“Askush nuk ta dëgjon zërin”- ishte titulli i një punimi që fliste për rrjetet e trafikimit të vajzave nga vendet ish komuniste, për bosët, klientët dhe përjetimet e këtyre grave dhe vajzave, nëpër skutat e errëta, pa asnjë dritë dhe pa asnjë dalje, ku u mbytej zëri.
Mu duk shumë kuptimplotë ky titull për situatën në të cilën gjenden viktimat e trafikimit të personave, apo të rrezikuarat nga trafikimi i personave, zëri i të cilave nuk dëgjohet.
Në rastin e Shqipërisë, veçanërisht nga shteti që i lë vulnerabël përballë këtij trafikimi, nuk i mbron, nuk merr masat e duhura për ta parandaluar dhe nuk arrin as t’i riintegrojë në komunitet viktimat. “Askush nuk ta dëgjon zërin” bëhet një titull ende më kumbues i gjithë përshkrimit të kalvarit të grave dhe vajzave që mbeten pa zë.
Departamentit Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar, për fat të keq, Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim, për mungesë plotësimi të standardeve minimale në luftën kudër trafikimit të personave. Edhe Progres-Raporti i Bashkimit Evropian konstaton probleme dhe i nënvizon ato përsa i përket mangësive të luftës kundër këtij trafikimi.
Nëse sot, në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Personave, ku jemi mbledhur këtu besoj për t’i dhënë një shtysë të re dhe për të folur për një qasje ndryshe të luftës me trafikimin e qenieve njerëzore, do të bënim një përmbledhje të situatës së Shqipërisë në këtë aspekt, për fat të keq, do të gjendeshim përballë një tabloje të dhimbshme, revoltuese, ku dallohet qartazi nga njëra anë, sofistikimi i veprimtarisë kriminale, që ushqen, forcon dhe zgjeron rrjetet e trafikimit, duke përforcuar imazhin e Shqipërisë si një vend tranzit, por edhe burim të trafikimit të personave dhe rrjeteve kriminale të përfshira në to. E nga ana tjetër, një shtet krejt të paaftë për t’u përballur me këtë fenomen, që shpesh herë bëhet tragjik për jetën e njerëzve. Një imazh i vulosur me filma që bëjnë xhiron e botës, ndërsa të rrëqethin kur mendon se kuadratet e shiritave të këtyre filmave i gjen në tablonë reale të jetës shqiptare, në tablonë reale të jetës së shumë vajzave dhe grave që bien pre e këtij rrjeti të gjerë dhe të sofistikuar kriminal.
Arsyet që gjendemi përpara kësaj tabloje janë pa as më të voglin dyshim, shumë më komplekse sesa mund të jetë një gjykim apriori ballë për ballë pamjes së tmerrshme. Por, nuk ka se si të mos nënvizohet mosfunksionimi i organeve të drejtësisë dhe të rendit në radhën më të parë, korrupsioni që duke përfshirë ato, ka sjellë keqfunksionim të plotë në të dyja hallkat e sistemit të përgjithshëm të sigurisë, pra drejtësisë dhe rendit dhe një dobësi institucionale shumë dekurajuese, kur vjen puna për përkujdesjen ndaj personave pre të trafikut. Ashtu si dhe, në fund të herës, por jo për nga rëndësia, nuk ka se si të mos konstatosh mungesën e aftësisë dhe të vendosmërisë për të bashkëpunuar sistematikisht dhe intensivisht me aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në këtë betejë.
Besoj që, edhe përzgjedhja e Zv/ministres së Brendshme ndër aktorët kombëtarë të përpjekjes së përgjithshme të shoqërisë për të folur me zërin e vet, është shprehje e një vullneti të ri për t’iu qasur edhe këtij problem shumë kompleks me një vizion të ri. Por nga ana tjetër, si në të gjitha fushat, edhe këtu shpërdorimi i fondeve të dedikuara nga partnerët ndërkombëtarë dhe presioni politik konstant, deri në asfiksi shpesh herë mbi Shoqërinë Civile, që sot gjendet shumë e dobët në kapacitetet e saj për të qenë një partnere realisht aktive në rrugën e parandalimit të trafikimit, e kanë bërë shumë më të dobët shtetin, në çdo përpjekje për të rehabilituar individët viktimë të këtij rrjeti dhe për të sensibilizuar, me besueshmërinë e domosdoshme të çdo burimi sensibilizimi shoqërinë, për sa i përket këtij problemi dhe njëkohësisht vet personat vulnerabël që janë viktimat potenciale të këtij rrjeti. Viktima të një krimi që, sipas Kryetarit për të Drejtat e Grave pranë OKB-së, është më i rëndi që ekziston dhe që nuk mund të zmbrapset përveç se me një përpjekje të përbashkët dhe të koordinuar mes të gjithë aktorëve në jetën shoqërore, nga Shteti te Shoqëria Civile, nga organizmat ndërkombëtarë tek partnerët e brendshëm kombëtarë, nga grupet shoqërore te çdo individ. Një luftë që kërkon, si çdo luftë reale, por specifikisht një bashkërendim shumë të sofistikuar për t’u përballur me sofistikimin e krimit në këtë fushë dhe të shtrirë në nivelin vendor, në nivelin rajonal dhe në rrafshin e përbashkët evropian, gjë për të cilën qeveria e re është e vendosur të angazhojë burime njerëzore, mjete teknike dhe sigurisht edhe mbështetje financiare. Duke qenë thellësisht të vetëdijshëm se kjo sfidë, sado komplekse dhe sado e vështirë është në të njëjtën kohë edhe një emergjencë shoqërore, por edhe një emergjencë që lidhet me domosdoshmërinë për të mos lejuar që Shqipëria të hyjë në kutinë e zezë të vendeve që konsiderohen sot si pa shpresë. Për emergjencën që ka, kjo çështje kërkon një aksion të menjëhershëm shumë të vendosur dhe të orientuar nga rezultatet, duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjit, mbrojtjes së viktimave dhe rritjes së efektivitetit të institucioneve dhe të çdo segmenti përkatës në gjithë zinxhirin institucional.
Hapat e mëtejshëm që duhet të japin rezultate të prekshme, besoj në periudha afatshkurtra, përveç se afatmesme, kanë të bëjnë me:
– Reformimin e policisë edhe në këtë aspekt.
– Plotësimin e një kuadri ligjor ku sot, fatkeqësisht, mbizotërojnë boshllëqet, aq sa duket se edhe në vet kuadrin ligjor influenca e krimit, qoftë edhe në formën e paralizimit të strukturave mbështetëse të kuadrit ligjor, është prezente.
– Mirëkoordinimin mes organeve të drejtësisë dhe të rendit në tërësi, duke patur parasysh se një nga problemet themelore të konstatuara nga vëzhguesit e vëmendshëm dhe ekspertët ndërkombëtarë apo lokalë që lidhet me dështimin e derisotëm të luftës kundër trafikimit të personave në Shqipëri, ka qenë moskoordinimi i plotë ndërmjet këtyre strukturave dhe kryerja e detyrës nga çdo strukturë thuajse për të larë gojën.
– Me themelimin dhe fuqizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë e re që së shpejti do të vihet në jetë, do të kemi një standard tjetër. Një standard të nivelit të lartë, për të garantuar evidentimin dhe hetimin e veprave penale, në zbatim të strategjisë së re dhe Planit të Veprimit Kundër Krimit të Organizuar, duke forcuar gjithë zinxhirin institucional dhe duke pasur një hallkë të munguar deri më sot, për të koordinuar organet e rendit dhe organet e drejtësisë.
Përballja me trafikimin e personave, padyshim që nuk është vetëm një problem shqiptar dhe problematika për të cilën, sot, me siguri do të flitet gjerë, nuk është një problematikë që është karakteristikë e shtetit shqiptar. Me të përballen edhe vende më të zhvilluara të planetit, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kanë shpallur një betejë shembullore dhe të gjithanshme këtij fenomeni, duke përshirë edhe biznesin, siç është në rastin e “Global Business Policy Against Traffic”, që deklaron se trafikimi i qenieve njerëzore nuk mund të jetë kurrë një model biznesi dhe ne do të bashkohemi ende më shumë për ta ndalur të funksionojë si i tillë. Kjo nismë e promovuar edhe si shembull i koalicioneve shoqërore, ekonomike dhe kulturore, që duhet të krijohen kundër asaj që siç thuhet me të drejtë, është një skllavëri moderne, përbën një shembull të posaçëm për t’u ndjekur. Por edhe njëkohësisht për të kuptuar kompleksitetin e kësaj beteje që në fund të fundit, vë përballë dy botë. Dy botë vlerash, parimesh, mënyrash të jetuari dhe epokash, që për fat të keq sot gjenden në të njëjtin glob që ne ndajmë bashkërisht dhe në të njëjtën kohë, por kohët e të cilave janë tërësisht të ndryshme; koha e re dhe koha e errët dhe shumë e largët e skllavërisë.
Problematika në Shqipëri ka, nga ana tjetër, disa specifika që e rëndojnë veçanërisht situatën. Për shembull; një çështje e pazgjidhur, ndërkohë që duhej t’i jepej përparësi absolute, është pozita e viktimave të trafikimit në procesin penal, ku ende nuk janë krijuar instrumentet e duhura për të siguruar një mbrojtje ligjore efektive për këto viktima. Pa këtë mbrojtje ligjore, këto viktima, jo vetëm janë vulnerabël deri në fund, por edhe nuk mund të kthehen nga viktima në aktorë të kësaj beteje, sikundër ndodh edhe në vende të tjera dhe përkatësisht edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, megjithëse janë krijuar mekanizma që supozohet se mbrojnë viktimat e trafikimit, ato, më së shumti, si shumë gjëra në Shqipërinë e tranzicionit dhe të rendjes pas objektivave të integrimit, kanë mbetur në letër. Kanë mbetur në letër, si një tjetër shembull i hendekut të madh mes asaj që ne ligjërojmë dhe ligjshmërisë në realitetin e jetës së përditshme. Ose shprehen thjesht përmes vullnetit të mirë të individëve të veçantë, brenda strukturave, në segmente të caktuara të zinxhirit institucional, duke nxjerrë në pah dobësi të tejskajshme, deri në dobësinë e njohur botërisht dhe të pranuar nga të gjithë ne, të shërbimeve sociale që janë inekzistente në këtë aspekt në nivelin vendor dhe mungesës së plotë të çdo programi kombëtar apo vendor, për të fuqizuar pozicionin e kategorive në nevojë, ku dihet fort mirë se ky rrjet peshkon viktimat e veta.
Situata për sa i përket mbrojtjes së viktimave, në shumë raste persona të mitur, që nuk duhet të kenë veç mbrojtje, por duhet të kenë edhe një përkujdesje të posaçme, rëndohet edhe për shkak të paplotshmërisë ligjore në fushën e mbrojtjes, ku konstatohen probleme kryesisht, sipas ekspertëve, për shkak të mungesës së një sistemi efikas tërësor të mbrojtjes sociale të grupeve në nevojë.
Por problematika shkon edhe më tej, sepse është vërtetë e gjithanshme në kushtet e një sistemi tërësor të funksionimit të Shqipërisë, që është shumë i dobët dhe lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku favorizohen aktivitete të paligjshme që stimulojnë shfrytëzimin dhe viktimizimin e personave të pambrojtur, veçanërisht gra apo individë në moshë të mitur. Dhe po t’u shtojmë këtyre problemeve problemet që strukturat shtetërore dhe vet buxheti i shtetit kanë, si pafuqi në drejtim të financimit të aktiviteteve parandaluese, atëherë na bëhet edhe më e plotë tabloja e sfidës së gjithanshme që kemi përpara. Për të shkuar tek tjetra; Në këtë vend janë shpenzuar miliona e miliona për të propaganduar suksese, shpesh herë imagjinare, përmes reklamash televizive, ndërkohë që sot çdo anketë tregon se gjenerata e re është shumë pak, por përgjithësisht, aspak e informuar lidhur me situatën e trafikimit, me qëllim parandalimin. Ndërkohë që eksperiencat më të mira ndërkombëtare tregojnë se tek informimi i të rinjve përqendrohet një pjesë e madhe e luftës kundër trafikimit, që lidhet me informimin, në funksion të parandalimit. Gjithashtu, mangësitë janë të mëdha edhe për sa i përket studimeve dhe vlerësimeve të plota për të matur jo vetëm nivelin, por për të matur edhe shkallët e mënyrave se si shfaqet ky fenomen, në kontekste të reja që janë krijuar së fundi nga liberalizimi i vizave apo nga elementë që lidhen me zhvillimin e teknologjisë së internetit dhe telefonisë celulare. Këto janë zhvillime jashtëzakonisht shumë pozitive të shumëpritura për shoqërinë, por të mos e harrojmë asnjëherë se çdo zhvillim dhe hapje e re e kësaj natyre krijon kushte për zgjerim të rrugëve të komunikimit edhe për krimin dhe për sofistikim të fenomeneve kriminale.
Sot ne jemi përballë mungesës së të dhënave statistikore dhe të një mekanizmi të konsoliduar që garanton mbledhjen e të dhënave statistikore për arrestimet, hetimet, dënimet e mëdha, dështimet në proces për veprën penale të trafikimit të personave. Këto gjëra ndodhin, por nuk gjendet askund në shtet një bazë të dhënash, ashtu sikundër nuk gjendet askund një bazë të dhënash për shumë veprimtari të tjera që na jep mundësinë të nxjerrim konkluzione duke u bazuar në shifra dhe duke analizuar më thellë sesa shfirat, burimet, shfaqjet, mënyrat sesi i gjithë ky fenonomen merr trajtën e vet shumë komplekse në kushtet e një shoqërie vulnerabël dhe të një shteti që deri më sot është treguar tërësisht i paaftë për të përballuar me këtë fenomen. Është e pamundur që ne të imagjinojmë të prodhojmë zgjidhje të qëndrueshme pa njohur në detaje gjithë këtë tablo të hidhur që kemi përballë, ndoshta edhe vet zgjatja pak më shumë sesa çdo të ishte normalisht një fjalë përshëndetëse nga ana ime, vjen si rezultat i nevojës për të nënvizuar këtë fakt, që është shumë e lehtë të flitet për një fenomen të tillë dhe është ende më e lehtë, por s’ka gjë më të dëmshme, që të mbetemi në nivelin e konstatimit të këtij fenomeni, si një fenomen i njëtrajtshëm dhe jo kompleks. Është një nga fenomenet më komplekse në botën e sotme të krimit dhe përballë botës së sotme të krimit. Është e qartë që në çdo aspekt të luftës kundër trafikimit të personave, nga ndjekja penale tek mbrojtja e viktimave, tek parandalimi, tek bashkërendimi për të zbatuar ligjin dhe kuadrit ligjor, i formimit të të rinjve, kemi probleme më të thella sesa vet fenomeni me të cilat duhet të përballemi. Besoj që sot ne mund ta themi me plotë gojën, jam i bindur që do ta nënvizojë edhe Ministri i Brendshëm, jam i bindur që do ta nënvizojnë të gjithë folësit e anës sonë, ashtu sikundër jam i bindur që sado që miqtë tanë që janë sot në tavolinë të na i kursejnë sot për xhentilesë fjalët e hidhura, ne jemi përballë një situatë shumë dramatike dhe e vërteta sado e hidhur duhet të thuhet siç është në rast se duam që ajo të bëhet një ilaç efektiv.
Ndërkohë që përsa na takon jemi shumë të vendosur që ta kurojmë këtë plagë me një intensitet të panjohur deri më sot, sepse jemi shumë të bindur që pavarësisht se plaga është komplese dhe infeksioni është shumë i thellë, është plotësisht e kurueshme sepse nuk veprojmë të izoluar dhe nuk veprojmë vetëm, por mjafton që të kemi vullnetin dhe kapacitetet e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e pakursyer e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA, BE, gjithë forcat e një koalicioni të madh shtetesh që disa nga të cilat janë dhe këtu sot të pranishme përmes ambasadorëve dhe i falënderoj shumë, që janë të gatshme ta mbështesin Shqipërinë, mjafton që Shqipëria të di dhe të mundet të mbështesë vetveten përmes qeverisë dhe strukturave të saj. Ndaj dhe besoj që gatishmëria jonë nuk është vetëm një fjalë goje, por është baza e një energjie pozitive për të shfrytëzuar modele të suksesshme të luftës me krimin e organizuar dhe trafikimin e personave dhe për të implementuar nisma të zgjuara dhe me efektivitet në këtë fushë, që janë të panumërta. Një nismë shembullore është ajo e Presidentit Obama për mbrojtjen e fëmijëve nga rekrutimi nëpërmjet internetit me qëllim shfrytëzimin e tyre, ku u bashkëpunua me studentët e kolegjeve për të zhvilluar mjete të cilat do t’ju mundësojnë fëmijëve siguri dhe mbrojtje në rrjete sociale dhe komikimin online.
Sot pjesa më aktive, por dhe më vurnerabël në shfrytëzimin e komunikimit online është pjesa e më të rinjve, madje edhe më të miturve. Në këtë aspekt një rol të rëndësishëm i takon të luajë Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike dhe gjithë stafit të saj që do të punojnë për të rritur kapacitet kontrolluese të prodhimit, të shitjes, të përdorimit dhe shfrytëzimit të teknologjisë së internetit dhe të vendosjes së barriera të sigurta ndaj qasjes në internet, veçanërisht në hapësirat jo publike ku i fundit i ofrohet qytetarëve.
Së fundmi, do doja ta mbyllja me një ekspozitë të hapur vitet e fundit në Berlin, me temë trafikimin e grave dhe vajzave në shekullin 19, Der Gelbe Schein, “ Bileta e Verdhë”, që në një analizë të një gazetari francezë në Le Monde trajtohej me këto fjalë: “E ka emrin Sofia, Olga apo Maria. Është ruse, polake, apo atëherë pruse, historia e tyre është e njëjtë. Jetojnë me pamundësi dhe një i panjohur “zemërmadh” ju ofron mundësira, punë që atyre u shpjegohen si krejt normale, por që janë diku larg, në një vend të huaj për të arritur tek i cili, i panjohuri ofron madje gratis edhe udhëtimin”. Mund të jenë të ngjashme historitë e trafikimit të vajzave, grave, fëmijëve, mund të jetë e vjetër kjo histori sa historia e skllavërimit të njeriut. Por ne duhet të kuptojmë se për çdokënd që e përjeton në tmerrin e saj, thellësinë e këtij tmerri, kjo histori është unike, është e re dhe e papërsëritshme me plagën që krijon, me dhimbjet që shkakton dhe në jehonën e këtyre dhimbjeve që ripërtërihet çdo ditë në rrjetet e trafikimit të paligjshëm. Emrat e personave të rënë pre e trafikimit të paligjshëm mund të jenë të ndryshëm dhe të shumtë, nga shumë nacionalitete, etni, origjina, nga shumë drejtime, me shumë trenë, avionë, autobusë, përmes shumë udhëtimesh. Nuk janë të mangët emra shqip në këtë listë të dhimbshme, por zëri i secilit, i fortë apo i mekur, nga errësira ku i shtyu pamundësia dhe i braktisi shoqëria dhe shteti duhet të na vijë ne jo si një kor i një grupi vurnerabël si të tjerët, por duhet të na vijë ne veç e veç, zë për zë, për të na tronditur në revoltë. Për të na shtyrë në një rrugë pa kthim dhe pa kompromis të luftës për parandalim, për ndëshkim dhe për rehabilitim të çdo personi që e ka një zë, por që nuk dëgjohet.
“Në vitin e fundit të gjimnazit më rrëmbyen dhe më dhunuan përpara shkollës, policia s’luajti as edhe gishtin e vogël. Ishin gjashtë horra, kur më lëshuan pas një muaji nuk dija as sesi më quanin. Babai më rrahu se e kisha turpëruar, për shkollë s’behej më fjalë se nuk kishim më as bukë të hanim. Ja ku jam s’kam nevojë tja shtri dorën njeriu “. Ky është një zë nga këta shumë zëra që e ka sjell me penën e saj Elvira Dones. Por ka ardhur koha t’i dëgjojë kështu tronditshëm këto zëra secili nga ne. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një qeveri që ka vesh për këto zëra. Që të mos kenë nevojë t’i shtrinë dorën askujt, asnjë të panjohuri zemërmadh që ju ofron një udhëtim për diku larg dhe biletën ua jep falas, por të kenë dorën e shtetit, një punë të koordinuar me shoqërinë civile, me partnerët ndërkombëtarë dhe çdo aktor tjetër shoqëror që të arrijë deri tek ata, fëmijët, gratë, vajzat, të përfshira apo të kërcënuara nga përfshirja në këtë rrjetë kriminale, skllavëruese, por turpëruese për mbarë shoqërinë, për shtetin dhe pa asnjë dyshim në radhë të parë për cilëndo qeveri që është e pafuqishme t’i bëjë ballë. Që zëri i tyre të dëgjohet dhe që ne të jemi me kokën lart dhe që Shqipëria jo vetëm të përfitojë nga bashkëpunimi, por të jetë bashkëpunëtore e denjë në përpjekje ndërkombëtare kundër këtij krimi shumë më të rëndë sesa gjithë vitet e mbledhura bashkë të vjetërsisë së tij shekullore, ne na duhet në radhë të parë një vullnet i hekurt dhe këtë vullnet ne e kemi. Ne na duhet në radhë të dytë një forcë e brendshme në shoqëri që të bëhet pjesë e këtij vullneti dhe këtë forcë besoj se ne e kemi dhe nuk besoj se teproj nëse them se sikur të gjithë të pranishmit këtu që janë shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi, njësoj si unë të jenë të angazhuar po njësoj që në atë pjesë të vogël të detyrës tyre, ta bëjnë këtë detyrë, kjo është një forcë shumë e madhe. Dhe në fund fare mos ta harrojmë asnjëherë, Shqipëria sot është e dobët, Shqipëria sot ka shumë sfida të mëdha, por Shqipëria sot nuk është vetëm. Shqipëria sot ka dy miq të mëdhenj, ka dy partnerë të mëdhenj, ka dy krahë që nuk do ta lënë kurrë të përplaset përtokë dhe të ndërpresë fluturimin e saj drejt horizonteve të reja që janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Faleminderit !
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në Konferencën me temë “ Stop Trafikimit! Së bashku mund të bëjmë më shumë!”, në Ditën Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.