Programet e qeverisë për punësimin e të rinjve kanë sjellë rezultate konkrete në administratën publike. Kryeministri Edi Rama deklaroi se rreth 1600 persona janë punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit, duke theksuar se bëhet fjalë për burime njerëzore cilësore me potencial për t’u zhvilluar dhe për të marrë në të ardhmen role drejtuese në sektorë dhe institucione të ndryshme.
Ndërkohë, Kryeministri bëri të ditur edhe projektin e Garancisë Rinore, një nismë e përbashkët e qeverisë me Komisionin Europian, e cila synon identifikimin dhe aktivizimin e të rinjve që aktualisht nuk janë të përfshirë në tregun e punës apo në arsim. Projekti parashikon mbështetje ekonomike, trajnime, aftësim profesional, si dhe krijimin e mundësive konkrete për punësim, formim të vazhdueshëm profesional dhe praktika, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike.