Shqipëria po përzgjidhet tashmë, jo vetëm si një destinacion turistik, nga më të bukurit për të kaluar pushimet, por edhe si një vend ku mund të kalosh një pjesë të jetës.
Qindra shtetas amerikanë e kanë bërë Shqipërinë, shtëpinë e tyre të re, falë kostos së ulët të jetesës, natyrës së mrekullueshme dhe mikpritjes së veçantë.
Në një artikull për të përditshmen amerikane CNBC, Cepee Tabibian, themeluese e komunitetit “She Hit Refresh” tregon se Shqipëria po bëhet vendi ideal për te jetuar, sidomos për gratë që kërkojnë një jetë të re jashtë SHBA-së. Ajo rrëfen se ne vitin 2024, qëndroi një muaj në Tiranë dhe përgjatë bregdetit.
“Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, asnjë vend nuk është, por për shumë amerikanë që ëndërrojnë një jetesë jo shumë të shtrenjtë, ajo plotëson shumë kushte”, thotë Tabibian për CNBC
Ajo e konsideron Shqipërinë “Destinacionin Numër 1” në Europë për ata që duan të zhvendosen nga USA.
Artikulli thekson nder të tjera se “Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj”. Sipas saj, kjo kosto e ulët jetese është një arsye bindëse për amerikanët që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.
“Me Riviera-n e bukur, Alpet madhështore dhe plazhet e qeta, Shqipëria ofron peizazhe të rralla dhe një atmosferë autentike, larg turizmit masiv. Për më tepër, shqiptarët janë të njohur për mikpritjen dhe ndjenjën pro-amerikane”, përshkruhet në artikull.
“Mund të mos jetë vendi i parë që më vjen ndërmend, por për shumë amerikanë që kam takuar, Shqipëria është bërë vendi i duhur në kohën e duhur”, tregon Monica Miranda, një tjetër amerikane që u zhvendos nga Nju Xhersi në Vlorë në moshën 43-vjeçare dhe ka dy vjet që jeton në Shqipëri dhe kohët e fundit mori kartën e saj të qëndrimit 5-vjeçar.