Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ishte sot në komunën Frakull, në Fier, nga ku njoftoi nisjen e fazës së parë të dhënies së certifikatave të pronësisë së tokës për fermerët, duke u bazuar në ligjin nr. 7501, si dhe i siguroi ata se “faza e dytë do të jetë sigurimi i infrastrukturës së duhur për ujitjen dhe kullimin e tokave”.
“Për ne ligji 7501, në të gjithë territorin e tokës që prodhon bukë për këtë popull, është udhërrëfyes. Në rrugën e ligjit 7501, do të fillojmë me qarkun e Fierit shpërndarjen e certifikatave të pronësisë”,- tha Kryeministri, pasi pa nga afër fermat bujqësore dhe bisedoi me fermerët rreth shqetësimeve të tyre dhe vështirësive që hasin. Kryeministri e konsideroi sigurinë mbi pronësinë e tokës bujqësore, si një bazë për fillimin e rimëkëmbjes së punës me tokën. Kryeministri Rama sqaroi se do të nisë dhënia e certifikatës së pronësisë në të gjitha zonat, ku nuk ka konflikte, ku çdo gjë është e qartë dhe ku fermerët kanë mbi 20 vjet që presin dhe nuk dinë ç’mund të ndodhë me tokën e tyre nesër.
Gjithashtu, Rama theksoi se, – “Do bëjmë gjithçka që gjeneratës së nesërme t’i japim të ardhme këtu në vend, edhe përmes punës me tokën”.
Fermerët i ndanë shqetësimet e tyre edhe me Ministrin Panariti, i cili i siguroi për mbështetje në uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e tregut, – “në mënyrë që të mos harxhohet kohë për nxjerrjen e produktit në treg nëpërmjet kontratave dhe nëpërmjet tregtarëve, por kjo të bëhet në mënyrë më të organizuar”.
Ministri Panariti, ashtu si edhe Kryeministri Rama, theksoi nevojën emergjente për pastrimin dhe ndërhyrjen e mëtejshme në damarin kryesor për ujitjen dhe kullimin e tokave të gjithë kësaj zone dhe për fushën e Myzeqesë që prej 30 vjetësh është i pamirëmbajtur, në mënyrë që të jetë në gjendje funksionale dhe të çojë ujin nëpër parcela.