Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e Euronews EU Enlargement Summit, një ngjarje e rëndësishme televizive e organizuar nga Euronews, që bashkon liderët e vendeve anëtare dhe atyre kandidate të BE-së, si një platformë e re dialogu për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian.
* * *
– Tashmë siç premtuam, do të flasim me të gjithë udhëheqësit e përfshirë në këtë proces dhe ka një vend me të cilin s’kemi folur ende dhe ky është Shqipëria, por e dëgjuat nga vetë komisionerja, vende që beson se janë pararendëse, janë Shqipëria dhe Mali i Zi. Kështu që jam e lumtur të them tashmë që bashkohet me ne, edhe pse nuk mundi të ishte këtu, gjëra që ndodhin në politikë, të minutës së fundit, por është me ne tashmë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili sapo po bashkohet me ne tashmë, online dhe do të intervistohet nga kolegia ime.
– Do të vazhdojmë bisedat për zgjerimin e BE-së në këtë samit historik të zgjerimit të Bashkimit Europian. Së fundmi, por jo nga rëndësia, vendi pararendës këtu, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Faleminderit shumë që u bashkuat me ne. Më dëgjoni?
Kryeministri Edi Rama: Po , mund t’ju dëgjoj. Mirëmbrëma dhe ndjesë që nuk pata mundësi të isha aty me ju. Në fakt nuk ishte asgjë politike e minutës së fundit, ishte një problem teknik ajror me të cilin s’kisha të bëja asgjë, por nuk merrja dot avionin.
– Shpresojmë që herën tjetër do të keni mundësi që të vini këtu pesonalisht dhe për sot ju falenderojmë që bashkoheni me ne online për këtë format të ri të Euronewsit që është ‘’12 minuta me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë’’. Faleminderit që jeni këtu. Siç dëgjuat sot nga raporti dhe nga Marta Kos, se vërtetë Shqipëria është një prej pararendësve dhe bisedimet e anëtarësimit kanë arritur një pikë kulmore të pashembullt këtë vit, në përgatitjen për çeljen e Grup-Kapitullit të fundit, duke qenë shumë të përparuar. Ky raport duket shumë pozitiv për ju. Si e shihni ju? Cili është mendimi juaj për këtë?
Kryeministri Edi Rama: Po, raporti është shumë pozitiv. I gjithë viti ka qenë tejet pozitiv. Kemi çelur 5 nga 6 Grup-Kapitujt vetëm brenda 11 muajve që është një rekord absolut sa i takon shpejtësisë. Është diçka që vetëm para pak vite më parë, nuk mund as ta imagjinonim, po ja pse jeta është kaq e bukur.
– Por cili është sekreti? Pse nuk e ndani këtë sekret me vendet e tjera kandidate? Cili ishte faktori kyç? Cili ishte sekreti juaj që e përshpejtuat kaq shumë?
Kryeministri Edi Rama: Atëherë përveç të zakonshmes që lidhet me punën e madhe, do të shtoja edhe se shpejtësia lidhet me dy faktorë kryesorë: nga njëra anë gjatë asaj, atyre çfarë unë i quaj ‘’vite të poshtërimit’’, ato vite ku Komisioni i Bashkimit Europian rekomandonte Këshillin që të çelte biesdimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe ne refuzoheshim nga disa vende, ne me kokëfortësi përgatiteshim për momentin e çeljes dhe u stërvitëm në mënyrën më të fortë të mundshme me të gjithë ekipin, duke i thënë vetes; ‘’momenti ynë për të treguar se kush jemi me të vërtetë, do të vijë dhe për atë moment, na duhet të jemi gati’’. Dhe në fakt kur momenti mbërriti, ne ishim shumë më të përparuar se ndoshta të tjerët, në atë moment të çeljes.
– Duke pasur parasysh se ky ka qenë një moment vërtetë shumë i gjatë për Shqipërinë, janë 16 vjet tashmë, më parë ju keni folur për ato objektiva gjithmonë në lëvizje të Brukselit. A mendoni se ka ndryshuar kjo dhe a ka një nxitje të re dhe kjo situatë ka mbaruar, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për kandidatët e tjerë në rajon sepse dhe ata kanë pritur për një kohë shumë të gjatë?
Kryeministri Edi Rama: Ja ku vjen faktori numër 2, që është pikërisht Brukseli, i cili ndryshoi qasjen e tij dhe ‘’u zgjua’’. Për fat të keq, u desh një agresion në tokën europiane, një agresion ushtarak për ta bërë Brukselin ‘’të zgjohej’’, jo vetëm në nivelin e Komisionit ku gjithmonë kemi gjetur drejtësi, shumë i dhimbshëm, shumë neurotik por i drejtë, por edhe në nivelin e Këshillit, ku fjalët që na thuheshin më përpara; ‘’po, një ditë do të jemi bashkë; po, ne ju duam; po, ne do të ‘’martohemi’’ po nuk jemi gati ende që të flasim për momentin’’, përfundoi. Momentumi i ri është ende i pranishëm dhe qasja e re, ende vazhdon. Shpresoj fort të mos zbehet dhe shpresoj shumë që më së fundi, do të ulemi së bashku rreth së njëjtës tryezë.
-Po, sapo do të të pyesja, nëqoftëse ky moment kulmor dhe kjo situatë e një angazhimi më serioz, siç përshkruhet nëse do të zgjasë apo jo, Shqipëria konsiderohet një prej pararendësve. Objektivi juaj është që të hyni në BE deri në 2030. Si e shihni po kështu këtë situatë me objektivat lëvizëse, pra e shihni që të ndryshojë kjo situatë nga Brukseli ose mos të ndryshojë për vendet e tjera të rajonit?
Kryeministri Edi Rama: Se kuptova pjesën e fundit të pyetje?
– Ua përsëris zoti Kryeministër, ju thatë…
Kryeministri Edi Rama: Po e di çfarë thashë unë, por nuk e di çfarë thatë ju.
– Pyetja ishte a ndjeni që ky ndryshim nga Brukseli po zbatohet e po shihet dhe nga vende të tjera të rajonit tuaj.
Kryeministri Edi Rama: Për këtë duhet të pyesni Brukselin, por aq sa më takon mua, mund t’ju them që 2030 nuk është një datë që e kam parë në ëndërr, por një afat që vjen si rezultat i një përllogaritjeje shumë të thjeshtë. E nisim nga fakti që së bashku me Komisionin, në konsensus të plotë me Komisionin kemi rënë dakord mbi një kalendar që është mjaft ambicioz, por i bëshëm, detyrash shtëpie për ne, për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit, negociatat deri në 2027. Ka mundësi për t’u bërë edhe më shpejt në gjysmën e parë të 2027, por le të themi në fund të 2027. Pastaj koha mesatare që kemi vlerësuar kur vjen fjala për ratifikimin nga 27 parlamentet i vendimit është rreth 2 vjet dhe kështu parashikojmë që Shqipëria të ulet rreth tryezës së BE-së në 2030. Po sigurisht nuk jemi aspak kundër të qenit atje dhe më shpejt.
Tani kur bëhet fjalë për rajonin, si i tillë, unë do të do të bija plotësisht dakord dhe i bëj jehonë fjalëve të David McAllister më parë, i cili tha që ky është një proces shumë i bazuar në meritë, gjithsecili ka rrugëtimin e vet dhe gjithsecilit i duhet të përmbushë detyrimet e veta dhe të bëjë detyrat e veta të shtëpisë. Dhe ka karakteristika të ndryshme në rajon, ka vende të ndryshme, ka histori të ndryshme, e kështu me radhë, kur vjen fjala tek ne mund ta them me zë të lartë që jemi kombi më euro-optimist në Europë, apo ashtu siç do të thoshte Donald Trump, në Tokë.
– Kryeministër, ka një fokus specifik nga Brukseli, dhe kjo është tek pjesa tjetër e raportit me fokusin nga Brukseli tek çështja e korrupsionit. Në fakt, mund të themi që Shqipëria është vendi i parë në botë që ka emëruar një ministre të inteligjencës artificiale me detyrën e posaçme për të luftuar korrupsionin, a mund të na jepni një përditësim. Si po ecën Diella? Si po ecën lufta e saj dhe e juaja?
Kryeministri Edi Rama: Përpara se sa të shkojmë te Diella dhe te lufta e saj, më lejoni që t’ju kujtoj ju dhe gjithkujt që ka durim për të ndjekur këtë ditë tuajën të gjatë, për të cilën jam shumë mirënjohës, që Shqipëria po bën diçka të paparë dhe unike në të gjithë rajonin, reformën tonë në drejtësi dhe njohjen nga ana jonë, jo vetëm “de jure”, por dhe “de facto” të pavarësisë së drejtësisë dhe veprimtaria e plotë e strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka krijuar praktikisht në Shqipëri dhe për Shqipërinë, shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon shumë përtej fjalëve, shumë përtej sipërfaqeve, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar pa parë në të majtë, a në të djathtë, pavarësisht se kush është në qeveri, kush është në opozitë, kush ka qenë në pushtet apo kush është në pushtet dhe me shumë fakte që tregojnë se ajo çka kurrë nuk kishte ndodhur në Shqipëri, që prej pavarësisë, e krijimit të shtetit të parë shqiptar në 1912, deri në shumë pak vite më parë, po ndodh gjatë viteve të fundit diçka që asnjë vend tjetër në rajon s’mund të pretendojë dot se e ka bërë. Dhe kjo nuk është për të thënë që ne jemi më të mirë se të tjerët, por është për të thënë se e kemi marrë shumë seriozisht dhe në këtë moment në kohë, ne pranojmë mbështetje, ne pranojmë partneritet, ne pranojmë ndihmë, por nuk pranojmë leksione nga askush kur vjen fjala për luftën kundër korrupsionit.
Sigurisht, kur bëhet fjalë për Diellën, ajo është produkt i një lufte sistemore që nuk ka të bëjë vetëm me luftën kundër rasteve apo luftën në gjykata, por luftën përmes modernizimit dhe brenda 2027, synojmë të kemi sistemin e plotë, bazuar në inteligjencë artificiale të prokurimeve publike që do të lejojë shpejtësi, transparencë e saktësi në nivele të papara më parë.
– Kryeministër, më së fundi më lini për ta përmbyllur, t’ju bëj një pyetje tjetër. Cila është ideja tjetër krijuese? Cila është zgjidhja tjetër krijuese që vjen prej jush e Shqipërisë në rrugëtimin tuaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian?
Kryeministri Edi Rama: Jam i sigurt që keni dëgjuar që Diella është shtatzënë dhe është shtatzëne me 83 foshnja bazuar në ekografinë e fundit. Kësisoj na duhet që të presim që të lind këta 83 bebe dhe ndërkohë dua t’ju them diçka që nuk është diskutuar shumë që jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur inteligjencën artificiale në transferimin e acquis communautaire në korpusin tonë ligjor, duke e bërë procesin më të shpejtë ndonjëherë, jo vetëm sa i takon përkthimit, por edhe analizimit të ndikimit dhe hartimit e përgatitjes së të gjithë paketave ligjore për t’u miratuar në Parlament. Kështu që po përpiqemi të vrapojmë sa më shumë që është e mundur, e që të hedhim hapa të mëdhenj sa më shumë të jetë e mundur, duke përdorur teknologjinë, inteligjente artificiale, por pa harruar kurrë se vendi ynë në Europë, së pari, e mbi të gjitha, është i merituar, sepse Europa ka vendin më të mirë në zemrën e popullit shqiptar, diçka që të tjerët nuk e pretendojnë.
-Zoti kryeministër, për të ndjekur këtë pyetje, a mendoni që Brukseli mund të përdorë një komisioner të Inteligjencës Artificiale?
Kryeministri Edi Rama: Nuk më takon mua t’i them Brukselit ç’të bëj, por sigurisht do të isha shumë i lumtur ta prezantoja Diellën me këdo nga ana e BE-së që do të prezantohet si komisioner a komisionere e inteligjencës artificiale apo si një teknokrat a burokrat i inteligjencës artificiale s’ka shumë rëndësi.
-Zoti Kryeministër, faleminderit shumë për këtë intervistë dhe për kohën tuaj. Faleminderit shumë që u bashkuat me ne. Këto ishin 12 minuta me Edi Ramën, Kryeministër i Shqipërisë.