Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”, u nderua sot me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga Presidenti i vendit, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.

Medalja, që mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikut Zayed përfaqëson vlerësimin më të lartë shtetëror dhe i akordohet personaliteteve që kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Në një postim pas ceremonisë, Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për nderimin, duke e cilësuar atë si respektin dhe vlerësimin më të madh për një kryeministër shqiptar. Ai theksoi se e pranoi këtë medalje me përulësi dhe krenari për Shqipërinë, si dhe me mirënjohje të veçantë për Presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilin e cilësoi mik të madh të shqiptarëve.

Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se ky vlerësim i dedikohet çdo shqiptari që i ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit, duke e konsideruar medaljen një nder për Shqipërinë dhe përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.