
c) sigurimi i transparencës dhe informimit publik mbi zbulimin e këtyre pasurive.
3. Në kuptim të këtij vendimi:
a) “shpallja publike” është procesi zyrtar i publikimit të informacionit për pasurinë kulturore të zbuluar në det, pas përfundimit të procedurave të dokumentimit, verifikimit, deklarimit dhe regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim informimin e publikut e garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nënujore;
b) “zbulim” është çdo identifikim, rastësor ose gjatë ushtrimit të veprimtarive të autorizuara, i një objekti ose i objekteve në grup me vlerë potenciale pasuri kulturore nënujore.
II. PROCEDURA E SHPALLJES PUBLIKE E PASURIVE KULTURORE QË ZBULOHEN NË DET
1. Shpallja publike e pasurive kulturore, që zbulohen në det, kryhet pas përfundimit të procedurave të dokumentimit, verifikimit, vlerësimit, deklarimit dhe regjistrimit të pasurisë kulturore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
2. Procedura e shpalljes publike përfshin:
a) njoftimin e zbulimit;
b) vlerësimin e interesit kulturor të objektit/objekteve në grup;
c) regjistrimin në regjistrin publik të vlerave kulturore materiale në administrim të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore në administrim të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore;
ç) informimin e publikut, në përputhje me interesin shkencor e publik, pa cenuar sigurinë e pasurisë së zbuluar;
d) publikimin e informacionit në mjetet dhe në format e përcaktuara në këtë vendim.
3. Shpallja publike e pasurive kulturore, që zbulohen në det, kryhet vetëm pasi të jenë përmbushur kushtet e mëposhtme:
a) Dokumentimi paraprak;
b) Garantimi i integritetit dhe i sigurisë fizike të pasurisë;
c) Përfundimi i proceseve të dokumentimit, verifikimit, deklarimit të interesit kulturor dhe regjistrimit në regjistrat publikë të pasurive kulturore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore. Regjistrimi në regjistrat publikë kryhet duke përdorur formatin e kartelës sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
ç) Zbatimi i masave paraprake të mbrojtjes;
d) Kryerja e studimit shkencor paraprak dhe publikimi i rezultateve të studimit në organe ose në revista shkencore të specializuara.
4. Në çdo rast, shpallja publike nuk lejohet nëse gjendja e pasurisë paraqet rrezik degradimi, dëmtimi të mëtejshëm ose nëse kjo shpallje cenon sigurinë e pasurisë kulturore.
5. Çdo person fizik ose juridik, që zbulon, rastësisht ose gjatë veprimtarive të autorizuara, pasuri kulturore në det, ka detyrimin të njoftojë brenda 48 (dyzet e tetë) orëve autoritetin portual përkatës. Ky i fundit njofton Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) përgjegjëse.
6. Njoftimi përmban të dhëna mbi vendndodhjen, rrethanat e zbulimit dhe përshkrimin paraprak të objektit, sipas formularit tip, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Deri në ndërhyrjen e autoriteteve përgjegjëse të njoftuara, subjekti që ka kryer zbulimin është i detyruar:
a) të ruajë gjendjen e pasurisë në vendndodhjen e gjetjes;
a) të mos ndërmarrë veprime, që cenojnë integritetin e saj.
8. Zhvendosja e pasurisë lejohet vetëm kur është e domosdoshme për garantimin e sigurisë së saj ose të personave dhe, në çdo rast, vetëm me autorizim nga institucionet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për trashëgiminë kulturore. Këto institucione, në rastet kur zhvendosja e pasurisë kulturore nënujore përfshin ndërhyrje në shtratin e detit ose veprimtari, që mund të ndikojnë në statusin e mjedisit detar, informojnë edhe institucionet përgjegjëse për burimet ujore dhe mbrojtjen e mjedisit detar.
9. Në rastet kur pasuritë kulturore nënujore zbulohen nga institucione apo subjekte të autorizuara për veprimtari arkeologjike nënujore, raportimi kryhet pranë institucioneve të specializuara dhe organeve vendimmarrëse përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
10. Pas marrjes së njoftimit, IKTK-ja, në bashkëpunim me DRTK-në kompetente, institucionet përgjegjëse për sigurinë në det dhe me Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryen verifikimin paraprak të pasurisë së zbuluar. Verifikimi paraprak shoqërohet me dokumentimin teknik, fotografik e gjeohapësinor të pasurisë.
11. Institucionet përgjegjëse për sigurinë në det, gjatë kryerjes së inspektimit, marrin masa të menjëhershme për:
a) ruajtjen e integritetit të pasurisë;
b) parandalimin e dëmtimit, të zhvendosjes ose të grabitjes.
12. Dokumentimi paraprak është kusht i domosdoshëm për vijimin e procedurës së mëtejshme të shpalljes publike.
13. Pas marrjes së njoftimit dhe dokumentimit paraprak mbi potencialin e interesit kulturor të pasurisë së zbuluar në det, IKTK-ja, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vijon me procedurën e verifikimit të interesit kulturor, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.
14. Në rast vërtetimi të interesit kulturor, deklarimi i pasurisë kulturore të zbuluar kryhet në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.
15. Pasuria e deklaruar regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore në administrim të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe në Regjistrin Publik të Vlerave Kulturore Materiale në administrim të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
16. Shpallja publike përmban:
a) emërtimin e pasurisë kulturore;
b) kategorinë ose tipologjinë e saj;
c) përshkrimin e përgjithshëm;
ç) rëndësinë historike, kulturore, arkeologjike ose shkencore;
d) fotografi dhe materiale të tjera ilustruese;
dh) informacionin mbi masat e mbrojtjes e të ruajtjes, kur kjo nuk cenon sigurinë e pasurisë.
17. Informimi i publikut bëhet nëpërmjet:
a) publikimit në faqet zyrtare të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
b) publikimit në faqen zyrtare të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore;
c) publikimit në platformat elektronike zyrtare;
ç) formave të tjera të komunikimit publik, që mund të përfshijnë edhe:
i. publikimin e rezultateve të studimeve shkencore në organe shkencore të specializuara dhe në revistat e Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave;
ii. ekspozimin brenda dhe ose jashtë vendit, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.
18. Në çdo rast, informimi i publikut bëhet duke respektuar parimin e mosrrezikimit të pasurisë kulturore. Nuk publikohen të dhëna, që mund të cenojnë mbrojtjen, integritetin ose sigurinë e pasurisë kulturore, veçanërisht koordinatat e sakta, të dhënat teknike, që mund të lehtësojnë lokalizimin ose nxjerrjen e paligjshme të pasurisë, informacione të tjera që, sipas vlerësimit të institucioneve kompetente, mund të favorizojnë grabitjen, trafikimin ose dëmtimin e saj.
19. Kufizimi i informacionit publik nuk pengon publikimin e të dhënave të nevojshme për informimin e publikut për ekzistencën dhe rëndësinë e pasurisë kulturore.
20. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore siguron përditësimin periodik të informacionit publik, në rast se studimet e mëtejshme sjellin të dhëna të reja për pasurinë kulturore.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Në rastet e zbulimit të pasurive kulturore me karakter ndërkufitar ose me rëndësi ndërkombëtare, ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në koordinim me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme, bashkëpunojnë me shtetet përkatëse dhe organizmat ndërkombëtarë, sipas parashikimeve të Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore, Paris 2001, dhe Guidës Operacionale për zbatimin e saj.
2. Në rastet kur pasuria kulturore e zbuluar ndodhet brenda një zone të mbrojtur detare ose kur veprimtaritë e vlerësimit, të studimit apo të ndërhyrjes zhvillohen në zona të mbrojtura detare, zbatohen edhe kërkesat e procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për zonat e mbrojtura.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, ministria përgjegjëse për mbrojtjen, ministria përgjegjëse për mjedisin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe subjektet e licencuara për veprimtari arkeologjike nënujore, si dhe subjekte të licencuara për veprimtari të tjera në hapësirat detare të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E DHËNIES SË LICENCAVE PROFESIONALE PËR INDIVIDË DHE PERSONA JURIDIKË NË FUSHËN E STUDIMIT E TË PROJEKTIMIT NË NDËRTIM DHE TË MBIKËQYRJES E KOLAUDIMIT TË PUNIMEVE TË ZBATIMIT NË NDËRTIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 52, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe të mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.759, datë 12.11.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për licencimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike, që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, të ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Komisioni i Posaçëm për Dhënien e Licencave Profesionale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR, TË NIVELIT TË ARSIMIT TË MESËM TË ULËT, MEDRESEJA “H. MUSTAFA VAROSHI”, KU ZHVILLOHEN EDHE LËNDË FETARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar, të nivelit të arsimit të mesëm të ulët, Medreseja “H. Mustafa Varoshi”, me kohë të plotë, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare dhe ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Institucioni arsimor privat parauniversitar ushtron veprimtarinë arsimore në adresën: lagjja nr.13, Rruga e Shqipeve, Durrës.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Durrës dhe institucioni arsimor privat parauniversitar, i nivelit të arsimit të mesëm të ulët, Medreseja “H. Mustafa Varoshi”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR BASHKËPRODHIMIN E VEPRAVE AUDIOVIZUALE NË FORMËN E SERIALEVE, BËRË NË LILË, MË 26.3.2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës së Këshillit të Evropës për Bashkëprodhimin e Veprave Audiovizuale në Formën e Serialeve, bërë në Lilë, më 26.3.2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, PËR PUNËSIMIN DHE SIGURIMET SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Sllovenisë, për punësimin dhe sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E MINISTRIT TË DREJTËSISË TË NEGOCIOJË DREJTPËRDREJT ME SUBJEKTIN NDËRKOMBËTAR G37 CHAMBERS, PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT TË KONSULENCËS, PËR NDJEKJEN NË VAZHDIMËSI TË ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE PRIORITARE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2026
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.16/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për prokurimin publik””, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e ministrit të Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers, për ofrimin e shërbimit të konsulencës, për ndjekjen në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2026.
2. Negociimi të ketë në objekt këto fusha:
a) Ndjekjen në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, sipas metodologjisë së hartuar, dhe paraqitjen e tyre për miratim pranë ministrit të Drejtësisë;
b) Vlerësimin/analizimin e formateve tip, të platformave apo të mjeteve/formave të tjera të miratuara për mënyrën e raportimit dhe mbledhjen e informacionit;
c) Bashkëpunimin e bashkërendimin efektiv ndërinstitucional, përfshirë përmirësimin e mekanizmave të raportimit dhe të shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit.
3. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.286, DATË 17.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZONA E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK “TEDA TIRANË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.286, datë 17.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik “TEDA Tiranë””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 115 458 560 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë) lekësh …” zëvendësohet me “… 119 658 112 (njëqind e nëntëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekësh …”;
b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Të dhënat për shpronësim të numrit rendor 41 zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
ii. Pas nënndarjes me numër rendor 64 shtohen pasuritë që shpronësohen, të paraqitura në nënndarjet me numrat rendorë nga 65 deri në 68, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
3. Ngarkohen Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.662, DATË 13.10.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË “UNAZËS SË MADHE” TIRANË NGA “SHESHI SHQIPONJA” – “BULEVARDI I RI” DHE “RIKUALIFIKIMI I “UNAZËS LINDORE” PËR LOTET 4, 5, 6”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.662, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të “Unazës së madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja” – “Bulevardi i ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës lindore” për lotet 4, 5, 6”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, “ndërtesë”, “apartament”, “njësi” dhe “bodrum”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 287 593 896 (katër miliardë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
i. Në fjalinë hyrëse, vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej “… 4 267 781 586.21 (katër miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e një) lekësh” zëvendësohet me vlerën “… 4 287 593 896 (katër miliardë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh;
ii. Në shkronjën “a”, vlera prej “… 4 145 073 087.21 (katër miliardë e njëqind e dyzet e pesë milionë e shtatëdhjetë e tre mijë e tetëdhjetë e shtatë pikë njëzet e një) lekësh” zëvendësohet me vlerën “… 4 164 885 397 (katër miliardë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekësh”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
i. Pasuritë me numrat rendorë 128 dhe 224, që përkojnë me numrat e pasurive 3/23 dhe 7/68, ndryshohen sipas të dhënave bashkëlidhur këtij vendimi;
ii. Pas numrit rendor 329 shtohen pasuritë me numrat rendorë nga 330 deri në 340;
iii. Bashkëpronarët e pasurisë me numër 7/68, që janë likuiduar sipas vlerës së përcaktuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, vetëm për diferencën e vlerës së shtuar të kompensimit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË KURBIN DHE SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 418 097 430 (katërqind e tetëmbëdhjetë milionë e nëntëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e tridhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte, që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kurbin dhe Shijak, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 407 196 804 (katërqind e shtatë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e katër) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Shijak i transferohet fondi në masën 10 900 626 (dhjetë milionë e nëntëqind mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) lekë pa TVSH.
2. Efekti financiar do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, të cilat u transferohen bashkive Kurbin dhe Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Kurbin e Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË KURBIN DHE SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 57 478 717, 28 (pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e shtatëmbëdhjetë presje njëzet e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kurbin e Shijak, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 43 220 255, 28 (dyzet e tre milionë e dyqind e njëzet mijë e dyqind e pesëdhjetë e pesë presje njëzet e tetë) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 14 258 462 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe u transferohet bashkive Kurbin e Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Kurbin e Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË DUBLIN, REPUBLIKA E IRLANDËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 25, të ligjit nr.24/2026, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, Republika e Irlandës.
2. Shpenzimet për hapjen e kësaj ambasade përballohen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe zëri “Shpenzime korrente” për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 5.5.2026, PËR ÇËSHTJEN “METALLA KUNDËR SHQIPËRISË”, PËR KËRKESËN NR.19646/20
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.5.2026, për çështjen “Metalla kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.19646/20, përfundimtar në datën 5.5.2026, në shumën 26 400 (njëzet e gjashtë mijë e katërqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe 6 000 (gjashtë mijë) euro në lidhje me kostot e shpenzimet, plus çdo taksë, që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.5.2026, për çështjen “Metalla kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.19646/20.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshtë, të barabartë me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI DHE NË PËRDORIM TË BASHKISË VLORË TË DISA PRONAVE, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8605, NJËSIA ADMINISTRATIVE VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2021, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Bashkia Vlorë, të pronave me numrat rendorë 1-2, sipas formularit të inventarizimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e shërbimeve administrative.
2. Transferimin e së drejtës së përdorimit, nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Bashkia Vlorë, të pronës me numër rendor 3, sipas formularit të inventarizimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e shërbimeve administrative.
3. Bashkisë Vlorë i ndalohet ndryshimi i destinacionit, tjetërsimi dhe dhënia në përdorim te të tretët për pronat e përcaktuara në këtë vendim.
4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Vlorë të lidhin marrëveshje, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet për secilin institucion për pronën e përmendur në pikën 2, të këtij vendimi.
5. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar, hiqet prona me numër rendor 28 (njëzet e tetë).
6. Ngarkohen Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar ”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
PESHKIMI – FORMATI I KONTRATES