Shëtitorja bregdetare “Lungomare 4”, është një tjetër kantier, ku puna po vijon pandërprerje për të përmirësuar cilësinë e hapësirave publike në zonat me potencialin më të lartë turistik të qytetit, e frekuentuar nga vizitorë vendas e të huaj, të cilët nuk po vijnë në Shqipëri vetëm për pushime sezonale, por edhe për të investuar e për të blerë apartamente.
Kryeministri Rama ndodhet sot në Vlorë, ku e nisi ditën me insektimin e ecurisë së punimeve në këtë kantier, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë Brunilda Mersini dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.
Në prezantimin e detajeve të projektit, Drejtori i FShZh Agolli shpegoi se “Lungomare 4” është vazhdimi i shëtitores ekzistuese në krahun perëndimor, me një gjatësi fillestare prej rreth 500 metrash linear. Projekti parashikon ndërtimin e një promenade me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të integruar për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.
Ai tha se punimet nëntokësore janë drejt përfundimit, përfshirë betonimin dhe sistemet e vaditjes, ndërsa ndriçimi publik do të realizohet në fazën përmbyllëse. Synimi është që kjo pjesë e shëtitores të përfundojë brenda mesit të muajit maj, në mënyrë që të jetë e gatshme për sezonin turistik dhe në funksion të plotë për qytetarët dhe vizitorët.
“Këtu jemi në kantierin e Lungomares 4, që është vazhdimi në krahun perëndimor të Lungomares. Është një projekt fillestar me një gjatësi rreth 500 m linear, i cili parashikon shëtitore me gjerësi rreth 7 metra, ashtu si edhe një pistë për biçikleta prej 2 metra.
Projekti gjithashtu parashikon edhe sisteminin e rërës. Janë bërë të gjitha punimet nëntokësore, punimet e betonit dhe sistemet e vaditjes. Sistemi i ndriçimit vihet më pas. Synimi është që në 15 maj kjo pjesë e shëtitores të jetë mbyllur e sistemuar në mënyrë që për sezonin turistik të jetë e gatshme për t’u shfrytëzuar nga qytetarët e Vlorës dhe nga turistët gjithashtu. Kjo është edhe një fazë e katërt le të themi, që do vazhdojë dhe në vijim, duke bërë praktikisht, gjithë Lungomarën që lidhet me pjesën tjetër.” – shpjegoi Drejtori i FShZh Agolli.
Projekti përfshin gjithashtu elementë inovativë në organizimin e hapësirës publike, si një shkallare multifunksionale që mund të përdoret si zonë plazhi gjatë paradites dhe si hapësirë rekreative në formë amfiteatri gjatë pasdites dhe mbrëmjes, duke krijuar një ambient tërheqës për pushim dhe aktivitete sociale. Po ashtu, është parashikuar një pistë me asfalt të kuq për biçikleta dhe rreth 250 vende parkimi, ndërkohë që po punohet paralelisht edhe për zgjerimin e kapaciteteve të parkimit në të gjithë zonën e Lungomares.
“Kjo është shkallare e gjitha që mund të shfrytëzohet edhe gjatë orëve të paradites, që është pjesë e plazhit, por mund të përdoret edhe gjatë pasdites edhe gjatë darkës, duke u kthyer praktikisht edhe në një pistë amfiteatri për qytetarët qe të pushojnë ose të shijojnë perëndimin e diellit. Pista do jetë me asfalt të kuq. Ka 250 poste parkimi. Ndërkohë që po mbyllim procedurën edhe për parkimin tjetër në Lungomare. Praktikisht janë dy parkime të fuqishme për pjesën e Vlorës dhe pjesën e fluksit turistik.” – detajoi më tej Agolli
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin turistik të qytetit, duke nënvizuar se përmirësimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me zgjerimin e hapësirave të parkimit, për t’iu përgjigjur rritjes së fluksit të vizitorëve.
Shëtitorja “Lungomare 4” është pjesë e një strategjie më të gjerë për transformimin urban të Vlorës, duke synuar rritjen e cilësisë së jetës, përmirësimin e aksesueshmërisë dhe forcimin e potencialit turistik të qytetit.