Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e italianëve që vitet e fundit po zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushime të paharrueshme.
Përveç një kombinimi unik të bukurive natyrore, Shqipëria ofron mikpritjen e saj tradicionale dhe çmime të arsyeshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendet fqinje dhe më gjerë, shkruan Riccardo Castrichini në një artikull të botuar në revistën italiane “Esquire”.
Në artikull shkruhet se së fundmi, në një renditje të realizuar nga platforma ndërkombëtare “HelloSafe”, Shqipëria është vlerësuar si destinacioni më i mirë për tu vizituar në vitin 2025, duke zënë vendin e parë ndër dhjetëra vende të tjera evropiane. Ky vlerësimi bazohet në një sërë kriteresh, ku përfshiret siguria, komoditeti, si dhe kushte të favorshme klimatike dhe afërsinë me vendet e tjera të rajonit.
Nga perlat bregdetare si Ksamil dhe Gjiri i Dafinës në gadishullin e Karaburunit, te zonat e mbrojtura malore si lugina e Thethit, Shqipëria ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që i përshtaten çdo vizitori qoftë ata që kërkojnë pushime relaksuese në plazh, qoftë ata që dëshirojnë aventura në natyrë, theksohet më tej në shkrimin e Riccardo Castrichini.
Shqipëria, me klimën e saj të butë mesdhetare, bregdetin e gjatë dhe të virgjër, si dhe peizazhet mahnitëse të brendësisë, është përgjigjja ideale për ata që kërkojnë cilësi dhe eksperienca autentike.
https://www.esquire.com/it/lifestyle/viaggi/a64767209/italiani-sogno-vacanza-qui/