Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bujqësia shqiptare po hyn në një fazë të re zhvillimi, me fokus tek rritja e vlerës së produkteve dhe integrimi në tregjet europiane, kjo, falë bashkëpunimit, inovacionit dhe mbështetjes institucionale.

Gjatë vizitës së tij në qarkun e Dibrës, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me fermerë të zonës, përfitues të skemave mbështetëse në bujqësi, përmes të cilave kanë mundësuar zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me pemëtari dhe zhvillimin e blegtorisë.

Takimi u zhvillua në një nga plantacionet e njohura të qershisë, produkt tipik i zonës, ku rreth 30 fermerë janë bashkuar në një Shoqëri të Bashkuar Bujqësore (SHBB), në bashkëpunim me bashkinë si aksionere. Ky organizim synon rritjen e kapaciteteve për paketim, eksport dhe përpunim të prodhimit, duke përfituar edhe nga thirrjet e reja të programit IPARD.
Gjithashtu, një pjesë e mirë e fermerëve kanë sjellë nga eksperiencat e tyre në emigracion, teknologji dhe praktika moderne europiane, të cilat tashmë po aplikohen në prodhim.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, faleminderit shumë që keni ardhur edhe që interesoheni seriozisht për këtë fazë ku ne tani nuk jemi më të dëshiruar, por jemi të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit. E bashkimit që bën fuqinë, jo ashtu siç thonë “çyrykët” që vijnë vërdallë për të hedhur baltë mbi çdo gjë, pra jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, por ndryshe nga kooperativat e komunizmit në kooperativat e Bashkimit Europian secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë.
Kaq e thjeshtë është kjo punë.

Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin, por nga ana tjetër harmonizojnë të gjithë veprimtarinë prodhuese pasi mbjellin me një farë, pastaj ndajnë kostot e punimit të tokës, ndajnë kostot e përkujdesit për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin. Shoqëri të Bashkuara Bujqësore, SHBB. Kështu janë quajtur në ligj për të shmangur atë frikën e madhe që vjen nga trauma e të shkuarës që po na mbledhin tani në kooperativë këta socialistët.
Në fakt, ne e kemi nxitur këtë punë prej kohësh e prej kohësh, e prej kohësh.

Aty ku kjo është bërë dhe është bërë përpara se ta nxisnim ne dhe këtu kemi shembullin e gjallë, që është dhe zëvendësministër, një nga pikat ku ka lulëzuar Shqipëria rurale, ku ka lulëzuar Shqipëria bujqësore, atëherë kur treçereku i tokave nëpër Shqipëri nuk punoheshin fare, në jug të vendit, në Xarrë, Konispol, e kështu me radhë.
Një model shembullor ku fermerët, po edhe ata shqiptarë si ne, edhe ata me frikë nga kooperativa, por ama të mençur për të thënë do shesim mandarina, po do i shesim bashkë që kur të vijnë ata grosistët, ne të kemi një volum të madh edhe të kemi forcë. Jo t’i mbledhin copa – copa. Delet që ndahen nga tufa i ha ujku kanë pas thënë të moçmit. Edhe me sa pretendon Ulsiu e kanë pas thënë dibranët.

Tani këtu duhet bashkim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur dhe mbështetje për bashkimin, mbështetje financiare, mbështetje institucionale dhe aleancë me shtetin.
Pra, në Dibër SHBB-ja ndërtohet mes fermerëve dhe bashkisë dhe bashkia është aksionere, por nuk është aksionere që t’ju marri juve fitimet. Është aksionere në një kompani dhe emrin ia kishit gjetur se po bënim shaka, qepar i thashë vejani “Dibra United” si Manchester United. E lexova që e kishit gjetur. “Dibra Origin”. Po, “Dibra Origin”. Nuk e kanë vënë origjina e Dibrës. “Dibra Origin” në anglisht për tregun europian. Po, shumë mirë. Në rregull, për tregun europian dhe për të gjithë europianët e bulevardit të Tiranës. Se unë për vete jam katundar, jam nga Surreli. Po “Origin” e kuptoj. Edhe ti e kupton? Po Dibra Origin, që është një që fillon dhe bëhet një markë dhe pastaj marka fillon njihet dhe për shkak të markës pastaj njerëzit shkojnë dhe thonë: ke “Dibra Origin”? Qershi, mollë dhe me radhë. “Po kam”, – “atë dua”. Në të kundërt nuk e përballojmë dot përplasjen e madhe që do të vijë kur ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian. Nuk e përballojmë dot. Kaq e thjeshtë është.

Gjithë ai treg i madh ne do dalim tek e tek edhe do mbijetojmë? Ku do t’i shesim produktet? Me çanta në rrugët e Brukselit? Ku? Pastaj si do realizohet siguria ushqimore? Do shkojnë të gjithë tek e tek të bëjnë analiza nëpër laboratorë, do paguajnë për të bërë analizat? Si do ulen kostot e prodhimit se ankohen me të drejtë për kostot e prodhimit, por kostot prodhimit ulen. Se në qoftë se një, po them në mënyrë brutale një traktor, një autokombajnë, një zetor duhet ta kesh vetë, duhet ta ushqesh vetë e duhet ta mirëmbash vetë është ndryshe po ta kesh me pesë të tjerë, me 10, me 15, me 20, me 30 dhe ta ushqeni bashkërisht dhe ta mirëmbani bashkërisht dhe ndërkohë zetori nuk rri kot, por bën gjithë ditën punë për të gjithë dhe kështu ulen kostot. Këto gjëra unë i kam mësuar nga ustai dhe jo nga ustai si ata të shkollës që bëjnë teori dhe s’kanë shkuar njëherë në terren. Po nga ustai i terrenit Dhimo Kotja që është këtu.
Pastaj i kam parë dhe në praktikë gjithë këto vite dhe po ju them që Shqipëria i ka të dyja sot që flasim. Ka dhe shembujt e atyre që janë forcuar dhe janë pasuruar. Jo, Dhimoja nuk është për mbijetesë. Madje sot që kur i kam kërkuar zëvendësministrit për të asistuar këta kuadrot e ri të Partisë Socialiste që i kalojnë stafetën njëri-tjetrit dhe ndërkohë atje ferma vazhdon, familja vazhdon punën etj, sepse ajo punë krijon mirëqenie dhe krijon mirëqenie sepse është sipërmarrje, nuk është mbijetesë. Kam tre dhi, dal i kullos, marr qumështin, shkoj atje me kanaçe. Nuk funksionon më kjo gjë.

Dhe siç kemi kaluar nga thertoret te kthesa e Kamzës që ishte një batërdi e madhe, nga shportat dhe nga tezgat nëpër rrugët e Shqipërisë që ishin si korridore me mollë e me qepë, tek niveli tjetër. Tani duhet të kalojmë në nivel tjetër. Është e domosdoshme, është jetike! Duhet të kalojë në sipërmarrje, në shembullin e më të mirëve që janë dhe kur edhe këta, Valentino këtu se kështu e ka kapelën, me Veipin e madh edhe kur dhe këta janë të interesuar për t’u bashkuar, imagjinoni tani se sa të interesuar duhet të jenë ata që janë më të vegjël sepse duhet krijuar volum.
Veipi shet 30 mijë, po them kot, kokrra mollë, po 30 mijë kokrra mollë janë më pak se sa 35 mijë dhe kur janë 35 mijë, je më i fortë kur shkon atje dhe thua: – Jo çmimi është ky, nuk është ky që do ti është ky që them unë, ndryshe kap tjetrin. Ndërkohë që, ai 5 mijëshi që rri veç, ai detyrohet të shesi më lirë, sepse nuk ja merr kush aq pak.
I thotë: “Hajde më mirë, dakord, po t’i jap këto, po iki.” Kjo ishte gjëja për të cilën unë erdha dhe desha t’ju flas drejtpërdrejtë.
Nuk është më problemi tek paratë, duhet ta kuptojnë të gjithë ata që duan të punojnë me tokën, duan të investojnë në tokë, duan të bëjnë pika përpunimi. Ja se tani kemi nevojë, jo thjesht të prodhojmë mollë e qershi, por të prodhojmë nënprodukte, t’i përpunojmë; reçel, komposto e tjerë e të tjerë, që të rrisim vlerën. Çfarë janë klasi i parë eksportohen, çfarë janë klasi i dytë, e klasi i tretë përpunohen edhe rritet vlera.

Dhe për këto gjëra, për të hapur një pikë grumbullimi, për të hapur një pikë përpunimi, për të bërë një baxho, për të bërë një agroturizëm, të gjitha këto nuk është më problemi tek paratë. Problemi është thjesht tek projekti dhe aplikimi, sepse paratë janë.

Ne e kemi rritur shumë ndjeshëm mbështetjen dhe tani për pak ditë fund të muajit, fillim të muajit tjetër do të firmosim dhe marrëveshjen me bankat dhe me Bankën e Shqipërisë dhe do të vendosim në dispozicion të gjithë atyre që duan ta dyfishojnë sipërmarrjen, një linjë kredie me interes të ulët dhe me garanci nga shteti.

Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkive. Kryetarëve të bashkive ua kam thënë, – e dua shumë Rahimin, është dibran i mirë shumë, ka ardhur këtu për të shërbyer pasi ishte në bankë e tjerë e tjerë, – por i kam thënë dhe Rahimit dhe shokëve të Rahimit, po nuk bëtë 10 agroturizma me Paketën e Maleve dhe tre SHBB, as mos hajdeni fare të pretendoni të kandidoni më, sepse bashkitë nuk janë vetëm shtro rrugë, vër drita, pastro plehra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve.

Peshkopia me gjithë respektin është shumë e vogël, ndërkohë që Dibra është shumë e madhe dhe pasuria e Dibrës nuk është te bulevardi, as te hoteli i mikut tim, “Astrit kokëfortit”. Pasuria është te këto toka, te këto male, tek bujqësia, tek turizmi. Aq më tepër që tani rruga e Arbrit, i sjell të gjithë këtej. Kur e thosha unë thoshin: “Ohu ky s’ka për të bërë rrugën e Arbrit, jo më të shohim ne që të vijnë njerëzit këtej”. Ndërkohë që: Sa ka shkuar çmimi i tokës në anë të rrugës? Jo që ka shkuar, po dhe s’e shet njeri. Ndërkohë që, deri dje mund ta merreshe për një copë bukë, po nuk e donte njeri, atëherë kjo është pasuria. Tani si lëvizim ne këtu? Lëvizim me Paketën e Maleve miqtë e mi. Të vijnë ata që janë në Tiranë, por edhe ata që janë jashtë të vijnë, ta shfrytëzojnë Paketën e Maleve dhe e kemi thënë dhe përsëris 500 të parët, që do marrin lejen do jenë 10 vjet pa asnjë taksë, është në ligj, është e shkruar.

Duhet të jeni aktiv dhe nga ana tjetër bashkia duhet të krijojë sipërmarrje në fshat, sipërmarrje për qershinë, sipërmarrje për mollën, sipërmarrje për grumbullimin, sipërmarrje për përpunimin, sipërmarrje, sipërmarrje, sipërmarrje, që njerëzit në fshat të krijojnë mirëqenie, jo të mbijetojnë me dy dhi dhe tre dele, po të krijojnë mirëqenie që dhe të rinjtë thonë: “Ore, po unë po shkoj atje, pse të rri në mes të tymit e në mes të zhurmës edhe ka mbaruar juridik, po s’ka më vend për mua, të shkoj atje, të bëj prokopi me tokën e babës, e të mësoj nga baba sa është baba akoma gjallë e të vazhdojë vetë, por ama të bëjë prokopi. Jo thjesht të mbijetojë dhe kjo është e mundur.

* * *

Në vijim, Kryeministri dëgjoi fermerët pjesëmarrës teksa ndanë eksperiencat e tyre në zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe agropërpunues, duke theksuar përfitimet konkrete nga skemat mbështetëse dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre.

-Një prej fermerëve, i angazhuar në grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, ndau përvojën e tij nga puna në Itali, ku u njoh me konceptin e kooperativave moderne. Ai theksoi se Dibra përbën një “parajsë” për këto produkte dhe se potenciali për zhvillim është i jashtëzakonshëm, duke sjellë shembuj konkretë të tregut dhe vlerës së produkteve lokale.

-Një tjetër fermer, i përfshirë në agropërpunim prej vitesh, tregoi për investimet e tij në përpunimin e frutave dhe prodhimin e rakisë, si dhe për bashkëpunimin me fermerë të tjerë për sigurimin e lëndës së parë. Ai nënvizoi rëndësinë e kooperimit, duke sjellë si shembuj modele të suksesshme nga Franca, dhe theksoi nevojën për rritjen e cilësisë dhe standardeve për të siguruar tregje më të qëndrueshme.

-Ndërkohë, një fermer i ri, përfaqësues i një klasteri të sapokrijuar, ndau rrugëtimin e tij nga tregtimi modest deri tek eksporti i produkteve bujqësore në disa vende të rajonit. Ai theksoi se përmes bashkëpunimit dhe organizimit, kanë arritur të grumbullojnë dhe eksportojnë sasi të konsiderueshme produktesh, duke e kthyer bujqësinë në një aktivitet fitimprurës dhe me perspektivë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Duke e mbyllur dua vetëm t’ju siguroj që ne do jemi shumë mbështetës. Edhe siç ju thashë përveç të gjithë fondeve të tjera që po bën ministri, do kalojmë në fund të muajit ose në fillim të muajit tjetër edhe programin e ri që do mbështetet nga qeveria me bankat e nivelit dytë dhe me Bankën e Shqipërisë, i cili quhet “Dyfisho ndërmarrjen tënde” dhe që do ofrojë kredi me interesa më të ulëta se kreditë komerciale dhe të garantuara nga qeveria shqiptare për të gjithë ata që duan të rrisin fermën e tyre, që duan të rrisin natyrisht, do të përqendrohemi tek prodhimi, agropërpunimi, dhe agroturizmi dhe kur them tek prodhimi kam parasysh të gjitha ata elementë që i duhen prodhimit, duke filluar nga mekanika tek grumbullimi, e kështu me radhë.

Kështu që, jemi në dispozicion, duhet të vrapojmë sepse kjo historia e Bashkimit Europian për fermerët është ose bekim ose mallkim.
Nëse ata që do jenë gati për ta përballuar atë situatë do jenë të bekuar sepse do kenë shumë më tepër mundësi. Ata që s’do jenë gati do ta kenë të pamundur të mbijetojnë, do mbyllen, sepse nuk do përballojnë dot kërkesat e tregut europian, siguria ushqimore, analizat, etj. Të gjitha këto bëhen po të jemi të bashkuar, po të jemi të ndarë nuk ke mundësi tek e tek të bësh gjithë këto procese, që të garantojnë sigurinë ushqimore.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.