Në kuadër të Future Hospitality Forum 2026, Shqipëria po prezantohet si një destinacion me potencial në rritje për investimet në turizëm, duke sjellë në një tryezë të përbashkët aktorë të industrisë, marka ndërkombëtare dhe investitorë të interesuar për të ardhmen e sektorit. Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama vuri theksin te transformimi i turizmit shqiptar dhe sfida e re për të kaluar nga rritja e numrit të vizitorëve drejt rritjes së cilësisë, ekselencës dhe investimeve me vlerë të lartë.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Ju falënderoj shumë për këtë interes kaq të madh. Kjo duket qartë kur e sheh sallën nga këtu.
Nuk dua t’ju marr shumë kohë, sepse ju jeni këtu për të eksploruar më shumë mundësi, për të shqyrtuar projekte dhe për të gjetur partneritete të mundshme, por dua të them disa fjalë, duke nisur nga vetë fakti se ajo që po shohim sot do të ishte absolutisht e paimagjinueshme pesë vjet më parë.
Ishte vërtet një moment shumë i vështirë kur na u desh të përballeshim me faktin se sa larg dhe sa shumë prapa ishim krahasuar me botën jashtë nesh, me fqinjët tanë dhe me emrat e mëdhenj të kësaj industrie në kontinentin tonë. Nuk kishte asnjë hotel me pesë yje dhe, jo vetëm që nuk kishte asnjë të tillë në vend, por as nuk dukej ndonjë i tillë në horizont dhe përpjekja për t’iu afruar ekselencës së kësaj industrie ishte gjithmonë e sikletshme, sepse ata tregoheshin të sjellshëm thjesht për formalitet, por na kthenin mbrapsht duke na thënë: ‘’Nuk kemi arritur ende në atë pikë dhe nuk kemi asnjë plan për ta marrë në konsideratë vendin tuaj’’. Pra, vendi ynë ishte vërtet një vrimë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Europë dhe ata që ne i numëronim si turistë, shifrat mbi të cilat mbështeteshin statistikat tona, ishin praktikisht numrat e udhëtarëve që hynin e dilnin, përfshirë edhe ne vetë.
Kështu, kushdo që dilte nga vendi për të bërë diçka, qoftë për punë, për të takuar familjen jashtë apo për të kaluar pushimet, sapo regjistrohej sërish në aeroportin tonë kur kthehej, numërohej si turist. Dhe, megjithëse kjo shifër ishte e fryrë, ajo nuk arrinte të kalonte dy milionë. Ndërsa tani jemi mbi 12 milionë dhe ndodhemi vërtet në një moment kur në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës, shqetësohemi për nevojën urgjente për të rritur cilësinë sepse nuk mund të shohim më vetëm atë anë të medaljes që tani shkëlqen, por që nesër mund të shkëlqejë mw tepër dhe në njëfarë mënyre, të na verbojë për sa i përket së ardhmes së vendit. Sepse të gjithë e dimë se një numër i madh turistësh me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtron një trysni të madhe mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe gjithashtu mbi njerëzit tanë. Sigurisht, e dimë se nuk ekzistojnë mekanizma për të penguar ardhjen e më shumë njerëzve, por në të njëjtën kohë, jemi shumë të vetëdijshëm se duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe më shumë kushte që ekselenca të vijë e të bëhet një forcë më vete në vend.
Teksa ngjiteshit në katin e dytë, jam i sigurt se patët mundësi të shihnit disa nga maketet e ekspozuara poshtë, të cilat janë rezultat i një pune të jashtëzakonshme që po bëhet prej disa vitesh në këtë vend, me studio arkitekture shumë prestigjioze dhe me mendje krijuese të mahnitshme nga bota e planifikimit urban dhe e arkitekturës. Pikërisht prej aty po e nisim dhe pikërisht përmes kësaj pune shpresojmë të ngjallim më shumë interes dhe të fitojmë më shumë terren për të pasur më shumë marka dhe më shumë turizëm me të ardhura të larta. Prandaj është kënaqësi të jem këtu. Është kënaqësi që i kemi këtu të gjithë këta emra. Megjithëse unë jam një njeri që nuk kënaqet kurrë me rezultatet, sepse rezultatet mund të jenë gjithmonë më të mira. Dhe na duhen më shumë. Jo vetëm më shumë, por na duhen më shumë dhe na duhen tani. E di se disa prej këtyre markave janë tashmë aktive. Disa ndoshta ende po e mendojnë, por ka të tjera që nuk janë ende këtu. Kjo është ajo që duam të bëjmë. Dhe ajo që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi është se çfarëdo që të thuash ka rëndësi, por deri në njëfarë pike. Më shumë rëndësi ka ajo që njerëzit shohin dhe përjetojnë. Dhe, në këtë drejtim, këta miliona e miliona turistë kanë qenë forca që na ka ndihmuar më shumë për të këputur zinxhirin e stereotipeve, për ta çarë e çarë e çarë murin që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e Europës dhe që ishte ngritur përgjatë shumë viteve nga paragjykimet, gjykimet e gabuara dhe gjykimet e pamatura.
Kështu, këta turistë janë bërë ambasadorët tanë më të mirë dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ata kanë ndihmuar që të vijnë më shumë njerëz, sepse, kur janë kthyer në vendet e tyre, kanë dëshmuar se Shqipëria nuk është vendi ku duhet të jesh i lumtur nëse të grabisin dhe nuk të përdhunojnë, por është vendi ku mikpritja është e natyrshme, ku dielli shkëlqen shumë më bukur se në Bruksel, ku ushqimi është shumë më i mirë se në shumë vende të Europës dhe çka është më e rëndësishmja, ku si natyra, ashtu edhe njerëzit, janë ende aty për të të përqafuar. Sigurisht, e dimë se kemi probleme. Sigurisht, e dimë se ende kemi vështirësi. Kush nuk ka? Por e dimë gjithashtu se jemi në rrugën e duhur dhe tani po përballemi me një sfidë të re. Po përballemi me sfidën e frikës për të menduar më në përmasa të mëdha dhe për të ëndërruar më në përmasa të mëdha, për të qëndruar pa dyshime dhe pa u dridhur kur investime të mëdha janë gati të vijnë, kur miliarda e miliarda janë gati të investohen në Shqipëri për ta shndërruar këtë vend në diçka edhe më ndryshe nga ç’është sot, por këto janë sfidat e përparimit. Këto janë sfidat e ndryshimit dhe ne jemi këtu për t’u përballur me to, sepse e vetmja gjë dhe gjëja që dimë të bëjmë më mirë është të luftojmë. Unë do të vazhdoj të luftoj. Do të vazhdoj të qëndroj në mbrojtje të vendit dhe të së ardhmes. Dhe do të bëjmë më mirë edhe për t’i kuptuar ata që kanë frikë nga e ardhmja, por, me përkufizim, kushdo që është këtu sot nuk ka frikë nga e ardhmja. Është këtu pikërisht për ta përqafuar të ardhmen, në një mënyrë apo në një tjetër.
Prandaj ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen. Shoh disa fytyra që i kam parë edhe më parë. Shoh disa të tjera që i shoh për herë të parë, por e di se Shqipëria e ka kaluar pragun e saj më të vështirë. Tani nuk është më e pamundur. Është gjëja më e lehtë t’u thuash njerëzve: Ejani në Shqipëri, sepse, kur thua “Ejani në Shqipëri”, të gjithë buzëqeshin dhe përgjigjen: ‘Kam qenë në Shqipëri’ ose “Mezi pres të vij në Shqipër”i. Dikur, “Ejani në Shqipëri”, ishte si një ftesë për në ferr dhe njerëzit e refuzonin me mirësjellje, pa të thënë jo, por edhe pa të dhuruar asnjë buzëqeshje. Prandaj jam i lumtur që të gjithë po buzëqeshni dhe do të jem edhe më i lumtur nëse marrëveshjet që do të arrini këtu do të më bëjnë edhe mua të buzëqesh. Prandaj arrijini marrëveshjet tuaja, mos e humbisni mundësinë. Sepse, e dini, një herë takova një investitor të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe i thashë: “Ejani në Shqipëri”. Ai ma tha shumë troç: “Shqipëria nuk është gati për mua”. Dhe, para ca kohësh, më telefonon e më thotë: “Dua të vij në Shqipëri”. Unë i thashë: “Shqipëria nuk ka kohë për ju”. Pra, do të vijë edhe ky moment. Ndaj shfrytëzojeni kohën tani, përfitoni sa më shumë prej saj, sepse po të mendoheni tepër gjatë, mund të gjendeni në një situatë ku Shqipëria është bërë tepër e zënë dhe nuk do të ketë kohë për ju.
Ju falënderoj shumë!