Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një hapësirë krenarie për Durrësin e mbarë Shqipërinë, u rihap sot më i bukur, më i fortë dhe më i plotësuar, pas tërmetit shkatërrues të disa viteve më pare, falë programit EU4CULTURE që deri më tani ka mbështetur për ringritjen nga themelet të 23 objekteve të Trashëgimisë Kulturore
Muzeu është një ftesë plot surpriza për vizitorët vendas dhe të huaj, me mbi 3,200 artefakte dhe linjë muzeore të pasur.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në ceremoninë e rihapjes së tij, së bashku me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato, Menaxheren e UNOPS në Shqipëri Sabine Kania, si dhe të ftuar të tjerë.
Menaxherja e UNOPS në Shqipëri, Sabine Kania, theksoi rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në realizimin e këtij projekti: “Programi ‘’EU for culture” është dëshmi e partneritetit shumëpalësh dhe e bashkëpunimit shumëpalësh dhe është shumë e rëndësishme që ne ndodhemi këtu sot në këto kohëra të paparashikueshme. BE dhe OKB qëndrojnë së bashku dhe kultura dhe arti kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tyre për një kohë të gjatë.” – u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, nënvizoi se ky investim shkon përtej restaurimit fizik të objekteve: “E kam për kënaqësi që ndodhem këtu sot në rihapjen e Muzeut Arkeologjik që është restauruar plotësisht falë programit “BE për kulturën”. Solidariteti është një parim themelor i BE, pra ky program nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve të rëndësishme për kulturën e Shqipërisë, por edhe për të ndihmuar në rigjallërimin e peizazhit kulturor të Shqipërisë pas tërmetit të tmerrshëm dhe shkatërrimtar të vitit 2019. Unë besoj se rezultatet që kemi arritur së bashku kanë qenë të jashtëzakonshme. Në mbarë vendin kemi restauruar dhe rihapur objekte, kemi rigjallëruar pika turistik, por ajo që është shumë e rëndësishme për mua sidomos, është se kemi përfshirë komunitete lokale dhe kemi mbështetur artistët. Këto do të jenë hapësira, kreativitete dhe nuk është thjesht e rastësishme që java e Evropës këtë vit është me moton ’’Hapësira të hapura’’. Hapësira të hapura për inovacion kreativ, për dialog dhe ku njerëzit të takojnë nga konteksti e ndryshme. “ – u shpreh mes të tjerash ambasadori Gonzato.
Ndërsa Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, siguroi se Muzeu i ri do të jetë një institucion aktiv, që nuk flet vetëm për të kaluarën e hershme, por ndihmon shoqërinë të kuptojë veten në të tashmen.
“Muzeu i ri Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë një godinë e heshtur, pasive, por një institucion ftues, aktiv. Një muze që ndihmon shoqërinë të kuptojë veten në të tashmen dhe nuk flet vetëm për të kaluarën e hershme. Një laborator rrëfyes përmes aktivitetesh edukative të të rinjve dhe fëmijëve, jo si një depo e së shkuarës, por si një instrument inovativ e krijues për ta kuptuar atë. Pikërisht për këtë arsye kemi ristrukturuar dhe shtuar numrin e punonjësve në Qendrën Muzeore Durrës me 17 vetë duke e çuar në 33 numrin e personelit, ku profesione të rralla, por shumë të domosdoshme si restauratorë, arkeologë, ciceronë do i bashkohen nevojave të reja të zbulimit dhe mikpritjes përmes promovimit të trashëgimisë kulturore duke gjeneruar mundësi punësimi dhe programe bashkëpunimi edhe me universitetet, akademikët, studiuesit dhe komunitetin.” – u shpreh Gonxhja.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se kjo ringritje u bë e mundur falë solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Europian, i cili vuri në dispozicion programin “EU4CULTURE”.
Kryeministri Edi Rama: Duke ardhur nga përballja me diellin pas fjalimesh jo dhe aq të shkurtra, besoj që më takon të flas shkurt sepse nuk ka shumë për të shtuar mbi ato që u thanë me të drejtë; mbi ato që u thanë për ringritjen e madhe të shumë objekteve të trashëgimisë kulturore pas goditjes nga tërmeti shkatërrues i disa viteve më parë. Një ringritje e cila u bë e mundur falë solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Europian, i cili na vuri në dispozicion programin “EU4CULTURE” dhe ne bëmë gjithçka na takonte që me projektet e duhura, me vullnetin e duhur të çonim përpara dhe të vazhdojmë të çojmë përpara, sepse ka ende disa objekte që janë në proces, një punë transformuese e cila flet vetë, siç flet qysh në pamjen e tij të jashtme ky muze që së brendshmi është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë krejt muzeun në një nivel të ri.
Ky ka qenë edhe qëllimi qoftë për familjet që u dëmtuan nga tërmeti, në pikën që mbetën pa strehë brenda pak sekondash, qoftë për institucionet dhe qoftë për objektet e trashëgimisë kulturore, që atë fatkeqësi dhe pasojat e saj t’i transformojmë në një mundësi të re për të ndërtuar më mirë, për të ndërtuar më bukur dhe për të ndërtuar objekte shumë më rezistente dhe besoj që kudo ku tërmeti ka goditur, çfarë është ndërtuar mbrapa flet vetë.
Dua po ashtu të shtoj edhe një aspekt tjetër, rëndësinë e madhe që ka programi “EU4CULTURE” dhe në tërësi investimi në kulturë për Shqipërinë. Një vend që jo thjesht sepse është turistik, por edhe sepse është pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian, i ka të gjitha arsyet për të nxjerrë në pah sa më shumë dhe sa më mirë historinë e vetë. Historia e një vendi të vogël rrënjësisht dhe thellësisht europian, me shumë dëshmi të prekshme në të gjithë territorin e vet.
Dua të falënderoj edhe unë të gjithë ata të cilët kontribuuan për këtë projekt. Ka qenë një sfidë në vete, por tanimë është një sfidë e fituar dhe dua të shtoj në falënderimet e mia edhe një falënderim për kryetaren e Bashkisë së Durrësit, e cila sot ndodhet në një vizitë jashtë vendit dhe për bashkinë e Durrësit, si dhe një falënderim për nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë që është këtu e pranishme së bashku me të tjerët që i kanë qëndruar pranë të gjithë këtyre projekteve dhe i kanë qëndruar pranë të gjithë atyre që kanë ardhur për t’i zbatuar këto projekte.
Shumë faleminderit edhe një herë tjetër dhe po, është e vërtetë Europa nuk është gjithmonë pa zemër, zemrën e ka, por e ka thellë edhe duhet durim, duhet vullnet për ta arritur dhe për t’ia ndjerë rrahjet e saj, por është e sigurt që ajo zemër rreh dhe që të bërit pjesë e gjithë qarkullimit të gjakut të asaj zemre është një mision kombëtar i yni, që vjen nga një histori e gjatë pjesë e të cilës është edhe ky muze si dëshmitar i saj. Shumë faleminderit!





