Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin prestigjioz ndërkombëtar Cernobbio, ku ishte i ftuar në panelin “Agjenda për Europën”, kushtuar rolit të Mesdheut dhe sfidave të reja europiane e globale nga këndvështrimi i Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama ndau perspektivën e Shqipërisë mbi të ardhmen e Europës, procesin e zgjerimit dhe nevojën për një qasje të re ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Rama u shpreh në mbështetje të një procesi të integrimit gradual, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të bëhen pjesë e politikave, tregut dhe hapësirës europiane përpara anëtarësimit të plotë. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një Europe më të bashkuar përballë sfidave të reja të sigurisë, ekonomisë dhe ndikimit të ekstremizmit, duke e cilësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor si në interes të vetë Europës.
***
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Pashë që Andrej nuk e shfrytëzoi gjithë kohën e vet dhe ndoshta sepse është tashmë brenda BE-së. Unë do të përpiqem të bëj maksimumin për të mos shkuar përtej kohës që më është lënë. Nuk ju premtoj edhe pse më është thënë shumë qartë që koha këtu nuk është ajo italiane, është diçka tjetër.
Megjithatë faleminderit shumë që na keni ftuar dhe veçanërisht që më keni ftuar mua këtu, është hera e parë që gjendem këtu.
Na prezantuat si dy europian të mëdhenj, por më duket mjaft e sikletshme se këtu kemi Mario Montin, kemi Enrico Letta-n, ata janë europianët e mëdhenj. Ne jemi disa europianë të rinj që përpiqemi të përmirësohemi.
Tani po ndahem nga ajo çfarë tha Andrej, sepse ai tha që jemi në klub, ne jemi ende jashtë klubit, në përpjekje për të hyrë, për t’u bërë pjesë e tij dhe do përpiqem që të jap këndvështrimin nga mënyra si e shohim ne, që nuk është saktësisht e njëjta, sepse nga njëra anë ndihemi tejet të inkurajuar nga ky moment i ri dhe nga kjo atmosferë e re, për të cilën për fat të keq duhet të falenderojmë më së pari mbi të gjitha Vladimir Putinin.
Nga ana tjetër shohim ende që ka diçka që nuk shkon sepse po, ka shumë përpjekje që po bëhen, por nga ana tjetër është një Mario tjetër që me këmbëngulje na thotë që gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet të shkojnë. Kështu që duket paksa sikur dëgjon një melodi të mrekullueshme, ndërkohë që Titaniku nuk po e merr kthesën dhe përballë nesh gjendet ende ajsbergu.
Flasim për teknologjinë dhe pastaj kuptojmë që vetëm 4 nga 50 kompanitë më të mëdha teknologjike janë në Europë; flasim për kërkim shkencor dhe pashë dikë këtu që bëri një pyetje për shkencën dhe kërkimin, ndërsa nuk ka një universitet të BE-së në 20-shen e parë dhe ka vetëm katër të tilla universitete europiane në 50-shen e parë.
Flasim për një Europë e një treg dhe nga ana tjetër në një dokument tejet të fortë meqë ra fjala dhe që e kam lexuar me shumë pasion për të parë se ku ishte vendi im, kuptova që në fund Ballkani Perëndimor nuk ishte aspak i përfshirë në atë dokument.
E kjo duket sikur është diçka apo më mirë një vendim luksi të na lësh jashtë. E kur vjen fjala te një prej objektivave më të rëndësishme të Europës sot, autonomia strategjike në lëndët e para kritike brenda kufijve të vetë është shumë e qartë për mua që ndërkohë që në pjesën tonë të Europës, në Ballkanin Perëndimor kemi një sasi shumë të rëndësishme, shumë të rëndësishme të lëndëve të para, ne praktikisht jemi jashtë qasjes së përbashkët në këtë drejtim.
Mënyra se si e kuptojmë nga këndvështrimi ynë është se Europa nuk mund të arrijë autonominë e vetë në lëndët e para kritike brenda kufijve të vetë dhe brenda kuadrit kohor që ka parashikuar.
Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet e nëse disa instrumente evropiane që ekzistojnë nuk do të përdoren për të na futur brenda. Në qoftë se kjo bëhet atëherë situata mund të ndryshojë dhe pa gjejeni, Shqipëria ka një rezervë shumë të madhe bakri dhe ndërkohë praktikisht po sprapsim kinezët e tjerë investues potencial në pritje që Europa të vijë sepse dashuria jonë e pakushtëzuar për Europën dhe për perëndimin si shqiptar dhe meqë ra fjala, ne jemi si shqiptarë, talebanët perëndimorë, ata që nuk kemi asnjë marrëdhënie me Rusinë.
Mendoj që është vendi i vetëm në Europë sigurisht, por edhe në botë që qysh prej 1960-s nuk kemi pasur asnjë autoritet rus që ka mbërritur të na vizitojë e asnjë avion që është nisur nga Tirana për në Moskë dhe nuk na merr malli. Nuk presim me padurim që të ndodhë. Jemi i vetmi vend në Europë ku nuk ka një investim të mirëfilltë kinez dhe nuk na mungon çuditërisht.
Po merr Putini në telefon.
Unë besoj, jam një ithtar i fortë, i besoj fort Europës dhe nuk dua të tingëllojë në një farë mënyre, por kjo është thirrja e një të dashuruari. Ajo çfarë shoh si një problem të jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për unitetin, për të parë së bashku nga e ardhmja është pikërisht ajo që përmendët ju në hyrjen tuaj, prirjet mjaft nacionaliste dhe që shohin vetëm së brendshmi në shumë vende të Evropës që kohë më parë ishin në fakt fari ndriçues i asaj çfarë duhet të ishte Bashkimi Europian.
Për ne natyrisht kjo është shumë dëshpëruese sepse ne ishim ata nacionalistët, ne ishim ata të marrët e rrezikshëm të kontinentit dhe krejt befas u bëmë kaq në favor të mënyrës shumë kulturore të të parit të jetës saqë është shumë dëshpëruese të shohësh që të na zmbrapsin, sepse natyrisht ka disa që na kushtëzojnë dhe në fakt ajo çfarë është dëshpëruese është që të shohësh qeveri të moderuara demokratike që nuk janë plotësisht në krye në lëvizje, sepse në fakt politika për një Europë më të fortë e më të bashkuar kushtëzohet nga ekstremet dhe nga frika e këtyre ekstremeve apo nga nevoja për t’i përmbajtur këto ekstreme në një mënyrë ose në një tjetër, ju merreni me qeveritë e moderuara që në fakt për llogarinë tuaj merren me këto ekstreme dhe këtu vjen çështja e integrimit gradual.
Sinqerisht unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në Bashkimin Europian në qoftë se diçka nuk do të ndryshojë brenda Bashkimit Europian. Pra, unë nuk besoj se 2027 do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk e besoj, nuk besoj që në disa kryeqytete do të kenë aftësinë që të shkojnë e t’i thonë publikut njerëz po e marrim Shqipërinë brenda me kompetencën e saj të vetos.
Kjo është arsyeja pse besoj që integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në Bashkimin Europian dhe për ta nisur nga pjesa reale e mirëfilltë, që është tregu i përbashkët që është të qeni pjesë e Europës së vetme universitare, të shkencës dhe të gjitha elementeve të tjera shumë të rëndësishme përpara se sa të mendosh apo të mendojmë, së paku unë numëroj shtatë fëmijët e Ursulës dhe Ursula vërtetë ka shtatë fëmijë dhe BE-ja ka shtatë fëmijë jashtë dhe ndërkohë që flasim po përpiqemi të hyjmë të negociojmë po sërish jemi jashtë bllokut dhe i kam thënë Ursulës “kur rrisje fëmijët i kishe përreth në tryezë, në shtëpi, nuk i thoje dilni atje jashtë në lagje dhe pastaj ejani në tryezë”.
Pra, nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Nuk na duhet e gjitha për të qenë përreth tryezës dhe si europian unë jam kundër. Dhe në fakt ky është debati dhe në fakt jo me Andrenë sepse Andre është tashmë BE. Unë jam E pa B, por me të tjerët në Ballkan kam këtë debat se më thonë “pse Edi, pse thua që nuk kemi nevojë për veton. Të gjithë kemi nevojë për veton”. Dhe unë i them “jo, si europian nuk dua që të keni veto sepse imagjinojeni të kesh edhe shtatë të marrë të tjerë ulur përreth asaj tryeze. Do të ishte e pamundur”. Kështu që do të ishte më mirë për Europën, do të ishte më mirë për ne dhe mund të ndodhë në këtë mënyrë. Në të kundërt nuk do të ndodhë. Më lini ta them troç. Problemi nuk është Italia. Nuk shoh që Franca të ketë 2/3 e parlamentit. Ata s’kanë as 2/3 vetë. Imagjinojeni me ne. Pra, imagjinojeni të thonë ata mirë se vini në Shqipëri apo Mali i Zi apo kushdo të jetë. Na thuhet ejani, jeni pjesë e Europës, tani mund të vendosni veton kundër nesh. S’do të ndodhë kurrë!
Jam i sigurt që vetoja nuk është e vetmja gjë, por së paku psikologjikisht vetoja është një pengesë që mund të hiqet. Pra, mund të thuhet që mund t’i marrim këta apo ata mund të jenë si fëmijët e Ursulës, do të rriten me ne, do të mësojnë të sillen mirë dhe asnjëherë nuk do ta marrin peng këtë tryezë.
Kështu që unë jam pro kësaj dhe së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, duke ju parë të gjithëve, duke lexuar paksa historikun e këtij forumi të mrekullueshëm, kjo është një arsye tjetër që t’ju them se ndërkohë që kemi këtë Europë mendimtarësh të ndritur, mendjesh që mblidhen së bashku për të parë nga e ardhmja, këtë Europë njerëzish që mendojnë për brezat e rinj për këtë e atë, po lejojmë që në një pjesë të këtij realiteti që është ky realitet këtu, brezi i ri po largohet dita-ditës nga e gjithë kjo dhe po plandoset në një oqean urrejtje, përçarjeje dhe synimesh që janë kryekëput jo në përputhje me vlerat, parimet, ëndrrat e gjithçka që ka të bëjë me Bashkimin Evopian dhe është këtu, ku gjendet ‘’armiku’’ për të gjithë ne e prej nga ku shohim të dalin lloje- lloje propozimesh, lloje- lloje personalitetesh të aftë të tërheqin njerëzit pas vetes duke fragmentarizuar gjithmonë e më tepër shoqëritë tona.
Ndërkohë që qendra po zhduket e në çdo cikël shohim më shumë ekstreme, ekstreme, ekstreme dhe nuk e di si do të ndreqet një gjë e tillë por për ta përmbyllur se po më mbaron koha, dua t’ju them se ndërkohë që paguajmë para që nuk i kemi, më lejoni të jem i qartë dhe nuk e them unë këtë, e thotë Mario tjetër, nuk kemi mjaftueshëm rritje ekonomike për të pasur këto shpenzime dhe ndërkohë që po derdhim kaq shumë para për shpenzime, për të mbrojtur Europën nga raketat, jemi krejtësisht të pambrojtur në mendjen tonë, në trurin tonë dhe të gjithë armiqtë e demokracisë, të gjithë armiqtë e Europës e kanë shumë të lehtë rrugën. Nuk ka nevojë të vijnë me raketa këtu, sepse tashmë po përzihen me mendjet e fëmijëve tanë dhe po marrin tashmë peng brezin e ri.
Nuk do të ketë një brez të ri të aftë të ndjekë të gjithë ëndrrat e mëdha, të gjitha mendimet e ndritura të forumit Ambrosetti, nëse të gjithë së bashku nuk do të mendojmë për një mburojë, për atë hapësirë ku armiqtë ndërkohë po trazojnë mendjet e tyre. Faleminderit!
***
-Faleminderit shumë Edi edhe për këndvështrimin tënd jo diplomatik e realist, ndoshta paksa dhe pesimist nga këndvështrimi im, por besoj i mjaft dobishëm.
Kryeministri Edi Rama: Jo pesimist, tragjikisht optimist.
-Mendoj që shumë edhe për diskutimin tonë. Kemi pak minuta për pyetje.
– Faleminderit shumë. Një pyetje lidhur me të ardhmen e buxhetit europian. Presidenti Costa përmendi tashmë rëndësinë për të pasur burime të mjaftueshme për t’i investuar në hapësira strategjike, por edhe në të ardhmen e Europës. Si e shihni këtë diskutim? Dhe natyrisht për anëtarët e OECD-së e të BE-së tashmë, por edhe për anëtarët e ardhshëm të BE: A mendoni që na duhet një buxhet shumë më i madh dhe më i gjerë për Bashkimin Europian apo mendoni që propozimi aktual është në rregull? Faleminderit.
– Kam një pyetje për Edi Ramën sepse e njoh shumë mirë Shqipërinë, e kam vizituar e udhëtuar tej e tej dhe e vlerësoj shumë këtë vend. Dua t’ju pyes për të krijuar më shumë bashkëpunim e bazë për bashkëpunimin në kuadër të Bashkimit Evopian. Mendoj që aspekti kulturor i bashkëpunimit është thelbësor. Nda,j pse nuk krijonin më shumë ura me universitetet e institucionet kërkimore italiane dhe të ndërtonin pra strukturën për të ndarë të dhënat një ku mund të krijoni ndikim social e të dëshmoni se përfitimi të qenit pjesë e këtij sistemi është të ndash të dhëna e të krijosh për shembull sisteme të zbutjes së klimës apo shëndetësisë që janë më efektive dhe këto do të jenë me dobi për brezin e ri dhe në fakt ata nuk e mendojnë anëtarësimin në BE si vlerë në vetvete. Ata mendojnë që zbutja e ndryshimeve të klimës, sëmundjet mendore, kujdesi shëndetësor janë tejet të rëndësishme për ta ardhmen, ka ndjeshmëri të ndryshme, ndaj shkëmbimet në kulturë e në kërkim shkencor, mendoj mund të jenë mjete mjaft të vlefshme për të bashkëpunuar.
– Dua t’i pyes të dy zotërinjtë në qoftë se mendojnë se një Ukrainë e përçarë do të bëhet ndonjëherë pjesë e Bashkimit Euopian apo nëse do të ketë një vend për tryezën e veçantë të Edi Ramës?
Kryeministri Edi Rama: Duke u nisur nga pyetja e fundit, nëse ka vend në tryezën time të veçantë për Ukrainën. Në fakt nuk ka të bëjë me tryezën time speciale apo të veçantë, ka të bëjë me pyetjen a ka Europa dhe po e nis, a ka Gjermania kurajën për të gjetur momentin e saj të ri Helmut Kol. Kur Helmut Kol shkoi në ‘Potsdamer Platz’’, në sheshin Potsdamer dhe muri ishte kishte rënë, ishte rrëzuar, nuk u tha bashkëatdhetarëve gjermano-lindorë, “tani jeni të lirë, po ka nja 33 kapituj që duhet t’i kaloni përpara se sa të bashkohemi’’. Ai iu tha, “ne jemi bashkë”. Kështu që në tryezën time gjërat do të ishin shumë të thjeshta. Të gjitha vendet, 7 ‘’fëmijët’’ e Ursulës duhet të përmbushin sipas rregullave çdo kriter. Duhet të ndjekin rregullat për çdo kapitull dhe duhet t’i bëjnë ballë të gjithë procesit neurotik të ‘’makinerisë’’ prej 35.000 grash e burrash që është makineria më e pamëshirshme burokratike që ka krijuar njerëzimi sepse duhet të marrin një leje drejtimi, një patentë dhe këtë nuk ia jep dikujt se thjesht të pëlqen, por ajo çfarë duhet të ndryshojë është rrezja, radha e veprimit. Jo më parë 33 kapituj dhe pastaj vendimi politik. Jo. Së pari të shtatët përfshrë Ukrainën duhet të vijnë dhe të ulen rreth tryezës si fëmijët e Ursulës, por si fëmijë duhet të dëgjojnë ‘’babain dhe nënën’’, Gjermaninë dhe Francën dhe pastaj ‘’tezen’’, Italinë dhe pastaj gjithë pjesën tjetër dhe pastaj duhet të sillen mirë, por duhet të jenë aty në Këshillin e Bashkimit Evropian rreth asaj tryeze dhe ndërkohë që përmbushen sipas rregullave kriteret, çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitullit.
Për shembull, për t’u kthyer pyetjes së zonjës që tha ‘’e njoh shumë mirë Shqipërinë’’. Urime unë nuk e njoh aq mirë Shqipërinë, ende. Megjithatë kjo është, mbyll për shembull kapitullin për shkencën, kulturën, arsimin dhe tani dhe për atë bëhesh anëtar, ke të njëjta të drejta dhe kështu duhet të vazhdojë. Dhe kësisoj gjithkush që do të marrë më shumë nga tryeza i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm aty.
E di që Serbia është një lloj “kafshe” shumë interesante dhe e çuditshme në “xhunglën” e Ballkanit. Por çfarë është më mirë? Ta kesh ulur rreth tryeze dhe t’i thuash ‘’jo, nuk mund të bësh një funeral shtetëror për një kasap’’ apo ta lësh aty në ujëra të pasigurta dhe të krijosh një situatë krejt skizofrenike midis Europës, Kinës, Amerikës, Rusisë e nuk e di se kujt tjetër, Vietnamit!
Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani. Çfarë është kjo atmosferë? Atmosferë apo atmosfera e kujt? E atyre që nesër mund të fshihen nga ekstremet. Çfarë është kjo? Nuk jemi në humor. Për çfarë? Për t’ju thënë njerëzve Titaniku po fundoset, na duhet të përballemi me konkurrencën. Po, kemi një treg përbashkët. Po sa gjëra kanë ndodhur sot në secilën prej shteteve që në fakt tregon se ka 27 tregje. Ku janë tregjet e kapitalit të Europës? Ku janë kapacitetet financiare të Europës në vetvete? Ju flisni për të dhëna. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ju lutem ejani dhe merrni të gjitha të dhënat. S’kemi asgjë për t’i fshehur Italisë. Fati ynë i keq ishte që në vend të pushtoheshim nga ju, u pushtuam nga rusët. Po kjo është tjetër histori.
Por në Itali keni 19.000 dhe këtë ma ka thënë dikush që e njeh shumë mirë këtë gjë, është këtu në sallë, por nuk do ta përmend. Keni 19.000 baza të dhënash të mëvetësishme që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Imagjinojeni tani në Europë sa të tilla janë.
Ne duam që të krijojmë një bazë të fuqishme të Inteligjencës Artificiale me 90.000 baza të dhënash.Nuk po flas për Shqipërinë se në Shqipëri çdo shqiptar është një bazë më vete të dhënash. Po kjo është situata, kjo është historia.
Më së fundi për buxhetin. Andrej di më mirë për buxhetin europian, por ajo çfarë di është që kushdo rreth nesh që është anëtar i Bashkimit Evopian merr nga Bashkimi Evopian 4300 e kusur euro për frymë, ne në Ballkanin Perëndimor marrim 138 euro për frymë. Kur perandoria romake, e nisa me qymyrin dhe po filloj me perandorinë romake, kur erdhi fundi dhe atmosfera ishte paksa e njëjta, senati romak përbëhej nga politikanët jo nga influencer, jo nga njerëz që vareshin nga follow dhe like në Instagram dhe jo nga politikanë që propozonin të ndryshonin botën me një shkop magjik duke mbyllur kufijtë. Pra, diskutimi në atë kohë ishte një diskutim shumë i madh, a duhet të vazhdonin që të kishin vetëm romakët që t’i udhëhiqnin brenda kufijve të Romës apo duhet t’i jepnin nënshtetësinë të gjithëve që ishin në sferën e Perandorisë Romake dhe diskutimi ishte shumë i madh sepse kishte edhe njerëz me ngjyrë atje, ishin ngjyra e kultura të ndryshme jashtë këtyre kufijve dhe pa gjejeni; Senati romak vendosi që duhet t’u jepte nënshtetësinë të gjithëve atyre që ishin brenda perimetrit të Perandorisë Romake, nëse donin të kishin ende ushtarë. Me kë do ta bëjë luftën tjetër Europa? Me dronë? Se me ushtarë nuk do të ishte e mundur. Ndjesë, mora goxha kohë që në fakt është sipas traditës tipike siçiliane- shqiptare. Pra, atë që s’ta japin e merr. E di që nuk është shumë europiane, por për aq kohë sa nuk jemi në Europë, shijojmë që të jemi të ngjashëm me siçilianët. Të paktën kjo është më argëtuese sesa pjesa tjetër e mërzitshme. Faleminderit!
– Faleminderit shumë. Mendoj që kemi konkluzionin romak që është koherent me mesazhin e superfuqisë evropiane të këtij forumi. E sërish do t’ju kërkoja një duartrokitje të fortë për Andrej dhe Edin. Një diskutim shumë interesant.