Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit 2019 për arsimin:
Përshëndetje!
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Do përqendrohem në disa pika kyçe, që në këndvështrimin tim nënvizojnë natyrën e këtij buxheti dhe njëkohësisht, duke theksuar “Pse”-në e potencialit që ka buxheti, për të garantuar ecurinë e mëtejshme të një reforme të gjithanshme në sistemi tonë arsimor, e cila ka dhënë rezultate kuptimplota.
Ministrja solli këtu shembullin e pakontestueshëm të rezultateve të nxënësve tanë në barometrin global të Pissa-s, por, padiskutim, rezultatet në vijim duhet të jenë konstante dhe edhe më kuptimplota dhe të tilla jam i bindur që do të jenë. S’dua të lodh askënd me shumë shifra, por, sidoqoftë, disa shifra janë të nevojshme për të pasur një kornizë, brenda së cilës mund të gjykojmë lidhur me pamjen e përgjithshme e të sistemit të arsimit sot.
Krahasuar me 5 vjet më parë, buxheti i arsimit është rritur rreth 66%.
A është një shifër e mjaftueshme?
Asnjëherë nuk është e mjaftueshme ajo që shpenzojmë për arsimin. S’ka si të jetë! Nuk është e mjaftueshme në asnjë vend të zhvilluar, s’ka se si të jetë e mjaftueshme në një vend si Shqipëria që është në zhvillim. Por është një shifër kuptimplotë. Është kuptimplotë si shifër dhe është edhe më kuptimplote tërësia e rezultateve të arritura, duke e shfrytëzuar më së miri të gjithë volumin e financimeve që kemi pasur në dispozicion të arsimit.
Më vjen shumë mirë që, përsëri, falë reformave që ne kemi ndërmarrë, të thella, të dhimbshme, patjetër dhe falë edhe punës së bërë për rritjen e të ardhurave dhe rritjen e mundësive, ne do të mund të rrisim përsëri pagën e punonjësve në sistemin tonë të arsimit. Nga kjo rritje do të përfitojnë pa përjashtim, 100% e të gjithë punonjësve në Arsimin Parauniversitar, të gjithë mësuesit dhe punonjësit e tjerë. Rritja e pagës do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 10 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë në familjet e mësuesve dhe të punonjësve të Arsimit Parauniversitar në tërësi, një rritje 7%.
Në vitin 2019 do të kemi 940 mësues ndihmës. Ju e keni parasysh shumë mirë, që 5 vjet më parë nuk kishim asnjë mësues ndihmës. Unë e kuptoj shumë mirë që 940 nuk janë aq sa na duhen për të mbuluar nevojat e çdo fëmije me aftësi të veçanta për një mësues ndihmës, por 940 janë shumë më tepër sesa asnjë dhe nga ana tjetër janë shumë më tepër sesa gjysma e atyre që na nevojiten.
E çuam në 700 numrin këtë vit. Do të jetë 940 vitin e ardhshëm. Ambicia jonë është që brenda këtij mandati, ne të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me nevoja të veçanta. E parë me sytë e të sotmes, çdo prind që ka një fëmijë me aftësi të veçantë dhe nuk do ta ketë dot mësuesin ndihmës qysh vitin e ardhshëm ka të drejtë që të jetë thellësisht i shqetësuar dhe i pakënaqur. Por e parë me sytë e pikënisjes, kur vetëm 5 vite më parë, të gjithë prindërit nuk kishin mundësi ta çonin fëmijën me aftësi të veçantë në shkollë me një mësues ndihmës, sigurisht që kemi bërë një goxha rrugë për të ardhur deri këtu.
Do të dhjetëfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla. Faktikisht, patëm këtë vit një projekt pilot në 15 gjimnaze të Tiranës, ku vendosëm figurën e oficerit të sigurisë. Morëm një reagim shumë pozitiv nga mësuesit, nga prindërit, nga nxënësit. Pamë edhe të mirat e kësaj figure të ndërmjetme midis trupës mësimore dhe Policisë së Shtetit. Oficeri i policisë nuk është as mësues, por nuk është as polic, po është një figurë e ndërmjetme që i ka munguar shkollës dhe që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe mbarëvajtjen e orëve të mësimit. Për vitin e ardhshëm kemi vendosur në buxhet për 150 oficerë sigurie në 150 gjimnaze të vendit, duke adresuar problemin e sigurisë dhe të mbarëvajtjes në shkollat e mesme më të populluara dhe ku kjo nevojë është shumë e madhe.
Kemi rritur shumën që do të vendosim në dispozicion të transportit të nxënësve.
Jo vetëm që më vjen shumë mirë që, me guxim dhe me vendosmëri, ministrja e Arsimit dhe i gjithë ekipi i Ministrisë kanë çuar përpara procesin e mbylljes së klasave kolektive, por dua ta them me forcë që ne do vazhdojmë të mbyllim klasa kolektive. Ata që i lanë klasat kolektive, sepse i ranë shkurt, le të vënë kujën dhe të hidhen përpjetë po të duan dhe le t’iu thonë shqiptarëve që ne po mbyllim shkolla.
Në fakt, jo, ne nuk po mbyllim shkolla. Ne po mbyllim klasa përqendrimi, që janë si kampe përqendrimi për fëmijët e vegjël, që aty nuk mësojnë, por bëhet sikur mësojnë. Faktikisht, ata fëmijë që kalojnë nga klasat kolektive e kanë të mbyllur derën e të ardhmes që meritojnë. Kjo është e vërteta dhe ne me këtë të vërtetë jemi përballur dhe do vazhdojmë të përballemi, pavarësisht të gjitha vështirësive që ka ky proces.
Me buxhetin e vitit 2019 iu garantojmë 35 mijë nxënësve dhe 12 mijë mësuesve transportin. Në këtë shumë hyjnë edhe garancitë e transportit për të gjithë ata fëmijë që fatmirësisht shpëtuan nga klasat kolektive.
Ka ende plot të tjerë dhe nëse shikojmë nga e ardhmja dhe i kemi sytë aty ku duam të shkojmë, jemi kokulur dhe më vjen shumë zor përballë të gjithë atyre prindërve që do vazhdojnë t’i çojnë fëmijët, edhe në 2019-ën, në klasa kolektive. Por, nëse shikojmë nga ku u nisëm, jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë dhe për faktin që kemi shpëtuar me dhjetëra-mijëra fëmijë nga terrori i ftohtë i klasave kolektive.
Këtë vit ne mundësuam dhënien e librave falas për fëmijët nga klasa e parë në klasën e katërt, pa dallim dhe vazhduam të financojmë librat falas për të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë. Siç e premtuam, vitin e ardhshëm do të përfshihet dhe klasa e pestë, pra, me buxhetin e vitit 2019 do të marrin libra falas të gjithë fëmijët pa përjashtim, nga klasa e parë në të pestën. Deri në fund të mandatit do të kemi libra falas për të gjithë fëmijët, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Ky është zotimi që kemi marrë dhe ky është zotimi që do të mbajmë.
Nuk do të jetë e lehtë si fillim dhe akoma ka diskutime me mësuesit, me drejtoritë, me drejtoritë arsimore, me Ministrinë çështja e dhënies dhe e marrjes së librave. Kemi parë dhe modele të tjera si funksionojnë, por të gjithë duhet ta kuptojnë dhe sidomos prindërit që kushedi qëkur kanë prekur për herë të fundit libër me dorë, që bërtasin dhe vënë kujën në Facebook, se nuk është çështje thjesht lekësh. Franca, e cila ka qenë pararojë në këtë proces, nuk e ka vendosur rregullin e kthimit të librave se ka problem buxhetin e shtetit për të paguar librat falas, por për një arsye shumë më të thellë se kaq. Libri nuk është një mall si të gjithë të tjerët, edhe pse blihet.
Libri është një dashuri dhe dashuria ka një vlerë që nuk paguhet. Marrëdhënia me atë objekt është një marrëdhënie që themelon të gjithë konstitucionin e fëmijës për të gjitha vitet që vijnë. Kështu që, me keqardhje për ata prindër që kushedi prej sa kohësh s’kanë prekur libër me dorë, ne nuk mund të lejojmë që dhe fëmijët e tyre të kenë me librin marrëdhënien si me një mall të zakonshëm, siç e kanë këta që thonë më mirë po ua blejmë, sesa të na i jepni e pastaj të na i merrni, se na stresohen fëmijët. Domethënë, stresohet fëmija po nuk grisi. Stresohet fëmija po nuk e hodhi librin, bashkë me lëkurën e bananeve të babit në rrugë. Stresohet fëmija po nuk shkarraviti. Jo, nuk është kështu. Është njësoj si të thuash më stresohet fëmija nga dashuria dhe nuk rri dot pa i gjuajtur me shpullë. Jo, të keqen xhaxhi, s’të lëmë në dorën e këtij babi dhe të kësaj mami. Libri është dashuri. Kjo është arsyeja.
Thënë kjo, ne do gjejmë modelin më të përshtatshëm, se nuk kemi hallin e këtyre prindërve që stresohen para kohe, ngaqë i zë libri pa e parë akoma, por kemi hallin e fëmijëve dhe të një funksionimi të këtij sistemi. Të gjitha paratë e buxhetit përsëri janë vendosur njësoj sikur asnjë libër nuk do kthehej, por patjetër që duhet të ketë disa sanksione, që janë për prindërit që janë gati t’iu thonë shkarravite të keqen babi, mos u streso, se punë e madhe shumë, se nuk e di sa bëjnë dy plus dy.
Më vjen mirë që në lidhje me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, fondet për Institucionet publike të Arsimit të Lartë parashikojnë në buxhetin e 2019-ës një shumë më të madhe sesa ai që kishim. Patjetër që nuk mjafton. Nuk ka se si të mjaftojë, por më vjen mirë, po ashtu, qëtanimë do të finalizojmë edhe bibliotekën digjitale të universitetit. Jemi i vetmi vend në Europë, nuk diskutohet, nuk e di në botë, me siguri do kemi edhe ndonjë tjetër që mund ta gjejmë për shok, që kemi sistemin e tërë universiteteve pa bibliotekë që meriton të quhet e tillë. Bibliotekat ekzistuese janë biblioteka që i kanë mbijetuar gjithë rrëmeteve të tranzicionit, falë kujdesit të trupës së rektorëve, të dekanëve, por janë komplet jashtë çdo standardi për t’u quajtur biblioteka bashkëkohorë universitare. Falë bibliotekës globale dixhitale të universiteteve, ne mund ta bëjmë përditësimin në një kohë rekord dhe mund t’u japim mundësi të gjithë trupave pedagogjike dhe të gjithë studentëve që të kenë akses në bibliotekën universitare dixhitale, njësoj si studentët në çdo vend të Europës. Kjo do të bëhet falë financimit të garantuar dhe patjetër që është një hap i rëndësishëm në drejtim të krijimit të kushteve normale për kërkimin shkencor dhe për studimet në tërësi.
Nga ana tjetër do të fillojmë edhe me financimin e kurseve të anglishtes falas për studentët në universitet. Do të fillojmë me hapa të vegjël, aq sa e kemi të mundur, por është një mundësi e re, që çdo student të mund të mësojë anglishten falas.
Përsa i përket buxhetit, do të vazhdojmë të investojmë për ndërtimin e shkollave të reja dhe rindërtimin e tyre. Sigurisht është një proces që kalon nëpërmjet bashkive, por buxheti ka parashikuar një fond për rreth 80 ndërtime e rindërtime në të gjithë territorin, bazuar tek kërkesat e bëra nga bashkitë dhe tek analizat e bërë nga Ministria e Arsimit.
Në mbyllje, dëshiroj të them se rezultatet e arritura në procesin e Pissa-s janë shumë domethënëse. Unë besoj shumë fort që garantimi tanimë i konsoliduar i meritës së mësuesve, mosprekja e moscenimi i mësuesve për arsye politike, moslëvizja e mësuesve nga këtu, atje, për arsye korruptive, apo në mënyrë arbitrare dhe sidomos çelja e një rruge, tanimë të shkruar në ligj, të konkurrencës dhe të meritës për të gjithë mësuesit që duan të hyjnë në sistem, përbën një arsye shumë të fortë për ta parë të nesërmen e sistemit tonë arsimor paraunivesitar me optimizëm dhe për të besuar që rezultatet do të shkojnë në rritje.
Ne padiskutim kemi nevojë që ta rrisim edhe më shumë pagën e mësuesve. Rritja e vitit të ardhshëm është e rëndësishme. Ashtu sikundër është e rëndësishme që ta kthejmë kokën pas e të shikojmë cila ishte paga reale e mësuesve 5 vjet më parë. Mësuesit paguheshin më pak dhe paguanin më shumë taksa nga rroga e tyre. Sot, mësuesit paguhen më shumë dhe paguajnë më pak taksa nga rroga e tyre.
Megjithatë, thënë kjo, deri në fund të mandatit, ne duam ta rrisim përsëri pagën e mësuesve. Ky është qëllimi.
Besoj që i kemi dhënë mësuesve në dorë instrumente të rinj. Librat e Oxford, Cambridge, Pearson, që janë një bazë e re për arsimin tonë që është larguar nga xhungla e teksteve, 600 e ca prej të cilëve u refuzuan nga vetë mësuesit kur u pyetën për cilësinë e librave.
Edhe reforma e gjimnazeve ka qenë një reformë që përsëri i ka ardhur në ndihmë procesit, i ka ardhur në ndihmë mësuesve, i ka ardhur në ndihmë nxënësve. Ka qenë një hap i madh, pavarësisht se ishte komplet si veza e Kolombit. Ndryshimi i sistemit, duke kaluar në tre lëndë në gjashtë orë, që erdhi nga vetë mësuesit, një hap shumë domethënës dhe shumë pozitiv, i përshëndetur nga mësuesit, i përshëndetur nga prindërit dhe për të “mos marrë më sysh” si të thuash, i akuzuar dhe i sulmuar nga ata të unazës së re. Sidoqoftë na mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim e unë kam shumë besim që nisma e re e Shkollës së Drejtorëve do të sjellë përmirësime të mëtejshme, sepse ne sot, le ta themi siç është e vërteta, kemi shpëtuar mësuesit nga politika.
Kjo është e vërteta.
Sot, asnjë mësues nuk ka pse të ketë frikë se me kë është, për kë voton, ku shkon, kë takon, kush e pa e kush nuk e pa, sepse vendin e punës e garanton me meritë.
Nuk është e njëjta gjë për drejtorët e shkollave e kjo është e vërteta.
Pavarësisht se kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme, – vitin e shkuar, në mos gabohem, kemi ndërruar rreth 300 drejtorë dhe i kemi zëvendësuar me mësuesit më të mirë, – e vërteta është që kemi akoma shumë, po them, pa dashur të fyej askënd, material skarco në drejtimin e shkollave. Nëse politizimi nuk është më problem tek mësuesit, mbetet problem tek drejtorët dhe tek nëndrejtorët e shkollave. Kjo është e vërteta.
Nëse ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, njerëzit me influencë politike e mësuan që nuk mundet më të futen mik për të futur njerëz në punë si mësues, se nuk bëhesh dot më mësues, po nuk kalove testin dhe po nuk more pikët, tani vazhdon avazi, mirë mësues nuk po fusim dot, por të paktën të fusim ndonjë drejtor. Kjo duhet të marri fund, se kjo është njësoj si të bësh një skuadër me lojtarët më të mirë të mundshëm dhe të vësh në krye një trajner që merr vesh më pak nga loja, sesa edhe lojtari i fundit rezervë.
S’mund të funksionojë. Kemi shumë drejtorë të mirë, por kemi edhe shumë që duhet të largohen. Kemi shumë drejtorë që mund të bëhen shumë të mirë, por duhet të mësohen dhe Shkolla e Drejtorëve është një shkollë për t’i kthyer drejtorët e shkollave në administratorë realë të të gjithë procesit.
Nga ana tjetër mendoj se kemi nevojë ta shtyjmë shumë më me vendosmëri dhe shumë më shpejt përpara Reformën e Arsimit të Lartë. Sot është arritur aty ku le të çohet një shqiptar e të më thotë nëse e imagjinonte dot që në universitet nuk të fut dot më babi me emër, me post, apo me lekë. Për të hyrë në universitet, mund të jesh çuni i babit më të gjatë dhe vjen dikush tjetër që babin e ka në majë të malit çoban dhe të del përpara dhe babi i gjatë ty nuk të ndihmon dot që ta parakalosh.
Kush e mendonte se kjo gjë mund të arrihej në Shqipëri, në një vend ku jemi të gjithë kushërinj? Askush!
Sot është e garantuar. Sot bëjmë hyrjet në shkollë dhe nuk ka asnjë ankesë. Zero ankesa. Të gjitha janë dixhitale. Platforma nuk njeh as mamin, as babin, por njeh vetëm pikët që merr, plus ponderimin e Maturës Shtetërore, mesataret e çfarë janë të gjitha bashkë dhe mbaron procesi e ti hyn në shkollë. Problemi tani është brenda universitetit. Aty ka shumë akoma për të bërë që të garantojmë që ajo që ka filluar në Arsimin Parauniversitaar të vazhdojë në universitet. Sot, që të jemi realistë, nuk është e njëjta cilësi dhe nuk kemi arritur aty ku kemi arritur me Arsimin Parauniversitar në procesin e Arsimit të Lartë. Këtë e dinë shumë mirë rektorët, këtë e dinë shumë mirë pedagogët, këtë e dinë shumë mirë të gjithë, këtë e dinë shumë mirë dhe prindërit. Këtu është sfidë më vete se nuk diskutohet që Arsimi i Lartë është edhe më kompleks dhe ka edhe shumë më tepër “naze”, në kuptimin e mirë të fjalës.
Duke ju shprehur gjithë respektin dhe mirënjohjen për gjithçka bëni, duhet të jeni të bindur që për sa më takon, jo vetëm jam i vetëdijshëm se ju meritoni shumë më tepër se kaq, por edhe ju lutem shumë, sa herë dëgjoni nga goja ime sa shumë kemi bërë për arsimin, mos kujtoni kurrë që ajo çka them, lidhet me vetëkënaqësi apo me mjaftueshmëri. Në asnjë mënyrë jo. Kemi bërë shumë për arsimin, por asnjëherë nuk do bëjmë dot, aq sa meritojnë mësuesit në këtë vend.
Është shumë e lehtë të bësh lajm të keq. Mjafton një mësues tapë që rreh një nxënës, mjafton një nxënës që ka shkathtësinë e filmimit dhe goditet reputacioni i gjithë mësuesve. Ndërkohë që mësuesit që nuk veprojnë ashtu janë 99,99% e trupës mësimore, por nuk përbëjnë lajm. Ashtu sikundër mjafton një mësues e këta çuditërisht janë kryesisht në gjininë mashkullore, mjafton një mësues që korruptohet dhe kjo dëmton, godet reputacionin e të gjithë mësuesve, por shumica stërdërrmuese e mësuesve nuk korruptohet. Përkundrazi, kur kam parasysh sesa shumë mësues vazhdojnë sot shkojnë në shkollë, japin mësim, kujdesen për nxënësit dhe shkolla akoma nuk është në kushtet më të mira, siç janë një pjesë e shkollave, por jo të gjitha, nuk gjej dot fjalë tjetër, përveçse fjalës: janë heronj. Siç janë heroina, edhe shumica dërrmuese e infermierëve të Shqipërisë. Siç janë heronj, edhe shumica dërrmuese e mjekëve të Shqipërisë.
Shqipëria nuk është vendi ku shumica është ajo që bën lajm, për fat të keq, por ama Shqipëria është vendi ku shumica është ajo që bën gjërat e duhura dhe ju jeni pjesë e kësaj shumice.
Shumë faleminderit dhe shumë respekt!