Forcat e Armatosura morën sot në dorëzim 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s, nga Kompania “Timak Defence”, e cila nisi veprimtarinë e saj si një StartUp shqiptar dhe tanimë është kthyer në një fuqi prodhuese për ushtrinë, ku shteti shqiptar ka aksionet e veta falë partneritetit Timak&KAYO (kompania shtetërore e krijuar enkas për partneritetet në fushën e mbrojtjes).
Në ceremoninë e rastit, Kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një ditë historike për industrinë e re ushtarake shqiptare, duke theksuar se vendi ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdorues i teknologjisë së mbrojtjes, por edhe projektues dhe zhvillues i kapaciteteve të veta teknologjike, falë profesionalizmit të ekspertëve shqiptarë dhe partneriteteve të reja në këtë sektor strategjik.
* * *
Kryeministri Rama: Mirëdita të gjithëve! Sot është, në kuptimin më të plotë dhe më të drejtpërdrejtë të fjalës, një ditë historike për industrinë e re ushtarake, sepse sot ajo çka ishte në vizion dhe në strategjinë e shkruar është e prekshme me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri për Forcat tona të Armatosura, e prodhuar sipas standardeve të NATO-s, e prodhuar nga profesionistë shqiptarë, sapo ka nisur të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare.
Është një moment i jashtëzakonshëm, pasi ndodh të vijmë të shohim, të prekim, të përjetojmë rezultatin e një përpjekjeje shumë të gjatë, një përpjekjeje që ka nisur në buzë të greminës për Shqipërinë dhe për Forcat e Armatosura, të cilat ishin në pikë të hallit, të cilat ishin thjesht dhe vetëm një ushtri që mbahej në këmbë nga pasioni, që mbahej në këmbë nga vullneti, nga dija dhe nga patriotizmi i atyre që, qysh në fëmijëri, ia kanë kushtuar jetën uniformës së ushtarakut, por që ishin të braktisur në fatin e tyre. As nuk bëhej fjalë që të përfytyronim një industri ushtarake, ndërkohë që historitë e tenderave, historitë e ngatërresave të lloj-lloj-shme, historitë e blerjeve të makinerive laramane ishin historia e përditshme e shtetit shqiptar në të gjitha institucionet dhe për të gjithë sektorët që kanë nevojë për këtë logjistikë.
Sot jemi dëshmitarë se kemi hyrë në një fazë të re. Jemi dëshmitarë të një Shqipërie që nuk është vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por është edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve teknologjike, të cilat sapo kanë nisur të japin rezultatet e para.
Dhe këtu nuk mund të rri pa u ndalur një minutë te protagonistja e kësaj historie, që është Arieta, e cila është një vajzë nga Bulqiza. Familja e saj ka emigruar kur ajo ishte vetëm katër vjeçe. I ati, si një bir i denjë i atyre territoreve, ishte shumë i lënduar me veten që nuk kishte një djalë, por vetëm vajza, dhe Arieta vendosi që të bëhej “djali” i babait, duke e ndjekur atë nga pas, hap pas hapi, aty ku ai punonte në emigracion, në një fabrikë, e cila prodhonte pikërisht mjete motorike. Pastaj, në një moment të caktuar, pas 25 vjetësh, Arieta vendosi të vijë në Shqipëri dhe të krijojë një start-up për të prodhuar në Shqipëri, mjete motorike.
E parë me atë shpotinë e realitetit burrëror shqiptar, e refuzuar në të gjitha dyert e institucioneve ku mund të kishte marrë ndihmë, ajo vendosi që t’i linte burrat jashtë derës së punishtes së vet dhe në punishte pranonte vetëm vajza. Dhe kështu lindi një “start-up amazonash” shqiptare, që vendosën të sfidojnë gjithë odën e burrave të sipërmarrjes në këtë vend.
Dhe kështu jemi njohur me Arietën, kur ajo më tregoi ëndrrën që të prodhonte makinën e parë 100% shqiptare. Por, ndërkohë, start-up-i i saj, me ato mundësi dhe në atë situatë izolimi nga institucionet, kishte arritur të eksportonte ambulanca të prodhuara në atë punishte këtu në Shqipëri, në Ukrainë, ndërkohë që ne vijonim të blinim ambulanca lart e poshtë dhe të blinim mjete lart e poshtë me tendera, duke i çuar paratë jashtë vendit.
Më pas bëmë një pakt burrash me “djalin” e babait dhe sot jemi këtu. Jemi këtu falë një strategjie të re, e cila, siç tha edhe ministri, krijoi në radhë të parë kompaninë “KAYO”.
Kompania “KAYO” është një realitet i ri publik, me 100% pjesëmarrje të shtetit, e cila është krijuar si epiqendër e të gjitha zhvillimeve të industrisë së re të mbrojtjes, me një parim themelor: Ne nuk jemi të prirur të blejmë nga jashtë asgjë që mund ta prodhojmë këtu. Ne nuk jemi të prirur të mikpresim këtu kompani të huaja që marrin asetet tona dhe pastaj gjithçka e çojnë jashtë. Ne nuk jemi të prirur të shohim se si të tjerët fitojnë, ndërkohë që shteti shqiptar thjesht vë në dispozicion asete dhe thjesht merr disa nga të mirat e kësaj pune, që janë teknologjia, punësimi e të tjera, por ne duam që çdo kompani që vjen në Shqipëri për të investuar dhe që është e mirëpritur, ta pranojë shtetin si ortak.
Flitet shumë këto kohë për tradhti, për shitje të atdheut e për lloj-lloj idiotësish që mund t’i marrin me mend dhe t’i artikulojnë ata, të cilët do ta kishin tradhtuar, do ta kishin shitur dhe do të kishin bërë të gjitha ato për të cilat akuzojnë, sepse kështu thotë një fjalë e mençur: “Kush të akuzon pa prova, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë atë për të cilën të akuzon.”
Por ja, kjo është “tradhtia” jonë: sot një kompani e krijuar për të shërbyer si qendër graviteti e industrisë sonë të mbrojtjes, me 100% të aksioneve të shtetit, ka filluar të arkëtojë të ardhura nga këto lloj sinergjish dhe të gjitha kompanitë që kanë ardhur dhe që do të vijnë nga vendet partnere kanë vetëm një derë ku ulen, diskutojnë, negociojnë dhe bëjnë marrëveshje, që është dera e kompanisë “KAYO”.
Së shpejti ne do të jemi përsëri së bashku për të parë të tjera arritje që deri dje do të ishin të pabesueshme.
Këto mjete janë mjete të prodhuara këtu në vend. Janë 40 mjete të prodhuara në bashkëpunim me kolosë të industrisë së automotivës, të cilët i kanë besuar “TIMAK”-ut dhe kanë nënshkruar marrëveshje me “TIMAK”-un, prej të cilave “TIMAK”-u merr pjesë të caktuara dhe pastaj, këtu, bën të gjithë prodhimin e mjeteve.
Janë mjete të cilat i vihen në dispozicion ushtrisë shqiptare.
Dhe parafytyroni vetëm kaq: Ushtria shqiptare, që nga viti 1992, pasi u bë gjithë skrapizimi dhe çmontimi shtazarak i asaj që ishte një industri, e cila, po të ishte ruajtur, do ta kishte bërë Shqipërinë një pikë referimi në këtë kohë të re luftërash dhe në këtë kohë të re sfidash kolektive të mbrojtjes, dhe deri përpara se të hynim në këtë fazë, ka vuajtur për mjete; një mjet këtu, një mjet atje; pesë sot, gjashtë nesër; tre u prishën, dy janë në mirëmbajtje; shtatë erdhën, katër nuk punonin.
Plani ynë, për të cilin folëm edhe me Shefin e Shtabit, të cilin duhet ta falënderoj shumë për hovin që i ka dhënë gjithë kësaj faze të rilindjes së industrisë ushtarake, është që brenda vitit 2028 ushtria shqiptare t’i ketë të gjitha mjetet, të gjitha kapacitetet, që nga makina më e lehtë deri te armët më të sofistikuara.
Nuk do të ketë më asnjë katër-rrotak që do t’u mungojë Forcave tona të Armatosura.
Do të ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO-s për numër forcash, për kilometër territor, dhe ndërkohë do të jetë e pajisur me shumëçka tjetër që ka filluar të projektohet dhe të prodhohet në vend. Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake dhe mos u çudisni kur një ditë të vijmë përsëri këtu dhe të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu, të cilat do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane, prodhime me “Made in Albania”. Parafytyroni një ushtar të Shteteve të Bashkuara me një prodhim “Made in Albania” në kompleksin e pajisjeve të tij.
Kush do ta kishte imagjinuar sikur t’jua thoshin deri jo shumë vite më parë? Askush. Kjo është Shqipëria tjetër që ne kemi ndërtuar dhe e cila tani do të fillojë të japë të tjera lloj rendimentesh dhe të tjera lloj produktesh, duke pasur parasysh këtu industrinë ushtarake, por jo vetëm. Katërmbëdhjetë zjarrfikëse të reja po prodhohen sot, që flasim, nga TIMAK. Katërmbëdhjetë zjarrfikëse ne nuk i kemi bërë dot bashkë në 14 vjet, në të njëjtën kohë. Atëherë kur e morëm Shqipërinë pa zjarrfikëse. Ndërkohë që, sot kemi një flotë zjarrfikësesh jo të vogël, por krejt të pamjaftueshme dhe, në vend se edhe këtu të shkojmë lart e poshtë e të bëjmë një tender sot, dy tendera nesër dhe t’i marrim ca të kuqe, ca vishnje, ca portokalli sipas tenderit të radhës, ne do të ndërtojmë një flotë zjarrfikësish që do të jetë njësoj si flota e ushtrisë, e cila sapo ka nisur të marrë formën e vet përfundimtare. Do t’i kemi të gjitha zjarrfikëset që i duhen Republikës së Shqipërisë sipas standardeve të një vendi të NATO-s dhe të një vendi të Bashkimit Europian, për frymë, për territor, për kilometër.
Po ashtu me autoambulancat, e njëjta gjë. Dhe, ndërkohë, kijeni parasysh atë që thashë në fillim: nga shpenzimet që do të bëjë shteti për t’i marrë këto mjete në kohë, për t’i marrë këto mjete me cilësinë më të mirë, për t’i marrë këto mjete duke pasur një bazë mirëmbajtjeje. Jo, bllokohet mjeti, siç i gjetëm helikopterët kur erdhëm, që ishin 90%; rrinin si pula helikopterët, nuk fluturonin dot më se s’kishte më mirëmbajtje dhe duhej shkuar sa në Poloni, sa ku di unë se ku, e duhej mbajtur radhë e lloj-lloj çudirash. Sot i kemi të gjithë në punë dhe sot i kemi të gjithë të lidhur me një bazë të vetme, që është një bazë e NATO-s. Ndërkohë që, për sa u përket gjithë këtyre flotave, do të kemi mirëmbajtjen këtu në vend dhe nga të gjitha këto shpenzime KAYO, shteti, kompania publike, fiton. Pra, shteti paguan, në këtë rast TIMAK-un, në një rast tjetër një kompani tjetër, se janë një sërë marrëveshjesh që ka lidhur dhe po lidh KAYO, dhe pjesa private merr pjesën e vet, Arjeta të vetën, shteti merr të vetën dhe kështu një pjesë e parave të shtetit kthehen përsëri te shteti dhe riinvestohen përsëri aty ku shihet e nevojshme.
Kjo është Shqipëria e re që funksionon përditë. Dhe dua ta mbyll edhe me një tjetër risi që vjen prapë nga kjo forcë e re që ne kemi krijuar këtu dhe që e falënderoj përsëri Shefin e Shtabit. Jam shumë mirënjohës, sepse i ka marrë me shumë seriozitet edhe disa detyra, të cilat kanë qenë si shfaqje të huaja për shefat e shtabeve. Nuk kam gjë këtu me paraardhësin, se e kemi mik, por e kam me faktin që edhe ne vetë kemi qenë më pak të ditur edhe, mbase, jo mjaftueshmërisht të guximshëm. Dhe këtu e kam fjalën për bazën e re të logjistikës, që do të jetë një kompani e ushtrisë shqiptare në shërbim të të gjitha bashkive. Një kompani e infrastrukturës, e cila do të bëjë mirëmbajtje, e cila do të bëjë ndërhyrje që lidhen me infrastrukturën e kanaleve, me infrastrukturën e kanaleve ujitëse, vaditëse, rrugëve rurale e kështu me radhë. Do të jetë patjetër në funksion të emergjencave, por kur nuk do të ketë emergjencë do të jetë vazhdimisht në funksion të pushtetit vendor.
Kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Dhe gjëja tjetër e jashtëzakonshme është hapja, më në fund, e Ministrisë së Mbrojtjes edhe për turizmin, për të krijuar atë që e kanë të gjitha ushtritë e NATO-s, përveç nesh. Të gjitha ushtritë e NATO-s që janë në vende turistike, në shtete me turizëm, kanë edhe komponentin e vënies në dispozicion të aseteve të tyre për turizmin. Dhe nga kjo gjë, përsëri, Forcat e Armatosura marrin pjesën e tyre.
Kështu që këto partneritete janë rruga jonë e re. Do të bëjmë partneritete të tilla në vazhdim, në të gjitha fushat ku ka ardhur koha që shteti të jetë partner, ku ka ardhur koha që kapacitetet shtetërore të vihen në dispozicion jo vetëm të shërbimit, por edhe të fitimit, për të marrë mbrapsht të ardhura në arkën e shtetit, të cilat të riinvestohen po në funksion të qytetarit.
Shumë faleminderit të gjithëve. Është vërtet një ditë shumë e bukur. Është vërtet një ditë historike për industrinë tonë ushtarake, sepse kjo është shfaqja e parë, në kuptimin e daljes nga dyert e fabrikës, të prodhimeve “Made in Albania”, por është e para e shumë shfaqjeve të tjera, ku të gjithë do të shohin me krenari se në çfarë niveli po ngjitet Shqipëria edhe në këtë aspekt. Dhe nuk ka gjë më emocionuese sesa të shikosh listën e vendeve të cilat kanë bërë porositë tanimë te TIMAK Defence. Tridhjetë vende, vende të NATO-s, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore, i drejtohen sot Shqipërisë këtu në Tiranë, në një vend që deri dje ishte një gërmadhë, gërmadha e autotraktorëve të famshëm, për të marrë mjete të prodhuara po këtu, falë vizionit, falë kurajës, falë punës së jashtëzakonshme, vullnetit dhe falë edhe një kokëfortësie shembullore të një vajze nga Bulqiza.
Shumë faleminderit të gjithëve!
-Vijojmë me momentin simbolik të kësaj ceremonie. Ftoj drejtoreshën ekzekutive të shoqërisë TIMAK Defence t’i dorëzojë Kryeministrit kutinë me çelësat simbolikë të 40 mjeteve.
Kryeministri Edi Rama: Kryeministri nuk di t’i japë makinës, kështu që çelësat do t’i marr dhe do t’ia dorëzoj direkt Shefit të Shtabit. Kështu që ceremonia tjetër për makinat është me Shotën. Shpresoj. Shota është prodhim 100% i këtushëm, ndërkohë që këto janë prodhime në bashkëpunim me kolosë të industrisë, të cilët, siç thashë, kanë sjellë këtu pjesë këmbimi që pastaj të gjitha janë asambluar në Shqipëri dhe, me miratimin e tyre, kanë edhe logon sot. Është dita kur Forcat e Armatosura nuk janë më një adresë për djem dhe vajza që nuk kishin asnjë rrugë tjetër, por janë një portë krenarie kombëtare.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi një numër të rritur të atyre që duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave këtu u them: keni bërë zgjedhjen më të mirë, sepse jeni pjesë e një sektori tjetër ku pagat do t’ju rriten në vazhdimësi dhe ku do të jeni të parët, mbas gjykatësve dhe prokurorëve, se atyre ua kemi dhënë më përpara, por do të jeni të parët që do të keni paga në mesataren e forcave të NATO-s. Sot e keni më të lartën në të gjithë rajonin dhe ndërkohë i bëj thirrje të gjithë vajzave dhe djemve që shohin apo që mendojnë akoma, që të mos mendohen, të vijnë të bëhen pjesë e këtyre forcave, se nuk është më çështje “hajde se po shkoj ushtar”, por është çështje “po bëhem pjesë e një historie të re krenarie”, ku flitet për teknologji, ku flitet për inteligjencë artificiale, ku flitet për inxhinieri, për prodhim, për asamblim, ku flitet për gjëra krejt të tjera dhe, patjetër, ku trajtimi është me dinjitetin më të lartë. Kështu që herës tjetër për Shotën. Por, nga ana tjetër, unë mezi pres që të fillojmë të tregojmë edhe disa gjëra të tjera që po fillojnë të prodhohen në Shqipëri, ku, siç e kemi premtuar, mbrojtja e qiellit, në samitin e NATO-s, ku do të jetë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që e dini vetë ju se si mbrohet nga qielli e nga toka e nga Marsi e nga Hëna, do të bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar këtu në Shqipëri, “Made in Albania”. Ashtu si kundër tanimë jemi gati, kemi bërë edhe porosinë për mbrojtjen më të sofistikuar kundërajrore, të cilën do ta ketë shumë shpejt edhe Shqipëria.
Shumë faleminderit.