Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit për ta. Mësues të profileve të ndryshme u nderuan sot për kontribut të veçantë në arsimin shqiptar dhe në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Në fjalën e rastit, Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e mësuesve në përçimin e dijes.

***

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithave dhe atyre të gjithëve që janë sa gishtat e dorës por shumë mirë që i kemi si hudhra për të mos marrë më sysh zyshat.

Më vjen jashtëzakonisht mirë sot që më jepet mundësia të adresoj këtë audiencë me një përfaqësi të atyre grave e burrave, vajzave e djemve që kujdesen për fëmijët e Shqipërisë në të gjithë territorin e vendit tonë dhe besoj që e di shumë mirë se sa e vështirë duhet të jetë puna juaj në kushtet kur shumëçka ka ndryshuar për mirë, por dhe kushtet kur shumëçka tjetër ndryshon me shpejtësi marramendëse për shkak të teknologjisë.

Më vjen po ashtu shumë mirë që në atë shumëçka që ka ndryshuar për mirë kemi arritur tre gjëra shumë të rëndësishme të cilat duken në fakt, si tre gjëra që as nuk duhet të diskutoheshin ndonjëherë por ja që jo vetëm u vunë në diskutim, por u kthyen në një problem shumë të madh për gjithë komunitetin e mësuesve.

E para, autoriteti i mësuesit ishte një autoritet i nëpërkëmbur sa s’ka më keq për shkak të pasigurisë së plotë të vendit të punës dhe patjetër vjen pastaj e dyta që meritokracia në përzgjedhjen e mësuesve  dhe në promovimin e mëtejshëm të tyre në karrierë ishte faktikisht e nëpërkëmbur sa s’ka më keq dhe e treta, shpërblimi i mësuesve që ishte jashtëzakonisht i pamjaftueshëm në kushtet ku sfida e të qenit mësues bëhet gjithmonë e më e vështirë.

Sot kemi në të treja këto drejtime një situatë të përmbysur plotësisht, të gjithë mësuesit dhe mësueset e Republikës së Shqipërisë ose mësuesit dhe mësuesit e Republikës së Shqipërisë janë plotësisht të lirë të kenë çfarëdolloj opinioni politik të duan, janë plotësisht të sigurt në vendin e tyre të punës dhe patjetër që janë edhe plotësisht të respektuar për kontributin e përditshëm që japin.

Së dyti, të gjithë ata që përfshihen në këtë komunitet njerëzish kaq të rëndësishëm për popullin tonë, për vendin tonë hyjnë jo më nga dyert e pasme të gjithfarë lidhjeve, por hyjnë nga një derë e vetme që është dera e meritokracisë përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” që prej vitesh tanimë është ligj dhe jo thjesht një nismë për të lehtësuar proceset e rekrutimit për ata që kanë meritat, por nuk kanë, nuk kishin lidhjet e duhura.

E treta, le ta ngrejë dorën kush ka menduar që në vitin 2024 ju do të kishit pagën mesatare 950 euro. Paga mesatare 950 euro është një fakt shumë domethënës i fuqizimit të vendit tonë ekonomikisht, por edhe i vullnetit për të fuqizuar mësuesit, për të fuqizuar buxhetet e tyre familjare dhe patjetër që është një pagë shumë dinjitoze por nuk diskutohet që nuk është absolutisht fundi por është një stacion në një rrugë ku ne përsëri do të rikthehemi tek pagat e mësuesve, do të rikthehemi tek pagat e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që i shërbejnë kësaj Republike, që i shërbejnë njerëzve në këtë Republikë dhe sigurisht që ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1000 eurove, pa diskutim.

Nuk dua të zgjatem, më është dhënë detyra të thërras këtu disa mësuese. Mesa pashë, nuk ka asnjë në gjininë mashkullore. Është njëri në fund, më fal, është njëri në fund, e kemi një hudhër në fund.

***

Përpara sesa të ftoj hudhrën këtu jam vërtetë i inkurajuar nga puna juaj, nga përpjekja juaj dhe nga mënyra sesi të gjitha dhe të gjithë ju kapërceni vështirësitë e kësaj pune, e cila siç thashë dhe më parë bëhet dhe më e jashtëzakonshme për shkak se ju jeni në luftë të përditshme, të përorshme, të për minutshme me një mësues tjetër që është në fakt “çmësues”. Çmësuesi që rri në xhepin apo në çantën e fëmijëve e nxënësve dhe që në mënyrë të vazhdueshme i nxit përmes të gjitha fytyrave të tij, përmes rrjeteve sociale e kam fjalën, që të bëjnë krejt të kundërtën e asaj që ju i kujtoni. Dhe në ndërkohë që ju keni domosdoshmëri për të pasur një aleancë shumë të fortë me prindërit, ka shumë momente besoj që ndiheni të pafuqishme dhe ndiheni të pafuqishëm edhe kur së bashku me prindër trajtoni problematikat e fëmijëve, pikërisht se ai çmësuesi në xhep është shumë tërheqës. Është shumë interesant, është shumë argëtues, nuk ju kërkon të bëjnë detyrat, nuk iu kërkon të ulin kokën dhe të lexojnë, nuk iu kërkon të zgjidhin ushtrime, nuk iu kërkon të shkruajnë bukur gjuhën e tyre, nuk iu kërkon të lexojnë e të recitojnë poezi. Por iu ofron vetëm gallatë dhe iu mëson sesi të nxjerrin gjuhën sapo ju ktheni kurrizin, në rastin më të mirë se ka raste besoj që jua u nxjerrin gjuhën kështu ballë për ballë. Por kjo është një sfidë ku ju nuk jeni vetëm dhe ku ne jemi gjatë gjithë kohës pranë jush duke përmirësuar vazhdimisht kushtet dhe duke zgjeruar mundësitë tuaja.

Nëse i kthehem për një moment gjithë atyre çmimeve, atëherë të gjithë këto çmime janë të lidhura me përpjekje të bëra në të gjitha këto drejtime. Sot ju shkoni në një vend pune që është dinjitoz, në shkolla që janë jo thjeshtë të transformuara por që janë me standarde të shkollave të mira se ka shkolla jo dhe q të mira dhe në vende të BE. Sot mësuesit e teknologjisë apo ata qe duan të bëhen mësues në teknologji kanë ne dispozicion laboratorë të standardeve më të larta të cilat do të shtohen vit pas viti për të mbyllur brenda 3 vjeçarit të gjithë nevojat e të gjitha shkollave për laboratorë inteligjentë. Sot në shkolla ka biblioteka që janë ndihmese të cilat do vazhdojmë t’i pasurojmë dhe patjetër që ka nevojë të rishikojmë në aspekte të caktuara dhe kurikulat, të rishikojmë dhe tekstet dhe kështu me radhë për të qenë në lartësinë e sfidave të kohës dhe këtë do ta bëjmë bashkë me ju sepse ju jeni dhe burimi më i mirë i dijes për çka ne duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë dhe sot përtej të gjitha këtyre ka edhe dy programe të mëdha që ne jemi të vendosur t’i zgjerojmë më tutje. Programi i artit dhe i zejeve që është një program që ka pasur shumë impakt aty ku është zhvilluar dhe që na ka mësuar që duhet ta zgjerojmë shumë më tepër për t’i dhënë mundësi të gjithë fëmijëve që të kenë akses në art dhe në zeje dhe paralelisht brenda këtij programi është një nën program i fermës në shkollë të cilin do ta zgjerojmë më tutje për të pasur në të gjitha shkollat një mundësi që fëmijët të njihen me ndjesinë e tokës, e punës me tokën, e prodhimit nga toka dhe paralelisht me këtë programi i madh i sportit.

Programi i sportit në shkollë që sot numëron 12 mijë fëmije të mirë organizuar, me një lëvizje që ka ngjallur jo vetëm interesimin por dhe respektin e Komitetit Olimpik Botëror dhe që është e destinuar të rritet duke krijuar një hapësirë tërësisht të lirë dhe të re për fëmijët që të socializohen përmes sportit por dhe duke krijuar edhe një fidanishte nga ku jam i bindur do dalin talentet e nevojshme për të ngritur nivelin e Shqipërisë edhe në përfaqësimin e saj në kompeticione ndërkombëtare në disiplinat ku ne jemi fokusuar të cilat dhe ato do zgjerohen me disiplina të tjera.

Dua t’i falënderoj të gjithë mësuesit dhe mësueset e edukimit fizik. Kemi pasur një boshllëk të madh në këtë punë. Fakti është që me ardhjen e demokracinë, ndër shumë gjera të tjera pati dhe një rritje marramendëse të kolesterolit dhe të peshës për frymë dhe heqja fare e edukimit fizik ishte një goditje pas shpine në raport me shëndetin publik.

Sot jemi në kushte të tjera. Patjetër që ka akoma shumë për të zhvilluar por falë këtyre mesësve që janë përkushtuar dhe si trajner ne kemi vendosur një bazë shumë optimiste dhe për përkushtimin në zhvillimin sportiv të nxënësve në ekipe sportive në shkolla dhe kontributin për evidentimin dhe nxjerrjen në pah me sukses të talenteve të reja, dëshiroj që të thërras këtu një mik po ashtu nga kohë të vjetra Erdal Borova mësues i edukimit fizik në gjimnazin “Sami Frashëri” i cili vlerësohet dhe si trajneri më i mirë.

***

Duke parë gjithë atë bukuri që po rri e po pret atje ndërkohë që unë flas dhe nuk mbaroj, ju uroj të gjithave dhe të gjithëve gëzuar 7 marsin dhe përfitoj nga rasti që zonjave të pranishme tu uroj dhe 8 marsin. Ndërkohë që zotërinjve të pranishëm t’ju sugjeroj që nesër të sillen në mënyrë posaçërisht shumë të mirë duke marrë përsipër të gjitha punët e shtëpisë dhe nëse ka ardhur dita e larjes së xhamave duke larë edhe xhamat ndërkohë që grave dhe vajzave që kanë në shtëpi duhet t’ju falin një liri pa limite dhe të mos u thonë “Kthehu se u bë vonë se më hahet”.

Faleminderit!

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.