Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit nisi sot me mikpritjen e Bordit të Kongresit Botëror të Ligjit dhe ceremoninë solemne të dhënies së titujve Doctor Honoris Causa për personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën e së drejtës, ekonomisë, akademisë dhe artit, e cila u mbajt në Universitetin e Arteve, në Tiranë.

Ceremonia, e cila është një organizim në bashkëpunim i universiteteve shqiptare dhe World Law Foundation, shënon një nga momentet më të rëndësishme, të jetës akademike, ku universitetet bëhen bashkë për të nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, pesë personalitete të spikatura në arenën ndërkombëtare, mes tyre; Ricardo Hausmann, akademiku dhe ekonomisti i famshëm; Javier Cremades, President i Shoqatës Botërore të Juristëve dhe një nga zërat më të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës; Jose Luiz Manzano, Andi Hoxhaj dhe Joze Manuel Ciria, – të cilët përmes veprës dhe kontributit të tyre kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin e mendimit, të artit dhe të institucioneve në nivel ndërkombëtar.

Ceremoania i paraprin ditës kryesore të punimeve, më 7 maj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Eventet e zhvilluara përgjatë dy ditëve janë bashkë organizim i Shoqatës Botërore të Juristëve (SHBJ) në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë.

Kryeministri Rama, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, mbajti një fjalë në nderim të akordimit të titullit Doctor Honoris Causa, akademikut dhe ekonomistit të famshëm Ricardo Hausmann:

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Është privilegj që ne të jemi qyteti apo kryeqyteti pritës i Kongresit Botëror të Ligjit dhe më vjen shumë mirë që një vit përpara atij kongresi ne të jemi së bashku nesër në një sesion të posaçëm që është prelud i Kongresit sipas traditës së kësaj platforme globale që mbledh njerëz të spikatur të botës së ligjit nga të gjitha kontinentet.

Sot këtu unë u thirra për të pararendur me fjalën time titullin Doctor Honoris Causa për profesor Ricardo Hausmann dhe u thirra me kërkesën që ai u kishte bërë organizatorëve, çka duhet të më besoni është një barrë jo e lehtë, por duke qenë se në raste të veçanta e kam të pamundur t’ia besoj fjalët e mia përkthyesit, do ta kthej fjalën në anglisht sepse për mua është një provim përpara një profesori.

Zonja dhe zotërinj, ka shumë ekonomistë që bëjnë shpjegime pasi bota ndryshon dhe pastaj ka shumë pak ekonomist të cilët ndryshojnë përpara se bota ti vërë re. Profesori Ricardo Hausmann i takon kategorisë së dytë. Sonte ne nuk po festojmë për një intelektual të respektuar, drejtorin legjendar të qendrës për zhvillim dhe “Growth Lab” në universitetin e Harvardit, sot po nderojmë një personalitet që u ka mësuar kombeve që të zbulojnë shumë dhe duhet të them diçka që në fillim. Marrëdhënia ime me Ricardon ka filluar si një dështim total. E kërkova pa sukses kur isha ende në opozitë, i shkrova atij dhe u përpoqa që të gjeja mënyra që ta gjeja dhe t’i thosha se Shqipëria ia vlente në kohën e tij dhe në këmbim të kësaj unë mora heshtje, asgjë. Absolutisht asnjë lloj shenje. Pra ky nuk ishte dëgjuar, që një piktor donte të bëhej kryeministri i Shqipërisë. Ricardo vet ishte në opozitë gjithashtu me lidershipin e Venezuelës. Kështu unë vazhdoja të pyesja veten pse një person do të refuzonte që të fliste më dikë. Por në fund e kuptova diçka shumë të rëndësishme, për të marrë vëmendjen e  Ricardo Hausmann në fillim duhet të fitosh zgjedhjet që në retrospektivë mund të jetë procesi më i sofistikuar i vetting-ut, kështu që sapo fitova Ricardo erdhi. Dhe nuk erdhi si një ekspert plus, që vjen në një vend në zhvillim, me një prezantim në PowerPoint, me mençuri të huazuar dhe me biletën e kthimit të rezervuar por në të njëjtën kohë pa asnjë lloj synimi për të lënë gjurmë pas. Ai erdhi me çizme në terren dhe kjo ka rendësi sepse vendet si yni kanë parë shumë ekspertë. Ekspertë që vijnë dhe dinë çdo gjë. Ekspertë që ta shpjegojnë vendin pasi kalojnë 6 orë në hotel, ekspertë që përgatisin raporte aq të trasha sa asnjë nuk i lexon dhe rekomandime pak a shumë të njëjta tek të cilat askush nuk ka më besim.

Dhe akoma më keq ka dhe ekspert që të fajësojnë gjithmonë ty për dështimet e tyre. Ricardo është krejt ndryshe. Ai dëgjoi, bëri pyetje, vuri re. Biseda jonë e parë u bë në një rooftop në Tiranë dhe ai më foli menjëherë për nevojën për të parë dhe kuptuar se cilat do të ishin burimet nga të cilat ai do të inkurajonte më tepër, do të thoshte diçka për zhvillimin e Shqipërisë.

Ai erdhi në konkluzionet e veta për burimet, por në listën e tij e rëndësishme ishte që pa ditur ai më vuri përpara të njëjtën listë që dikush tjetër disa dekada më parë gjatë Shqipërisë komuniste i quajtur Franz Josef Strauss vuri në tavolinë në regjimin komunist të atëhershëm. Por ajo që më bëri përshtypje nuk ishte vet lista, ishte mënyra se si e shikonte ai vendin, Ricardo e shikonte Shqipërinë, jo si një problem për t’u zgjidhur, jo si një rast studimor, jo si një vend tjetër, diku në një cep të Evropës.  Ai e shikonte Shqipërinë si një energji të fshehur dhe potencial pambarim dhe për njerëzit që janë mësuar të dëgjojnë zëra nga brenda vetes, përse nuk mund t’ia dalin dhe leksione pafund nga jashtë për mënyrën se si mund të kesh sukses, e gjithë kjo dukej si një muzikë krejt e re. Sepse Ricardo nuk i qaset vendeve ashtu sikurse mekaniku i qaset një makine të prishur, por si kartograf, ai kërkon kapacitete, madje dhe ato që duken të padukshme dhe janë të padukshme për vetë vendasin. Ai nuk pyet se çfarë është ky vend? Po çfarë mund të bëhet dhe kjo është thellësisht diçka e rrallë në mënyrë të veçantë në epokën tonë kur është gjithmonë më e lehtë të parashikosh kolapsin sesa të përfytyrosh progresin.

Dhe gjatë viteve Ricardo më ka thënë shumë, shumë gjëra, disa jo aq të mira, disa frymëzuese, disa tepër të shtrenjta për t’i mësuar siç duhet. Për shembull, ai më tha se të luash me makroekonominë është si të luash me ujkun që fshihet në pyll. Në fillim ti mendon se pylli është i qetë dhe thjesht mund të luash aty dhe papritur shfaqet ujku dhe të kujton se mund të të kafshojë dhe të të kafshojë fort. Kur je në politikë nuk është gjithmonë një lajm i mirë një gjë e tillë. Ekonomistët si Ricardo të shpjegojnë se realiteti është për të dërguar fatura dhe së bashku me këtë mësim erdhi dhe një tjetër ndoshta dhe më i rëndësishëm, ai më tha se nëse parandalon diçka, duhet të jesh i kujdesshëm. Asnjë debat televiziv nuk do të lidhet me një fenomen negativ që nuk ka ndodhur asnjëherë dhe të parandalosh gjënë e gabuar është shpesh një nga kontributet më të mëdha që një lider mund t’i bëjë vendit.

Kjo është një filozofi shumë e vështirë për politikën demokratike, por Ricardo më ka thënë se lidershipi serioz është pikërisht arti për të shmangur kolapsin dhe sa herë bëhesha tepër dramatik për problemet Ricardo më vështronte me buzëqeshjen e tij dhe më thoshte, “zoti kryeministër ju nuk mund ta merrni me mend se sa shumë njerëz në botë do donin të kishin problemet tuaja” dhe kjo ishte mënyra e tij elegante për të thënë se mos u anko më dhe mos e fajëso më veten. Vendi juaj është goxha mirë! Po ecën mirë! Vendet nuk ndryshojnë nga ato që kanë, por nga ato që dinë.

Qasjet revolucionare për vende që kanë kaluar vite të tëra të obsesuara pas burimeve, ndërkohë që shmangin atë që është më e rëndësishme, njohuritë, dijet. Më mësoi gjithashtu akoma më inkurajuese për një vend si yni, ku vetë suksesi është ai që ndërton institucionet dhe sistemet nuk ndërtohen nëpërmjet skemave, ligjit dhe diagrameve, por nëpërmjet momentit, besimit, njerëzve, të cilët fillojnë të besojnë se përmirësimi është i mundur dhe ja vlen të marrim masat dhe më prezantoi një nga idetë më të mira për t’i mbijetuar burokracisë dhe për të realizuar projekte të mëdha. Ekipet Black Belts të cilët janë njerëz mjaft të aftë dhe mund të depërtojnë mes barrierave të institucioneve dhe t’i realizojnë gjërat.

Për Shqipërinë dukej diçka e mrekullueshme dhe prandaj ishte në shumë aspekte me projektin Trans Adriatic Pipeline. Përpara se të merrja detyrën takova një delegacion me aksionerët e TAP dhe ata ishin mjaft të merakosur sepse nuk e dinin se çfarë të prisnin nga Shqipëria. Dhe ndërkohë që kishin besim tek Turqia, Greqia dhe madje dhe tek Italia, ata dukeshin se ishin të alarmuar për Shqipërinë se si tubacioni i tyre do të kalonte mes përmes vendit tonë pa u përballur me probleme të tmerrshme.

Ne krijuam pikërisht pra këtë ekipin “Black Belt”. Të gjitha agjencitë dhe kur projekti përfundoi ata erdhën dhe më takuan sërish dhe më thanë na vjen keq ju detyrohemi këtë ndjesë sepse Shqipëria ishte vërtetë partneri më i mirë që patëm në këtë projekt, të gjithë të tjerët kështu kështu.

Sigurisht Ricardo u përpoq për vite të tëra që të më bindte idenë e zhvillimit të korporatave. I rezistova fillimisht, jo sepse ideja ishte e keqe sepse nuk ishte e tillë dhe unë e mendova mirë në fakt dhe unë përpiqem gjithmonë që t’i përpunoj sa më mirë dhe për një arsye kjo ide mu duk e komplikuar. Ndërkohë që në të vërtetë ishte një instrument mjaft i mirë për vendin, për publikun. Megjithatë, Ricardo këmbëngulte sa herë që takoheshim unë mbetesha si gjithmonë një shqiptar skeptik dhe më në fund e kuptova se kishte të drejtë, sepse filluam të shikonim të mirat.

Një vonesë e tillë u lidh dhe me Bankën Botërore, por për një arsye krejt tjetër, sa herë që ideja rishfaqej, Ricardo më kujtonte një të vërtetë brutale. Një bankë zhvillimi mund të jetë një instrument mjaft i mirë në qoftë se menaxhohet në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë profesionale, por mund të bëhet një instrument i tmerrshëm në qoftë se drejtohet nga politikanët. Me fjalë të tjera, problemi nuk është asnjëherë vetë Instrumenti. Çështja është nëse një vend ka maturitet për të rezistuar, për ta bërë këtë. Kështu që zgjodhëm vetëdijen përpara shpejtësisë dhe tani Banka e Zhvillimit është krijuar dhe po përgatitet që të hapë dyert e saj. Aftësia për të kombinuar realizmin me optimizmin është ndoshta ajo që e ka bërë Ricaron kaq të veçantë. Ai asnjëherë nuk ka qenë, le të themi, romantik, nuk i ka zbukuruar vendet. Ai ka menduar mjaft qartë dhe i shikon mundësitë akoma më qartë dhe idetë, teoritë, strategjitë, të gjitha këto Ricardo i ka pasur brenda vetes. Ajo që kam mësuar nga teoria e tij për kompleksitetin e ekonomisë nuk lidhet vetëm me ekonominë, por me njerëzit, me teknologjinë, njohuritë, besimin, rrjetin e padukshëm që i lejon shoqëritë të krijojnë jo vetëm individualisht.

Kjo ka të bëjë dhe me rrëfimin, sepse vendet bëhen ato që mësojnë të imagjinojnë për veten e tyre. Ashtu sikurse Ricardo e tha bukur njëherë, zhvillimi është një proces i akumulimit të njohurive kolektive. Ai na tha, na tregoi se prosperiteti nuk është i varrosur nën tokë si nafta, por prosperiteti është brenda njerëzve, brenda aftësive për të punuar së bashku, zhvilluar së bashku për vende si Shqipëria, kjo ide është çliruese sepse ne harxhojmë kohë shumë të madhe dhe shumë prej historisë sonë ka treguar se çfarë na ka munguar dhe një pjesë e madhe e gjërave që na ka thënë gjatë tranzicionit është çfarë duhet të pranojmë dhe çfarë jo.

Ricardo ka qenë këmbëngulës për të na treguar se çfarë kemi, çfarë posedojmë, çfarë mund të zhvillojmë dhe çfarë mund të bëhemi. Sigurisht të gjitha këto nuk do të thonë se ai është bërë shqiptar, por në një farë mënyre diku në mes të rrugës ka ndodhur diçka e bukur. Një marrëdhënie midis një këshilltari dhe kryeministri, por jo vetëm kaq. Një që tregon respekt, miqësi, kureshtar për vendet, për të ardhmen e vendeve tona, për gjithë botën dhe ky është talenti më i madh i Ricardos ndoshta. Ai nuk i bën vendet të ndihen sikur janë nën ekzaminim, por ai i bën ato që të kenë dëshirën për të imagjinuar dhe ne po nderojmë sot më shumë se një ekonomist të shquar dhe më shumë se një akademik të shkëlqyer. Ne po nderojmë një mentor të shkëlqyer, një dëgjues të shkëlqyer, një zhvillues idesh dhe ai i bën të gjitha këto përtej klasave, përtej auditoreve. Është një person që na kujton se vendet si yni nuk mbeten të mallkuar, sepse transformimi nuk është magji, por është kurajo, është punë, është vullnet dhe çfarë privilegji është që të themi sonte se ky mbi të gjitha është një mik besnik i Shqipërisë, është miku ynë!

Profesor Hausmann, i dashur Ricardo!

E di që zgjata u zgjata ca, po ju ishit arsyeja pse e zgjata. Jam përherë mirënjohës, jo vetëm për kë këshillat tuaja të çmuara, por për besimin tuaj tek Shqipëria. Besim që ky vend mund të aspirojë për më shumë, se ne mund të mendojmë më shumë për të ardhmen, se e ardhmja nuk është e trashëguar, por ndërtohet ditë pas dite.

Ju falënderoj thellësisht! Ju falënderojmë të gjithë!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.