Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Durrës ka përfunduar puna për projektin e godinës së re të parkimit publik pranë Stacionit të Trenit, një investim publik modern që ndërthur funksionin e parkimit me shërbime të reja për komunitetin, duke u shndërruar në një nyje të rëndësishme multimodale për qytetin.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektoi sot nga afër objektin, i cili tashmë është funksional dhe i hapur për qytetarët që prej fundit të muajit dhjetor.

Godina ofron 353 vende parkimi për automjete, hapësira të dedikuara për biçikleta, si dhe ambiente të tjera multifunksionale në shërbim të studentëve, sipërmarrësve të rinj dhe aktiviteteve social-kulturore. Objekti është i pajisur me panele fotovoltaike, duke kontribuar në eficiencën energjetike dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, theksoi se godina nuk është thjesht një parkim, por një qendër multifunksionale që ofron edhe ambiente zyrash për kompani inovative dhe të rinj që punojnë në fushën e teknologjisë dhe aplikacioneve, si dhe hapësira që përdoren nga Universiteti i Durrësit. Ajo nënvizoi gjithashtu se objekti është i dizenjuar si një rampë e aksesueshme në të gjithë katet, me ambiente rekreative në tarracë, si dhe me sisteme parkimi plotësisht të automatizuara, të aksesueshme 24 orë në ditë.

“Godina e parkimit apo nyja multimodale e objektit të  Durrësit, është hapur, në fund të dhjetorit, këtu akomodohen rreth 353 mjete të parkuara, plus dhe hapësira për biçikletat. Kemi dhe ambientet të zyrave, të cilat do të shërbejnë si një qendër ku kompani të ndryshme inovatore, ku të rinj   të cilët  punojnë me aplikacione apo inovacionin të mund të akomodohen këtu për ta pasur si seli te vetën. Këtu ka ambiente, të cilat përdoren edhe nga Universiteti i Durrësit. Gjithashtu, objekti  është i pajisur me panele fotovoltaike, të cilat do të shërbejnë sigurisht, edhe në eficiencën e sigurisë së energjisë elektrike. I gjithë objekti shërben si një rampë, pra  të 7 katet e godinës mund të ngjitesh dhe në këmbë përgjatë gjithë lartësisë, por është dizenjuar si një rampë në ngjitje nga dizenjuesi, e cila në vete shërben dhe si parkim pastaj. Lart kemi dhe ambient rekreacioni, bar, i cili është hapur.” – shpjegoi Kryetarja e Bashkisë Sako.

Objekti, për shkak të pozicionit strategjik pranë stacionit të trenit, portit të Durrësit dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore në zhvillim, konsiderohet një nyje multimodale që do të lehtësojë ndjeshëm lëvizshmërinë urbane. Bashkia e Durrësit po punon paralelisht për identifikimin e zonave të tjera të qytetit që kanë nevojë për hapësira të reja parkimi, si dhe për krijimin e paketave të dedikuara të abonimit për banorët e zonës.

“Këtu do të ketë edhe paketa, pra për banorët që jetojnë afër, do të kenë mundësi që të paguajnë një herë në muaj abonenë, jo vetëm parkim me orë, pra do të jetë me orë për ata që janë vizitorë, le të themi që e lënë makinën me kohë të pjesshme, por do të ketë paketa edhe për ata që banojnë dhe duan ta lënë në kushte, sepse këtu siguria është maksimale dhe e monitoruar nga kamerat 24 orë.” – u shpreh Kryetarja e Bashkisë Sako.

 

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, vuri në dukje se kjo qendër synon të shërbejë edhe si një laborator praktik për inovacionin, duke ofruar hapësira për start-up-e dhe bashkëpunime me Universitetin e Durrësit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, të rinjtë janë angazhuar në praktika pune, përfshirë zhvillimin e aplikacioneve digjitale për menaxhimin e parkimeve.

Gjatë inspektimit, Kryeministri Rama u ndal edhe në ambientet e dedikuara për të rinjtë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave publike që nxisin inovacionin, kreativitetin dhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe sipërmarrjeve të reja.

“Kjo është hapësirë për ju dhe për të gjithë ata që keni afër rrotull në shkollë, në universitet, që mund të vijnë të punojnë këtu përsa i përket inovacionit.” – u shpreh Kryeministri.

Investimi për parkimin publik pranë Stacionit të Trenit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës urbane në Durrës, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.